VAÇE ZELA
Esse
NGA NEBI DRAGOTI
Vaçe Zela
simbol i këngës shqiptare, plot fllade dehëse e rrënqethëse melodish joshëse do
të jetë ndër breza jete, ninulla rritëse djepesh në lindje agimesh dhe
ëndërrash plot rrezatime kulmesh muzikore, zë kultivues i optimizmit njerëzor, që
ngre dhe mbanë zemrat peshë. Vaçe Zela zë elektrizues me intensitet të lartë
influencon në ndjenjat më sublime si ushqim patriotizmi, atdhedashurie, identiteti
dhe krenarie kombëtare. Mburremi me këtë zë. Vaçe Zela zë i paparë, i
papërsëritshëm, me vibracione të mahnitshme rrjedhëse mërmërimash, gurgullimash
si uji i kristaltë i shkumbëzuar plot reflekse që zbret nga mali drejt fushave e livadheve erë
trëndeline, luleshumëngjyrshe që, metaforikisht, jep jetë, jep vrull, jep forcë
pune për ta bërë jetën akoma më të bukur. Kënaqësi ta nisësh punën duke dëgjuar
këngë nga repertori i saj. Vaçe Zela talent i paarritshëm i tokës shqiptare, ylli
muzikor me më tepër shkëlqim, ylli kombëtar që të mahnit me zërin e paparë
lirik dhe origjinal shfaqur me plot nuanca e vibracione notash të një muzike me
një natyrshmëri të thekshme si vetë natyra e bukur shqiptare. Krenaria
idhullore dhe maja më e lartë e muzikës sonë, është kjo, lushnjarja, Vaçe Zela,
që fizikisht u largua nga ne përgjithmonë (qetësi e paqë paste në varrin ku
prehet), ndërsa artistikisht me zërin e saj qëndron këngëtare e gjallë dhe plot
finesë e përjetësuar mes nesh përgjithmonë. Me tekste këngësh lirike, me tekste
këngësh epike ndezi me zërin e saj një flakadan madhështor në jetën artistike. Ka
bukuri magjepse zëri i bilbilave nëpër korije, lëndina e pyllnaja, gjer në
mallet me bore, por zëri i Vaçe Zelës ua kalon gjithë bilbilave, sepse me
gjuhën e bukur shqipe u këndon bukurive të vendit, i këndon jetës, u këndon
shqiptarëve, i këndon Shqipërisë.