Speciale
Vebi Xhemaili: Manastiri bashkoi kombin
E marte, 19.11.2013, 09:01 PM
KONGRESI
I PARË MBARËKOMBËTAR I ALFABETIT NË MANASTIR- BASHKOI KOMBIN DREJTË PAVARËSISË
ME RASTIN E 105 VJETORIT TË KONGRESIT TË MANASTIRIT
Nga Prof.
Dr. Vebi Xhemaili
Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti
një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën
përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një
mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do
të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja e një alfabeti unik u
përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë, shpeshherë
midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për
vendin e parë se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone
polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis
jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e
pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në
mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër
shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me
turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të
ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha
shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që
flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.)
Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa
sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e
Perandorisë, kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa
për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e
rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj,
duke e harruar kombin dhe origjinën e vet.
Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut
nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese turke. (V. Xh).
Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare,
problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të
pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata
të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër
shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në
këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke
favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë
i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën iniciativën për mbajtjen e
Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur
ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi
Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët ngriti zërin lart, duke
i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të
rëndësishme që luajti rol të veçantë në formimin e klubeve të tjera dhe në
zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e regjimit xhonturk.1 Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në
tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.
KONGRESI I MANASTIRIT
Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të
shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë
përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të
dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se
300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues,
prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18
përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte
edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.2
Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti,
Stambolli, Selaniku, Italia,
Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në
seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani,
kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë
dhe përkrahës të Kongresit.6 Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga
terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin
Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të
Manastirit.7 Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi,
para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e
gjuhës shqipe.8
Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu9, sëbashku me
Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i
njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i Tetovës, në Kuvendin e
Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur
fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur
haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet
xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale.
Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë
fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.10 Ky vilajet, në atë kohë përfshinte Manastirin si qendër, me disa
qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë edhe 2200 fshatra.11
Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të
Manastirit. Në orët e pasdites kishte filluar seanca plenare e Kongresit, ku
delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë
e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të
Selanikut dhe Janinës12, për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri,
për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.13
Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të
mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria”
të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe
pse Kongresi ishte i monitoruar nga pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të
diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u
morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror
të Shqipërisë”.14 Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë
kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë
anëtarët.15
Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet
rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka,
pasi ishte myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor
i Kongresit për alfabetin arab16. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë
dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim
beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në
Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë:
“Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me
Komitetin xhonturk.17
Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e
alfabeti.18 Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi
në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat
luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë
shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në
atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit
të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i
vetëm i gjuhës shqipe.19 Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet
koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç
ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për
qëllime kombëtare që ti kontribuojë unitetit në punën e Kongresit doli në
foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në
diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës tha:
”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të
bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si
më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj
Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij
delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e
përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa
dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në
sallë në ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.20
Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të
alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.21 Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh edhe
nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky
kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.22
Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë
tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte e interesuar për të pasur ndikimin
e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat
e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”.
Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin urrejtjen e tyre
kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e
në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të
gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve,
duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.23
Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u
konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë
shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht
më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët
shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte
atentate, duke vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.24 Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se
Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta
qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri
udhëheqësi i Kongresit, Mithat Frashri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku
prekej armiqësia kundër grekëve.25 Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin
intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u
bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës
asimiluese greke.26
Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë
mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për
politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte
lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre,
Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur
kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej
rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit.
Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i
Manastirit më 14 shtator 1908,28 xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të
autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e
lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave
shqiptare e transferojnë Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908.
Ata fshehurazi e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.29 Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon
gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte
marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.30
Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne
kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë
decentralizimin e vendit”.31 Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima, aty kah
fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.32
Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në
Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe
dogjën kullat Isa Boletinit më 21 nëntor 1908. Turqit sulmuan me 18 topa dhe 5
kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati
tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga
pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.33
SHPALLJA E PROGRAMIT KOMBËTAR NË MANASTIR
Konkluzionet e diskutimeve që u zhvilluan në seancat e fshehta u
përfshinë në Programin kombëtar, prej 18 pikave. Ky program iu paraqit
Parlamentit turk në emër të popullit shqiptar, përmes deputetit të Korçës,
Shahin Kolonja, i cili njëherësh ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e
Manastirit.34 Ndër vendimet kryesore, përveç alfabetit, ishte edhe: Kërkesa
për njohjen e Autonomisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe.35
Konsulli rumun nga Stambolli, në lidhje me vendimet politike të
Kongresit të Manastirit, do të deklarojë; “Në ditët e kaluara, në një nga
mbledhjet në përbërje të ngushtë të punës të Kongresit shqiptar, nga krerët e
tij caktohet qartë Programi politik i shqiptarëve. Ky program i është besuar
vetë Shahin Kolonjës, deputetit shqiptar nga Korça. Në të pohohet se qëllimi i
shqiptarëve nuk ishte vetëm problemi i shkollave, hapja dhe zhvillimi i tyre në
gjuhën shqipe, por problem kyç për ata ishte njohja e kombit shqiptar nga
politika zyrtare e qeverisë turke, por edhe autonomia e Shqipërisë në kuadër të
Perandorisë Osmane. Në kuadër të autonomisë u kërkua që nëpunësit shqiptarë të
jenë civilë dhe me veshje kombëtare, që deri atëherë e kishin të ndaluar të
shkonin në punë në administratën turke me veshje kombëtare. Po ashtu, u kërkua
që shqiptarët mos të dërgohen nëpër vendet e largëta të Perandorisë, por
shërbimin ushtarak ta kryejnë në vendlindje.36
Komisioni
i Kongresit të Manastirit që hartoi alfabetin
Kryetar
i Kongresit është zgjedhur Mit’had Frashëri, Kryetar i komisionit të abece-së,
Gjergj Fishta /1/, anëtar të komisionit janë zgjedhur këto personalitete: 2.
Mit’had Frashëri, 3. Luigj Gurakuqi, 4. Gjerasim Qiriazi nga Manastiri, 5. Dom
Ndre Mjeda, 6. Grigor Cilka, 7. Taq Buda, 8. Shahin Kolonja, 9. Sotir Peci, 10.
Bajo Topulli, 11. Nyzhet Vrioni. 5
Kongresi i Manastirit edhe
pse nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e unifikimit të alfabetit, në
përfundimin e Kongresit, në fjalën e tij Fishta i madh do të deklarojë:
“Komisioni qe i detyruar të marrë dy abe-ceda”. Vendimet e tij patën rëndësi të
madhe historike dhe politike për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e të
kulturës shqiptare drejt bashkimit kombëtar. Një gjuhë, një komb, një shtet.
Kongresi i Manastirit ka shqyrtuar më së shumti çështje me karakter politik. Në
fund u vendos që Kongresi i ardhshëm të mbahet në vitin 1910.37
Në fund, Kongresi dha
rezultatet e pritura, edhe pse vendosi pranimin e dy alfabeteve, por që mbështeteshin
kryesisht në alfabetin latin,38
që të përdoreshin bashkërisht në mesin e shqiptarëve, të dy alfabetet do të
përdoreshin detyrimisht nëpër shkolla, me disa modifikime dhe me disa shtime
germash. Më 22 nëntor, Kongresi vendosi që të thirret një kongres tjetër në
Janinë në korrik 1910, për çështje të gjuhës.39
Vendimet e Kongresit të
Manastirit kishin një rëndësi të veçantë, po të merret parasysh vendosmëria e
shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre nacional. Nga ky aspekt
historik, përfaqësuesit shqiptarë patën vizion të qartë në vendimin e tyre që
për bazë të merret alfabeti latin. Në veçanti pati jehonë të fuqishme kombëtare
diskutimi i profesorit të teologjisë në Stamboll, Haxhi Vildan Faik Dibra, i
cili merrte pjesë së bashku me dy delegatë të tjerë të dërguar nga klubi
xhonturk “Bashkimi” i Stambollit.40
Gati të gjithë të pranishmit qëndronin me një skepticizëm, kur e mori fjalën
Haxhi Vildani. Delegatët gati u shtanguan, pasi e dinin se ky ishte aktivist i
fuqishëm i xhonturqve dhe se kishte ardhur me mision nga ana e tyre në këtë
Kongres. Të gjithë pritnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Haxhi Vildan Dibra në
lidhje me alfabetin, a do të përkrah atë arab apo atë latin. Ky, në fjalimin e
tij tejet patriotik, në mes tjerash, potencoi; “Se besimi dhe Kurani nuk
kanë kurrfarë lidhje me alfabetin”. “Shqipëria tani është e lumtur,
sepse tani ajo është e bashkuar me anën e alfabetit, që është një nga
instrumentet më të fuqishme e më të mira, për të përhapur përparimin në mes të
popullit”.41
Kongresi i Manastirit pati
rëndësi të madhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ai me vendimet e marra për
një alfabet unik kombëtar, si dhe me programin e miratuar prej 18 pikash, bëri
që Lëvizja kombëtare të hyjë në fazën përfundimtare të avancimit të çështjes
sonë për autonomi. Klubet shqiptare të organizuara gati në çdo vend të banuar
me shqiptarë u shndërruan në qendra të përhapjes së idesë kombëtare, të
përhapjes së arsimit e të kulturës, me fjalë të tjera, këto vatra e bënë të
mundur kalimin nga lufta me pendë në luftë të armatosur të kombit shqiptar për
pavarësi. Klubet e para shqiptare që u hapën në trojet tona gjatë muajit
gusht-shtator ishin nga Vlora, Elbasani, Pogradeci, Shkodra, Kumanova dhe
Tetova.42 Me
rëndësi të veçantë është të theksohet roli i klubit shqiptar në Shkup. Ky klub,
në bazë të aktit zyrtar, me titull: “Rregullorja e klubit shqiptar” në Shkup,
është themeluar si “klub arsimor shqiptar”, më 1 tetor 1908.43 Më
vonë u hapën edhe 40 klube të tjera; si në Strugë, Ohër, Dibër, Gjilan,
Vushtrri e tjerë. Në tërë Shqipërinë Etnike, pas Kongresit u hapën mbi 40 klube
shqiptare.
Mbarimi me sukses i
punimeve të Kongresit Mbarëkombëtar në Manastir dhe marrja e vendimeve jetike
në favor të çështjes kombëtare, patën rëndësi jetike për zgjidhjen e rrugës
drejt autonomisë. Këto vendime të rëndësishme historike në Manastir vulosën
rrugën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, se ajo i takon Evropës dhe nuk ka
asgjë të përbashkët me lindjen. Marrja e këtyre vendimeve kolosale nga krerët e
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me të madhe u pengonte reaksionarëve xhonturq.
Ata tanimë ishin të bindur se vendimet e marra në Kongres çonin drejt
vetëvendosjes, pra, ishte fillimi i rrugës drejt shkëputjes nga Perandoria
Osmane. Prandaj, politika xhonturke për të penguar rrugën e unitetit politik të
shqiptarëve të arritur me sakrifica të mëdha në Kongresin e Manastirit, i
shtyri xhonturqit të veprojnë me të gjitha metodat për të përçarë Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare. Ajo përdori metodën e vjetër romake, devide et impera. Në radhë të
parë ajo e filloi luftën për të përçarë klubet shqiptare, ndërsa disa udhëheqës
të Lëvizjes i bleu me lekë (dukatë), që të propagandonin vetëm alfabetin Arab,
në vend të atij Latin. Disa veprimtarë nga shqiptarët myslimanë ranë në grackë,
të nxitur nga politika xhonturke, që të luftojnë për idenë panislamike, “një
fe, një komb”.
Kongresi i Manastirit hyri
në histori si “Kongresi i Abesë”. Kongresi i alfabetit mori vendime të
rëndësishme në shumë fusha të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore
dhe fetare. Duke zgjidhur rrugën e njësimit të alfabetit, ai zgjodhi edhe një
problem të prehtë politik, duke i dhënë një kapital të fuqishëm Lëvizjes sonë
Kombëtare në rrugën e tij për autonomi. Në këtë Kongres u bë bashkimi i
shqiptarëve dhe krahinave të ndryshme të Shqipërisë Etnike. Ky tubim
mbarëkombëtar forcoi lidhjet midis tyre. Kongresi forcoi edhe më shumë ndjenjat
kombëtare, u dha mundësi atdhetarëve për një qëndrim unik në strategjisë
politike të popullit shqiptar, të cilët me platformë shërbyen në rrugën e saj
drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Duke folur për rëndësinë e
Kongresit të Manastirit, gazeta “Lirija” e Selanikut do të shënojë; “Ishte pra
një ngjarje më rëndësi për ne, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu, jugu,
lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe
myslimanë..., atëherë kuptuam se vërtet paska një komb, dhe se ky komb qenka i
gjallë”. Kjo gazetë, pas përfundimit të Kongresit, do të shënojë: ”Mbledhja
e Manastirit na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qenien dhe
rrojtjen e një kombi shqiptar”.44
Kundër këtij qëllimi të
shenjtë kombëtar shërbente roli i klerit reaksionar me klerikët dhe
institucionet e tyre fetare, të cilët duke u shërbyer të huajve, iu kundërvunë
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë fushatë antishqiptare u përfshi edhe
qeveria turke. Ajo vendosi të luftonte me të gjitha mjetet e saj kundër mësimit
të gjuhës shqipe, përdori mjete financiare, u premtuan poste të ndryshme
politike për deputetë dhe myftinj. Kleri mysliman, por edhe ai katolik, ishte
vu në shërbim të të huajve. Po ashtu, shumë agresiv ka qenë kleri ortodoks,
ndihmuar nga qeveria greke, e cila bëri çmos dhe aplikoi të gjitha mënyrat për
mbylljen e shkollave shqipe, që ishin çerdhet nga ku përhapeshin çdo ditë e më
tepër shkronjat shqipe. Ai ndihmoi me zell pushtuesit e administratës turke,
për ndjekjen e gjuhës shqipe.45
Rrënjët e kësaj politike ishin shumë më të thella se sa dukej në sipërfaqe,
politika e tyre çonte në shkombëtarizimin e shqiptarëve. Këta ishin kundër
përparimit të gjuhës dhe shkollës shqipe, ishin kundër shkrimit shqip
përparimtar me shkronja latine. Këta ishin kundër klubeve dhe shoqërive të
kohës dhe kundër çdo gjëje tjetër shqiptare, u munduan ta kanalizonin ujin në
mullinj të huaj, të perandorëve të tyre. Kjo që u tha më lartë, më së miri do
ta kristalizojë K. Kristoforidhi, kur do t’i shkruajë në një letër N. Naços, ku
midis të tjerave i shkruante, “se ata që nuk duan fare të shkruhet gjuha shqipe
janë; mitropolitët, dhespotët e priftëria”.46
Ndërsa gazeta “Drita “ e Sofjes vinte me të drejtë shenjën e barazisë midis
rolit negativ të fesë dhe të çështjes kombëtare dhe qëndrimit armiqësor të
qarqeve reaksionare turke, greke e tjera.47Në
këto rrethana të vështira politike për kombin shqiptar, qarqet qeverisëse turke
organizuan në të njëjtën ditë, më 22 nëntor, një ekspeditë ndëshkuese kundër
shqiptarëve, me qëllim që të kapet ose të vritet Isa Boletini, si kundërshtar i
regjimit xhonturk. Ata dërguan kundër tij në Boletin 1 500 ushtarë të pajisur
me artileri. Pas përleshjes që pati tërë ditën, në të cilën u vranë rreth 30
ushtarë turq dhe vetëm 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën në fshatrat për
rreth për t’u vendosur më pas në Isniq të Pejës.48
Austria si gjithnjë deri
në shpalljen e pavarësisë, financoi klerikët katolikë për interesa të saj
politike, edhe pse ata kanë vepruar kundër alfabetit shqip. Këtë radhë
diplomacia austriake kinse kontribuon për çështjen shqiptare49, në të vërtetë ajo ishte
shumë më e interesuar për të pasur një pasqyrë më të pastër në punët e
Kongresit. Roli antikombëtar i klerikëve katolikë kundrejt njësimit të alfabetit
u pa me rastin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Jezuitët e Shkodrës, duke
vazhduar më tej veprimtarinë e tyre armiqësore, nuk pranuan të dërgonin
përfaqësuesit e tyre në Kongresin e Manastirit.50
Kleri mysliman shqiptar
pas revolucionit xhonturk iu përshtat shpejt ndryshimit të gjendjes politike.
Ata që kundërshtuan këtë regjim antishqiptar, turqit e rinj i burgosën, siç
ishte rasti me Dervish Himën, i cili gjatë mbajtjes së Kongresit të Manastirit
ndodhej në burgun e Selanikut. Ndërsa disa hoxhallarë fanatikë u vunë në
shërbim të xhonturqve, u shitën për poste dhe interesa të ngushta personale,
këta ishin elementë të korruptuar si Arif Hiqmet Kumanova, Sahit Hoxha i
Shkupit dhe Rexhep Voka nga Tetova. Ndërsa Hafëz Ali Korça, shkonte edhe më
larg, duke predikuar anë e mbanë Shqipërisë Etnike, “se mos u hupet dini me
abecenë latine”, e tjera e tjera turpe.51 Këta
fanatikë injoronin kombin në emër të turqizmit, shumica nga këta nuk flisnin
shqip. Organizuan “mitingje” kundër Alfabetit latin në Manastir,
Selanik, Shkup, Kumanovë, Tetovë, e shumë qytete tjera të Shqipërisë Lindore.52
Kongresi i
Manastirit, me zgjidhjen e çështjes së alfabetit, si dhe me shqyrtimin e
çështjeve të tjera me karakter politik dhe nacional, konsiderohet si njëra nga
ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
1 Historia e popullit shqiptar..., f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.
2 Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.
3 Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak, Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.
4 Po aty, raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar.
5 Manol Pandevski, Politiçkite partii..., vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.
6Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit..., 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte i lindur në Prilep, që në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.
7Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.
8HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh ai mundte që të lexonte shqip në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi Hoxhë nga Tetova.
9 Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.
10 Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;
11 Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete; Manastir, Prilep, Florinë, Ohër, Korçën, Starova Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë, Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës, Kërçova me gjithsejtë 2 220 fshatra.
12 Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.
13 “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.
14 Manol Pandevski, Politiçkite parti..., vep. e cit. f. 287.
15 Po aty, raporti i njëjtë. Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.
16 Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.
17 “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.
18 Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.
19 Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004, f. 76.
20 Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.
21 Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist, Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.
22 Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.
23 A.M. Shkup, Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.
24 Po aty, raporti i njëjtë.
25 Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.
26 Po aty.
27 Po aty, raporti i njëjtë.
28 Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit..., f.196.
29 Raport i konsullit. astro-hungarez nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.
30 ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.
31 ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.
32 Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.
33 Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908.
34 INI-Tiranë, Raport i konsullit austro-hungarez, nga Manastiri dërguar Vjenës, më 30 nëntor 1908.
35 I. G. Senkieviç, osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda..., f. 123; Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vep. e cit dok. 113.
36 Raport i konsullit rumun Breileanu nga Manastiri, dërguar Ambasadorit Rumunisë në Stamboll, më 19 nëntor 1908.
37 Manol Pandevski, Politiçkite partini i organizaciji..., f. 286.
38 Falë kontributit të Gjergj Fishtës, shqiptarët sot përdorin shkrimin latin.
39 Raport nr.85 i konsullit A. Ristovskit nga Manastiri, dërguar Zinojevit, më 14 (22) gusht 1908.
40 Stavro Skendi, the albanien National-Aveking 1878-1912, Printon Univesity Press, 1967, f. 373; Nga Kubi “Bashkimi” ishin edhe Fazli Pashë Toptani, nga Tirana dhe Riza Beu nga Dibra, kolonel i shtabit madhor osman.
41 HHStA, PAA. Raport i konsullit austriak në Manastir, më 30 nëntor 1908; Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqiptar në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. Prishtinë 1969, f. 82; Veprimi i Haxhi Vildan Efendiu nga Dibra, që kishte ardhur nga Klubi “Bashkimi” i Stambollit, me gjashtë përfaqësues në Kongresin e Manastirit të cilët ishin: Manastirasi Ismail Hakiu, Shaqir Efendiu, Fazli Pashë Toptani, deputeti i Prishtinës Fuat pashë Prishtina, Riza bej Dibra, dhe Maliq bej Luma. Diskutimi patriotik i Haxhi Vildanit zhduki skepticizmin që kishin shumica e delegatëve të Kongresit, veçanërisht midis anëtarëve të Klubit “Bashkimi” të Stambollit.
42 Historia e populli Shqiptar..., f. 381.
43 AQSH, Tiranë, Fondi 102, viti 1908, dosja, 201 f. 1 (Rregullorja e Klubit Shqiptar në Shkup); rregullorja ka 8 faqe e 26 nene dhe është shtypur në shtypshkronjë me Alfabetin e Stambollit. Sipas nenit 1 “Klubi Shqiptar i Shkupit është një vend për mbledhjet shqiptare ku shokët nuk do të shikojnë punë tjetër veç atyre qëllimeve që ka klubi dhe të cilat janë të shënuara me program”. Anëtari i klubit kishte të drejtë të bëhet çdo shqiptar nga Shkupi dhe jashtë tij (neni 2). Ky klub, në kongresin e Manastirit, kishte dërguar si delegat Hafëz Ibrahim Efendiun dhe Emin Beun
44 Gazeta “Liria”, nr.17, Selanik , 22 nëntor 1908.
45 Gazeta “Atdheu”, Konstancë, nr. 2, 15 gusht 1912.
46 Petro Nino Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe dhe përfolja e shqiptarit, Manastir 1911, f.31.
47 Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 81,15 korrik 1908.
48 Historia e popullit shqiptar, vep. e cit, f. 398.
49 HHStA, PA, Raport nr. 128, i konsullit Kral, dërguar Erentalit, më 22 nëntor 1908.
50 AQSH Fondi, Klubi Shqiptar në Manastir, Dos. 5, dok. 50092: Revista “Leka”, nr. i veçantë, vj. XII, 1940, Shkodër 1942, f.14.
51 Nexhat Abazi: Nga veprat e tradhtarëve edhe atdhetarëve shqiptarë, gazeta “Nacional” Tiranë 2011.
52 Hysni Myzyri, Lufta e Shqiptarëve të Maqedonisë, (Botuar në librin Shqiptarët e Maqedonisë), punim i cit. f. 300.