Speciale
Ibrahim Rugova: Zoti e bekoftë Amerikën
E merkure, 11.09.2013, 05:04 PM
Presidenti Rugova ishte vet SHBA ja për ne shqiptarët
Përgatiti për ZSH: Xhevat Rexhaj
Fjala e
Presidentit Rugova në mbrëmjen përkujtimore kushtuar sulmit terrorist në
Ja dhe
fjala e Presidentit Ibrahim Rugova.
"Ju
falënderoj për ftesën që më keni bërë të jemi së bashku në këtë Mbrëmje
përkujtimore në njëvjetorin e 11 shtatorit 2001, të përkujtojmë të keqen që u
bë mbi kullat e bukura binjake të Nju Jorkut dhe mbi ndërtesën e Pentagonit,
mbi njerëzit e mirë të vendit Tuaj. Kjo ishte ngjarje që tronditi gjithë botën
e qytetëruar dhe qytetarët e vendit tim.
Që në
fillim dëshirojmë të themi në këtë njëvjetor se 11 shtatori 2001 ishte
shpërthim, sulm i të keqes dhe sot mund të themi se 11 shtatori 2002, i gjithë
ky vit është fitore e të mirës mbi të keqen. SHBA dhe bota e qytetëruar kanë
dalë më të forta, më të fuqishme.
Më 10
shtator nga Prishtina via Vjenë udhëtoja për një vizitë në Kanada. Gjatë gjithë
udhëtimit, sidomos mbi Atlantik, më dukej se kishte më shumë turbulenca se sa
herave të tjera. Posa zbritëm në Toronto, duke u përshëndetur me mikpritësit
kanadezë dhe duke pritur për t'u nisur për Otava, në bisedë e sipër u thashë se
udhëtuam mirë, por më dukej se sot patëm shumë turbulenca mbi Atlantik. Ishte
bisedë rasti dhe nuk dëshiroja ta bëja këtë sugjestion.
Të
nesërmen më 11 shtator u zgjova herët në mëngjes, ndërsa përgatitesha për ditën
e punës, bashkëpunëtorët e mi hynë shpejt në dhomë e më thanë ta ndezë
televizorin. E bëra këtë, më dukej se ishte CNN apo Fox News, dhe pashë tmerrin
mbi kullat binjake. Nuk u besoja syve.
Atë ditë
u pajtuam me miqtë kanadezë të mos punojmë në shenjë solidarizimi. I bëra një
telegram ngushëllimi Presidentit Bush. Të gjithë ishim të prekur. Të nesërmen u
njoftova se i gjithë populli i Kosovës ishte prekur nga këto ngjarje tragjike
dhe kishte shprehur solidaritetin dhe miqësinë me SHBA.
Pas disa
ditësh qëndrimi u ktheva me avionët e parë për Evropë. Në sytë e udhëtarëve në
aeroporte vërehej brengosja po edhe dëshira, aspirimi për të mirën. Posa u
ktheva në Prishtinë i bëra një vizitë Zyrës – Ambasadës amerikane dhe u
nënshkrova në librin e zisë.
Kështu e
përjetova 11 shtatorin, këtë ditë të prekjes e të solidaritetit të njeriut me
njeriun.
Pas këtyre
refleksioneve, themi se 11 shtatori 2002 është fitore e SHBA dhe e aleatëve si
dhe e botës së qytetëruar, botës liridashëse mbi të keqen. Është një
vetëdijësim i përgjithshëm mbi pasojat e të keqes, terrorit, horrorit, të
terrorizmit, si e keqe globale.
Njeriu
dhe njerëzimi gjithmonë ka qenë dhe ka vepruar kundër së keqes, i vetëdijshëm
se ajo mund të arrijë. Gjithmonë ka ndërtuar e aspiruar të mirën. Me filozofinë
e të mirës e ka kundërshtuar filozofinë e të keqes, edhe në planin praktik e
shpirtëror.
Presidenti
Bush me të drejtë, me forcën e dhembjes dhe të krenarisë e të arsyes për të
mirën, terrorizmin e quan të keqe të kohës tonë që duhet t'i kundërvihemi.
Vërtet kjo është një e keqe e kohës sonë, si pasojë e luftës së ftohtë, kur
njerëzimi po ribashkohet në idealet e të mirës, të njerëzisë, të lirisë, të
vlerave të përbashkëta qytetëruese. Kjo nuk është një manikeizëm i konfrontimit
të së mirës me të keqen, apo manikeizëm ideologjik, që e patëm gjatë kohë, po
vision i filozofisë të së mirës që kundërshton të keqen.
Në
kontekst të 11 shtatorit Kosova solidarizohet me SHBA dhe aleatët, sepse neve
na e hoqën te keqen – terrorizmin aktiv të organizuar më se 10-vjeçar dhe
qindravjeçar. Dhe sot, ky popull me miqtë e vet është në dritën e lirisë, të pavarësisë
dhe të demokracisë, që po bëhet popull i lirë në bashkësinë e popujve të lirë.
Ne e kuptojmë më së miri 11 shtatorin.
Historia
përsëritet, po ne duhet të përfitojmë nga këto përsëritje, të mësojmë. Ajo
shpesh i bënë korrigjimet me përsëritjet e saj, apo i kthen gjërat në burim, në
Zotin, që duhet të kalojmë nëpër tragjedi të vogla e të mëdha. Për ne kosovarët
kësaj radhe falë Zotit dhe miqve tanë u kthyen në burim përsëritjet e
historisë, duke zhdukur të keqen. 11 shtatori na obligon se duhet të punojmë e
kultivojmë shpirtin e të mirës.
I
nderuari Ambasador,
Në këtë
Mbrëmje të përkujtimit të 11 shtatorit, në emër të popullit të Kosovës i
shprehim mirënjohje vendit të madh SHBA dhe popullit amerikan për gjithë atë që
kanë bërë për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Mirënjohje
të madhe kemi për Presidentin Uilson, i cili në fillim të viteve '20 lansoi
parimin e vetëvendosjes dhe të Pavarësisë për popujt, me ç’rast këtë parim ua
njohu edhe shqiptarëve.
Në kohën
e Presidentit Nikson, doajeni i diplomacisë amerikane Henri Kisinxher u
interesua për ne, që obligon mirënjohjen tonë.
Në kohën
e Presidentit Regan, kur filluan kohërat më të vështira për Kosovën, Kongresi
dhe administrata amerikane nisën të mbrojnë popullin e Kosovës. Presidenti
Regan meriton mirënjohjen tonë.
Në kohën
e rënies të Murit të Berlinit dhe të rënies së luftës së ftohtë Presidenti Bush
– tash Bushi Plaku - gjithnjë e më shumë u kujdes për Kosovën.
Është i
njohur "Kërcënimi i Krishtlindjeve" i vitit '92 kur e vendosi vijën e
kuqe mbi Kosovën, që ishte një dritë shprese për ne. Kjo meriton mirënjohje të
veçantë.
Vijën e
kuqe të Presidentit Bush, e mbrojti Presidenti Klinton dhe zonja Ollbrajt,
Zonja e diplomacisë amerikane, që e shpien Kosovën në rrugën e lirisë, të
pavarësisë e të demokracisë, çfarë meriton mirënjohjen tonë, po ashtu speciale.
Dhe vitin e kaluar, në korrik të vitit 2001, Presidenti Bush, pra Bushi i Riu, posa mori detyrën e vizitoi Kosovën dhe kampin shkëlqyes Bondstill, që e zbukuron dhe forcon Kosovën. E meriton admirimin dhe dashurinë e popullit të Kosovës dhe dëshirën që Kosova me progesin që ka bërë të njihet sa më shpejt si vend i pavarur në bashkësinë e popujve të lirë.
Në këtë
mbrëmje të 11 shtatorit, mund të themi se Kosova nuk harron, nuk është
bukëpërmbysëse, solidarizohet dhe ndien me miqtë e saj – me mikun historik me
SHBA dhe aleatët e saj europianë e të botës së qytetëruar.
I
nderuari Ambasador,
Në
njëvjetorin e 11 shtatorit, kur po bisedohet se çfarë të bëhet me kullat e
bukura binjake, ne mendojmë se ato duhet të ngriten edhe më të mëdha seç ishin,
me një lapidar përkujtimi për viktimat. Ne kështu vepruam në Kosovë tash tri
vjet pas luftës në liri, i ndërtuam shtëpitë që i kishim, i bëmë më të mëdha e
më të bukura me ndihmën e miqve tanë dhe me shpirtin e fortë të popullit e të
qytetarëve tanë. Ky është vetëm një sugjerim i vogël për mikun tonë të madh.
Ndoshta
fola pak me sensibilitet për shumë gjëra si President i një vendi me origjinë
të vjetër i Dardanisë antike e me status të ri të Pavarësisë. Ndoshta isha
tepër patriotik për Kosovën dhe për Amerikën, për miqësinë tonë, por do shtuar
se pak patriotizëm na bën mirë.
Në këtë
Mbrëmjë përkujtimi të 11 shtatorit, do thënë se SHBA dhe bota e qytetëruar pas
një viti janë më të fuqishme, me vision të qartë për fitoren mbi të keqen dhe
hapjen e visionit dhe forcimit të së mirës që i duhet njerëzimit.
T'i
kundërvihemi të keqes.
Të
forcojmë të mirën.
Zoti i
bekoftë viktimat e 11 shtatorit.
Zoti e
bekoftë Amerikën.
Zoti e
bekoftë Kosovën.
Zoti e
bekoftë miqësinë tonë.
Nga kjo
Mbrëmje përkujtimi, përshëndesim Presidentin Bush dhe popullin amerikan.
Ne lutemi
për Ju.
Ne jemi
pranë Jush ".
Ibrahim
Rugova