E premte, 02.05.2025, 08:01 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Ndahet nga jeta Jahir Potoku i Llapit

E premte, 15.11.2013, 10:00 PM


Para një muaj  u nda nga kjo jetë

JAHIR POTOKU I LLAPIT

- Ai nuk ka punuar me kompjuter, por në një rast, kur e pyeta se si mban mend kaq shumë dhe kaq bukur, m’u përgjigj: “Une e kam kryet digitron, çka t’shkruejsh në të e mban mend!” Dhe, vërtet ai  nuk harronte. Ai është dalluar edhe për nga forma e trupit. Ishte mjaft shtatlartë, edhe me kokë në harmoni më trupin, që ngjasonte tamam me tipat malsorë të dikurshëm.

Zoti  e mëshiroftë dhe i qoftë i lehtë Dheu i Tokës Nanë!-

NGA GANI MEHMETI

Jahir Islami, jashtë i njohur me Jahir Potoku, ka lindur në fshatin Potok të Mavriqit të Llapit. Fëmijërinë si të gjithë të tjerët e asaj kohe e pati mjaft të vështirë nga shkaqe të kohës që ishin, prapambetja ekonomike, jeta idilike e fshatit, lëngimi i vendit nën sundimin serb të ndarë nga trungu shqiptar, ligjet kanunore e ndonjë tjetër ishin që popullin e mbanin sikur të izoluar në një vend. Njeriu piçet nga vuajtjet, jo nga llukset! Jahiri u poç nga vuajtjet si shumë apo si të gjithë bashkëmoshatarët e  tij.

I lindur në vitin 1918, në vitin e krijimit të Jugosllavisë që kishte  gëlltitur  shumë troje shqiptare, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore në fshatin Potok, që më herët po quhej vetëm Prroni i Islamit, Jahiri është drejtpërdrejt  i lozës së Islam Qorrit, nipit të      Demë Ahmetit të Reçicës në Mavriq të Llapit, kur më 1811   ishte  sulmuar e masakruar  familja e Demë Ahmetit nga çetnikët serbë. Jahiri është brezi i katërt nga Islam Qorri. Që vjen kështu: Ahmeti---Dema---Syla---Islami---Agushi---Rrahmani---Jahiri. Syla i Demë Ahmetit ka rënë gjatë sulmit, Islami ka qene qorruar në njërin sy me singi nga Novica i Zi, dhe për këtë quhej Islam Qorri.

Jahiri po karakterizohej në shumë aspekte nga të tjerët. Ai ishte i ditur. Mbante mend shumë kanunin e Lekë Dukagjinit, prandaj edhe ka marrë pjesë në pleqni, ishte krentar i shquar i njohur edhe jashtë trevës së Llapit bashkë me Mulla Adem Pakashticën. Shquhej për drejtësi, ndërsa cilësi tjetër kishte edhe trimërinë, nga që është bërë zor të jesh sot edhe i drejtë po nuk je edhe trim. Jahiri ka marrë pjesë në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, të drejtuar nga i Urti dhe i Dituri e i Respektuari Anton Çetta në vitet e 90-ta të shekullit XX. Ai mbante veshur edhe kostumet kombëtare, me çka dallohej larg nga të tjerët. Kishte një të folur llapjane të shkathët me shprehje të forta që ishte për ta  lakmuar.

Jahir Potoku ishte  një enciklopedist i shquar i ngjarjeve historike shqiptare, të luftëtarëve e trimave shqiptarë. Ai mbante mend shumë dhe ishte në gjendje t’i rrëfente deri në ditën e vdekjes.

Ai nuk ka punuar me kompjuter, por në një rast, kur e pyeta se si mban mend kaq shumë dhe kaq bukur, m’u përgjigj: “Une e kam kryet digitron, çka t’shkruejsh në të e mban mend!” Dhe, vërtet ai  nuk harronte. Ai është dalluar edhe për nga forma e trupit. Ishte mjaft shtatlartë, edhe me kokë në harmoni më trupin, që ngjasonte tamam me tipat malsorë të dikurshëm.

Mbante mend shumë tregime motivesh të ndryshme, ngjarje (ndodhi) të dëgjuara e të përjetuara. Fliste me ëndje për figura të ndryshme të historisë shqiptare, për Demë Ahmetin, Haxhi Zekën, Sinan Llapin – Dragushën, Bajram Currin,  Ahmet Shtimen, Hxhi Sadrinë, Ahmet Bulliqin, Ukë Mavriqin, Osman Pollatën,  Hamit Ramën – Potokun, e të tjerë. Me dashuri të madhe fliste për forcat shqiptare kundër çetnikëve serbë gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe me vonë. Kishte qenë në turmën e luftëtaRËVE NË Podujevë, kur kishin marrë qëndrim të mos shkojnë për në Serbi, në krye me Shaban Pollushën.

Ai ka marrë pjesë me Anton Çettën në Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve dhe në politikën paqësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Ibrahim Roguvën, me të cilin ka pasur disa herë edhe kontakte për çështjen shqiptare në Kosovë.

Fliste edhe për Obrenoviqët e Serbisë lidhur me miqësitë mes tyre dhe turqëve, që kishin shpënë deri edhe tek autonomia serbe bashkë me ndihmën e Rusisë, Pastaj fliste për Nikolla Pashiqin, Kostë Vojvodën e të tjerë që shquhej me njohjen e diplomacisë serbe, duke përcjellë të gjitha ngjajet deri sot.

Jahir Potoku ka qenë i përfshirë e i angazhuar me të madhe në vitet e 90-ta për pavarësinë e Kosovës. Ai disa herë është përballur drejtpërdrejtë edhe me policë serbë në këto vite, duke e mbrojtur rininë shqiptare kur po protestonte e demonstronte kundër forcave serbe, kundër sundimit serb  mbi Kosovën. Në sallën e Kuvednit të Komunës në Podujevë kishte ngritur zërin kundër komandatëve serbë të ardhur nga Beogradi dhe kundër Jusuf Karakushit, i cili mbante anën e serbëve aso kohe.

Ai kishte lënë përgjysmë faljen e namazit të drekës në xhami, duke i ftuar edhe të tjerët që të vërshonin e të protestonin  kundër marrjes së të rinjve  në Podujevë dhe u kishte shkuar në gojë komandantëve të Beogradit edhe brenda në komunë ku ata kishin hyrë. Atë ditë kishin pasur ndërmend të bëjnë kërdinë mbi rininë shqiptare, por me ndërhyrjen e të moshuarve nëkrye me Jahir Potokun, kishin shpëtuar të gjithë, pa asnjë arrstim, pa asnjë plagosje, pa asnjë arrestim. Këtu, siç pohonte vetë Jahir Potoku, i ishte falënderuar edhe njëri nga komandantët serbë, se ai i kishte shpëtuar edhe ata e edhe rininë shqiptare, se përndryshe kishte qenë afer konflikti luftarak, nga i cili, nuk do të shpëtonin hiç më mirë as forcat serbe, sepse ishin të rrethuara.

Jahir Potoku ka lënë një varg veprash të tij, natyrisht, të pashkruara për ata që e njohën për së afërmi. Por, ka rrezik që të humbin, nëse këto nuk mblidhen e nuk publikohen, nëse nuk shkruhen, se vetëm të shkruara, mund t’i qëndrojnë kohës e të përcillen.

Jahir Potoku vdiq më 15 tetor 2013, rreth orës 23, në moshën 95 vjeçare, mbasi kishte përcjellë edhe Kurban Bajramin atë ditë, si një fetar i denjë  që ishte. Ai ishte më parë shqiptar e pastaj mysliman. Dhe, këto kohët e fundit, duke parë se nuk po venin rrugës nga duhet shqiptarët, pse kishin marrë vetëm interesin personal, duke harruar interesin kombëtar e shtetëror, ndjehej thellë i zhgënjyer.

Jahir Potoku kishte edhe një porosi pas Aksiopnit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Ai thoshte: Ai shqiptar qi e vret mas dites sodit nji shqiptar, dorasit as mos me ia marre kush çikën, as mos me ia dhanë kurrkush çikën. Burgu asht tjetër sen, martesë mos me pasë kurrkush ma me atë familje hiç. Këso fare, nuk kish me pasë nevojë me u hakmarrë kurrkush, se vetë kjo kish me kanë  hakmarrja ma e ranë.

Edhe sa i përket çështjes fetare, ai ishte për fenë tradicionale islame, jo me shfaqjet e sekteve të reja, të cilat ishin kundër njerëzimit dhekundër vetë fesë myslimane. Ishte kundër të gjitha jetëve që po mirreshinnë shetet islame, nga shpërthime eksplozivesh të ndryshme, sidomos në vende publike, siç ishin tregjet (pazaret) vendore, shkollat dhe xhamitë. E kuptoj edhe luftën, por ajo duhet të zhvillohet vetëm me ata që janë në konflikt e jo me qytetarë, siç bëri edhe Serbia me ne, thoshte xha Jahiri. Myslimanët janë prishë sot – thoshte jahiri. Askund në botë, përveç kah janë myslimanët, nuk  ndërmerren aksione kundër popullsisësi në shkolla, xhami, në tregje e në vende tjera publike, përveç kah janë myslimanët, nuk  ndërmerren aksione kundër popullsisësi në shkolla, xhami, në tregje e në vende tjera publike, përveç ku janë myslimanët. Shikoni fetë etjera, ata jetjnë në paqe e nuk e vtrasin popullin.

Jahir Potoku ka qenë i njohur jo vetëm në Llap, por edhe në krejt Kosovë.

Zoti  e mëshiroftë dhe i qoftë i lehtë Dheu i Tokës Nanë!

-------------------

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga Kosova 14 Nëntor 2013-



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx