E premte, 02.05.2025, 10:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Azgan Haklaj: Nënë Tereza - engjëlli shqiptar

E premte, 18.10.2013, 07:33 PM


NËNË TEREZA - ENGJËLLI SHQIPTAR QË ME DASHURI PUSHTOI QIEJT!...

Nga AZGAN HAKLAJ, President i Unionit Artistik i Kombit Shqiptar

Me 16 tetor 1979, kur bota u lajmërua, jo pa sensasion, se një misionare në Kalkutë do të merrte çmimin “ NOBEL “ , boigrafë e gazetarë , u turrën të rrëmonin në biografinë e kësaj gruaje të brishtë e të çuditshme. Fjalëpak por e saktë dhe e vendosur në atë që thoshte, ajo iu përgjigj medias botërore: “ Nga gjaku dhe prejardhja jam shqiptare. Kam shtetësi indiane. Jam murgeshë katolike. Nga prirja, i përkas gjithë botës… Me zemër, i përkas plotësisht zemrës së Jezusit . “

Ishte Nënë Tereza, që si rrufe në qiell shndriti mbi errësirën që asokohe kishte kapluar Shqipërinë, vendin e izoluar e të harruar të Shqiponjave. Dhe ja , kjo grua e vogël na e rikthen edhe njëherë si komb, atë emër të madh që patëm latuar në shekuj me perandorin Konstandin apo me Skënderbeun. “ Nje grua vërtetë e vogël me trup, por që s’ka asgjë të vogël në qënien e saj” – do ta pershkruante Indira Gandi. Nga madhështia e dashuria e saj, ajo do t’I jepte gjithë globit nga Kalkuta në Irlandë, nga Venezuela në SHBA, por dhe vendit tonë do t’I dhuronte më shumë nga të gjithë: qenien e gjakut që i rridhte në damarë, atë shqiptar . Ne ishim kombi i braktisur nga njerëzia, liria dhe nga Zoti. Ishim kombi i dënuar të përjetonim copëtimin e robnimin, kush prej sistemeve ekstratotalitare e kush prej dhunës shovene. Dhe ja, një fat në buzëvarr, një qiri shkëlqimtar që ndriçonte fundin e tunelit të destinit fatal shqiptar: Nënë Tereza. Ajo me dy fjalë për origjinën e saj arbnore e me një foto të vitit 1925 , kur s’i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, veshur me rrobën tradicionale kombëtare shqiptare, po i thoshte botës se shqiptarët jo vetëm ekzistojnë, por janë në vëmendjen e vetë Zotit. Një befasi e mrekullueshme, që bëri Papën, Mbretërit, presidentët e fuqishëm të globit të kujtoheshin një çast, se aty buzë Adriatikut, rrethuar me tela e të izoluar prej Perëndimit, që prej lashtësisë, jetojnë shqiptarët e Nënë Terezës e të Gjergj Kastriotit. Prej asaj kohe kanë kaluar dekada e kombi ynë ka galopuar drejt së mirës e fatit më shumë se çdo komb në fundshekullin që lamë pas e në këtë që po jetojmë. Por nuk mund të mohohet se pa zë e me modesti, pa zhurmë, por me shumë përkushtim e dashuri, ne kishim me vete si melhem e hajmali, si bekim e afrim te Zoti, dorën dhe mendjen e Nënë Terezës. Se vetë Nënë Tereza ishte nje laps në dorën e Zotit, me të cilen duket se Perendia nënshkroi për të na e ndërruar fatin e larguar, për të na i zbuar, më në fund, ndeshkimet dhe mallkimet shekullore.

Edhe sot, kur ne shkojmë në Bruksel për të konsultuar obligimet tona integruese, më shumë se gjithçka, ajo që na lidh me Perëndimin, me Zotin e qytetërimin është natyrisht edhe vegimi e emri i madh i Nenë Terezës. Kjo grua gjeni, jo vetëm e besimit e bamirësisë , është dhe esenca e një filozofie të re, e cila u kyç jo pa rëndësi e pa efekt në epokën e globalizmit. Kur paraja po synonte të konkuronte vetë Zotin, Nënë Tereza këshillonte të pasurit të mos gëzoheshin dhe aq, kur në botë miliona njerëz vuajnë urinë, sëmundjen, luftën. Ajo i kërkoi botës humane jo lëmoshë e mëshirë, por besim e afrim te Zoti, mirësjellje e dashuri njerëzore .

“ Më mirë të bëni gabime me mirësjellje, sesa mrekuli me vrazhdësi”.Kjo thënie biblike e Nënë Terezës është kthyer në slogan të gjithë shpirtërave njerëzorë që besojnë te Krijuesi.

Gjenia e Nënë Terezës, mrekullia e saj, nuk qëndron vetëm në shërbimet e saj e të Urdhërit te vet shperndarë në gjithë botën, në të mirë të të sëmurëve, të të varfërve e të uriturve. Është shumë më gjeniale dhe hyjnore. Ajo i argumentoi njerëzimit se vuajtja për dashuri dhe uria për të është më e rëndë se uria për bukë. “ Po të kishte të uritur në Hënë, unë do të shkoja dhe atje…” Kështu e përshkruan përkushtimin, një ftesë për këdo dhe kurdoherë drejt një qëllimi të mirë, human e fisnik “, sepse fisnike ishte vetë Nënë Tereza, gjaku e geni I saj shqiptar.

34 vite nga laurimi i saj me “ NOBEL” dhe 10 vite nga lumturimi, mbushen pas disa ditësh. Bota ka filluar të festoje e të kujtojë këtë engjëll të brishtë që e lindi, e rriti nëna e toka shqiptare, për t’ja falur qiejve nga ku ajo të mund te vijojë përjetësisht misionin e saj hyjnor. Ajo qëndron lart mbi ne, e mbështjellë me rroben ngjyrë qielli e reshë te bardha, duke na vëzhguar e duke u lutur për ne. Duke u lutur për të gjithë, pa na ndarë as në fe, as në ide. Le ta dëgjojmë këtë lutje engjëllore, se aty mëshirohet dhe shqip, se shqiptare qëlloi jo rastësisht, të ishte aty ku engjëll unik që Zoti ja dhuroi njerëzimit..

Në kujtim e për të nderuar veprën e Nënë Terezës, me rastin e 10 vjetorit të lumturimt të saj, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, në bashkëpunim me shoqatën “Dedë Gjo Luli” do të organizojë me datën 19 tetor në Tuz, Mali I Zi spektaklin “Shqipe Engjellore E Botës”. Ne këtë aktivitet do të marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx