Faleminderit
Hyqmet Hasko: Migjeni, poeti unikal
E hene, 14.10.2013, 06:33 PM
Shqyrtim eseistik për veprën e
një kalorësi të refuzuar të dashurisë njerëzore
Migjeni, poeti unikal i
përballjeve të forta sociale dhe brenda unit të tij
Nga Hyqmet Hasko
Në vitin e
njëqind vjetorit të lindjes së poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni
(1911-1937), nuk mund të mos përsiatësh jetën dhe veprën e tij unikale, atë
botë të trazuar dramatike, ku mplekset lirizmi dhe tragjizmi, me një stil
unikal, që e ndan kohën e letrave shqipe në dy kohë, para dhe pas Migjenit. Siç
thotë me të drejtë poeti i njohur Prenç Zogaj, Migjeni është një poet dhe
shkrimtar i papërsëritshëm, pa paraardhës dhe pa pasardhës.
Deri tani
Migjeni është trajtuar si një poet i revoltës dhe mjerimit, i toneve të forta
sociale, si kundërshtar i regjimit monarkist, diçka është folur për stilin dhe
mjetet shprehëse të aparatit të tij krijues, por vetëm kaq. Pak ose aspak është
folur për unin e tij të brendshëm, për dramën personale, për vetminë,
sëmundjen, molpepsjen e intelektualit në një ambient të pluhurosur ngfa dogmatizmi,
që kanë ushqyer me helm të zi dhimbjeje veprën e tij madhore, të papërsëritshme
në letrat tona kombëtare.
Tek kjo botë e
dyzuar dhe e trazuar, tek ky un i tallazitir ndjesishë dhe kujtesash, dramatike dhe me luhatje të forta, duhet
kërkuar një pjesë e rëndësishme e veçantësisë së veprës së tij letrare, fakti
që ai doli në rrugën e letrave tona si një rast krejt i veçantë, pa përsëritur
askënd, pa u ndikuar nga askush dhe pa u përsëritur dot, me gjithë përpjekjet
që nuk kanë munguar, nga të tjerët, në kohët e mëvonshme.
Migjeni
(pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të
letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në
letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos
të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e
prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.
Përfaqësuesi më
i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë
shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re,
çorri maskën e idoleve të rremë dhe ndërfuti në embrionin e shoqërisë së kohës
farët e një optimizmi të gjërë e të thellë, të nënkuptuar.
Migjeni lindi më
23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt
vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur ishte pesë
vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas
vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës. Këto
fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga
jeta e moshatarëve të tij. Këtu, tek kjo vetmi dhe tek ky soj izlolimi, si dhe
tek sëmundja që po lëshonte me shpejtësi metastazat e vdekjes në trupin etij të
dobët, duhet parë ndoshta tonaliteti i trishtë i veprës së tij poetike, shpirti
dyzues dhe protestues, po aq sa në realitetin banal të kohës, që prodhonte
injorancë, varfëri dhe idhujtari dhe të cilat ky “bir i shekullit të ri” i
godet në embrionin e tyre.
Pasi mbaroi
shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më
pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit. Për një të ri me interesa të
gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në
kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.
Në vitin 1932
Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të
vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në
Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me
biçikletë, ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që qëndroi në seminar,
Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngaqë
mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi,
sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.
Ndërkohë, ai
kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten "Illyria". Në to
ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të
zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.
Në fakt,
“Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”, siç e quan atë shkrimtari Moikom
Zeqo, “këngëtari i Perëndimit” siç e quan Arshi Pipa, “uragani i ndërprerë”,
siç e quan atë Kadareja, është shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar i shekullit
të XX dhe zëri më kumbues e më jehonik në vektorin letrar mbarëkomëbtar
shqiptar. i.
Nëse ndjekim
gjurmët e jetës së Migjenit, kush ishte, si shkoi në shkollë, si ra në kontakt
me librat, si filloi të shkruante, si “lindi” si shkrimtar në gjuhën shqipe të
atit, si e braktisi rasën e priftit, si ndjeu shkrepjen e veprës së tij, si
konceptoi afatin që i kishte dhënë sëmundja, si vdiq etj, nëpër këtë rrugë do
të gjejmë dhe shkrepjen e yllit të tij letrar, fuqinë e një arti të madhërishëm,
që nuk do të mund të ndodhte më në letërsinë shqipe.
Në këtë rrëfim
marrin përgjigje pikëpyetje që kanë shoqëruar e vijojnë ta shoqërojnë
biografinë e Migjenit Ka gjithnjë një pikë ku figura e Migjenit ndërlikohet,
futet në një lloj enigme dhe terri. Është kontrasti midis jetës së tij të
zakonshme që u konsumua shpejt në një provincë shqiptare shumë larg metropoleve
të artit dhe veprës së tij universialiste. Si shkrimtar ai është një gjë tjetër
nga ai që panë bashkëmoshatarët e tij në Manastir, një gjë tjetër nga ai
djaloshi i imtë që shkonte e vinte me biçikletë në rrugën Shkodër-Vrakë e kthim
dhe natyrisht një gjë tjetër nga ai mësuesi modest i shkollës së vogël të
Pukës…Milloshi ndryshonte mbi letrën e bardhë, “rilindte” si personazh i
poezive dhe prozave të veta në trajtat e një
artisti të papërsëritshëm, bashkëkohor, kombëtar dhe universal
Migjeni vjen nga
letërsia botërore, nga një njohje e thellë e
letërsisë së Perëndimit, pra, nuk vjen nga brenda, por nga jashtë,
madje sipas Moikom Zeqos,”Migjeni nuk i
ka njohur shkrimtarët shqiptarë“. Edhe pse një gjë e tillë mund të merret me rezerva, një gjë
është e sigurtë: nuk mund të lindte një
poezi e re, si ajo e këtij titani, jashtë çdo kulti të traditës, në një truall
bosh, në një tokë të virgjër. “Toka e Migjenit”, truri dhe shpirti i tij ishin
mbushur dëng me Artur Rembonë, Pol Verlenin, Elyarin, me korifejtë e poezisë së
re botërore, që po trondisnin peisazhin poetik të kohës me risi të
papërballueshme.
Nga ana tjetër,
duhet thënë se Migjeni krijoi apo themeloi bashkohësinë me shkrimtarët e
mëdhenj të viteve tridhjetë, me rrymat dhe vizionet letrare-artistike të kohës
si ekspresionizmi, simbolizmi, surealizmi e të tjerë. Duke veçuar thelbin e
konceptuar të poezive dhe prozave të shkurtra të Migjenit, mund të gjejmë plot
analogji mes tij dhe shkrimtarëve europianë të viteve ’30 të shekullit të
kaluar. Nëse do të bënim një vëzhgim të imët të veprës së tij në prozë (një
vepër unikale) mund të vëmë re lehtësisht se proza e Migjenit ka lidhje të dukshme
me Franc Kafkën. Migjeni, si Kafka, është një shkrimtar konceptual, që flet sa
me teksin aq dhe me parabola, me simbolin dhe nëntekstin.
Tek arti
migjenian, kemi të bëjmë me një tekst shumëplanësh, të një thellësie e bukurie
të rrallë, me figura të gjalla, që nuk të shqiten nga mendja për një kohë të
gjatë, madje kthehen në simbolika të përditshmërisë, si bie fjala,“tollumbat e
Lulit të Vocërr”, njësi frazeologjike simbolike, që përdoret rëndom, kur duam
të identifikojmë varfërinë deri në mizerabilitet social.
Për Migjenin si
fenomen letrar mund të flitet shumë, duke mos shmangur aktualizimin e vlerave
që ai la në trashëgiminë tonë kulturore, por ajo që duhet evidentuar në këtë
përvjetor është freskia dhe aktualiteti i veprës së tij, qoftë në prozë, qoftë në
poezi.
Migjeni është
një poet dhe shkrimtari unikal, i përballjeve të forta sociale me kohën e
absurdit, me idhujt pa krena, me megallomaninë dhe injorancën e kohës, me
varfërinë dhe mizerjen ekonomike, me blasfeminë kallpe dhe moralin kallp, po
ashtu është një përballës kurajoz që bën luftë me vetveten, luftë brenda unit
të tij, duke luftuar me vetminë, frikën nga vdekja, pasionet e fshehta,
sëmundjen dhe pamundësinë për të gjetur vetveten si intelktual në një ambient
mbytës e kundërmonjës nga era e mykur e dogmatizmit.
Ndaj shtrirja e
spektrit kritik dhe studimor në këtë rrafsh, pra në rrafshin personal, në botën
e unit të tij, do ta ridimensiononte veprën etij letrare, si një vepër që hapi
një epokë të re në letërsinë tonë kombëtare dhe që do të trajtohet gjithmonë si
një rrugë e pashkelur, ku eci një kalorës i vetmuar i dashurisë së refuzuar
njerëzore…