E premte, 02.05.2025, 08:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Hyqmet Hasko: Baki Ymeri, një figurë emblematike

E marte, 29.10.2013, 08:11 PM


Baki Ymeri, një figurë emblematike e diasporës shqiptare në Rumani

Nga Hyqmet Hasko

Për Baki Ymerin është shkruar shumë dhe në të gjitha nivelet e përfaqësimit intelektual të botës shqiptare, në rrafshin horizontal e vertikal, në rrafshin krahasues e përgjithësues, si portret letrar e kulturologjik mbarëkombëtar  dhe si apostull i artit dhe letrave tona kombëtare, pa kufij midis vetes. Por sa më shumë të shkruhet  për njerëz të tillë, aq më shumë do të forcohet vetëdija e re kombëtare, se një komb nuk mund të ndërtohet pa elitën e tij intelektuale e krijuese, se një gjuhë e një gjak që rrjedh në damarët e kombit dhe të historisë sonë kombëtare nuk mund të ndahen e të pjesëtohen në kufij artificialë e dogana artificiale.

Kemi të bëjmë me një individ të përkushtimeve të ditëpërditshme e natëpërnatshme, për afirmimin e vlerave shqiptare në botë, për t’i dhënë kulturës sonë kombëtare atë zë që ajo realisht ka në hapësirën e kulturës europoane e të përbotshme, në këtë erë globale që po përjetojmë.

Baki Ymeri duhet kuptuar, siç duhet kuptuar shpirti i brendshëm i intelektualëve shqiptarë sot, kur shpërthejnë me vrullin e tyre në raste të veçanta, sidomos në fushën e krijimtarisë letrare, patriotike dhe artistike të diasporës shqiptare, te të cilët buron shprehja e shpirtit mërgimtar e mishëruar me binomin komb dhe atdhe.

Gjuha shqipe për Baki Ymerin përfaqëson ashtin dhe gjenin tonë, vetë ekzistencën tonë natyrale e historike, sepse sipas tij, ajo ka lindur para krijimit të botës dhe para lindjes së diellit. Përtej kësaj imagjinate ka një realitet konkret, pasi bota shqiptare ka dhënë modele në botë, ka ndërtuar qytetërime dhe kjo pasuri vlerash elitare ka nisur më së pari nga bedenat e kështjellës së fortë të këtij kombi, gjuhës së bukur shqipe.

Poet, përkthyes, eseist dhe publicist shqiptar, Baki Ymeri u lind në Shipkovicë më 1 gusht 1949, nga babai shqiptar Ajvaz Voka, ish-veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe nga një nënë rumune Ajshe (Aurelia) Ymeri, që e përvetësoi gjuhën shqipe. Baki Ymeri kreu Gjuhën dhe Letërsinë shqipe në kuadrin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-1973). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe Bukuresht (1975). Ndërkohë shkruan, përkthen  dhe boton artikuj e studime mbi shqiptarët, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë. Gjatë aktiviteteve të tij në shërbim të lirisë dhe të paqes në Kosovë e në rajon, ai akuzohet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit, me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Akuza e procesit të montuar politik ishte: "bashkëpunim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë socialiste jugosllave".

Bashkëpunimet e tij me shtypin e Kosovës dhe të shqiptarëve nën Maqedoni janë të hershme dhe nisin nga fillimi i viteve ’70, për të vijuar deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas si dhe jep kontribute publicistike, edhe për letërsitë e popujve tjerë të Ballkanit.  Gjatë viteve 1990-2003, paralelisht me mbrojtjen e provimeve të doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, afirmon dhe mbron me guxim publicistik, çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë aktive në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.Është veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, redaktor dhe sekretar i redaksisë së revistës “Shqiptari” në Bukuresht.

Është autor i tetë librave origjinalë e të përkthyer (poezi dhe monografi mbi diasporën shqiptare), njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i mbi dy mijë artikujve të botuar, zbulues i dokumenteve origjinale të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan : “Njeriu i Vitit 2001”.

Emigrantë, ndër të cilët janë integruar edhe emigrantët më të rinj që kanë shkuar në Rumani, mbas Luftës së Dytë Botërore e në vazhdim, të vendosur kryesisht në qendrën më të madhe institucionele e kulturore të vendit, në Bukuresht, kohë mbas kohe kanë vepruar në shërbim të çështjes shqiptare, duke krijuar në Bukuresht një ndër vatrat më të zjarrta të aktiviteteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Baki Ymeri për çështjen e Kosovës ka punuar dhe punon edhe sot e kësaj ditë. Atë traditë të bukur qe e krijuan Rilindasit tanë, të cilët vepruan në Bukuresht për rilindjen e kombit shqiptar si dhe për paqen e mirëkuptimin e vendeve të Ballkanit, e ruajnë edhe sot bashkatdhetarët tanë që jetojnë si emigrantë në Rumani, kryesisht në Bukuresht. Shqiptarët e Bukureshtit veprojnë të organizuar në gjirin e disa shoqatave, sidomos për kultivimin e gjuhës shqipe dhe freskimin e vlerave tona kulturore shqiptare. Një ndër më e njohura nga ato shoqata  është “Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë”, me qendër në Bukuresht, e cila është drejtuar disa dekada nga Xhelku Maksuti, një historian, studiues dhe shkrimtar i njohur me prejardhje rumuno-shqiptare. Baki Ymeri është një ndër më të dalluarit në ato veprimtari atdhetare shqiptare, në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe tek emigrantët shqiptarë në atë vend; i njohur si krijues, poet, publicist, përkthyes,shkrimtar,gazetar dhe eseist, ai është autor i shumë krijimeve e librave të botuara në gjuhën shqipe dhe atë rumune, si dhe në gjuhë të tjera. Në angazhimet e tij të gjithanshme, emrin e tij e hasim edhe si një ndër krijuesit e brezit të ri shqiptar, brez të cilit i ra si detyrë e kohës që të ballafaqohet me ngjarjet tragjike që e tronditën Ballkanin si pasojë e qëllimeve të errëta të shovinizmit serbo-sllav, që tentonte të shfarosë popullin shqiptar në Ballkan, kryesisht kosovarët, me qëllim për t'ua marrë trojet etnike. Në atë kohë të vështirë, Baki Ymeri mban qëndrime të rrepta kundër dhunës, duke bërë thirrje përmes fjalës së tij krijuese, gazetareske, publicistike, për paqe e vëllazërim, për drejtësi, liri dhe pavarësi, sidomos për çlirimin e shqiptarëve të shtypur nga kolonializmi pansllavist serb.

Baki Ymeri, që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështet dhe bashkëpunon me emigracionin shqiptar kudo në botë. Bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në vendlindje dhe jashtë, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht. Nëpër vite ai ka botuar në revista të ndryshme mijëra vargje nga vepra e dhjetëra shkrimtarëve rumunë klasikë e bashkëkohorë, në gjuhën shqipe, maqedone dhe sllovene, si dhe disa vëllime që u përkasin poetëve që pasojnë:

Për këtë figurë të letrave dhe të kulturës sonë komëbtare në diasporë kanë shkruar penat më të mprehta të shqiptarisë si Ali Podrimja, Sali Bashota, Visar Zhiti, Dilaver Goxhaj, Luan Topçiu, Remzi Limani, Kozeta Zylo,  Gëzim Marku, Sadulla Zendeli Daja,; Rilindja, Bota sot, fakti, Panorama, etj.

Emri i mirënjohur i Baki Ymerit është një model për të gjithë ata që duan të ecin në gjurmët e korifejve të mednimit shqiptar, shembull dhe burim frymëzimi për të gjithë ata që e lexojnë dhe respektojnë veprën e tij të vyer. Ditë’e natë digjet, si Naimi ynë i madh  digjet mbi veprat e tij dhe të tjerëve, për të na sjellë një botë vlerash, një arkiv të mrekullueshme të botës  shqiptare, duke drejtuar dy revista të famshme që dalin me nga 50 faqe në kolor (Shqiptari dhe Kosova), duke lexuar, shkruar, përkthyer, redaktuar e botuar.

Poeti brilant Agim Shehu, që jeton në Zvicër,  e çmon Ymerin për njohjen e shkëlqyer nga ana e tij  të gjuhës shqipe, kurse Pal Sokoli ka theksuar se ai “është një Apostull i letërsisë dhe kulturës shqiptare anë e kënd botës”.

Ai ka botuar mbi 100 poetë shqiptarë, nëpër revistat rumune, dhe mbi 30 libra poetësh nga Kosova shqiptare në të njëjtën gjuhë. Fjala është për vëllime mono apo dygjuhëshe që vlerësohen me reçensione të favorshme në të dy gjuhët. Është një dukuri e rrallë e afirmimit të kulturës shqiptare, sepse për autorin nuk ka gjë më të madhe se sa kur e kënaq lexuesin, e që në rastin e përkthyesit, kënaqësia është e shumëfishtë, sepse përkthyesi është lexuesi më special dhe interpreti i gjuhës dhe kombit prej nga sjell përkthimin. Në rastin e Baki Ymerit kjo është më shumë se një kënqaësi, është një përmbushje shpirëtrore deri në sublimitet, për atë se çafrë i thotë shpirti e zemra këtij shqiptari të madh të bëjë për kombin dhe atdheun e tij.

Personalitetin e kompletuar të Baki Ymerit e percjellin  pena nga më të mprehtat e shqiptarisë, duke evidentuar në veprën e tij frymimin dhe pulsin që rreh të botës sonë mbarëkombëtare.

Baki Ymeri, me dijen, dashurinë dhe punën brilante, ka ndërtuar ura të qëndrueshme komunikimi mes kulturës shqiptare dhe asaj rumune. I njohur për shumë kohë si një pishtar i kulturës shqiptare në Rumani, poet, publicist, përkthyes, gazetar, eseist, veprimtar, Baki Ymeri e ka shpalosur shpirtin e tij krijues aty ku shpesh janë zhvilluar aktivitete e veprimtari atdhetare në shërbim të çështjes shqiptare.

Pinjoll i një familje me tradita atdhetare e kulturore, ku si babai, ashtu edhe e ëma kanë qenë të shquar për vizionet dhe misionet e tyre në shërbim të përparimit kombëtar e shoqëror, Baki Ymeri ka ecur në rrugën e pararendësve të tij, të cilët kanë pasur nderin t’i takojnë trungut familjar që e ka pasur dhe e ka për krenari të ligjshme për t’i shërbyer atdheut dhe kombit, gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Për shkak të aktivitetit të tij politik, për shkak të sfidës së tij ndaj regjimit kriminal të Beogradit, për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tij politike, aktakuza e dënimeve makbethiane do të fomulohej ndaj tij, ashtu siç ishte formuluar edhe ndaj të gjithë atyre që kishin pasionin dhe vetëdijen deri në sublimitet ta çonin përpara misionin dhe vizionin e lirisë së gjakuar ndër shekuj. Aktakuza e kainëve rëndonte mbi të, për shkak se kishte zhvilluar:“bashkëpunim për vepimtari armiqësore kundër bashkësisë socialiste jugosllave”. E kjo bashkësi, nuk kishte qenë asgjë tjetër, veçse fund e krye një ngrehinë krimi, dhune dhe gjaku, terrori e reprezaljeje të panumërta. Një gjilotinë e tillë shekspiriane, pa formë dhe me përmbajtje devijante, intelektualët e mirëfilltë të tipit të Baki Ymerit dhe pinjollët e traditave atdhetare, nuk kishin se si ta pranonin.

Jo më kot e kanë quajtur “Faik Konca i kohëve të reja të shqiptarisë”, pasi Baki Ymeri me penën e tij, me talentin, dashurinë për atdheun, përkushtimin për çështjen shqiptare, predispozicionin për të qenë në ballë të aksionit kombëtar për integrimin kulturologjik dhe mental të botës shqiptare, është shdnërruar vërtet në një apostull të letrave shqipe, në një apostull të frynës mbarëshqiptare, e cila gjallon e merr jetë në çdo fjalë, shkronjë e faqe libri e diturie, që kalon nga dora e tij prej mjeshtri.



(Vota: 59 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx