E premte, 02.05.2025, 07:54 PM (GMT+1)

Faleminderit

Lume Blloshmi ose piktorja “rebele”

E merkure, 06.11.2013, 08:31 PM


E persekutuara që mbijetoi me zemrën tek arti, Lume Blloshmi ose piktorja “rebele”

Tek memoriali i të pushkatuarve Vilson Blloshmi dhe Genci Leka ajo gjen ngushëllim

S’e thirri kurrë emrin baba, vrasja e pabesë e të atit

Ndalesa e regjimit dhe kundërvënia ndaj realitetit

Nga Albert ZHOLI

Para disa kohësh në sallën e Teatrit të Komedisë u shfaq filmi dokumentar “Piktorja Rebele”-Lumturi Blloshmi e regjisores së talentuar Nadire Buzo. Kohët e fundit regjisorja dhe skenaristja Nadire Buzo ka bërë disa filma për personalitete të ndryshme të artit dhe të kulturës. Sipas Buzos, Blloshmi është një personalitet i veçantë i pikturës shqiptare, një nga piktoret e suksesshme, e cila është gjithmonë në kërkim të formave të reja artistike. Një artiste që ka hyrë në rrugën e artit modern me një guxim të  madh ashtu siç janë edhe konceptet e saj për jetën dhe për artin. Lumja është një grua që sfidoi kohën dhe vështirësitë që solli jeta përpara saj.

Alternativat shkojnë me idetë. Ajo krijon vazhdimësinë pa ndërprerje, pasi i vetmi profesion i saj është arti

Më datat 5 maj 2006 në Galerinë Kombëtare, ajo do të hapte një ekspozitë të madhe të shtrirë në të gjitha sallat ekspozuese të galerisë, ku piktorja do të përshkruante fazat  historike  të ndryshimeve në limitet e kohëve të saja krijuese. Duke sjellë gjithë begraundin piktorik, ndjesor dhe intelektual, do të bashkëbisedonte me publikun mbi  konceptet  dhe argumentet  e paraqitura në artin e saj figurativ. Kjo ekspozitë e madhe retrospektivë, e quajtur “Blloshmi, Përshkoj Udhën Time” thekson qartë konceptin  e kësaj ekspozite, se sa e vështirë dhe e bukur është rruga e përshkruar nga artistja e madhe Blloshmi.  Ndërkohë, ajo e thërret publikun të udhëtojë me të nëpër punimet saj , duke shpresuar se, edhe ata  të jenë të një mendimi me artisten, pasi idetë dhe konceptet, kanë lindur aty me ta dhe në mesin e tyre, pasi ato lidhen fort dhe pazgjidhshmërisht me individin dhe ndikimin e shoqërisë në formimin e tij. Ekspozimi nis me 43 piktura të hershme të piktores me tematika dhe impresione të ndryshme, të shprehura me origjinalitet dhe mjeshtëri, peizazhet e bukura dhe veçoritë e qyteteve, të Durrësit, Tiranës, kalaja e Gjirokastrës, Ardenica, Gorrica e Beratit, Shtëpia e Lasgush Poradecit, shëtitje në Dardhën me dëbore etj.. Më tej ajo ekspozon 40 piktura  të viteve të fundit, midis tyre 13 grafika dhe 15 foto të performancës “kamasutra” me bretkosa të skuqura që piktorja i ka fotografuar para se të shtrojë koktejin me to, krijime të tilla si “Hapësirë urbane”, ndërsa shfaqet hija e një pallati gjigand, ku të krijohet përshtypja e ngushticës urbane, tematika e larmishme, që nga ajo e mistershmja si Kleopatra moderne, Itaka e Komo, kompozimi i tablove të plota me reflektime e përsiatje si “Ambiguitet”, “Obsesion” filozofia e hershme “ Peshku i madh e ha të voglin”  dhe deri tek seksioni i  “Dyqani i luleve”.

Ndalesa e regjimit dhe kundërvënia ndaj realitetit

Ajo krijon në të gjitha situatat, sado të vështira qofshin ato, duke ju kundërvënë realitetit të hidhur me të gjitha forcat e saj krijuese dhe emocionale. Në vitet 1975- 1985 asaj ju ndalua të ekspozonte. Edhe më pas tablotë e saja ktheheshin mbrapsht shpeshherë për t’u mos  u ekspozuar, ajo vazhdonte të punonte më fort pa u dekurajuar, këtë forcë e kishte marrë nga nëna e saj fisnike të cilën nuk e pa asnjëherë duke lotuar, as në momentet më të vështira të jetës së saj. Këtë forcë ja jepte kushëriri i saj Vilsoni, i cili nuk ju dhimbs jeta  as përpara xhelatëve  të komunizmit. Forca e saj shpirtërore qëndron në genin Blloshmi të gjyshit dhe Atit të saj të pushkatuar  pa gjyq nga komunizmi i egër që në fillimet e tij. Komunizmi nuk i duronte dot intelektualët, të talentuarit dhe mendjendriturit, ndaj Lumturi Blloshmi e kishte mësuar mirë këtë, ajo nuk tërhiqej përpara asnjë vështirësie, as kur survejohej dhe provokohej nga provokatorë dhe spiunë të shumtë, as kur punonte si punëtore e thjeshtë, as edhe si piktore. Lumja në shumë raste kishte pranë dashamirësit, fisin, pedagogët  e saj të paharruar, shokët shoqet  dhe njerëzit e mirë të kudo ndodhur, që ndihmuan në jetën dhe karrierën e saj artistike.

(interv. Hasan Nallbani).

Vrasja e pabesë e të atit

Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi si një përfaqësuese e denjë e pikturës bashkëkohore shqiptare, vite më parë kur ajo hidhte themelet e këtij moderniteti në pikturën e saj, gjithçka i ishte mohuar, suksesi, madje dhe ekspozimi për vite me radhë. E mes tyre që e mënjanuan kishte nga ata kolegë që koha dhe arti i la pas.  Askush nuk mundi ta zbehë dhe ta zmbraps fuqinë dhe aftësinë e saj krijuese, mbështetur fort rrënjët e përgjakura të trungut të saj të jetës. I ati  lumes, Azis Blloshmi, ushtarak me gradën “Major”, kishte përfunduar studimet e larta  në gracë të Austrisë, Me kthimin e tij në Shqipëri punoi si instruktor në shkollën  e  plotësimit për oficer në Tiranë e më pas në shumë rrethe të vendit. Familjarisht përkrahën lëvizjen për çlirimin e vendit. Megjithatë, një mbrëmje ai u thirr për një sqarim në komandën partizane dhe së bashku me 35 intelektualë të tjerë më 26 tetor 1944, u pushkatuan pa gjyq. Tashmë është e qartë, se intelektualë të tillë nuk i duheshin terroristëve në prag të marrjes së pushtetit.

Nëna, Nadire Blloshmi

Nëna Nadire Blloshmi, bijë e denjë e Myderizëve të Durrësit, ka qenë mbështetja e saj e madhe. E mbetur e vetme në një moshë te re dhe kohë shumë të vështira ajo u mbështet  tek i vëllai i saj Burhan Myderizi, njeri me vlera të rralla humane dhe njerëzore, me profesion ekonomist. Ai do t’i rriste Lumen dhe Dragushin njëlloj si fëmijët e tij, e së bashku me ta ajo do të kalonte një fëmijëri të bukur së bashku me kushërinjtë e shumtë midis Tiranës dhe Durrësit. Lumja nuk harron asnjëherë, i viziton shpesh dhe u fal shumë dashuri. Ajo tashmë është e pranishme në çdo gëzim dhe eveniment familjar. Edhe me kushërinjtë e Durrësit mban lidhje të vazhdueshme, madje Durrësi është një qytet i dashur, ku ka hapur disa ekspozita. Doktor Artani, kryekirurgu i spitalit të Durrësit, kujdeset familjarisht për shëndetin e Lumes, ata e presin me shumë dashuri  dhe Lumja krenohet më fisin e nënës duke  ju kushtuar edhe ekspozita dhe evenimente artistike. Ata e duan të gjithë dhe Lumja u fal shumë dashuri. Muret e lashta të shtëpisë së Myderizëve e frymëzojnë për një projekt të ri, të cilin kërkon ta realizojë së shpejti gjatë verës së këtij viti. Performanca është e rrallë dhe e bukur si asnjëherë. Por a do mundet dot vallë ta realizojë këtë performancë të veçantë, ajo është pak e kushtueshme dhe deri më tani askush nuk është përgjigjur.

Lumja është një grua e lindur për t’u bërë artiste

Ndaj shpesh e prek realitetin me ashpërsi, pasi kërkon të konsolidojë të vërtetën  përmes artit.  Ngjyrat e përdorura prej saj flasin se piktorja nuk ka preferencë të veçantë për asnjë prej tyre, ajo i adhuron të gjitha ngjyrat duke i hedhur mbi tablo, tonalitetet me perfeksionin e mjeshtres së rrallë. Lumturi Blloshmi krijon jo vetëm se ka brenda saj hyjnoren e artit, por edhe se në brendësi, subjekti i saj artistik është i drejtuar nga pavetëdija për tek realiteti i vërtetë njerëzor... Ajo shfaqet përpara publikut si një artiste e madhe  inteligjente dhe e guximshme. Pasi së pari atë e ngacmon ideja pastaj figura e përsosur nisur nga ideja e mendimeve të saj superiore. Por megjithatë ajo nuk është e varur prej asnjë ideje dhe mendimi, vepron së pari aty ku emocionet janë më të forta, aty ku situatat precipitojnë më thellë  dhe tronditin gjendjen e saj emocionale, ku mjeshtërisht imagjinata e saj e kthen në vepër arti. Ajo i njeh mire aftësitë e saja krijuese.  Nudot femërore të  piktores Blloshmi, të realizuara në fillimet e viteve `90, marrin nuanca të kristalta dhe të mermerta, nuk është e vështirë të dallosh se modeli  perfekt është ajo vetë.

Ajo e pranon ndryshimin

Lumja e pranon ndryshimin, dua të ndryshoj shpesh thotë, por megjithatë është vetvetja, pra mendimi i saj brenda subkoshiencës nuk ndryshon, megjithëse në procesin e ndryshimit, ndikimit e forta janë  së brendshmi dhe së jashtmi. Për të parë metamorfozën e artistit duhet parë rrethanat në të cilat ai vepron.

S’e thirri kurrë emrin baba

Vajza e vogël që nuk e njohu dhe nuk e thirri kurrë emrin baba, rritej me shumë dashuri mes të afërme të saj, asaj i pëlqente shumë të këndonte të kërcente e të këndonte pa fund, e habitur po pa i ditur rrethanat e hidhura, ajo ëndërronte dhe vetëm ëndërronte se një ditë do të bëhej artiste e madhe, do të këndonte skenave të mëdha dhe do të bëhej një soprano e famshme si Maria Kalas dhe Marie Kraja. Një ditë, tregon kjo grua e thinjur që e desh si bijën e vet, pasi kërceu e këndoi gjithë ditën, në mbrëmje u sëmur rëndë, pa shpresa për jetën. Me përkujdesin e madh e tërë njerëzve të saj të dashur, të cilët do të siguronin ilaçet e duhura, që vajza të kthehej në jetë. Nëna deri atëherë ndjeu më fort se kurrë dhe humbjen e të shoqit që më kot e priste të kthehej një ditë. Ajo e kishte kërkuar bashkëshortin e saj në shumë instanca të larta, por ata nuk i kishin treguar të vërtetën jo se kishin frikë, por se nuk dinin ç’t’i thoshin, gruas së re para së cilës ishin ndjerë fajtorë. Ajo dhe Azisi e kishin përkrahur çlirimin e vendit nga okupatorët. Madje, kishin strehuar edhe partizanë të plagosur. Por më kot, ajo kishte kuptuar mirë tashmë se ç`qe komunizmi. Lutjet e saj dhe kujdesi i njerëzve të saj të dashur bënë që vajza e vogël të jetonte tashmë në një realitet të ri. Tashmë ajo kishte humbur dëgjimin. Por Lumturia e saj ishte sfidante, kur mësoi se nuk mund të këndonte më siç e kishte ëndërruar, i shkrepi në kokë të bëhej pianiste. Ajo shkoi një ditë me shoqet dhe shokët në Shtëpinë e Pionierëve dhe aty pa se si ata aq bukur dhe lozonjarë i binin pianos, mandej nuk do ti ndahej atyre në çdo aktivitet. Miqësia me vendet e lindjes, kishte krijuar disa vatra argëtimi për fëmijët, midis tyre të lumturve edhe Lumturi Blloshmi. Tek ecte një ditë në shëtitje me mamin e saj përdore, në vitrinën e dyqanit pa një piano, vajza do të vraponte drejt saj dhe me vrull si një pianiste e vërtetë do t`i binte pianos. E ëma dhe shitësi i dyqanit do të habiteshin se si vogëlushja pa dëgjuar tingujt do të performonte ashtu. A thua vallë se ajo ishte performancë e saj e parë. Vajza e vogël kushedi sa herë do të arratisej nga shtëpia e me vrap do të shkonte tek dyqani t’i binte pianos dhe mandej të mos shkulej prej saj duke ngulur këmbë që nëna t`ja blinte patjetër pianon. Me shumë dhimbje nëna diti së bashku me të zotin e dyqanit mundën ta largonin vajzën  e trishtuar e nga ëndrra e saj e bukur. Vogëlushja do ëndërronte gjatë të bëhej pianiste pa e ditur se nuk mundej.  Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive Lumturi Blloshmi kishte lindur për t’u bërë artiste. Po cila ishte ajo grua që ndikoi në orientimin e saj drejt artit viziv dhe  Lumja nuk do ta harrojë asnjëherë?!  Pikërisht Evanthi Ciko...

Mbetet e veçantë për të

E rrethuar mes kujtimesh të paharruara për njerëzit e saj të dashur dhe nxënësve të veçantë, jeta e Evanthi Cikos ka një kuptim madhor, të cilin ja dhuroi përmes të tjerash edhe profesioni i bekuar i mësuesisë.  Në festat e 7-8 Marsit Lumja do t’i dhurojë mësueses pikturat e saj nga më të bukurat. Mësuesja e dashur nuk do të mungonte asnjëherë në evenimentet e saj.

Puna

Pas mbarimit me rezultate të shkëlqyera të Institutin të Lartë të Arteve, punon si punëtore offseti në stabilimentin “Mihal Duri”. Më vonë në  Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore dhe  shtëpinë botuese “8 Nëntori”, si piktore në ilustrimin e librave për fëmijë. Pas viteve `90, punoi në Galerinë e Arteve, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, deri sa doli në pension. Ambicia e saj e vazhdueshme nuk e lë atë të dehet nga sukseset dhe ta ndjejë veten të arrirë gjithkund. Ndaj punon vazhdimisht, dhe pas çdo pune  ndjen se duhet përsëri diçka tjetër më e arrirë, më e realizuar, më e përsosur., dhe kjo vazhdon në pafundësi. Energjike dhe impulsive ajo e ndjen se nuk do t’i shterin forcat deri në fund.

Në 70 aktivitete ndërkombëtare

Pjesëmarrja e saj në rreth 70 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si konkursi kombëtar “Onufri” në Tiranë, në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt, në Bienalen e Ankarasë në Turqi. Në konkursin e  Ndërkombëtar të Budapestit, Hungari, ekspozitat, në Poloni, Francë, Egjipt, Itali, Greqi, Holandë, Amerikë e etj., etj.. Tregojnë se  eksperienca e saj e artit e ka kaluar kufirin e suksesit. Ajo është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kufijtë e realitetit dhe kufijtë e mendimit

Lumja nuk i pranon kufijtë e realitetit, pasi ajo udhëhiqet nga kufijtë e mendimit. Mendimi i saj  gjithnjë shkon përtej mendimit krijues, piktura e saj është mundimi i rikthimit përmes vështrimit.  Këtë e reflektojnë sytë e saj të blertë me një shikim të pastër dhe të qartë, ku reflektojnë imagjinata, fantazia, mendimi dhe bota e saj e madhe. Ju  do ndeshni shpesh në shikimin e kësaj fotoje, ku si në një ekran të madh do të shfaqen, pasionet dëshirat, dhimbjet humbjet, dhe dashuritë e saj, por mbi të gjitha mendimet e mëshiruara në artin e saj të madh pikturën. Dashurinë e saj të përjetshme. Arti është sa i lashtë aq edhe modern, fjala moderne, nuk është e re. Është e pa pranueshme për të kopjimi në emër të modernizmit.  Modernizmi tek ajo zë fill në mendimet e saj të pakompleksuara. Përpara telajos jam unë vetëm dhe mendimi im, në ato moment nuk mendoj  askënd. Për publikun interesohem se çfarë mendon ai, vetëm kur i paraqitem  ekspozita, madje, atje unë  i paraqitem krejt lakuriq, dhe megjithatë nuk trembem, pasi nuk më duket vetja e keqe. Impulset që më jep herë pas here jeta ime zbërthehen dhe zbrazen në telajo. I vetmi pasion i saj mbeti arti, për të cilin sakrifikoi edhe krijimin familjes. Por Lumja nuk ndihet vetëm, ajo ka pranë, vëllain e saj Dragushin, dhe gjithë familjen e tij, nipat, mbesën, Nezin…

Tek memoriali i të pushkatuarve Vilson Blloshmi dhe Genci Leka

Ka vendosur t’i bëjë një befasi të këndshme  krahinës e saj, të gjakut që rrjedh në damar. Është një ngjarje e veçantë për komunitetin, ekspozita e saj e hapur në Librazhd. Janë rreth 30 grafika të rralla, nga më të bukurat, me një kolor dhe mjeshtëri të përsosur, të kuruara dhe të vendosura mjeshtërisht. Në Pallatin e Kulturës të qytetit. Librazhdi e kthen në festë ekspozitën e saj. Kryetari i bashkisë së qytetit Shefki Çota ka organizuar një pritje të veçantë për Lumen dhe miqtë e saj ngado. “Jam krenar që në qytetin tonë po i jep shtysë zhvillimit të jetës kulturore një artiste si Lumturi Blloshmi. Lumja vazhdon befasitë, pas çeljes së ekspozitës ajo fton gjithë të pranishmit për tek memoriali i dy poetëve të pushkatuar, nuk ishte rastësi që Vilsoni ka ditëlindjen nesër më 18 mars edhe Genci disa ditë më pas më 23 mars, djemtë e marsit u thonë atyre. Duke vendosur lulet, asaj i kujtohen bisedat dhe librat që shkëmbenin së bashku dhe akuzat e ngritura në hetuesi se: “lexonin Shatobrianin, Lamartinin, Bodlerin e Dideroin dhe bëjnë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” . Ajo është tepër e emocionuar, hedh lulet mbi memorialin impresionues, për të gjithë Blloshmët e pushkatuar, edhe të babait që nuk ka një varr të vendosë një buqetë me lule,të gjithë janë të emocionuar dhe bëjnë foto, herë me Lumen herë- herë me Sadik Spahinë, djali shkodran që përjetësoi mjeshtërisht poetët dhe u bë si djali i shtëpisë për Blloshmët bashkë me Meritën gruan dhe bashkëpunëtoren e rrallë. Lumja u mirëprit në Librazhd si bijë e atij vendi. Aktiviteti nuk mbaron këtu, tek pamje buzë lumit, ku mikpritja është traditë, një drekë e veçantë mes miqsh të mirë dhe artistë. Pas pak ata nisen drejt Bërzeshtës, fshatit buzë lumit, të shoqëruar nga deputetët dhe Kryebashkiaku dhe shumë miq të tjerë të Blloshmëve. Përpara prin Bedriu, vëllai i Vilsonit, kushëriri i lumes, në shtëpinë e tij ai ka ngritur një dhomë muze. Emocionet janë të forta, çastet janë të dhimbshme. Bedriu vazhdon të tregojë pa fund, ai ka një meritë të madhe, gjithçka është e hulumtuar, zbuluar dhe e dokumentuar prej tij. Në trungun e tyre të jetës, ka shumë të burgosur, të pushkatuar dhe të internuar. E çfarë bënë ata?! Gjyshi i saj Selman Blloshmi  pasi kreu studimet në Stamboll, u kthye në vendin e tij duke ruajtur lidhjet me shoqërinë atdhetare të Stambollit për shtypjen e librave në gjuhën shqipe, pasi ai kishte qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe përhapte shkollat në gjuhën shqipe. Po i ati Hazizi, të cilit nuk dihet ku prehen kockat e lidhura me zinxhirë, po xhaxhai, vëllai, kushërinjtë, e pushkatuar, burgosur e internuar çfarë patën bërë veçse dashur e luftuar për atdheun e tyre,  mëkati i vetëm,  mendimi dhe ideali i tyre qe i përparuar dhe anti- komunist.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx