Shtesë » Lajme
Ilir Çumani: Ndaj jetimëve nuk mund të luhet më
E merkure, 06.11.2013, 08:59 PM
Flet Drejtori i
Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir
Çumani
NDAJ JETIMËVE,
NUK MUND TË LUHET ME
“KARTËN
SOCIALE TË MËSHIRËS”
Çumani: Të riformulohet
ligji i ri për “Statusin e Jetimit”. Aktualisht, me ligjin ekzistues përfiton
shoqata e jetimëve, por jo fëmijët jetimë.
Në një intervistë
me Z. Ilir Çumani, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit
të Jetimëve Shqiptarë, ai deklaron se problematika e fëmijëve jetimë është e
lidhur drejtpërdrejtë me kuadrin ligjor, i cili favorizon një shoqatë dhe jo
kategorinë sociale që u takon statusi i jetimit. Sipas tij, janë 31.000 fëmijë
jetimë, biologjikë dhe social, prej të cilëve, as 18 përqind e tyre nuk merren
në mbrojtje dhe nuk përfaqësohen nga ligji aktual “Për Statusin e Jetimit”. Ata
janë të përjashtuar plotësisht nga shërbimet sociale, sepse ky ligj është i
pazbatueshëm dhe pushteti lokal në të shumtën e rasteve është inekzistent për
implementimin e këtij ligji. Në këtë intervistë, Z. Çumani i bën apel
Kryeministrit Rama që të riformulohet ligji i ri “Për Statusin e Jetimit” në
mënyrë që të mos vazhdohet si në këto 17 vjetët e fundit që të subvencionohet në
mënyrë parazitare një organizatë joqeveritare që çdo vit përfiton padrejtësisht
në emër të kauzës së jetimëve nga qeveria shqiptare dhe nga xhepat e
taksapaguesve shqiptarë shumën prej 30.000.000 lekë të vjetra, shumë e cila, më
së miri do të shërbente për shëndoshjen e buxheteve të institucioneve të
përkujdesit social shtetëror ku u shërbehet në shumë nevoja të vegjëlve pa
prindër në të gjithë Shqipërinë. Ai shpreh gjithashtu shqetësimin për elementë
pedofilë të infiltruar në shoqërinë civile, eksponent pa integritet moral e
shoqëror që e kanë përdorë kauzën e fëmijëve jetimë nëpërmjet fushatave
elektorale në dobi të forcave politike, me synim përfitimesh personale, dhe i
bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës z. Adriatik Llalla dhe
Avokatit të Popullit, Z. Igli Totozani, që të mos trajtojnë vetëm çështjen e
romëve, por edhe atë të fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi këta të fundit janë
shumë herë më të rrezikuar.
Nga Albert ZHOLI
- Cila është
situata e fëmijëve jetimë në Shqipëri ?
Ka 17 vjet që është
miratuar ligji për statusin e jetimit në Shqipëri dhe kjo kategori sociale nuk
ka asnjë përfitim. Në politikat shtetërore për decentralizimin e shërbimeve
sociale nga pushteti qendror në atë lokal, ka një përplasje institucionale dhe
për pasojë një kaos midis këtyre pushteteve për të zbatuar ligjin, pasi
pushteti lokal shpesh herë është inekzistent në politikat mbrojtëse e
mbështetëse të kësaj kategorie. Ky ligj mbron interesat e një grupi shumë të
kufizuar fëmijësh.
- Çfarë
parashikon legjislacioni shqiptar për fëmijët jetimë dhe a ka nevojë për
përmirësime në këtë fushë ?
Problematika e
fëmijëve jetimë është e lidhur drejtpërdrejt me kuadrin ligjor. Në gjithë
Shqipërinë janë 31.000 fëmijë jetimë , social dhe biologjik, dhe as 18 përqind
e tyre nuk merren në konsideratë dhe nuk përfaqësohet nga kuadri ligjor aktual.
I vetmi paragraf i Ligji nr. 8153, dt. 31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit” që
funksionon në mënyrë parazitare, është neni 18 ku shteti aksidentalisht
subvencionon në mënyrë të gabuar shoqatën e jetimëve, njërën prej shumë
shoqatave të jetimëve që veprojnë sot në vendin tonë. Mendoj se neni i këtij
ligji, që ka të bëjë me financimin preferencial dhe të padrejtë të njërës prej
shoqatave nga shumë shoqata të tjera të jetimëve (të cilat nuk financohen),
duhet të fshihet njëherë e përgjithmonë dhe kjo shoqatë, duhet të trajtohet në
mënyrë të barabartë dhe të aplikojë si çdo organizatë tjetër pranë AMSHC – së,
nëse ka projekte serioze dhe të besueshme në ndihmë të jetimëve. Në këto 17
vjet, shpesh herë dhe në mënyrë manipulative, individë të veçantë, drejtues të
kësaj shoqate, duke luajtur nëpërmjet trafikut të influencës
përballë fondacioneve, ambasadave, biznesit dhe donatorëve, e kanë përdorur dhe
e përdorin rëndom faktin e financimit nga shteti në mënyrë të shëmtuar dhe për
përfitime personale, duke e prezantuar këtë shoqatë se kinse ajo varet nga
shteti, por që në fakt, ajo është një shoqatë që ka status si të gjitha
organizatat joqeveritare dhe të pavarura nga shteti. Kësisoj, me rregullimin e
“Ligjit për Statusin e Jetimit” dhe heqjen e nenit 18 të këtij ligji, mendoj se
korigjohet një padrejtësi dhe një gabim jo i vogël që në vetvete përbën thelbin
e vërtetë të parimit të demokracisë, zhdukjen e elementit diskriminues,
që ka të bëjë me pabarazinë mes OJF – ve, të cilat në fakt janë dhe duhet të
jenë në një garë dhe treg konkurues, me shanse të barabarta mes tyre nëpërmjet
programeve dhe projekteve të besueshme e serioze në dobi të grupeve që ato
përfaqësojnë. Dua të sqaroj opinionin e gjerë publik se, Ligji nr. 8153, dt.
31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit” i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, është
një ligj që ka të bëjë me statusin e përfituesve që janë grupet e interesit,
(jetimët) dhe nuk është status ku përfitues të jetë një shoqatë e vetme. Në
kuptimin juridik dhe ligjor, duhet të jetë e qartë për të gjithë se, kurrë dhe
në asnjë rast të vetëm, nuk ka dhe nuk mund të ketë status për shoqata, por ka
status për grupet e interesit. Grupet e interesit, nuk janë dhe nuk mund të
jenë monopol i asnjë organizate të vetme, siç pretendohet qëllimisht rëndom dhe
në mënyrë të pandershme nga disa individ abuziv, por janë objekt i fushës për
shumë organizata që veprojnë në mbrojtje dhe në ndihmë të kësaj kategorie. Sot
ekziston një Agjenci Shtetërore e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, (AMSHC), e
cila mbështet me fonde të gjitha ato organizata që paraqesin projekte serioze
në dobi të grupeve që përfaqësojnë. Atëherë, pyetja që shtrohet sot është se,
përse shteti duhet të nxjerrë çdo vit nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë të
tjera fonde, siç janë edhe 30.000.000 lekë të vjetra, fond që delegohet në
mënyrë të gabuar, drejt një shoqate joqeveritare, jo efiçente dhe parazitare, e
cila, për hir të së vërtetës, në këto 22 vite të ekzistencës së saj nuk ka qenë
asnjëherë produktive në politikat mbështetëse për këtë shtresë...!? Këto fonde
nuk duhen deleguar drejt një shoqate që në fund të fundit është një operator
privat që nuk është në juridiksionin administrativ të shtetit, por këto fonde
duhet të orientohen dhe mirëadministruar në programet mbështetëse drejt grupeve
sociale të interesit, në komunitet, në qendra rezidenciale shtetërore që e
gëzojnë këtë status. Mendoj se i ka kaluar koha valëvitjes
spekullative të “kartës sociale të mëshirës” nga individë dhe matrapazë
social që prej 22 vjetësh kanë luajtur në mënyrë abuzive dhe të shëmtuar me
ndjeshmërinë dhe sensibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë në lidhje me
jetimët. Sipas ligjit, fëmijët me statusin e jetimit përfitojnë 100% rimbursim
të recetës shëndetësore, shërbime falas në udhëtimet urbane, dhe me 50 % në ato
interurbane, frekuentim falas ose me 50 % të veprimtarive artistike dhe
kulturore etj. Por, praktikisht ata janë plotësisht të përjashtuar nga
shërbimet sociale, siç janë shkollimi me bursë falas, trajtimi shëndetësor me
vizita falas, punësimi, strehimi, etj, sepse aktualisht “Ligji për Statusin e
Jetimit” është i pazbatueshëm në kuadrin e decentralizimit të këtyre shërbimeve
që ofrohen për këtë target grup.
- Cilat janë
politikat sociale që duhen ndjekur në ndihmë të integrimit në shoqëri të
fëmijëve jetimë?
Nevojiten reforma
dhe vetëm reforma në të gjitha institucionet e shërbimeve, në mënyrë që kur
këta fëmijë të dalin nga institucionet ku kanë qëndruar deri në moshën 15 vjeç,
të jenë të gatshëm që të përballojnë sfidat e jetës dhe të mos bien pre e
situatave të ndryshme keqbërëse që i viktimizojnë ata. Duhet ti vihet theks të
veçantë kuadrit ligjor që ka të bëjë me kujdesin ndaj fëmijëve jetimë
biologjikë dhe atyre që vijnë nga familjet me probleme sociale. Fëmijët me
probleme sociale janë me prindër, por në fakt, janë edhe jashtë kujdesit të
tyre prindëror si pasojë e problemeve të shumta social – ekonomike, varfërisë,
papunësisë, problemeve të shëndetit, divorceve, etj. Nga numri i përgjithshëm i
fëmijëve jetimë, 18 % e tyre janë fëmijë jetimë biologjikë dhe pjesa tjetër e
tyre janë fëmijë me probleme sociale. Nevojitet një ligj që t’ju vij në
mbrojtje dhe të ndihmojë të dyja kategoritë në mënyrë të barabartë .
Gjithashtu, duhen hapur Qëndra Rinore Rezidenciale në disa qytete kryesore të
vendit për fëmijët dhe të rijntë jetimë të moshës 15 - 22 vjeç. Hapja e këtyre
qendrave do ndihmojë dhe zbutë ndjeshëm problemet me fëmijët dhe të rinjtë
jetimë kur ata të dalin nga këto institucione, të shkojnë në shtëpi - familje,
të përballojnë më lehtë jetën dhe të mirë-integrohen në shoqëri. Gjithashtu do
të theksoja faktin se, trajtimi i fëmijëve jetimë biologjike që dalin nga dyert
e institucioneve të përkujdesit social dhe vendosja e tyre në një konvikt së bashku
me nxënësit konviktorë me familje të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit
është pa kuptim, sepse personeli dhe kujdestari në këto institucione nuk do të
ketë vëmendjen e duhur për këta të rinj jetimë që kanë kërkesa dhe nevoja
specifike në jetën e përditshme. Në fakt, në këto konvikte, fëmijët jetimë
trajtojhen njësoj dhe në mënyrë të barabartë me fëmijët konviktore që e kanë
një mbështetje familjare dhe për pasojë, një fëmijë me probleme sociale nuk
merr vëmendjen e duhur.
-Cilat janë
institucionet përgjegjëse dhe në ç’nivele është bashkëpunimi juaj me to?
Janë disa institucione përgjegjëse me të cilat Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ka një bashkëpunim të frytshëm me to, siç është Shërbimi Social Shtetëror, Avokati i Popullit, qëndrat rezidenciale Shtetërore dhe ato joqeveritare, qëndrat komunitare, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Komiteti Shqiptar i Birësimit, dikasteret e pushtetit qëndror dhe atyre lokale, etj. Problemi qëndron në zbatimin e politikave të decentralizimit të shërbimeve sociale, pasi pushteti lokal shpesh herë është inekzistent ndaj këtyre politikave mbrojtëse e mbështetëse në favor të fëmijëve jetimë. Unë e përsëris edhe njëherë apelin tim për Kryeministrin Rama në lidhje me fondet që jepen çdo vit në mënyrë të gabuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për shoqatën e jetimëve, që në fakt, është një organizatë si të gjitha shoqatat e tjera joqeveritare që merren me jetimët sot në Shqipëri. Ato fonde duhet urgjentisht të ndërpriten, pasi kjo shoqatë duhet të mbështetet tashmë nga enti shtetëror buxhetues AMSHC në një konkurim të ndershëm dhe me kushte të barabarta me organizatat e tjera të jetimëve, me projekte të qarta dhe të besueshme në dobi të jetimëve. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye dhe asnjë detyrim që të trajtojë në mënyrë preferenciale dhe të diferencuar një shoqatë joqeveritare për jetimët, duke nxjerrë çdo vit nga arka 30.000.000 lekë të vjetra nga paratë e qytetarëve të vetë dhe për të mbajtuar gjallë 2 – 3 individë që vegjetojnë në mënyrë parazitare prej më shumë se 20 vjetësh në gjirin e shoqërisë civile. Këta individë, herë pas here, nisur nga ky fakt i financimit, (si gjest bujar nga shteti), shpesh dhe rëndomë, e prezantojnë shoqatën e tyre në mënyrë abuzive si “shoqatë shtetërore”, nga ku duhet të mbajnë në mënyrë të padrejtë dhe fiktive, pa kapacitete, organigramën e kësaj organizate me paratë e shtetit dhe të taksapaguesve shqiptarë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu. Kjo organizatë jofitimprurëse, prej më shumë se dy dekada drejtohet nga individë jo profesionistë dhe pa integritet, pa staturë, (mes tyre edhe matrapazë socialë), që spekullojnë dhe diskriminojnë fëmijët jetimë me një veprimtari pse jo edhe të dyshimtë në lidhje okulte edhe me fondacione të huaja, me synimin për të rritur performancën e mashtrimit dhe të përfitimit në dëm të fëmijëve jetim. Nuk mund të vazhdohet më me praktikat e vjetëruara, me manipulimin e “mjerimit, lypsarisë dhe të mëshirës sociale” në emër të jetimëve, ku në më shumë se dy dekada, shoqata të tilla, pa backgraund dhe aspak produktive, pa asnjë rezultat pritshmërie për grupin e interesit, (jetimët) subvencionohet nga shteti ynë “zemërgjerë” dhe i “dhembshur” në këmbim të heshtjes, të mbulimit të realitetit tragjik, për të mos deklaruar dhe për të mos u ballafaquar me gjëndjen e rëndë dhe reale të fëmijëve dhe të rijnve jetimë sot anë e mbanë Shqipërisë. Situata bëhet edhe më e rëndë, kur bëhen lojra të shëmtuara politike nga këta matrapazë social, sherbëtorë e sahanlëpirës partiak me tesër partie në xhep, të identifikuar tashmë si të tillë edhe në opinionin e gjerë publik, të cilët, pretendojnë se i përfaqësojnë jetimët, ashtu siç ka ndodh rëndomë në gjithë këto vite nëpër fushata elektorale, duke i përdorë këta fëmijë për kapital politik e llogari të (x) apo (y) force politike për qëllime të ulëta të përfitimit po nga këta individë spekullantë. Kjo është një çështje tepër serioze që lidhet me abuzimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë ende të ndodhin në kurriz të fëmijëve jetimë, si nga institucionet shtetërore, ashtu dhe nga këta individë që prej 20 vjetësh, abuzivisht kanë penetruar dhe vegjetuar tinëzisht, në mënyrë të rafinuar dhe të pashpirtë brenda Shoqërisë Civile nën petktun e “misionarit të bamirësisë”, në “ndihmë të jetimëve”. Fëmijët jetimë sot janë të rrezikuar edhe nga elementë pervers e pedofilë të infiltruar në shoqërinë civile, të cilët, sapo legalizojnë një pseudoshoqatë fantazmë me një vendim gjykate dhe një copë certifikate QKR - je, nisin të bubërojnë skutave të errëta të mashtrimit dhe orgjive me vese e sjellje antisociale duke viktimizuar pikërisht këtë kategori të dobët dhe të pambrojtur të shoqërisë. Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me sjelljet e tyre të hapura, spekullative dhe abuzive, i kanë sjellë një kosto të lartë dhe dëm të konsiderueshëm integrimit dhe kauzës së fëmijëve jetimë. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës z. Adriatik Llalla dhe Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani që të hetojnë në thellësi dhe në gjerësi situatën dhe të trajtojnë seriozisht jo vetëm çështjen e fëmijëve romë, por edhe çështjen e fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi jetimët në Shqipëri janë shumë herë më të rrezikuar dhe të viktimizuar nga çdo grup tjetër shoqëror në vendin tonë.