Shtesë » Lajme
Ja pse jemi kundër ndërtimit të xhamisë
E hene, 14.10.2013, 07:10 PM
Banorët i dalin në mbrojtje
Shaip Mujës - ja pse jemi kundër ndërtimit të xhamisë
Nga Express
Grupi i
përfaqësuesve të komunitetit të lagjes “Kalabria” ka reaguar sot ndaj sulmeve
që po bëhen nga disa hoxhallarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, në adresë të
disa familjeve, lidhur me mos lejimin e ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre,
në Prishtinë. Sipas këtij grupi, ndaj këtyre klerikëve duhet të reagojnë
institucionet përgjegjëse të Kosovës, pasi kërcënime në fjalë, pos që nuk kanë
të bëjnë asgjë me të vërtetën, konsiderohen si të rrezikshme për shoqërinë
tonë.
“Kjo xhami
kundërshtohet nga vetë fakti se ka filluar ilegalisht të ndërtohet pa miratimin
tonë publik dhe askush nuk na ka pyetur. Ne jemi mbi 60 shtëpi rreth e rrotull
xhamisë që kemi nënshkruar dhe përfaqësojmë afër 400 anëtarë të familjeve tona.
Këta persona qoftë privat dhe shtetërore e komunale nuk kanë respektuar planin
hapësinor ku deri më 2023 nuk parashihet asnjë institucion i kultit fetare të
ndërtohet në këtë hapësirë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, nuk
mund të ndërtohet diçka pa përfillur vullnetin e banorëve të atij lokalitetit,
kështu që as në këtë rast nuk mund të ketë përjashtim.
“Interpretimet
nga disa hoxhallarë të papërgjegjshëm fetarisht dhe mos respektues të ligjeve
të shtetit nuk janë problem i yni personal si komunitet por duhet të jenë
shqetësim për shtetin në përgjithësi. Kërcënimet që ju bëhen disa familjeve
përmes kamuflimit në emër të Zotit e fesë Islame na shtynë edhe më tepër të
bindemi që ata që qëndrojnë mbarapa kësaj çështjeje nuk janë as fetare e as
kombëtare”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, nuk
është hera e parë që reagojnë ndaj kësaj fushata të klerikëve të caktuar duke u
bërëthirrje institucioneve përgjegjës e të sigurisë që të veprojnë seriozisht
ndaj këtij lloji të kërcënimeve. “Kjo çështje nuk është e një individi apo një
familje por është e një komuniteti”, vazhdon reagimi, sipas të cilit, thirrjet
e këtilla që bëhen në emër të Islamit dhe Zotit, nga grupe të këtilla po
komprometojnë shtetin dhe vetë autoritetin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ky reagim që,
pos mediave, u është dërguar edhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit
Hapësinor dhe kryetarit të Prishtinë, Isa Mustafa është nënshkruar nga Fatmir
Muja, Gazmend Pruthi, Valdet Spahija, Arben Zogjani, Mehdi Sahiti, Fiorent
Pruthi dhe Ismail Dushi.
Ditë më parë,
Shefqet Krasniqi, publikisht ka akuzuar deputetin e PDK-së, Shaip Muja për
ndalimin e ndërtimit të xhamisë në Lagjen Kalabria.
Ai gjatë një
videoje që është shpërndarë në You tube, ka akuzuar edhe komandantët tjetër, të
cilët, sipas tij, janë shndërruar në kundërshtar të islamit.