Shtesë » Lajme
Përgjigje ndaj të “vërtetave” të Oana Manolescut
E merkure, 25.09.2013, 08:01 PM
REMEMBER
Përgjigje ndaj të
“vërtetave” të zonjushes Oana Manolescu
(Reagime të dikurshme, aktuale sot e kësaj dite)
Padrejtësia e bërë ndaj
minoritetit shqiptar u është bërë e njohur të gjitha forumeve (Drejtuesve të
Dhomës së Deputetëve, Presidencës së Rumanisë, Qeverisë së Rumanisë), përfshirë
edhe ato të Drejtësisë, pa u marrë parasysh akti i falsifikimit të dokumentave
publike, për faktin se duke patur mandat deputeti, ajo gëzonte imunitet
parlamentar. Shtypi i Rumanisë dhe Shqipërisë e ka vënë në dukje këtë
padrejtësi, madje Oana Manolesku është prezantuar në një nga organet qëndrore
të shtypit rumun, (gazeta Adevarul) në rubrikën “Personi më i diskutuar”. Në
vendin e një përfaqësuesi autentik të etnisë shqiptare u validua në Parlament “një
surrogat”, pa asnjë lloj përkatësie në atë etni. Anëtaret e etnisë shqiptare kanë reaguar në shumicën e tyre dërrmuese,
por më kot. Drejtuesit e BKSHR-së i kanë bërë tashmë të gjitha përpjekjet
ligjore, me përjashtim të sinjalizimit të ketij rasti pranë Këshillit të
Europës.
***
Në kuadrin e artikullit “E vërteta e
shqiptarëve të Rumanisë”, kuptojmë nga “Koha Jonë” se deputetja Oana Manolescu
përpiqet t’u bëjë replikë disa vëzhgimeve të spikatura dhe shumë të
përmbledhura të Shkëlqesisë së Tij, zt. Leonidha Mërtiri, Ambasador i
Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, në lidhje me situatën e rëndë në të
cilën ndodhet organizata përfaqësuese e Bashkësisë Kulturore të Rumanisë. Kjo
si pasojë e faktit se etnia shqiptare përfaqësohet në Parlamentin e Rumanisë
nga një person që nuk i përket kësaj të fundit, por që përdor subvencionet
financiare të Qeverisë vetëm në dobinë e një grupimi të themeluar në mënyrë të
dyshimtë nga Oana Manolescu, disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit
2000, i përbëre nga rreth 15 persona, të cilët as nuk janë të gjithë me etni
shqiptare. Në këtë situatë jemi të detyruar të bëjmë saktësimet e mëposhtme:
Vlerësojmë se është i justifikuar
shqetësimi i shfaqur nga përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Bukuresht,
ndaj ekzistencës së Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë. Kujtojmë se kjo
është Bashkësia e një tradite mbi 400 vjeçare, e cila në momentin e tanishëm
gjendet në pragun e shpërbërjes për shkak të vështirësive financiare që po
përjeton prej vitit 2001, kur të gjitha subvencionet e shtetit rumun që i
takonin minoritetit shqiptar, iu kaluan një personi të huaj për këtë etni, që
nuk i njeh as historinë, as anëtarët e saj, duke i provokuar dëme të
pallogaritshme në drejtim të vazhdimësisë. Kështu, selia qëndrore e Bashkësisë
Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, organizatë përfaqësuese e minoritetit
shqiptar, e themeluar në vitin 1990, anëtare themeluese e Këshillit të
Minoriteteve Kombëtare të Rumanisë, u desh të braktisej, gjë që i solli dëme
patrimonit tonë, ndërkohe që degët e saj, madje edhe më të mirat, si për
shembull në Braila, Kraiovë, Turnu Severin, Konstancë, nuk e kanë më mundësinë
e një veprimtarie sadopak normale. Nuk botohet më Vjetari “Albanezul”
(Shqiptari), i ndërprerë që nga viti 2000, dhe as librat mbi Historinë e
Komunitetit Shqiptar të Rumanisë, të cilat ishin në përpunim e sipër.
Revista “Albanezul” nuk doli disa vjet
rregullisht, por vetëm çdo tre muaj, edhe kjo në funksion të mundësive të
kolegjiumit të redaksise, i cili punon në mënyrë vullnetare. Sigurisht që nuk
mund të renditen të gjitha vështirësitë, por thjesht dëshirojmë të
konkretizojmë me shembuj të përmbledhur shqetësimin e ligjshëm, jo vetëm të
Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, që na është gjendur përherë
afër, të shtetit dhe autoriteteve shqiptare që e njohin në vazhdimësi
thellësinë e problemit, por edhe të shumicës së anëtarëve të Bashkësisë Shqiptare.
Zonja Oana Manolescu, me vetë deklaratën e saj pranë Ligës së Shqiptarëve të
Rumanisë, e themeluar si fondacion në vitin 1997, ka pranuar se është me
kombësi rumune, duke mos respektuar Kushtetutën
për përfaqësimit e komunitetit të shqiptarëve në Paralamentin e
Rumanisë, aq më tepër që askush nuk e ka njohur këtë person me përkatësi të
huaj në etninë shqiptare, as të paktën kolegët e saj.
Organizata me emërtim tautologjik Shoqata
Liga, (që nga pikëpamja gramatikore është e njëjta gjë) e Shqiptarëve të
Rumanisë doli me këtë cilësim të çuditshëm pas hyrjes së saj si deputete në
Paralment në bazë të listës së Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, në vijim të
kontestimit që iu bë nga ana e drejtuesve të Ligës respective që u themelua si
fondacion në vitin 1997 dhe u shndërrua në shoqatë në vitin 1999. Pra afirmimi
se e paska prejardhjen nga një familje shqiptare përbën një gënjeshtër me bisht
dhe një fantazi e pastër që nuk mund të justifikohet kurrsesi. Sigurisht, të
jesh “mik i shqiptarëve” nuk barazohet me përkatësinë pranë kësaj etnie, në një
kohë kur në Bukuresht ka një Shoqatë të Miqësisë Rumuno-Shqiptare, në të cilën
bëjnë pjesë miq të vërtetë të shqiptarëve.
Oana Manolesku flet për “arritje
shembullore” të Shoqatës Liga e Shqiptarëve të Rumanisë dhe botimin e revistës
“Prietenul Albanezului” (Miku i Shqiptarit), por nuk thot asnjë fjalë të vetme
se këto realizohen me subvencionet e Qeverisë rumune të parashikuara për
minoritetin shqiptar, dhe se në këtë mënyrë dëmet i sillen pikërisht
minoritetit shqiptar, i cili tashmë ndodhet në proces të shthurjes si pasojë e
vështirësive financiare që nuk i japin mundësinë e zhvillimit të një
veprimtarie normale. Ç’lloj miku është ai që e shpall veten si përfaqësues të
shqiptarëve kur ua bllokon atyre veprimtarinë për ruajtjen e Bashkësisë në
vazhdimësinë e vet historike? Kur shqiptarët etnikë marshonin në rrugët e
Bukureshtit për “Paqë në Kosovë” dhe ndërprerjen e gjenocidit serb kundër shqiptarëvet,
ku ndodhej deputetja apo “mikja e shqiptarëve”? Si “përfaqësuese e etnisë” a ka
parashtruar ndonjeherë në Parlament mendimet e tyre?
Prania e Oana Manoleskut në Parlamentin e
Rumanisë është kontestuar që prej periudhës së zgjedhjeve nga ana e Ligës së
Shqiptarëve të Rumanisë në emrin e së cilës kandidoi, dhe vetëkuptohet edhe nga
organizata përfaqësuese e etnisë Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë.
Grupi Parlamentar i Minoriteteve Kombëtare të Parlamentit të Rumanisë e mohoi
si perfaqësuese të etnisë shqiptare. Komisioni i Validimit të Mandateve u ndryshua
disa herë, ndërkohe që validimi i saj si deputet zgjati nga Nëntori i vitit
2000 deri në Mars të vitit 2001, dhe për këtë drejtuesit e Dhomës së Deputetëve
sollën motivacionin se nuk kishte më asnjë mundësi të rekuperoheshin lekët e përfituara
nga Oana Manolescu si deputete, për aq kohë sa qëndroi e pavaliduar. Me të
drejtë, përfaqësuesi i etnisë ukrainase deklaroi se në vendin e një përfaqësuesi
autentik të etnisë shqiptare u validua “një surrogat”, pa asnjë lloj përkatësie
në atë etni. Ish-Ambasadori i mirënjohur i Rumanise në Tiranë, zt. Gheorghe
Miku sinjalizon në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli” (Shkurt, 2001) se
“Znj. Oana Manolesku nuk ka marre votat e shqiptarëve të Rumanisë”.
Padrejtësia e bërë ndaj minoritetit
shqiptar u është bërë e njohur të gjitha forumeve, (Drejtuesve të Dhomës së
Deputetëve, Presidencës së Rumanisë, Qeverisë së Rumanisë), përfshirë edhe faktorëve
të Drejtësisë, pa u marrë parasysh akti i fallcifikimit të dokumentave publike,
për faktin se duke patur mandat deputeti, ajo gëzonte imunitet parlamentar.
Shtypi i Rumanisë dhe Shqipërisë e ka vënë në dukje këtë padrejtësi, madje Oana
Manolescu është prezantuar në një nga organet qëndrore të shtypit rumun (Gazeta
“Adevarul”) në rubrikën “Personi më i diskutuar”. Anëtarët e etnisë shqiptare
kanë reaguar në shumicën e tyre dërmuese, por më kot. Drejtuesit e BKSHR-së i
kanë bërë të gjitha përpjekjet ligjore, me përjashtim të sinjalizimit të këtij
rasti pranë Këshillit të Europës. Të gjitha fjalët mbi “dashurinë për shqiptarët”
shpërbëhen përballë realiteteve të dhimbshme që po përjeton Bashkësia e
Shqiptarëve të Rumanisë, gjë që ndikoi edhe në rezultatin e regjistrimit të
popullsisë gjatë vitit 2001, kur disa anëtarë nuk e deklaruan më përkatësinë
shqiptare, duke menduar se kësisoj do të validonin praninë në Parlament të një
deputeti që nuk u përket.
Në mbyllje, Oana Manolesku shkruan: “Të premtoj se nuk do të zgjidhem më?”. A di zonja Manolesku se këtej e tutje do të përjetësojë praninë e vet si deputet në Paralmentin e Rumanisë, në emër të rreth 520 personave që vazhdojnë ta deklarojnë përkatësinë shqiptare? Nëse situata nuk do të kishte qenë kaq e trishtë, do ta merrnim thjesht si një shaka. A mund të justifikohen me të tilla argumente “të vërtetat” mbi shqiptarët e Rumanisë? Na vjen keq që hapsira tipografike nuk na lejon një përshkrim më të thellë të situatës, sepse vetëm atëherë opinioni publik do të mund të konstatonte “të vertetat” e rradhitura si replikë ndaj disa vëzhgimeve të spikatura, d.m.th ndaj faktit se Oana Manolesku nuk do të arrije kurrë t’i përfaqësojë shqiptarët e Rumanisë. (Dr. Xhelku Maksuti, Kryetar Themelues dhe Kryetar Nderi i BKSHR-se, Dr. Xhemile Aliu-Susli, Kryetare e BKSHR-së, Dr. Luan Topçiu, Zv. Kryetar i BKSHR-së, Kryeredaktor i revistës “Shqiptari”. (Albanezul, Nr. 106, 2003).