Shtesë » Lajme
PF, letër Erdoganit: Ryshfetin e kemi të përbashkët
E merkure, 23.10.2013, 05:37 PM
Kryetari leXHendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, i ka dërguar një letër publike Kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili sot po qëndron në Kosovë.
Në këtë letër, veç tjerash, Arifi ka thënë se nuk është kundër investimeve turke në Kosovë, pasi që, sipas tij, “fjala ryshfet është fjalë e përbashkët në fjalorin turk dhe atë shqiptar”.
Ndër të tjera, Arifi ka shprehur keqardhjen e tij se, siç ka thënë ai, “nuk po mund të gjej kohë që të takohem me ju dhe të ju dëshiroj mirëseardhje në trojet tona të lashta dardane, në Kosovë”.
Në vijim, ju sjellim të plotë letrën e leXHendarit Arifi dërguar kryeministrit turk, Erdogan:
I nderuari Kryeministër Erdogan,
Ju shprehi keqardhje që nuk po mund të gjej kohë që të takohem me ju dhe të ju dëshiroj mirëseardhje në trojet tona të lashta dardane, në Kosovë.
Si burrështeti me të cilin ndajmë qëndrime politike thelbësore, ju më së miri e kuptoni rëndësinë e fushatës për një politikan që garon në një vend me shprehi të lashta politike që burojnë nga mesjeta. E dini se në kësi ambienti politik lideri është fillimi dhe fundi i çdo mendimi dhe aktiviteti për partinë, dhe pa praninë e liderit partia politike nuk mund të bëj asnjë hap, e qe besa nuk mund as të ekzistoj.
Ne dy, ndajmë shumë gjëra të përbashkëta. Qasja juaj ndaj hapësirave të gjelbruara anembanë Turqisë, e me theks të veçantë tek Parku Gezi, qëndron në përputhje të plotë me programin e Partisë së Fortë. Ne e kemi kuptuar se sa të parëndësishme janë hapësirat publike të gjelbërta dhe në përputhshmëri me planin tuaj, ne konsiderojmë se atyre duhet gjetur një zgjidhje më profitabile.
Jam ndier shumë keq kur këto ide përparimtare nuk gjetën mirëkuptim tek një grup margjinal i delikuentëve, harrangopëve dhe hipsterëve, të cilët nuk janë asgjë tjetër përveçse individë tru-shpërlarë dhe të indoktrinuar në shkollat perëndimore, që me t’u kthyer në shtetin e tyre amë, i sollën me vete edhe shprehitë e tyre degjeneruese si shprehja e dashurisë përmes puthjeve apo konsumimi i substancave të dëmshme alkoolike.
E gjithë kjo u maskua nën petkun e vlerës së lirisë së shprehjes. Liria e shprehjes merr kuptim vetëm përderisa ajo është e kontrolluar dhe është në harmoni me politikat qeveritare. Kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së kësaj lirie, e cila rrezikohet nga të gjitha anët. Andaj, për ta mbrojtur atë, ne do ta ndjekim shembullin tuaj të kontrollimit sa më të madh të saj. Aty ku nuk ka kontroll nuk mund të ketë as liri, ajo është vetëm anarki. Liria realizohet vetëm nëpërmjet kontrollit.
Duke e kontrolluar dhe kështu, duke e mbrojtur atë, liria e shprehjes është në funksion të mbrojtjes, promovimit dhe glorifikimit të autoritetit të Liderit. Kjo është edhe një pikë që na bashkon ne si dy liderë. Në mënyrë që shoqëria të funksionojë si një komunitet i mbyllur organik, asaj i duhet lideri i fortë dhe autoritativ, si shënjues i organizimit të saj të brendshëm. Unë dhe Partia e Fortë jemi tërësisht të përkushtuar që ta mirëmbajmë dhe ta avancojmë statusin, autoritetin dhe glorifikimin e liderit.
Por më vjen mirë që së paku përmes kësaj letre mund t’iu uroj mirëseardhje në Kosovë, e posaqërisht të uroj konsorciumin Turko-Francez që ka investuar dhe menaxhon me aeroportin ndërkombëtar në mënyrë kaq të përkryer. Këtu duhet të theksoj aktin trimëror të kompanisë Limak/Lyon e cila përkundër investimit dhjetëra milionësh ka vendosur që të ulë qiratë e objekteve dhe hapësirave tjera në aeroport në një nivel shumë më të ulët se para koncesionimit.
Me këtë veprim Limak/Lyon rrezikon të punojë me humbje, vetëm e vetëm që kosovarët të kenë qira dhe shërbime më të lira në Aeroport. E çka mund të bëj më shumë vllau për vllaun?
Sinqerisht besoj se Turqia dhe Kosova, si dy vende vëllazërore, me qeveri të forta përbëjnë një vlerë të veçantë për Bashkimin Evropian, dhe me shtyerjen e integrimit tonë në këtë union humb vet Evropa, e jo ne dhe popujt tonë.
Në këtë pikë, e ndiej të nevojshme që të theksoj një qëndrim timin si kundër përgjigje ndaj zërave xheloz dhe qëllim këqinj që kritikojnë investimet turke në Kosovë.
Ne kemi interesim të theksuar në kompanitë Turke, sepse këto kompani e përqafojnë dhe e kuptojnë shumë më mirë ambientin e biznesit tek ne, kjo ndoshta sepse fjala rryshfet është fjalë e përbashkët në fjalorin turk dhe atë shqiptar. Për më shumë, këto kompani i kuptojnë shumë mire politikat e punësimit të familjarëve. Kjo lidhet në mënyrë të përkryer me parimin e afarizmit për shumicën e kompanive në Kosovë të cilat janë të themeluara në baza të shëndosha familjare dhe pavarësisht qarkullimit milionësh, menaxhohen kryesisht nga anëtarët e familjes. Me një fjalë, kompanitë turke na ndihmojnë dhe e trasojnë rrugën që Partia e Fortë ta ketë më të lehtë çrrënjosjen e korrupcionit përmes legalizimit, si aktivitet normal ditor në vendin tonë.
I nderuari kryeministër Erdo?an, pranoni përshëndetjet e mia të forta.
Me nderimet më të larta,
Visar Arifaj,
Kryetari
Lexhendar i Partisë së Fortë