E marte, 08.10.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Një zog prej uji

E diele, 15.09.2013, 10:59 AM


Adem Zaplluzha

NJË ZOG PREJ UJI

 

Shoqata e Shkrimtarëve”Fahri Fazliu”

Kastriot

2013

 

Redaktor:

Ismet Hasani

Recensent :

Mazllum Baraliu

Lektor:

Veli Veliu

 

Parathënia

 

Pak si hyrje, pak si parathënie

 

Është kënaqësi e veçantë kur lexon vepra të një njeriu, i cili ka dalë prej gjirit të një populli të vogël, e me kohë është bërë i madh e i njohur dhe popullin e vendin e vet i ka bërë të mëdhenj e të njohur!

 

Ka raste të rralla njerëzish, të cilët sukseset më të mëdha i kanë arritur pas moshës 65 vjeçare, atëherë kur shumë të tjerë kanë menduar për ta se kanë filluar të plaken, se nuk i kanë më lëvizjet e shpejtuara të gjymtyrëve, nuk kanë forcë të të menduarit dhe se nuk janë më të dobishëm për mesin ku jetojnë, për shkak se ju mungon energjia e mendimit dhe e krijimit. Autori i këtij libri, poeti i respektuar Adem Zaplluzha e dokumentoi atë të parën: është ndër të rrallët poetë, shkrimtarë e publicistë që më shumë ka tituj të botuar sesa vite jete, raporti  deri me sot është 70:82 në të mirë të botimeve. E kush e di edhe sa e sa tituj do të botojë, ende pa i bërë 71 vjet?! I dëshirojmë suksese të mëdha drejt ngjitjes në majat më të larta të artit, shkencës dhe përparimit të mendimit njerëzor.

Pata rastin dhe privilegjin të jam redaktor i librit të tij me titull “Një zog prej uji” – mbi çka ndihem krenar,  por edhe përgjegjës ndaj obligimit të besuar, për përmbushjen e të cilit do të përdor të gjitha aftësitë e mia...

Poeti Adem Zaplluzha përmes këtij libri paraqitet me 50 poezi të përfshira në 3 cikle:

(1) cikli i parë me titull “Palaçot e të gjitha ngjyrave” përmbledh 10 poezi, si ajo me titull: “Jemi të pangopshëm”, “Një kornizë pa titull”, “Në duart e kripura të barkave”, “Nuk ishim të gatshëm”,  “Palaçot e të gjitha ngjyrave”, “Fillimi i një përfundimi”,etj.

(2) cikli i dytë me titull “Një zog prej uji” përmbledh 21 poezi, si ajo me titull: “Nuk është hera e parë”, “Mes psalmeve të lashta”, ”Çelin zogjtë e shenjtë”, “Tingujt e një muzike”, “Nëse mbërrimë”, “Lutje me frymën e butësisë”, etj.

(3) cikli i tretë me titull: “Atje te pemët” përmbledh 19 poezi, si ajo me titull: “Kollitet si kali plak”, “I përngjan të verbëtit”, “Këndonin vashat e vetmuara”, “Teorema”, “Atje te pemët”, “Askush nëpër rrugët e qytetit”, etj.

 

*

“Shoh njerëz të braktisur

Nënat me nga disa lloje

Shiringash në shpirt

Duke bredhur rrugëve

 

Pandërprerë ecin nëpër skëterrën

E trishtuar të jetës

Lypsarë

Dhe perëndi pa fron

 

Shoh prostituta të moshuara

Që s’kanë çka të shesin

Përveç brekëve të palara

Dhe trishtimin e jetës”

...             (“Palaçot e të gjitha ngjyrave”)

 

Me këto vargje e fillon poeti ciklin e parë të poezive te tij.

Për të vazhduar ciklin e dytë:

 

“Këndej

Mund të kalojnë vetëm ata

Që kanë mësuar të ecin mbi litar

Dhe ata që e njohin

Më mirë lojën e vdekjes

Kjo fije kashte

Shumë lehtë mund të digjet

Nëse flenë me zjarrin

 

Sa për pak ujë ka nevojë

Loti im

sa për pak qeshje po ashtu

Kanë nevojë

buzët e ndryshkura prej erës

 

Kurse njerëzit që qeshin

U përngjajnë të marrëve

Kur përtypin fjalët e mjegullave

Si kafshatë të hidhur të jetës”

...

(“NUK ËSHTË HERA E PARË”)

 

Ndërkaq ciklin e tretë – të fundit me titull ”Atje te pemët” e fillon me vargjet:

 

“Jeta ime

I përngjan jetës së harabelit

Më mjaftojnë nëpër stinë

Disa kokrra mel

Dhe i them dimrit eja bablok

S’ke se çfarë më bën”

...                         (“Jeta ime”)

 

Dhe e përfundon ciklin e tretë me vargjet:

 

“Pranvera ishte për mua

Vetëm një dëshirë e largët

 

 

Në njëmijë dyer trokita

Dhe asnjëherë më

Nuk u ndalën

Trokëllimat e stinëve të egra”

...                     (poezia “Thonë se”)

 

*

Me sa unë kam mundur ta kuptoj, poeti na mëson se tri gjëra janë të vështira në jetë:

1.         Të dëgjosh,

2.         Të shohësh, dhe

3.         Të heshtësh.

 

Mirëpo, na udhëzon që ta kemi parasysh se:

1.         E VËRTETA,

2.         LIRIA, dhe

3.         VIRTYTI,

janë tri gjëra për të cilat duhet ta duam jetën.

*

 

Redaktori,

Ismet Hasani

Stockholm – Suedi, maj 2013

 

Ne nuk ishim të gatshëm

Cikli i parë

 

 

KLOUNËT E TË GJITHA NGJYRAVE

 

Shoh njerëz të braktisur

Nënat me nga disa lloje

Shiringash në shpirt

Duke bredhur rrugëve

 

Pandërprerë ecin nëpër skëterrën

E trishtuar të jetës

Lypsarë

Dhe perëndi pa fron

 

Shoh prostituta të moshuara

Që s’kanë çka të shesin

Përveç brekëve të palara

Dhe trishtimin e jetës

 

Rrugëve të qytetit

Parakalojnë arkivole të dehura

Dhe bukëpjekës

Që na vrasin me aditiv

 

Nuk përfundojnë as kolonat

Me policë të sëmurë mendërisht

Në pikë të ditës

I dhunojnë kukullat e drunjta

 

2.

 

Shoh edhe fëmijë të braktisur

Nëpër qoshet e faltoreve

Për disa punë të liga

I grisin librat e shenjtë

 

Sa herë që vijnë pashkët

Palaçot e të gjitha ngjyrave

Nëpër kornizat e muranave

Ngjyrosin vezët e zogjve

 

Në qytetin tim

Vijnë disa lloje njerëzish

Dhe po aq ikin nga këtu

Me xhepa e shpirtra të zbrazura

 

3

 

Në qytetin e Lumëbardhit

Fëmijët lindin me nga dy sëmundje

Dhe me ADN-ën e panjohur

 

Këtu në këtë mjerim

Protestojnë edhe të vdekurit

Kinse dikush

Po ua grabit dokumentet e vendbanimit

 

Në vargan ecin ngadalë

Njerëz të dehidruar

Ngarkuar me trishtim të paparë

Në mendjen njerëzore

 

Ecin deri në fund të qytetit

Dhe sërish kthehen si të trullosur

Në fundet e kontejnerëve

I kërkojnë duart te tyre të këputura

 

Varfëria loz me tërë epshin e saj

Valsin e nisur që moti

Një gërnetë e vjetër

S’di të ndalet as nën trishtimin e gjetheve

 

4.

 

Qan një njeri i dehur

Pas një dashurie të humbur

Dënes thellë edhe Lumëbardhi

Dallgët pa e lodhur kokën

Zhyten si të përgjumura

Në shpirtin e një rrashte të thyer

 

Një njeri i vetmuar

Shikon me nostalgji

Se si fishken pemët

Dhe në shtratin e përgjumur

Të brigjeve

Lexon epitafin e një kohe

 

5.

 

Këtu më

Njerëzit nuk i ndërrojnë adresat

Mbase as nuk kanë nevojë

Sa herë që donë

I nënshtrohen operacionit plastik

 

Blejnë thashetheme

Dhe i shesin flokët e erës

Si me vetveten

Bashkëjetojnë me të keqen

Këtyre të vetmuarve mondan

Nuk u pengon vetmia

 

6.

 

Thonë se këtu nuk ka dimër

Sa herë që i teket dikujt

Në pikë të ditës

E çnjerëzon hënën

 

Pa kurrfarë frike

Njerëzit u ngërmohen njerëzve

Mbase ka kohë

Që kanë vdekur kodet e maleve

 

Asnjëherë nuk mund të shikosh zogjtë

Nën çatitë e rrënuara të qytetit

Se sa çel e mbyll sytë

Të përpinë hijet e dyshimta

 

7

 

Njerëzit këtu kur kanë kohë

Për t’i qethur edhe vezët e qyqeve

Recitojnë përmendësh

Psalmet e Solomonit

Dhe pjesë nga Kur’ani

Pastaj

I përtypin lashtësitë e shkronjave

Si çamçakëzin e përdorur

 

Herët në mëngjes

Kur zgjohet këndesi

Trarët e çative nga mishi i tharë në erë

Tymojnë si nëpër përralla

 

Ngjan që nuk harrojnë

T’i përsërisin nga disa herë

Po ato lutje

Që i kemi mësuar si fëmijë

 

Disa kungohemi fshehurazi

Në gjumin e Lumëbardhit

E disa të tjerë

Kalojmë tej rrugës deri te çezma

Për avdesin e mbrëmjes

 

8.

 

As fjalët nuk dalin jashtë

Nga goja e uritur e erës

As krakëllimat e korbave

Nuk e kanë shijen e gjetheve

Ecja e tyre u përngjan

Hapave të somnambulëve

Dhe u lehin netëve

Si ujqërit hënës

 

Në imagjinatën e lisave

Ndryshojnë pamjet e rrugëve

Njerëzit e qyteti tim

I matin ndjenjat e gjetheve

Me hapat e erës

Kur shkunden fjalët

Si stinët në rrënjët  e rrapeve

 

9.

 

Më pastaj

Përzihen me kufomat

E varreve fqinj

Që i kanë kafkat e thyera

Dhe prej një varri

Tjetër ikin

Hijet e dyshimta të erës

 

Kur dënesin Kryqet e dehidruar

Të mjegullave

Ndihen piskamat e lisave

Dhe me ditë të tëra

Nuk pushojnë shirat

 

Kur të gjitha këto gjëma

Pas dyndjes së rrebesheve pushojnë

Njerëzit ikin nga vetvetja

Dhe takohen për të parën herë

Me gjyshërit

Që lindin prej përrallave

 

Prishtinë, 08 prill 2013

 

 

JEMI TË PANGOPSHËM

 

Ne edhe ashtu

Nuk dimë të ndalemi asnjëherë

Kalërojmë me kokëfortësi

Nëpër piskamat tona

Dhe i shtrydhim mjegullat

 

Rruga e jonë nuk ka të ndalur

Jemi të pangopshëm

I përngjajmë gruas

Dhe epshit të saj të pashuar

Kur e shalon ekstazën

 

Ecja e njeriut i kapërcen horizontet

Për të mbërri deri te vetvetja

Domosdo i duhet

Njëmijë vjet urti

Dhe po aq vjet durim

 

Nëse e shuajmë etjen e lumit

Me brymën e vonshme të mëngjesit

Hapat tona do të jenë

Më të mëdha

Se çdo dallgë deti

Që fundoset në ëndrrën e pulëbardhës

 

DHE BISEDOJ ME IKONAT

 

Më kanë braktisur ëndrrat

Gati dy javë

Çezma e vjetër

Nuk lëshon pikë uji

Çfarë të bëjë me këtë vetmi

Që po më kafshon

Më shumë se tenja pantallonat e mia

 

Shikoj tej xhamave të palara

Asnjë kalimtar i vonuar

Nuk troket

Në mendjen time

Vetëm pikat e shiut

Po e prishin

Qetësinë e kësaj simfonie

 

Një lehje e vonuar

Sonte më vjen si ulërimë

Nëpër trishtimin e gjumit të natës

Kalojnë trenat e vetmuar

 

Qëndroj syhapur

Dhe bisedoj me ikonat

Mbase edhe ato ka kohë

Që kanë mbetur të vetmuara

 

NJË KORNIZË

 

Sa herë që provova

Ta ndezi një qiri

I dogja gishtat

Për çudi

Ikonat qeshën me mua

 

Një kornizë

Akoma nuk i ndalë të qeshurat

Sa që po nervozohen

Gozhdët e ngulura

Nëpër lagështit e mureve

 

Në shpirtin e kambanës

Një këndes i egër

I zgjon zogjtë e fjetur

 

I zgjon edhe pjergullat

Nëse s’piqet rrushi

Nuk mund ta kungojmë stinën

Kur kalon e zhveshur

Nëpër lagjen tonë

 

PA TITULL

 

Mikun im

Mos i vajto asnjëherë personat

Që i përngjajnë arkivoleve

Por vajtoi me vajin e një fëmije

Të gjallët e vdekur

 

Trokas në mendjen e ujit

Asnjë portë nuk hapet

Asnjë qeshje prej gjelbërimi

Nuk shfaqet

Në horizontin e tymosur

 

NË DUART E KRIPURA TË BARKAVE

 

Tej portave kanë dalë zogjtë

Dhe u këndojnë njerëzve

Të humbur

Hapni sytë dhe shpirtrat

Andej përtej ujërave

Nuk janë perënditë

 

Një grumbull skizofrenësh

Papandehur kanë hyrë

Në valsin e stinës

Si të çmendur

Vallëzojnë mëngjeset e sëmura

 

Dielli i përskuqur

Vetëm një herë në vjet

Përçanë këndej

Dhe herëve të tjerë fshihet

Në përgjumjet e myshqeve

Që vuajnë nga anemia

 

Sonte ikën edhe pulëbardhat e fundit

Në duart e kripura të barkave

Mbetën peng anijet

Dhe kryqet  e fundosura

Në ëndrrën e një balade

Sërish ringjallen përmbytjet

 

PREJARDHJA E IME

 

Prejardhja ime

Si një perëndi lashtësie

Zbret nga baladat Ilire

Dhe ecën

Me një madhështi krenare

Sa që i përngjan Bindit flokëthinjur

 

Sa herë që ulet këmbëkryq

Në fronin e këtyre maleve

Lartësive të paepura

Ua merr bukurinë

Po sa që del në log të mejdanit

I përngjan fjalës së

Njeriut

 

Prejardhja ime

Nusja e fisit tim të lashtë

Që lind burra

Sa herë që i duhen atdheut

Fluturojnë nga shpirti i saj

Shpendët dykrenorë

 

Prishtinë, 09 prill 2013

 

NUK ISHIM TË GATSHËM

 

Nuk janë asgjë tjetër këto mjegulla

Veçse

Disa copëza të leckosura

Nga lëkura e mykur e ajrit

Fluturojnë zogjtë e hijeve

 

Shiu i mbrëmshëm

Më duket se

I kaloi të gjitha udhët

Deri sa erdhi në lagjen tonë

Për të biseduar me erën

 

Nuk ishim të gatshëm

Të pranojmë humbjen

Edhe ashtu

I humbëm të gjitha kujtimet

Mbetëm disi lakuriq

Pas gjithë atyre të reshurave

 

Deshëm të harrojmë

Por kurrsesi

Të pajtohemi se harresa

Është ajo pjesë

E cila rrallë herë përsëritet

Dy herë në qenien tonë

 

Ishte dita e parë e një stuhie

Që kaherë

Kishte filluar të fryj

Çmendurisht të fryj nëpër damarët

E sëmur të lisave

 

Kurse ne mbetëm edhe kësaj here

Copëza të hijeve

Prej leckash të gjakosura

Si kallamishte të djegura

 

EDHE DY HAPA

 

Secili prej nesh

E njeh mëkatin e vet

Po ashtu do të ecim

Përtej asaj drite të tejdukshme

Dhe nëse mbërrimë

Mund të jetë udhëtimi ynë i fundit

 

Lëvizim këmbët dhe mendjen

Edhe pak

Atje përtej shevarëve

Kanë filluar të këndojnë sonte

Shelgjet e pikëlluara

Po që se takohemi me këngën

Vetëm atëherë kemi mundësi

Të shohim varrin e trilluar të mjegullave

 

Po ju them

Të ecim edhe pak

Nuk kanë mbetur më shumë se dy hapa

Deri te mëkati i mjegullave

Nëse ndalemi

Në mendjen e dyshimtë të vetëdijes

Do jemi të gjithë ne

Mëkatarë të dyfishtë të kësaj dite

 

Edhe dy hapa

Dhe atje përtej pemëve të shkundura

Na pret një arkivol i kaltër

Mos e prekni

As me duart e juaja të lëngëta

As me shikim e dyshimtë

Nga degët e shimshirit

Posa fluturuan

Dy pëllumba të bardhë

 

MES GISHTAVE TË ERËS

 

Nëpër këto zgavra muresh

I ndezëm kandilat

I ndezëm dhe pastaj u larguam

Asnjëherë më

Nuk u kthyem

T’i  ngrohim gishtat e ngrira

 

Nga lodhjet e madha

Na u përkujtuan dyndjet e zogjve

Në syrin e kaltër të liqenit

U fundosën anijet peshkatarëve

Dhe erërat e maleve iu bashkuan

Ofshamave të pulëbardhave

 

Një fanar i vjetër

Me lotët e banuesve të detit

I lante duart e erës

Dhe përzihej mes penelave

Nga shpirti i ujit

Mugulluan si gjelbërimi

Ushtat e luftëtarëve të zhdukur

 

Hijet e thyera të dallgëve

Mes gishtave të erës

I kërkonin arkivolet e murrme

Askund

 

Asnjë shenjë nga kryqet

Mbase

Ka ngjarë një përmbytje e madhe

Në arabeskat

E tejdukshme të kujtesës

Vdesin zogjtë e fundit të shpresës

 

Prishtinë, 10 prill 2013

 

TË THASHË MOS U NDAL

 

Nëse është këtu fundi i rrugës

Dëgjo mirë

Se çfarë po të them

Dhe kupto

Se fundi askund nuk ekziston

 

Asnjë fillim nuk përfundon

Me mbarimin e një rruge

Përherë gjendet para teje

Edhe një hap më tutje

Ku shtrihen  detet e kaltra

Me këngët e jeshilët të erës

Që përmbyten

Në gjumin e sirenave

 

Ec deri në fund të kujtimit

Dhe sërish kthehu i këndellur

Te ëndrrat e tua

Që të presin me padurim

Në gjumin

E një peme me shumë fryte

 

Të thashë mos u ndal

Shiko me vëmendje

Vrapin e milingonave

Se si bartin atlase

 

Dhe gurin e Sizifit

mbi shpinë

Dhe asnjëherë nuk i dorëzohen jetës

 

FILLIMI I NJË PËRFUNDIMI

 

Këtu është fillimi

I një përfundimi

Të imagjinar thua se janë

Rrënjë myshqesh këto lisa

 

Nëse hapat e tua

Zënë fill nga ky vend

Asnjëherë më

Nuk je në gjendje

Të mbetesh prapa hijes tënde

 

Ti do të ndalesh

Te çezma që pikon lot

Ku vashat i lajnë këmishët e luftës

Do të ndalesh

Se ndryshe më nuk bënë

Ti ndërrosh rrugët e patërshanave

 

PIKON NJË HARTË E GRISUR

 

Miku im

jemi rritur tani

Nuk është koha të kacavirremi

Nëpër pjergullat e lagjes

As te kotecet e pulave

T’i shqetësojmë këndesat

 

U bëmë burra

Nga ashti jonë i pathyeshëm

Në vend të qumështit

Pikon një hartë e grisur

Tok me ushtat

Dhe shigjetat e gjyshërve

Që akoma mugullojnë në shpirtra

 

Koha është

Që nga bërthama e këtyre rrapeve

Të nxjerrim brumin e baladave

Dhe të ecim përpara

Deri te një ngadhënjim

Mbi të keqen

Të ecim si etërit tanë

Nëpër epikët e kësaj toke

 

Lutje me frymën e butësisë

Cikli i dytë

 

NUK ËSHTË HERA E PARË

 

Këndej

Mund të kalojnë vetëm ata

Që kanë mësuar të ecin mbi litar

Dhe ata që e njohin

Më mirë lojën e vdekjes

 

Kjo fije kashte

Shumë lehtë mund të digjet

Nëse flenë me zjarrin

 

Sa për pak ujë ka nevojë

Loti im

Sa për pak qeshje po ashtu

Kanë nevojë

buzët e ndryshkura prej erës

 

Kurse njerëzit që zgërdhihen

U përngjajnë të marrëve

Kur përtypin fjalët e mjegullave

Si kafshatë të hidhur të jetës

 

Sa të marrë janë njerëzit

Kur heshtin

Sa e marrë është fryma

Kur frynë vetëm jugu i nxehtë

 

2

 

Rruga e jonë deri te plepat

Nuk ka as një dalje

Ne të gjithë

Nga njëherë në jetë

Humbim në përrallat tona

Nëse i harrojmë kashelashat

 

Nuk është hera e parë

Që s’ditëm të mendojmë

Dhe asnjëherë nuk i pyetëm pemët

Se ku mund t’i gjejmë

Duart tona

Që aq shumë i përngjajnë erës

 

Prishtinë, 11 prill 20

 

MES PSALMEVE TË LASHTA

 

Nëse të mungojnë gjërat elementare

Dhe nëse

Nuk ke asgjë më shumë

Për historinë

E lakuriqësisë së shpirtit tënd

 

Ti mund t’i thërrasësh lutjet e tua

Por mos harro

Se askund më

Nuk mund të shkosh

Pa e zhveshur këmishën e urrejtjes

 

Ishim dikur bashkë

Mes psalmeve të lashta

I harruam metaforat

Dhe prej asaj dite

Mbetëm

Statuja delesh të humbura

 

Akoma sot nëpër mjegull

Bredhim në mendjet tona

Dhe si netët e dyllta

Tok me somnambulët

I kërkojmë

Mëkatet e harruara

 

ÇELIN ZOGJTË E SHENJTË

 

Po që se i kërkoj duart e mia

Jashtë kësaj hapësire

Kurse ti depërton si somnambul

Nëpër një shteg

Ku vetëm arkivolet kalojnë

Mos më kërko askund

Përpos në syrin e heshtjes

 

Unë do të jem aty

Me tërë qenien time

Ti vetëm ledhatoi

Flokët e shprishura të erës

Sepse kjo është e vetmja shenjë

Nga e cila mund të kuptosh

Ngjyrën e frymëmarrjes sime

 

Ulu dhe më prit

Te ajo pemë

Që vetëm njëherë në jetë

Lulëzon në kujtesë

Sepse nën degët e saja

Çelin zogjtë e shenjtë

Ku mund të fluturosh edhe ti

Deri te ëndrra jote e kahershme

 

TI JE LULJA MË E BUKUR

 

Sa herë që e hapë gojën

Nga buzët e tua të porsaçelura

Pikojnë si lotët e vjeshtës

Nerenxat e një stine

 

Kur i mbyllë sytë e gështenjta

Të mjegullave

Me qindra drita inkandeshente

Ndriçojnë sterrën e kujtimeve

 

Nuk dua të të krahasoj

Me asnjë stinë

Ti je bima më e bukur

Që çelë si lulja

Në ëndrrat

E përgjumura të fluturave

 

NJË ZOG PREJ UJI

 

Posa i çelë sytë

Në shpirtrat e luleve

I mbjellë duart e të gjitha stinëve

 

Nëpër dunat e rërës

Deri në ekzaltim

I kërkon stërkalat e dallgëve

Dhe këndon me molin

Vetëm këngët e të mbijetuarve

 

Herë shndërrohet

Në një zog prej uji

E herë

I përngjan detit me flatra

 

Pas vdekjes së perëndive

Thonë se linde nga era

Drita doli prej një kafkulli

Për t’u vendosur në kafkullin tjetër

Dhe sërish këndoi

Po ato balada të vjetra për ujin

 

TINGUJT E NJË MUZIKE

 

Përbëri kornize

Orë e çast

Dëgjohen zërat mortore të erës

 

Diku nga lartësitë e paepura

Zbresin meteorët

Bishtkëputur

 

Nga psalmet e një kohe

Si lulet çelin

Tingujt e një muzike

 

Ky karnaval arkivolesh

I ngjyroste stinët

Me ngjyrat fosforeshente të ylberit

 

Shiu qante te majat e maleve

Mbase edhe qeshte

Me procesionin e zogjve prej uji

 

DALIN EDHE NUSET

 

Thonë se dashuritë

Më të zjarrta janë ato

Të atyre netëve

Të dehura

Kur nën kajsishtat e lagjes

Dalin vashat sygështenjë

Dhe pritnin fatet e tyre

Deri sa të bie

ylli i fundit në tokë

 

Dilnin edhe djemtë

Me shporta prej shevari

Dhe i mbushin

Me shpirtra meteorësh

Që sapo lëshohen

Nëpër shtegun e të dashuruarve

 

Mbase dalin edhe nuset

Për t’i kënduar elegjitë

E zogjve të shpërngulur

 

SHIKON TË DASHURËN E HIMLERIT

 

Sa shumë gjëra me vlerë

Dhe pa kurrfarë vlere

Paska sonte në këtë dhomë

 

Ca libra të vjetër nëpër dysheme

Me disa fjalë të gdhendura

Dhe ato

Që nuk mund të gdhenden me asgjë

 

Këto pjata të palara

Mbase paskan mbetur

Nga Lufta e Dytë botërore

 

Hiri i së kaluarës buzëqesh

Nëpër taketuke eshtrash

Pranë karrigeve

Një portret i Hitlerit tërë pikëllim

Shikon të dashurën e Himlerit

Shikon dhe asgjë s’i thotë

 

Diku në cep të dhomës

Te të çarat e dyshemesë

Kundërmojnë skeletet e kandrave

Nga një luftë  e pabarabartë

Me dyzetkëmbëshat

 

2

 

Pranë dritareve pa xhama

Ngjitur me brumë të thartuar

Valëviten

Ca copëza gazetash të vjetra

Një luftë e përgjakshme

Mes mushkonjave dhe mizave

Akoma edhe sot vazhdon

 

Më tutje në një qoshe

Rri varur për muri një hartë topografike

Duke i mbuluar fytyrat e ikonave

Që nuk bëzanin

Ndaj krimeve të papara

 

Atje tej në oborr

Një pushkë e vjetër

Me kondak të thyer

Sa me nostalgji e kujton të kaluarën

Sa që asnjëherë

Nuk i terën lotët e pendimit

 

Prishtinë, 12 prill 2013

 

KU DO TË MBËRRIMË

 

Njerëzit ose që të dy ne

Jemi në ikje e sipër

Unë në një anë

Kurse ti në anën tjetër të hemisferës

 

Secili prej nesh

Në vetëdijen tonë fsheh

Nga një ikje të madhe

Largohemi prej të tjerëve

Mbase edhe prej vetvetes

 

Ikim nga problemet e ditës

Dhe pa dashje

Futemi në gjumin e ëndrrave

Kur mbërrimë te delta e dhembjes

I shkulim

Të gjitha pritjet e parashikuara

 

Unë fshihem diku

Me egon time të sëmurë

Kurse ti largohesh

Nga lëkura jote e zeshktë

Ku do të mbërrimë

Me këto ikje

As vetë më nuk e dimë

 

NËSE MBËRRIMË

 

Kur i fiksojmë gjërat me vlerë

Dhe të pavlerë

Në mendjet tona

Dita paraqitet

Në maja kujtimesh të largëta

Si një mollë e pjekur në prush

 

Ecim drejtë të pamundurës

Nëse mbërrimë

Kuptojmë më në fund

Se asgjë nuk kemi humbur

Udhëve tona lakuriqe

 

Kjo çfarë po ndodhë me ne

Nuk i përngjan vegimit

E as ikonës

Pa emër

Nga muri i pa shembur i shpirtit

Fluturojnë disa zogj të shenjtë

 

Do ecim edhe pak

E kur të mbërrimë

Te portat e Ferrit

Do i lëmë mëkatet fshehurazi

Dhe do ikim

Me zogjtë e erës

Tej hapësirave të paanë

 

QANTE NJË MOLLË

 

Mbrëmë mbi një stol të vjetër

Ëndërronte fantazia ime

Se si në kopshtin tim

Protestonin lulet

E pemët recitonin

Për të parën herë poemën e mjerimit

 

Qante një mollë

Si një fëmijë i braktisur

Te muranat e një kishe

Qanin edhe degët

Që këputeshin nga ofshamat

 

Në varfërinë e sfondit

Galoponin disa meteorë me bisht

Dhe këputeshin

Nga degët e mjegullave

Patkonjtë e kuajve

 

Erdhën të huajt

Dhe në ëndrrën time

Hynë vjedhësit e ikonave

Ma morën kërrabën e gjyshit

Dhe ikën tej kopshtit

Si ulërimat e së kaluarës

 

LUTJET NË FRYMËN E BUTËSISË

 

Po që se hyn pa busull

Në këtë mal të kësaj tabloje

Ti kurrë më

Nuk mund të dalësh

Nga hijet e ngjyrave

 

Do shndërrohesh

Në një ikonë

E cila përgjithmonë

I lutet erës

Për një grusht shi

 

Shiko miku im

Se si nga sytë e kornizës

Shkrepin disa shkëndija

Lutjeje me frymën e butësisë

Duke i dhënë jetë natës

 

PËR NDEZJEN E QIRINJVE

 

Ditëve të diela

Mëngjeset janë të mërzitshme

Vetëm te zëri i kambanës

Dëgjohen ushtimat e erës

Që thyhen

Në vjetërsinë e muranave

Të mbuluara

Me rrasa guri

 

Faltoret disi më duken të zbrazëta

Mbase nuk i durojnë mëkatarët

Pranë shkallëve

Të mermerta

Ca kukulla të drunjta

Vuajnë nga lagështia e drurëve të çatisë

 

Kambanorja mezi qëndron

Mbi këmbët e thyera të erës

Vetëm ca korba

Të tejdukshëm

Sjellin disa lloje krandesh

Për ndezjen e qirinjve

 

2.

 

Ndoshta kësaj radhe

Këtu paskan vdekur perënditë

Pasditet në fshatin tim

I përngjajnë si çdoherë

Procesioneve të mërzitshme

 

Prifti së bashku me hoxhën

E fshatit

Nën dendësinë e blirit të moçëm

Te një stol i vjetër luajnë

lojën e tyre të preferuar

Tavllë

 

Për delet e ikura nga tufa

E egër

Askush nuk e lodh kokën

Vetëm disa plaka të lodhura

Nga pesha e viteve

I  përgojojnë si në rinin

E tyre të hershme

Mëkatarët

E vonuar për meshë

 

LAGJA NA DUKET MË E BUKUR

 

Sa e tepërt po më duket sonte

Kjo dorë e vetmuar

Por sërish

Nuk është ashtu siç ishte dje

Sot po i përngjan frymëmarrjes

Kurse ne po jetojmë

Në njëri tjetrin

Si asnjëherë më parë

 

Hapim duart dhe portat

Në madhështinë e shpirtit

Lagja na duket më e bukur

Te pemët e lulëzuara

Dëgjohen qeshjet e zogjve

 

Fëmijët vrapojnë pa brenga

Për t’i fshehur ëndrrat

E tyre

Në lojërat e virgjëra të ditës

 

Nuk na duhet aq shumë mund

Vetëm me pak fantazi

Mund ta shuajmë

Etjen e plepave

 

Sa jemi afër njërin tjetrit

Aq afër

Sa që mund t’i prekim yjet

Kur zbresin të flenë

Në frymëmarrjet e purpurta

Të mjegullave endacake

 

DARKA E FUNDIT

 

Mbi tavolinën e ushqimit

Arena e paparë

Këtu dyluftimet nuk dinë të ndalen

Lugët e dehura lozin valsin

E  një nate të çmendur

 

Në një cep të dhomës

Te një gazetë e shqyer

Qan një poemë e mikut tim

Vajton me dënesje

Mjekrën e thinjur të erës

 

Dera e hapur si goja e ujkut

I fton mysafirët e vonuar

Darka e fundit

posa paska filluar

Pranë dritareve të mbyllura

Me gazeta të vjetra qanë një nënë

Kur dënes kryqi prej shiu

 

Te fqinjët qajnë fëmijët e uritur

Vëllai i madh vëllait të vogël

Ia merr bukën prej goje

Mbase kjo darkë duhet të jetë e fundit

Ku njerëzit i vrasin fjalët

 

SA VAJET E PLAKAVE

 

Kur na zë ngushtë nata

Për të mos vdekur shirat

Ne shpirtrat tanë

I ankorojmë larg kujtimeve

 

Ecim nëpër mprehjen e një thike

Me disa tehe të dyshimta

Ku vetëm era e virgjër

Mund të kaloi

Përtej vrimës  së gjilpërës

 

Dielli vetëm një herë në vjet

Kalon këndej pari

Me pantallona të shkurta

Sepse dimrat janë të gjata

Sa vajet e plakave

 

Nëse rastësisht

Takohemi me vetveten

Në veten e parë ose në shumës

Do dalim disi përtej kësaj udhe

Pa u takuar me nepërkat me syze

 

Prishtinë, 13 prill 2013

 

KUR ISHIM TË VEGJËL

 

Më kujtohen zogjtë e fëmijërisë

Se si bisedonin

Me dendësinë e mjegullave

Dhe me ditë të tëra

Këndonin një këngë të gjelbër

 

Sa herë që fluturonin tej reve

Në mendimet e mia të shthurura

Dukeshin shumë të vogla

I përngjanin

Pluhurit në syrin e mushkonjës

 

Mbase edhe juve ju kujtohen

Zogjtë e mendimeve

Po mendoj

Nga ajo fëmijëri e leckosur

 

Kur ishim të vegjël

Ëndrrat i kishim më të bukura

Por tani jemi rritur

Dhe pak më ndryshe se atëherë

I shohim gjërat

Në përqafimin e pluhurit

 

AJO VJEN NGADALË

 

Sa herë që më zë mërzia

Futem mes rreshtave

Të një poeme të lashtë

Ose i lexoj deri në pambarim

Psalmet e Solomonit

 

Ajo vjen ngadalë

Me flokët e verdha të hijes

Dhe më shikon

Me një shikim shthurës

Dita më duket

shumë më e bukur se ato paraprake

 

Eci dorë për dore me lumturinë

E algave të murrme

Dielli si një saç i përskuqur

I pjek mollët e papjekura

 

Dikur vonë në mbrëmje

Kur sterra lëshohet

Mbi çarçafin e mjegullave

Unë sërish filloj

Me leximin e psalmeve

Ose humbi

Mes rreshtave të një poeme

 

SECILI PREJ NESH

 

Secili prej nesh

Duhet të kemi nga një ëndërr

Ose më shumë ëndrra

Në të njëjtin interval kohe

 

Duhet të ecim pas yllit tonë

Deri sa të shuhet i tërë qielli

Ëndrrat janë shpirtra

Që na mbajnë gjallë

Edhe kur vdesim me gjelbërimin

 

Secili prej nesh i kemi nga tri sosh

Një në fëmijëri

Tjetrën  në moshën mesatare

Dhe atë të fundit në pleqëri

 

Secili prej nesh kemi nevojë

T’i prekim ëndërrt tona

Në tri kohë

Dhe mes atyre kohëve

Që janë tok me imagjinatën

 

Asaj që ka ikur dhe ëndrrën e sotme

Duke u mbajtur fortë

Për flokët e një imagjinate

Që do të vij tek të nesërmen

 

KU MË VIJNË DISA ZËRA

 

Eci nëpër mendimet e mia

Kur ndeshi diku në rrugë

Detin e kujtesës

I laj duart me stinën

Që më pret me padurim

Diku në fund të rrugës

 

Herët në mëngjes

Ulem mbi njomësirën e gjelbërimit

Shtrydhi qeshjen e barit

shtrydhi deri sa të zgjohet

Njeriu i fundit

Bisedoj me këngën e zogjve

 

Pas  një qetësie relative

Mes librave të vjetër

I kërkoj poemat e humbura

Në tundimet e dallgëve

Ku më vijnë disa zëra

Si prej lashtësie

Nga fundi

I pafund i detit Jon

 

ATË ÇAST

 

Nuk të shoh më

S’të njoh dot

Ndoshta

As nuk dua të të shoh

S’di çfarë bën ti sot

Por për mua je

Një krijesë e kot

 

Në detin e një stine

Si hije

E murrme u zhduke

Ma vure thikën

Pas shpine

Atë çast

Kur si skile më ike

 

DHEMBJA

 

Sonte më zihet fryma

Ajri në brendinë e rropullive

Shndërrohet në det

Nuk më hapen sytë dot

Shikoni

Si një kërcu paskam mbet

 

I kujt është ky univers

Kaq i vockël

Që s’mund të krahasohet

As me dhembjen time

 

Një muzikë e shurdhër

Sapo u shndërrua në statujë

Deti sërish hesht

Te një dhembje

 

KURSE TI MBETE

 

Vonë i kuptova

Klithmat e gjoksit tënd

Dy dete të çmendura

Flenë

Në ëndrrën e një lumi

 

Ti ike duke mbuluar

Përparësen e ajrit

Me shikimet e tua të virgjëra

Sandalet e kuqe mbetën te çezma

Nata piu ujë

Nga burimi i gjoksit të hënës

 

Mbetën edhe dy mendime

Kundërthënëse

Ne të gjithë të përkrahëm

Dhe ishim në anën tënde

Kurse ti mbete

Mes përmes një cekëtine

Duke pritur të pamundurën

 

MOS QAJ KURRSESI ATDHE

 

Sonte do të ecim

Pa u ndalur deri në mëngjes

Nëse nuk mbërrimë

Te portat e tua

Ti kurrsesi mos qaj atdhe

 

Do të nisen edhe të tjerët

Pas nesh

Edhe me qindra të tjerë

Pas atyre të tjerëve

Edhe nëse këta nuk mbërrin

Mos qaj kurrsesi atdhe

 

Një ditë dikush do të mbërri

Këso lloj udhëtimesh

Asnjëherë nuk përfundojnë

Në mendjet e njerëzve

Ti sërish mos qaj atdhe

Sepse ty

Nuk të përkasin lotët

 

Atje te pemët

Cikli i tretë

 

JETA IME

 

Jeta ime

I përngjan jetës së harabelit

Më mjaftojnë nëpër stinë

Disa kokrra mel

Dhe i them dimrit eja bacalok

S’ke se çfarë më bën

 

Kur më harxhohen

Kokrrat e fundi të melit

Dal te rrapi  kryeneç

Nga rrënjët e të cilit

Huazoj vetëm pakëz durimin

Dhe përgjumjen e bufit

Sërish i them dimrit

S’ke se çfarë më bënë

 

Jeta e ime

Nuk varet prej askujt

Sa herë që ka mbetur ngushtë

U ka bërë zë legjendave

Që i kanë sfiduar

Me qindra dimra

Sërish u dëgjua një këlthitje

Nga brenda meje

S’ke se çfarë të më bënë

 

MALLI

 

Kur më merr malli për atdhe

Dal në xhade

Dhe dëgjoj

Trokëllimën e egër të kalit

Dhe pikëllimin e një nate të largët

 

Para meje si fantazmat

E pakapshme

Paraqiten plepat

Me shijen

E barit të kositur

 

Nga fytyrat e arkivoleve

Mbinë disa fjalë

Si lulet e kristalta

Këputen kornizat e ikonave

Kur qajnë fëmijët

 

Ky mall gojëkyçur

Po e tejkalon durimin tej njerëzor

Dhe po rënkon

Si gjëmë deti

Nga një dhembje e pashuar

 

MË KA IKUR DURIMI

 

Zotëri

Të lutem mos e prek

Bukën time të përditshme

Më duket se

Nuk je duke parë

Se si nga uria

Më ka mbërri hunda në fyt

 

Për atë krodhe bajate

Të së nesërmes

S’dua as të flas

Sepse edhe ajo i takon asaj

Që ka vetëm një emër

E përditshmja gojëhapur

 

Më ka ikur durimi

S’mund të qëndroj më

Gojëkyçur

Po të them edhe njëherë

Mos gabo të prekesh

Bukën time të përditshme

Prishtinë, 14 prill 2013

 

QYTETI I ZAMBAKËVE

 

Mbi flokët e tua të verdha

Binin

E s’pushonin shirat e mëndafshta

Ishte koha e të vjelave

Rrushi piqej

Në zemrën e gurit të stralltë

Stinët dy herë në vjet

Kalojnë këndej pari

 

Reshin e s’pushojnë të reshurat

Mbi flokët e ylberta të rrugëve

Ti me një bluzë të kuqe

Puthitur për trupin

Tënd të mishtë

Vrapon  këmbëzbathur

 

Bien e reshin

Kurrsesi nuk  mejnë

Shirat e kristalta

Mbi flokët e tua të verdha

Kurse stina

Si përherë që e shoh unë

Parakalon si një mbretëreshë

Që ka abdikua

Në qytetin e zambakëve

 

AFËR URËS SË GURIT

 

Te ura e gurit

Një gur i vjetër

Shikon Lumëbardhin

Kah gjarpëron

Drejtë përqafimit të Jonit plak

 

Nga ana e djathtë

Një shitore me kinkaleri

Shet harta të vjetra topografike

Mbetur

Që nga koha e Ptolemeut

 

Dy të rinj i kanë hipur

Flatrave të erës

Dhe s’shohin asgjë para syve

Algat e dehidruara

Si pulla postare

Rrinë ngjitur brigjeve të lumit

 

Afër urës së gurit

Nuk gjendet më statuja

E një kohe vrastare

Që na i ndalonte dashuritë rinore

Nga këtu kanë ikur çafkat e fundit

Mbase paskan ndryshuar kohërat

 

NJË ZOG MALI

 

Një kandër

Një zog

Dhe një njeri

Ngadalë po hynë në poemën time

 

Dita zbriti nga froni i përdiellur

Dhe si një buf i hutuar

I pret zogjtë e ikur

Atdheu  përshëndet

Ardhjen e lejlekut të Mjedës

 

Një grua si mbretëresha pa fron

Ecën me një foshnje

Nëpër trotuaret e qytetit

S’ndalen

Duartrokitjet e kukullave

 

Në amalgamën

E kësaj frymëmarrjeje

Drejt psalmeve

Vrapojnë kërthinjtë e humbura

Një zog mali

Te degët e reja të rrapit

Rifilloi

Ndërtimin e çerdhes së harruar

 

DEL NGA AJO BALADË

 

Po deshe

Dhe nëse ke kohë

Nisja këngës sate

E cila me padurim të pret

Në fund të rrugës

 

Del nga ajo baladë

Dhe hyn

Në kornizën e kësaj dite

Ku mund t’u përballosh shekujve

Krenare si Mona Liza

 

Nëse era e kësaj fushe

Deshifron fshehtësinë

E një kohe të humbur

Ti i tejkalon të gjitha

Parashikimet meteorologjike

 

Më duket se

Erdhe këtu para këtij muzeu

Në itinerarin e ashtit tënd

I humbën rrugët

Gjeneralët e të gjitha kohërave

 

ATJE TE PEMËT

 

Ti mundesh të ballafaqohesh

Me vetveten

Unë të njoh më mirë

Se sa që mendon

Ec miku im

Ec përtej mundësisë tënde

 

Atje te pemët

Ku nuk mbinë asnjë shelgje

E pikëlluar

Të pret një nuse prej shiu

 

Ti mundesh miku im

Mundesh si askush

Ta tejkalosh vetveten

Përpos që nuk duhet të ndalesh

 

Ne të gjithë ishim

Nga një ose më shumë herë

Në lëkurën tënde

Por kurrë nuk u ndalëm

 

Ecëm përtej çdo mundësie

Dhe ja ku jemi sot

Në takim me stërkalat e shiut

Duke i përbuzur

Ulërimat e lukunive

 

KOLLITET SI KALI PLAK

 

Ky ashensor

Që po lundron mes kateve

Po i përngjan balenës së lodhur

Sa herë që e hap gojën

Nga ingranazhet zhurmues

Pikon një lloj naftaline

 

Ngjan që të ndalet diku mes kateve

Kollitet si kali plak

Dhe sërish

Merr rrugë për në katin e fundit

Kur mbërrin në maje të çatisë

Lëshon një sy

Peizazheve të dërmuara të  qytetit

 

Herë ndalet të pushoj

E herë

Nuk mund të merr frymë

Nga vrapi nëpër kate

Më duket se

Më së shumti e bezdisin fëmijët

Duke lozur mes lodhjes

Dhe kërcëllimave

Të telave më dhëmbë të çeliktë

 

Për çdo orë e çast

Kjo balenë mes katesh

Tymon si makina e një treni

Të moshuar

 

Dhe udhëton prej një dhome

Në dhomën tjetër

Sa me buzëqeshje trëndafili

Po aq edhe me qeshje pelini

 

I PËRNGJAN TË VERBËRIT

 

Kur të shikoj e s’të shoh

Them se

Bota nuk ekziston

Pasqyra në murin përballë dhembjes

I përngjan të verbëtit

 

I preki themelet e kujtesës

Por nuk ndjej aspak

Se si ndihen prekjet

Nga duart e erës huazoj

Zërin e lashtë të ndërgjegjes

 

Pas një pushimi të gjatë

Sërish filloj të eci nëpër akull

Këmbët e mia të brymta

Shkelin nëpër mjegull

Anën tjetër të medaljes

 

Nga kujtesa e së kaluarës

I nxjerri pjesët

Më të ndjeshme të harresës

Dhe me gjasa mbes diku

Në mes të një poeme

Akoma të pa kënduar

 

KËNDONIN VASHAT E VETMUARA

 

Mos hezito

Është tepër herët t’i ngrehesh

Flamujt e pikëllimeve

Shiko se si një diell i ri

Shfaqet në horizont

 

Pas përmbytjes së një anijeje

Hapen disa kantiere të tjera

Asnjë rrugë e përmbytjes

Nuk përfundon

Aq thjeshtë në loton e zhurit

 

Dje i takove marinarët e vetmuar

Se si në dehjet e dallgëve

I kërkonin me mallëngjim

Rishfaqjet e sirenave

 

Dhe pash se si në kiçin e thyer

Te një anijeje

Këndonin vashat e vetmuara

Të detit

Një psalm të vjetër për shiun

 

QË SËRISH TË NGJITEM

 

Kur lëshohen flamujt e mendimeve

Në gjysmë shtizë

Largohem nga vetvetja

Ndjej unin tim të rrënuar në baltë

Nga e cila

U ngrita deri në këtë shkallë

 

Sillem si një mace e dehur

Përreth hiçit tim

Dhe kur zbres në fund të shkallëve

E kam tepër vështirë

Që sërish të ngjitem

Deri në fillimin e zbritjes

 

ÇMENDËRISHT LOZIN DAULLET

 

Mes një deti prej ëndrre

Ose nëpër cepat e një stine

Pas një kohe të brishtë

Ka për të mbërri

Deri te varret

Arkivoli im i blertë

 

Era do të mbaj në duart e saja

Shallin tim ngjyrë mushmolle

Nëse depërton ajri i dendur

Nëpër qenien e heshtjes

Do mbërrimë

T’i hapim portat e mjegullave

 

Dhe prej fjalëve të shirave

Kemi nevojë

Të kërkojmë ujë

Etjet janë të mëdha në vendin tim

Kur dëgjohen krismat

E pushkëve  dënesin fëmijët

 

Një këmishë në gardh

Akoma nuk është tharë

Kurse era loz

Çmendurisht lozin daullet

Në hakmarrjen e një trishtimi

 

TEOREMA

 

Rri i mbyllur

Si një i burgosur politik

Me mëkatin tim

 

Një zog në kujtesë

Me plot shqetësim fluturon

Prej një dege

Në degën tjetër të mendjes

 

Jashtë kësaj dhome ovale

Në stërkalat e shiut

Vazhdon si përherë

Zgjidhja e teoremës së Pitagorës

 

Prishtinë, 15 prill 2013

 

ASKUSH NËPËR RRUGËT E QYTETIT

 

Më kujtohet ajo pranverë

Dhe zbrazëtia mes dy mureve

Ku qante vazoja prej deltine

Ndoshta ngjau atë ditë

Dyndja e zogjve

Ose njerëzit filluan të ikin

Prej njëri tjetrit

 

Frynte një fllad i murrmë

Asnjë ngjyrë nuk kishte mbetur

Në spektrin e ylberit

Te Kodra e Diellit

Kishin zbritur mjegullat

Dhe kuvendonin

Me ndërgjegjen e vetmisë

 

Askush nëpër rrugët e qytetit

As vetmia nuk ndodhej aty

Një boshllëk i paparë

I shpirtit të shirave

Mbante nëpër duar pasqyrën e akullt

Shiu dhe valsi i pranverës

Stërkalat e fundit që derdheshin

Askush nëpër rrugët e qytetit

Nuk i ndjek hapat e erës

 

PËRSËRI DHE PËRSËRI

 

Përsëri po ngjajnë dyndjet e mëdha

Si në kohërat e lashta biblike

Kthehen zogjtë e vetmuar

Dhe ikin lejlekët

Të shoqëruar me pikëllimin

 

Palë palë i ndërrojnë vendet

Mjegullat metalike

Qielli i ngrysur ka hyrë mes poemave

Megjithatë

Nuk ndalen ikjet e zogjve

 

Përsëri dhe përsëri

Hapen dhe mbyllen

Skenat fantazmagorike

Për çudi

Paskan filluar sot të flasin zogjtë

Me ikjet e pandalshme

 

THONË SE

 

Kur jemi të zënë

Besoj se atë çast bie shi

Nën çarçafin e një epshi

Muret mbyten prej një lagështie

 

Sterra dridhet disi e turpëruar

Thonë se

Jashtë në bahçe

Atë natë pandërprerë lehnin qentë

 

Nata kishte pas qenë e gjatë

Si ajo e thikave

Përzier

Me dashurin dhe ngurrimin

 

Djersitja e jastëkut

Nuk tregonte asgjë tjetër

Përveç

Frymëmarrjes së pakontrolluar

 

Ndoshta te muri i rrënuar

Përballë pasqyrës

Qeshte dhe qante një hije

Që akoma sot

Rri varur mu në atë vend të pikëlluar

 

Kur filluam

T’i përngjaj njeriut

Në biografinë tonë u ngjizën

Disa lloje erërash

Atë çast

Binte një shi pak më ndryshe

Se ky që me rrebesh stërkalash

Po bie pandërprerë sot

 

TROKËLLIMAT E STINËVE

 

Pas një shtërzimi të stërgjatë

Dola si i rilindur

Nga shpirti i shakullinës

Në fund të rrugës

Më prite një dimër i ashpër

 

Pranvera ishte për mua

Vetëm një dëshirë e largët

Në njëmijë dyer trokita

Dhe asnjëherë më

Nuk u ndalën

Trokëllimat e stinëve të egra

Prishtinë, 05 prill 2013

 

Biografia e autorit

 

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 01. 02 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë.

Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat  Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Me shkrime  filloi të merret  kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të cilën e botoi në revistën ”Pionieri”, më 1957

Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me shokët e punës dhe të penës, themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi u botua përmbledhja“Ngjyra e Kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista, që dalin në Prishtinë,Shkup dhe Zagreb. Në vitin 2010 i përkthehet një libër në gjuhën Rumune,

nga përkthyesi i mirënjohur Baki Ymeri,“Pema e Bekuar”, libër, i cili u mirëprit nga lexuesi Rumun.

Po atë vit, në një nga numrat e revistës “Shqiptari” në Rumani, në bashkëpunim me redaksinë e revistës “Dituria”në Boras të Suedisë, botohet një antologji, “Jehona e Shekujve”,autor Sokol Demaku, ku përfshihen edhe disa punime të tij.

Është prezantuar në LEKSIKONIN E SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501-1990, nga Hasan Hasani, si dhe në LEKSIKONIN SHKRIMTARËT SHQIPTARË PËR FËMIJË 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli,Prishtinë 2002.

Po ashtu është përfaqësuar në Rumuni në një antologji të shkrimtarëve të Kosovës nga Monica Marushan KOSOVA LITERARA, (Kosova letrare, përkthyer nga Baki Ymeri, alias Alban Voka, më 2011.

Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë.

 

BOTIME TË AUTORIT

 

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.

2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.

4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.

5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000

6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7

7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007

8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007

9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008

1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008

11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.

12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,

13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.

14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.

 

15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.

16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.

17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.

2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.

24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010

25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010

26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010

27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O

29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.

3o.  “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010

32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010

33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010

34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011

35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-

Kastriot, 2011

39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012

42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012

43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot,  2o12

44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012

47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12

48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012

49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012

55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12

58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12

62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012

63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012

64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12

65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012

67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012

68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012

75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

77 “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

78.“Pyesni zogjtë në ikje ”,Poezi , Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

79 “ Fërfërimë gjethesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

80. “Refrene yjesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

82.“Rinjohja”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

84.“Mëkati i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2013

85.“Një zog prej uji”, Poezi, shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2013

 

Përmbajtja

 

Ne nuk ishim të gatshëm

Cikli i parë....................................................11

 

Klounët e të gjitha ngjyrave...............................13

2. .......................................................................14

3. .......................................................................15

4. .......................................................................16

5. .......................................................................17

6. .......................................................................18

7. .......................................................................19

8. .......................................................................20

9.........................................................................21

Jemi të pangopshëm..........................................22

Dhe bisedoj me ikonat.......................................23

Një kornizë.........................................................24

Pa titull...............................................................25

Në duart e kripura të varkave............................26

Prejardhja ime....................................................27

Ne nuk ishim të gatshëm....................................28

Edhe dy hapa......................................................30

Mes gishtave të erës..........................................32

Të thash mos u ndalë.........................................34

Fillimi i një përfundimi........................................36

Pikon një hartë e grisur......................................37

Një zog prej uji

Cikli i dytë..........................................................39

Nuk është hera e parë.......................................41

2. .......................................................................42

Mes psalmeve të lashta.....................................43

Çelin zogjtë e shenjtë.........................................44

Ti je lulja më e bukur..........................................45

Një zog prej uji....................................................46

Tingujt e një muzike...........................................47

Mbase dalin edhe nuset.....................................48

Shikon të dashurën e Himlerit............................49

2. ........................................................................50

Ku do të mbërrimë ne........................................51

Nëse mbërrimë...................................................52

Qante një mollë..................................................53

Lutje me frymën e butësisë...............................54

Për ndezjen e qirinjve.........................................55

2..........................................................................56

Lagjja na duket më e bukur................................57

Darka e fundit.....................................................59

Si vajet e plakave................................................60

Kur ishim të vegjël..............................................61

Ajo vjen ngadalë.................................................62

Secili prej nesh...................................................63

Ku më vijnë disa zëra..........................................64

Atë çast...............................................................65

Dhembja.............................................................66

Kurse ti mbete....................................................67

Mos qaj kurrsesi atdhe.......................................68

Atje te pemët

Cikli i tretë....................................................69

Jeta ime..............................................................71

Malli....................................................................72

Mua më ka ikur durimi.......................................73

Qyteti i zambakëve............................................74

Afër urës së gurit................................................75

Një zog malli.......................................................76

Del nga ajo baladë..............................................77

Atje te pemët.....................................................78

Kollitet si kali plak...............................................79

I përngjan të verbëtit.........................................81

Këndonin vashat e vetmuara.............................82

Që sërish të ngjitem...........................................83

Çmendurisht loznin daullet................................84

Teorema.............................................................85

Askush nëpër rrugët e qytetit............................86

Përsëri dhe përsëri.............................................87

Thonë se.............................................................88

Trokëllimat e stinëve..........................................90

Katalogimi në botim – (CIP)

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës

 

 

821.18-1

 

Zaplluzha, Adem

Një zog prej uji / Adem Zaplluzha. -  Kastriot : Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, 2013. – 103 f. ; 21 cm.

 

Parathënie : f. 5-8. – Biografia e autorit : f. 91-91

 

ISBN 978-9951-538-98-5

 

 

 

 



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora