Kulturë
Hyqmet Hasko: Isuf Hoxha - “Frymë pranvere''
E hene, 16.09.2013, 07:00 PM
Përsiatje
rreth përmbledhjes poetike “Frymë pranvere” të poetit nga Kosova Isuf Hoxha
Një poezi që mbjell farë dashurie dhe ëndërrimi
Nga Hyqmet HASKO
Në
tentativën për të rrokur hapësira sa më të prekshme të botës dhe shpirtit
mbarëkombëtar shqiptar, poezia e re shqipe ka fituar një pasurim të beftë,
qoftë në tematikë dhe element përmbajtësorë, qoftë në strukturë, në stilistikën
poetike dhe mjetet figurative të përdoura për shtrirjen dhe përcjelljen e
mesazhit poetik. Në këtë rrugëtim
mbresëlënës, kjo poezi, me emrat e saj më të përveçëm dhe më komunikues, në të
gjitha hapësirat e shkrimit dhe përcjelljes së fjalës poetike shqipe, ka
pasuruar traditën me elemnetë të rinj, duke u bërë një interprete e shpirtit
kolektiv të kombit shqiptar, në etjen e tij të gjatë për të qenë vetvetja,
ëndërrim, blatim dhe realitet i sendërtuar i ëndrrës së kahershme për liri e
dinjitet shoqëror. Të gjitha këto po përsiatja me vete, ndërsa lexoja me endje
vëllimin me poezi “Frymë pranvere” të poetit nga Kosova Isuf Hoxha. Është një
libër që duket i shkruar me një frymë, me ndjeshmëri të lartë dhe emocion të
bukur, një kujtesë vetjake e shumëzuar me gjithçka të bukur a të trishtë që ka
hasur poeti në rrugëtimin e tij të gjatë e të vështirë drejt finalizimit të
aktit poetik.
Kur
shfleton fletët e një libri të ri me poezi, gjëja e parë që të bie në sy tek ky
libër është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës
poetike të poetit, nga njëra anë dhe në raport me pjesën tjetër të prurjeve të
shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë
shqipe, nga ana tjetër.
Tek Isuf
Hoxha janë të dyja kurbat në ngritje: edhe kurba që shënon rritjen e tij në
raport me veteveten e shpalosur në të tjera akte poetike, edhe kurba
krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit
e tij poetë, me të cilët ndryshon për faktin se Hoxha nuk i ngjan askujt
tjetër, përvevçse vetevtes.
Në
raportin e shpalosur mes ndjenjës dhe mendimit, mes gjendjes dehëse të
pavetëdijes dhe synimeve racionale, për të përcjellë realitete konkrete dhe
mesazhe konkrete, poeti gjen këndin e duhur të botëvështrimit, të cilin e
mbështet me një gjuhë të përpunuar poetike, plot lirizëm të ngrohtë dhe figura
të gjalla.
Vetë
titulli “Frymë pranvere” parakupton tejkalimin e dimrave të egër me ciknë e
suferinë, me dhimbje e trishtim, me luftë e mallkim, me gjithçka të errët e të
kobshme që një “fat zezonë”, siç mund të thoshte shkrimtari ynë i shquar Ismail
Kadare, iu pati rezervuar vëllezërve tanë të një gjuhe e një gjaku, matanë
kufijve të diktuar nga obskurantizmi institucional i kontinentit të vjetër. E
gjithë kjo londron e parakuptuar ose e nënkuptuar në vargjet e poetit, ku fryma
dhe aroma e pranverës së shumëpritur, shija dhe aroma e lirisë, përbëjnë kumtin
numër një të fjalës poetike të Hoxhës.
Në libër
aludohet për demonstratat e vitit ‘81 në Kosovë (simboli 81 në ballinë të
librit këtë nënkupton), demonstrata që
ishin prologu i asaj dehjeje kolektive me aromën e lirisë, që do ta conte
Kosovën, disa vite më vonë, drejt aktit të saj final historik, drejt aktit madhor të Pavarësisë. Në atë dimër me
ciknë e murlan, ku “dallëndyshet me krahë të ngrira” kërkonin një horizont
dielli, u vranë shumë ëndrra njerëzore, por kryeëndrra mbeti dhe u bë apelativ jo
vetëm për poetët, por për gjithë shoqërinë kosovare, në rrekjen e saj për të
kapur kohën e humbur të ëndrrës.
Me
shpejtësi e ngisja
Makinën e
ëndrrës
Për në
pikëtakim
Shpresa
bëri kundravajtje…
Poeti
është befasues në zhbirimet e tij të holla, në konkretësinë e figurës dhe
fuqinë dehëse të imazhit. Ai nuk sajon, por ndërton me penën e tij të hollë, të
ngjyer thellë në dashurinë dhe dhimbjen njerëzore struktura poetike befasuese,
që të rrëmbejnë me forcën dhe magjinë e fjalës së bukur.
Hoxha
duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai
thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e
përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmbël e aq të dëlirë
vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…
I
vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është
folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Hoxha
nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet
aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij,
me strukturat moderniste dhe postmoderniste të koncepsionit poetik, e pasuron
këtë traditë me imazhe dhe elemente të reja poetike.
Ajo që në
të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e
“lëndës së parë” poetike nga jeta e
gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo
nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë
poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të
kompleksuar nën hijen e të tjerëve.
Hoxha
zbulon një botë të bukur, një botë të thyer, plot ngjyra dhe kontraste, një
botë jo në kornizë por në lëvizje, që e shpie poetin drejt magjijimit dhe, pse
jo, drejt zbulimit të kultit të lirisë personale dhe kolektive.
Hoxha
vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të
thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e
këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi,
me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.
Hoxha
është poet i kërkimit të thellësive jo i sipëfaqeve të lëmuara; ai është një
bard i jehonave të unit të tij, të cilin e integron në epokën globale të
përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin, idilin, vuajtjen, mungesat,
zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe hapësirave, nën harpën e një
muzikalitetii të tejndezur lirik.
Poeti e
tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se
si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të
hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.
Pjalmi i
folkut duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të
ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq
të ngrohtë dhe spontan, por ky folk thyhet e bëhet disi “agresiv”, për shkak të
teknikave moderne të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia e
hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij
mediativo-lirik.
Ky
shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e
riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë,
në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar,
si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë buzëqeshjesh,
dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës,
një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo
kohë…
Vargu i
Hoxhës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë
çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u
admiruar.
Tipopogjia
poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Hoxha është ajo e
trevës veriore shqiptare, nga ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si
Mekuli, Podrimja, Shkreli, për të vijuar me një duzinë poetësh të këtij brezi
që shkruajnë një poezi vërtet kulitative.
Libra të tillë me poezi, si ky i poetit Isuf Hoxha, një poet vërtët sharmant dhe original, me tingujt dhe ngjyra krejt shqiptare, tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…