E premte, 02.05.2025, 07:48 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Bajram Sefaj: Me gëzim shkojmë në det...

E premte, 13.09.2013, 07:58 PM


Zigzage verore në Velipojë (1)

Me gëzim shkojmë në det...

Në Velipojë shkojmë, saktësisht. Pavarësish se ku vëmë për verime në detin e Shqipërisë, deti është yni, pra edhe i kosovarëve! Kjo është një vërtetë jetike, dhe – kësaj ndjesie gëzimi dhe e entuziazmi, nuk ka qeveri (e re) e Shqipërisë që mund t’ia prishë terezinë!

Nga Bajram Sefaj

Shënimin e kësiherëshëm drejt Veilpojës, po e nisi me një gazmore (qesëndi) që kallëzohet shpesh. Prizrenasi i gëzuar, paskësh nxjerrë këtë anonsë: shes shtëpinë dyqind kilometër afër detit! Mos u ngatërroni! Lexojeni drejtë. Me tamam ashtu siç shkruan. Prizrenasi, nuk tha (shkroi) se shet shtëpi dyqind kilometra larg, por a f ë r detit! Kuptoni!

Natyrisht se kështu ka anonsuar prizrenasi shitjen e shtëpisë, fill pas inaugurimit solemn të autostradës (me katër skorsi), e njohur si Rruga e Kombit. Akoma me drejtë e njohur si Rrugë e Sali Berishës. Është kështu apo po me duket?

Kështu po e nisi këtë udhëtim verë për në det. E kur të mbërrij atje, mbase do të lindë ndonjë rrëfim tjetër. Nuk thuhet rastësisht se deti është i madh (i pa fund) e çka s’ka në deti! Ta merr mendja!

Doktor Sala i (gjithë)shqiptarëve ua “fali” Autostradën e Kombit, atë që nuk kishin guxuar as ta shohin ëndërr, e hajt rrugë e mbarë!  Dhe e mbarë është sigurisht. (Kjo e vërtetë edhe na kthen, si detyrimisht, në fillim të rrëfimit, pse prizrenasi e qiti në shitje shtëpinë dyqind kilometër ngatë, e jo larg detit!

Aty ku përfundon Rrugë e Kombit, shaminë e bardhë e merr auto-rruga “Ibrahim Rugova”!

Është rasti i parë, mbase edhe i vetmi në historinë tonë më të re, kur që tëpalët, të dy lagjet dhe mëhallët e kësaj dhe asaj ane të shqiptarisë, të shtyhen mes veti se kush e ka kalitur me mirë siluetën të rrugës gjarpërore të kombit shqiptar, që tash, është turrur dhe  ka lëshuar shtat deri thellë në tokën e Kosovës martire. Ani koxhobashët tanë le të shtyhen e lë të bëjnë garë (të “ashpër”!) se kush më mirë ka kryer një punë të rëndësisë gjithëkombëtare. Le të anashkalojnë, le të perëndojnë dhe të harrohen krejt, kohërat kur shqiptarët e “Shypnisë se vjetër!” dhe shqiptarët e Kosovës se vjetër , “zemrës-thembër” të serbosllavisë, bënin garë të pandërprerë se kush e kishte më keq. Ata në Shqipërinë natyrale (administrative), nën thundrën e Enver Hoxhës, tiranit më të egër që e njeh historia, apo në Kosovën titiste e millosheviqiane, nën thundrën e dy krimineleve më të çartur që i njeh historia më e re . Ani punonjës dhe ekspertë shqiptarët, dy anëve të kufirit shqiptar, le të shtyhen dhe të bëjnë garë, cili ka ngritur rrugë me të mirë dhe kualitative, të standardit më të lartë evropian, se shoqi. Lusim Perëndinë që kjo garë të mos përfundojë kurrë,qoftë as atëherë kur të përziem sinorët! Nga anash, armiqtë le të bëjnë sehir dhe të pëlcasin si djajtë e demonët para kryqit. Amen!

Sido që të jetë, Sala shkoi (për t’u kthyer përsëri, shumë shpejtë (kësmet prej zotit) e pas vetes la monumenti e gjallë. La super, superstradën që, qëllimkëqinjtë  ziliqarët as që kalojnë nëpër të, vetëm e vetëm pse e ngriti dorë e bekuar e Doktorit tonë!

Shih seri me sy!

Primitivizmi brirë s’ka!

Por le të ngel prapa krahëve tonë krejt kjo rashominiadë e llakërdi e, të kthehemi atje ku mbetëm, të superstrada e fillimit të shkrimit. Para se të ndërrojmë marshin e makinave të shpejta e të marrim ritmin e panjohur, deri dje, të shpejtësisë qarkulluese, të vezurave të markave dhe të firmave të njohura, edhe një herë të shijojmë ëmbëlsirën e anekdotës, pse prizrenasi e qiti në shitje shtëpinë, jo larg por afër detit. Ç’prej se është çpuar tuneli në Kalimash e këndej, prej ditës se inaugurimit solemn të Autostradës së Kombit, Deti Adriatikut, me atë Jon dhe me të gjitha detet tjerë (tok me oqeanet) e kësaj bote, janë tonat. Të shqiptarëve bashkë, këndej e matanë gardhit!

Rrezik i madh” për udhëtarët shqiptarë nga Kosova!

Kush e shpiku a shpifi një gënjeshtër të kulluar, he goja iu shtrembëroftë jarebi! Kush kërciti e tha se, kësaj vere, shqiptarëve nga Kosova ju kërcënohet rreziku kur marrin rrugën e pushimeve verore drejtë bregdetit tonë shqiptar!

Nuk është aspak e vërtetë se numri i pushuesve kosovarë, në Velipojë, a kudo tjetër në bregdetin shqiptar, sivjet u zvogëluar për këtë apo atë tjetrën arsye. Për arsye politike, aq më pak. Për arsye se në pushtet në Shqipëri, a do të vi qeveri e re, me orientime majtiste, se gjëja, më pak se ajo tjetra, e djathta, demokratikja, qeveria (në ikje) e Berishës, po i duka shqiptarët e Kosovës! Dokrra e shkuar tyre, e fjalë boshe, kryekreje defetiste. Fjalë të atyre që nuk i duan të mirën as Shqipërisë e, “au même temps” (njëherazi), as Kosovës, as zhvillimit të turizmit tonë të përbashkët. Ata janë kundër gëzimit tonë të përbashkët familjar, kur jemi një familje...

Një gur nuk tremb zemrat tona...

Sado i madh qoftë dhe atëherë kur qëllon edhe më rëndë, edhe më ashpër!

U bë nami pse një luajtur, një i pikur fiku, si ia thonë fjalës, paskësh hedhur një gurë në xhamin e një autobusi udhëtarësh veror nga Kosova. Kjo të trumbetohet dhe alarmohet e, prej këtij rasti të rastësishëm, rasti të veçuar, të krijohet frikë e panik, midis kolektivitetit publik gjithëshqiptar, aman!

Jo, kurrsesi, jo! Janë raste që ndodhin kudo të botë, edhe në ato me më civilizim, me standard të lartë edhe më turizëm te zhvilluar dhe jetëgjatë. Pse të nxitohet e, pa një pa dy, ky rast i vetmuar të ngjyroset politikisht e me lloj-lloj ngjyrash të tjera të galme.

O, popull, o milet, për një çast, vënie gishtin në tëmth e kujtohuni se sivjet mori mot i ligë e me rrebe. Në përmasa evropiane dhe botërore, nëse doni. Tek nga midisi i muajit korrik, (muajit të korrave), nga qielli “pikën” ca rreze pak (me të nxehta) vere, sado që edhe ato, në fillim ishin  të kursyera. Pastaj në kalendar u ngatërruan edhe disa festa fetare, ramazan e bajram, e kështu me radhë. Se sa për një gur në xham të një autobusi, qoftë ai edhe nga Kosova, kësaj radhe, do t’ia bënim kollaj. Në qoftë se një gur kur plasaritë një xham autobusi, ngado qoftë ai, debalanson dhe prishë terezinë e një stine turistike, ai turizëm mos qoftë hiç!

Dy autostrada – një Rrugë Kombi!

Nga Prishtina nisemi, mëngjesit të hershëm, ditës së mërkurë të 23 të muajit korrik, kjo verë, rrëshqitëm (si n’për ujë), së pari autostradës Ibrahim Rugova. Kur preftuam skaj Prizrenit, edhe një herë  njomen porosinë e prizrenasit hokatar, (kur shet shtëpi afër e jo larg detit!), fluturimthi dhe, pa asnjë, më të voglin problem kapërcejmë “kufirin”, shkelim atë kufi që dikur, jo shumë moti, fitohej përshtypja se nuk e kapërcenin (pa problem) as shpendët e havasë! Kapërcejmë  male të larta, “O, ju malet e Shqipërisë, o ju o lista e gjatë”, kapërcyem Kalimashin, kapërcyem..., dhe disa herë, më zë të lartë a me buçimë të mbytur në vorbullën e zemrës, kërcitëm : rrofsh sa malet me dëborë, o Salë, o Doktori ynë i pavdekshëm, për këtë vepër madhore, për këtë arterie (a aortë) gjaku që zemrës shqiptare i duhej përgjatë shekujsh, rrugë kjo e munguar, kur qetë dhe krejt natyrshëm bashkon, rreth një trungu, shqiptarë e Shqipërisë dhe shqiptarët  e Kosovës. Të gëzuar dhe pa pikë përgjumje e lodhje, vazhdojmë rrugën e hareshme, për t’u ndalë në një bërryl të hijshëm të saj, për të pirë (me lezet) kafetë e sabahut. Ndalemi në të hyrë të vendbanimit me emrin Milot. Dhe sa herë kalohet andejpari, vetvetiu, të pikë ndërmend emri i artistes sonë legjendare, Luçije Miloti. (Shqiptoje edhe njëherë këtë emër, ndalo, tret dhe mrekullohu në magjinë e bukurisë se tij!).

Nga Miloti, zëmë krahun e djathtë të rrugës, me kind prekim, sikurse thotë poeti Azem, Lezhën legjendare me kompleksin memorial të Skënderbeut në të, kur aq bukur shihet edhe nga autobusi, sado që në fugim të shpejt të jetë. Edhe pak (durim), pak para Shkodrës, përballë kështjellës Rozafa,  (k)thejmë rrugën e marrim në të majtë, dhe ja ,kur sakaq gjendemi në Velipojë, në cakun tonë të preferuar, gjendemi në det. Në Detin tonë!

Tërë ky “lundrim gjatë” rrëfim- udhëtimi, bëhet me të vetmin qëllim që të tregohet se askush, madje as me imta cikërrimë, nuk na e prishi as tymin e duhanit! Ashtu sikur nuk ua ka prishur qejfin as shumë dasmoreve të tjerë të detit nga Kosova, para dhe pas nesh. Gjithë kësaj reve. E ku (na) mbeti autobusi kosovar i sulmuar me gur!?!

Iku në bisht të sorrës, bashkë me gjithë ata, që kësaj ndodhie të imtë, që duhej të ngelte pavërejtur fare, i bënë jehonë dhe i dhanë publicitet.

Tash, jemi në Velipojë dhe rrëfimi për të vazhdon në numrin e nesërm të gazetës sonë.

------------------------------------

Zigzage verore në Velipojë (2)

Shumëçka (mbetët) për t’u dëshiruar!

Midis njerëzve bujarë.  Pa jetë (të pasur) kulturore. Kalle Kosovë, kalle ! Me lirë se në shpi!

Nga Bajram Sefaj

Ky konstatim i shënuar në titull të kësaj kronike, i nxituar gjithësi,  mund të vi dhe të hyn në rrëfim, pasi t’i kam kaluar dhjetë ditë pushimi në Velipojë, e jo tash, kur veç sa kam arrit këtu, në hapje të kallëzimit. Njëherë lypset të kallëzoj diçka tjetër. “Tëra sendet po vijnë rënd”, të vijnë në rend, apo, kështu disi, thotë një melodi e popullarizuar shqipe!

Pa hezituar fare, që në fillim, digjem e grihem të them se, si në dy herët përpara, ashtu edhe kësaj herë, Velipoja me pret mirë e duar haptë. Po, përnjëmend, ashtu është, aty, përnjëherë gjendesh, midis njerëzve të mirë, fisnikë e bujarë, velipojanë çehreli! Zemrën e ke plotë det, plot plazh, plot Velipojë, plot Shqipëri. Ky edhe është titulli i një libri tim (të dashur, qoftë edhe për emrin që mban!) me reportazhe, dhimbje e krenarie, nga Shqipëria ime. (Le të dihet edhe kjo!).

Për hallin e frikës së “cubave dhe hajdutëve të rrugës” asnjë haber. Ai ka tretur (midis malesh), diku larg nesh dhe strehon vetëm në rrëfimet e frikshme të trillanëve të ligj kur provojnë të mbjellin frikë dhe panik, edhe aty ku nuk mbinë fare. Tash përpara kam Velipojën dhe dua ta përjetoj atë të tërën,  ta gëzoj mirë e papengesë.

Një tjetër Velipojë, e re!

Në krahasim me dy verat e mëparshme, sivjet “zbuloja” një Velipojë, si të paparë kurrë, si të panjohur krejt. Ndryshimet, në sensin pozitiv të fjalës, të bëra ndërkohë, janë më se evidente dhe të prekshme, me sy dhe me dorë! (Mos të përsëriten, ato që i thash, ditë më parë, në faqet e po kësaj gazete!).

Ndërkohë, ishte ndërtuar pista e një argjinature të hijshme. Kë e shënoi (triumfalisht) sot, ngase dje nuk ia ditsha emrin, argjinaturë, dhe nuk kisha idenë se çka do të thotë ajo fjalë, ashtu sikur nuk disha me siguri se çka do të thotë shezelongë. Medet! Këtë e zbërthej disi. Në ndihë me vjen gjuha frënge, në këtë rast. Shezlongë, i bie disi, si karrige e gjatë. Thjesht, chez – karrige, longue – (e) gjatë, karrige e gjatë, pra. Kuptimin e të dyja këtyre fjalëve, e mësoj gjatë qëndrimit në Velipojë, pa merak as kasavet!

Tash, edhe ca cikërrima të zigzages se kësaj radhe, dhe e, e pat puna.

Përpara kam aq fije, kam aq shumë ruspe mbresash, sa nuk ka pe aq të gjatë t’i zë ato, në varg. Hiç ndërtimet e  objekteve dhe godinave të bardha, banimi dhe hoteliere, që mbijnë, nëse jo, ditë për ditë, atëherë vërë më verë, ngutëm të them se, anën e m’tej, gjithkah Velipojës, ngritën shumë objekte të reja e të shndritshme. Rrënohet të vjetra e, vend tyre, mbijnë të rejat. Vetëm “Shtëpia e Ushtrisë” se dikurshme e armatës se Enverit, bën përjashtim. Ajo (si një lugat!) ka ngel ashtu si ishte. Një gërmadhe e keqe. Nuk ka dreq që e shëron nga zgjeba e sëmundjes së rëndë komuniste. Ani, le të rri, ashtu siç është, si ferrë midis lulesh, si qyqe, si korbë e zezë, midis sarajeve të bardhë. Le të rri ashtu si është, si kërcu e  kujtim i keq, për të ngre krahasimin, ku dhe si ishim dikur, e ku dhe si jemi sot. Ç’rrugë fantastike kemi bërë ndërkohë.

Melhemi i gojës se ëmbël!

Në bredhje e sipër, anë e m’anë Velipojes, ndesh shumë qendra miniaturale shëndetësore, shtëpiza të vocrra, nën çatitë e të cilave, mjekë e mantel-bardhë të tjerë humanë, kurdoherë, në çdo vakt, brenda njëzet e katër orësh, janë të gatshëm që klientëve t’u dalin në ndihmë dhe t’i mjekojnë ata, tua shuajnë dhimbjet, në mos me tjetër gjë, me melhemin e gojës së ëmbël, atëherë. Aty, afër është, kasapi simpatik edhe burrëror, ai me emrin Zef, burrë dheut, katër qind dërhem, që me satër e almise të tjera, sa çil e mbyll sytë, sy botës së pushuesve, bën “suval” viçin sa binaja, apo delen e racës së mirë me mish të freskët. (Zefit i them, me humor, natyrisht, na e ther një gic, pse nuk na e ther? Hiq(m)u asaj pune, a therët gici, midis vapës se verës, a theret gici midis muajt të Ramazanit, he zoti të vraftë, pa të keq me kthen Zefi skofiar). Gojëmbël, është, edhe ai!

Pa jetë kulturore, argëtues...

Dhe, ajo që të mbush krenari e gëzim, është se (në fytyrë vendi) mëson leksionin se, slogani i hidhur: ikën dritat, iku ujti, nuk ekziston më, as në Velipojë, as kurrkund në Shqipëri. S’ka më, të përsëriten të dhimbshmet ato fjalë:  ikën dritat, iku ujti! Këto fjalë, si të ndotura të ishin, kaherë janë shlyer nga fjalori i gjuhës (se sotme) shqipe, dhe gjuha e përditshme, kudo në Shqipërinë e re, të ditëve tona.

Me keqardhje, megjithatë, duhet nënvizuar, medet se në Velipojë, as në pik të sezonit turistik, në valën e tij kryesore, thuaja se nuk ka asnjëfarë jete kulturore as artistike. As nuk çelën ekspozita, as nuk organizohen koncerte folklorike as muzikore, nën qiell, të hapët. Me përjashtim të muzikës, kryesisht tallava që “luhet” në anë të ndryshme të Velipojës, brenda  lokaleve të vogla e të mëdha të restoranteve dhe “mjediseve” të tjera private. Të vjen keq, të vjen shumë keq, kur dëgjon atë zgërvallje, deri në kupë të qiellit të amatorëve të pa fije shkolle, as kulture muzikore. Njeriu, (lexo kosovari), i zhgënjyer, afron grushtin të goja e, me zë të mbytur, rënkon: aq kaq keq këndohet edhe në Shqipërinë e ëndrrave tona!?! Jo, pa lajka, aq keq, s’këndohet as në Kosovë! Është e kotë thirrja e zëshme: kalle Kosovë, kalle! Është e kotë kur në valle  ngjitën me pak vallëzues se që është numri i orkestër. (O, për besë, lusim Perëndinë, që turizmi i Rivierës së Vlipojës, i bregdetit shqiptar, përgjithësisht, nuk pret “ndihme” prej “patëllxhan turistit” kosovar, as atëherë kur Kosova e kallë krejt.  Jo, perspektiva e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, sigurisht se mbështet diku tjetër: në turistin e huaj, atë me xhepa të thellë, që për pushime në det, nuk vjen për të kursyer, por, përkundrazi, vjen në  det e në plazh, për të shpenzuar, për t’u “hallakatë” e për t’u kënaqë krejt.

Xhiron e shpejtë nëpër Velipojë, e përfundojmë në disponim të mirë.

Ashtu si m’i hapi dyert e mikpritje bujare, e me priti me “petlamila” të mbytura në mjaltë, Velipoja me përcjell me drekë të mirë, (më të lirë se n’shpi!) që do ta marr në restorantin ku, më së miri, gatuhet peshku i freskët i detit, në të gjitha llojet e shfaqjes se tij ...

Serish do të marr rrugë të rehatshme Autostradës se Kombit, kur kaloj afër Prizrenit, kujtoj edhe njëherë anonsën gazmore të qytetarit prizrenas, duke i dhënë atij të drejtë, plotësisht.

Darkën do ta ha në Prishtinë shumë kohë pasi që kam mbërri  nga Velipoja jonë, e detit tonë.

Për shprishje të tjera kujtimesh nga verimi atje, kam kohë deri në verën tjetër!

Deri atëherë...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx