Udhëpërshkrim
Haki Zllami: Bujani i Krasniqes
E premte, 16.08.2013, 08:41 PM
Reportazh,
ekskluziv per ZSh-në
BUJANI I
KRASNIQES…,
…Për të cilin kurrë s’mund ti thuash të gjitha!
“Zo’ kah
vjen fisi Krasniqe /, -Prej Kosove, prej Drenice”.
- Mbresa
nga vendlindja ime –
Nga Prof Haki Zllami
Bujani,
sa i shtrenjtë, sa i bukur, sa i përmendur,
sa i madh!
Kudo që shkova,viseve të Ballkanit e të Europës, gjeta një vlerësim për Bujanin tim.E si të mos ndjej një kënaqësi të veçantë, një mburrje të ligjshme, për Bujanin e Malësisë së Gjakovës, për Bujanin e Krasniqes, për Bujanin e historisë!
Lexova
Pashko Vason, “E verteta mbi Shqipërinë
dhe shqiptarët”, Edit Durham, “Brenga e
Ballkanit”, Kadarenë “Gjakftohësia”,
“Mic Sokoli “i Sulejman Krasniqit,
“Vranoci”i Sherif Daut Krasniqit e shumë
të tjerë. Hulumtova, takova shumë
historianë e kolegë dhe kudo gjeta
Bujanin e zemrës sime , në çdo
dritare informative ai m’u shfaq si
diçka që veç rritet e zmadhohet në vlerat e tij atdhetare, patriotike dhe
kulturore.
Gjeta rrugë, objekte socialkulturore, punishte, restaurante, hotele me siglën “Bujani”. Si një pyetje retorike, shpesh dëgjova: -Nga je ti ?
-Jam i
Bujanit, jam nga Bujani i Epërm, nga
Markajt… dhe vazhdoja bisedat e kendeshme
për trevën time, per vendlindjen e dashur. Mendja dhe ëndrrat e mia më
fluturonin andej nga Qyteza e Rosujës,
Dezdari, Fangi, Molla e
Kuqe, Kryqi i Deli Mulës, Blinat e Rrugës,Trokuzi, Gjarpëri i
Mulosmanaje.
E di , mbase kam të drejtë, është thënë, është shkruar shumë. Megjithatë, ka mbetur vend edhe për mua, për t’i thënë ca fjalë zemre, sepse është një hapësirë e gjerë, e pafund, ku rregullisht mbillet e korret çdo vit…e çdo shekull.
Në
hullitë jetësore të Bujanit ecën koha e
cila nuk jeton dot pa historinë e saj,
por dua të eci edhe unë , biri i Bujanit, në këto përthyerje të jetës. Dhe për këtë, sikur duan të flasin të gjithë,
edhe kullat, edhe kalatë. Këto më ngacmojnë, më bëjnë të meditoj.
Punë e
mirë është bërë e po bëhet për
ndertimin e rrugëve, të veçantë
këtu dallojmë rrugën drejt Qytezës së Rosujës, e asfaltuar dhe shumë e bukur që
ka shkuar gjer ne Doshlan . Duke kaluar me makinë, gjatë kësaj rruge nacionale , dallon shtëpitë e
kullat e fshatit që i japin hijeshi të rrallë atij.
E veçanta
është se aty dallon shtëpi të ndërtuar
me projekte të reja të stilit europian.
Karakteristikë e këtij fshati është se
shtëpitë janë rrethuar nga pemët e llojeve të ndryshme. Janë për të përmendur
shtëpitë e Bashajve, të Halucaje, Kolmakaje, ato të Margjekajve në Rosujë, të Hasanpapajve, të Vidricës si dhe shtëpitë
e kullat e Mulosmanaje, të Logajve, Shpatajve dhe ato të Dunishës, në breg të
Valbonës.
Gjatë
kësaj rruge syri të sheh dhe disa
objekte si hotele, karburante etj, që i
kanë zëvëndësuar qarrat e gjatë shekullor (lisat), disa në ndërtim e sipër. Bujani ka shkolla,
kopshte e qendra të shërbimit shëndetësor, xhami,tyrbe, teqe. Të gjitha këto e
të tjera , tregojnë se fshati Bujan është një fshat më përmasa kombëtare,
ballkanike dhe pse jo edhe europiane.
Sapo kalojmë kthesën që gjarpëron bregut të Shydenicës, dallojmë varrezat e dëshmorëve të Tropojës, ndërtuar atje në një sukë të veshur me pisha e bredha si një monument me vlera të jashtëzakonshme historike kombëtare e më gjërë. E madhërishme është permendorja e luftëtarit të lirisë, e derdhur në bronx, disa metra e lartë, vendosur mbi disa disa gurë shkëmbi të mëdhenj, si simbol i bjeshkëve e maleve tona të thepisura.
Ky
monument i mitizuar. simbolizon luftëtarin e Malësisë së Mirë, me
pushkë në dorë që me zë të lartë jep
kushtrimin:
“ O ku
jeni more !, Bini , me shpejtësinë e rrufesë, në shtatë e shtatëdhjetë të
bëhemi një në luftën për liri…! “ .
Ky trim
luftëtar,është i rrethur nga martirët e këtyre maleve, shumë prej të cilëve
edhe heronj te popullit …
Sinqerisht
i them vetes dhe lexuesve të nderuar të ZemraShqiptare: -Faleminderit shumë
fshati im për këtë nderim që ju bëre bijëve tanë të pavdekshëm !
Aty ku
shënja e rrugës automobilistike
tregon drejtimin për në Kosovë, për Bajram Curri dhe tjetra për Fierzë, Avdi Rexha me të bijtë ka
ndërtuar një klub- restorant të veshur me gurë të rrumbullakët të Valbonës. Sipër rrugës kanë ndërtuar shtëpitë e reja, poshtë asaj të të jatit.Shumë të bukura, gjithçka
përsëmbari. Edhe shtëpia e vjetër,
dikur ndër më të bukurat, atje në një kodër. Avdiu, sado që i ka kaluar
të tetëdhjetë e pestat, është i fortë, mban mend dhe fshatin e tij e njeh mirë.
Është shumë i angazhuar në problemet e komunitetit, sidomos dallohet si pajtimtar i pajtimit të
gjaqeve, një plagë e rëndë kjo e të së
kaluarës.
Ai është
i kudogjendur, sa në një krahinë në tjetrën. Për Bujanin, fshatin tonë ai foli
gjatë:
“ Bujani është i privilegjuar nga vetë nëna natyrë. I ngjan një katrori të zgjatur, duke filluar nga brigjet e lumit Valbona, vijon gjatë përroit të Grazhdenicës, që e ndan me fshatin Gri, vazhdon drejt Llozhnës, në Bogishë, Depsyden, rreth Morajës, kalon në Cukal, sillet andej nga Liqeni i Ponarëve e në vijim drejt Qafës së Lugut të Thive, Lugut të Kaut, dirgjet nga kodra e Gojfilave në Bishevë, ku fillojnë kufijtë më Margegajt…”.
Edhe
mësuesi veteran, Zenel Vidrica na foli
për këtë fshat me pasion për
figurat e njohura që bënë histori: Binak Alia, Mic Sokoli, Zeqir Halili, Sadik Rama, Sali Mani si dhe
për bëmat historike të Bujanit, por në mënyrë të qartë për kullat e Mulosmanajeve, për Mic Sokolin, për betejën
tek Kryqi i Deli Mulës, për luftën në Dezdar, për
Krasniqen, na citoi përmendësh vargjet epike:
“Moj
Krasniqe,zemër e Tropojës/ Ulë kamkryq në krahtë e Shqipnisë/ Ndaç e pushkës ,
ndaç e gojës ”.
Më
poshtë: “ Kur në Kuvend u mlodh Malësia / Prin kuvendin Binak Alia…”
Në
vazhdim: “Djemtë e rrugës po bien bashkë/
Ku asht lufta ma e trashë/ Në rrugë të Bujane asqeri s’mrrinë/ Për pa
mbet vendi pa gjindë.”
Vargje
këto që ruajnë si muze betejën kundër Maxharr Pashës të viteve 1862.
Nëse
bëjmë një prapavështrim historik:
“ Për nga
dimesionet e ngjarjeve historike, Bujani zë vënd nderi në ngjarjet më madhore të
Shqipërisë, Kosovës e të viseve tjera
shqiptare. Vështrimin do ta nisim nga
lashtësia më Qytezën e Rosujës:
“
Fillimet e jetës i takojnë periudhës së hershme të hekurit. (faza II-III).
Në shek.e 4 p. e r. zhvillohet si qendër qytetare e Luginës së Valbonës në kufirin e labeatëve dhe dardanëve . Një sipërfaqe
Sot kjo
qytezë rri pranë, në të majtë të Rosujës.Është e mbuluar me gështënja të
plakura, disi e harruar, sikur do të ankohet për trajtimin e paktë që i bëhet
civilizimit të lashtë.
Bisedova me
të rinj nga Rosuja , flasin me kurreshtje për këtë qytezë të lashtësisë. Më erdhi mirë për infomacionin që më dhanë:
Jo vetëm prindërit tanë të moshuar, por
edhe pleqtë më të zgjuar si Shaban
Zmajli, Halil Mehmet Dunisha etj, na kane folur për Qytezën. Bile, ata kujtojne
dhe fjalët e më të përmendurit e fshatit
: si , Brahim Hoxhës, Ram Mehmetit,
Bajram Avdylit etj, të cilët
kujtonin shumë gjëra për këtë histori të mbulua
me dhe’.
Flisnin
për qytezën e madhe dhe atë të voglën (Bogishën). Ata ndoshta ruanin edhe
ndonje relike të veçantë, për Rosujës e ditëve të sotme: një fshat me njëzetë e
pesë shtëpi dhe ajo që të bie në sy është se Rosuja ka një pmje të re.
Mbi të
gjitha duhet theksuar arsimi i brezit të ri të fshatit, çka tregon edhe për një gen zgjuarsie.
Përmendim këtu, Korab Margjekën, mbaruar
në Krakovë të Polonisë, i dalluar edhe si poliglot.
“ Do të
jemi të lumtur e të nderuar nëse stërgjyshëritë i kemi në zemër”. Urtësia buron
në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe kjo natyrisht se deshmon vazhdimësi të
traditës dhe kulturës në këtë vend.
Të flasësh
ose të shkruash për Bujanin, është e
pamundur të mos e lidhësh atë me fisin e Krasniqes. Kështu që edhe unë në këtë
ese do të jap mendimin tim për prejardhjen e vendbanimin e këtyre. Varianti më i pranuar dhe bindës është se
Krasniqja, pra edhe Bujani, kanë zbritur nga Kosova, nga Drenica. Le t’i
referohemi si dëshmi dy vargjeve të epikës sonë:
“Zo’ ka
vjen fisi Krasniqe /, Prej Kosove, prej Drenice”.
Sado që
prof. Çabej kur shkruante në vitin 1939 për fisin si kategori shoqërore,
shprehej se fisi u përngjan njomëzave të një druri vigan që gjithmonë rritet,
por rrënjët e tij lidhen me emrin e një të pari të përbashkët, që është
shndërruar në gojëdhënë.
Sa herë
flasim për Bujanin apo Krasniqen, është e dosdoshme që ta lidhim me historinë e
Dardanisë, ku jetonte më i madhi fis ilir. Një gjë është e vertetë si hëna që
bën dritë, por nuk nxen, se këto fise qenë
një popull vital e i
mrekullueshëm. “ Popull fatosash “, kështu apostrofonte me krenari albanalogu
francez, Frasua Pukëvill.
Besohet
se banorët e Bujanit kanë jetuar këtu që
nga viti 1331-1335, qysh në kohën e perendorit Dushan,të zbritur nga Drenica si shënjë e shtypjes së perendorisë sllave. Edhe etimologjia e fjalëve
Krasniqe e Bujan , si më e vërtetuara dhe bindësja : Krasniqja, nga bashkimi i
dy emrave,Krast + Nikë, emra të babës dhe të birit.
Krast+Nikë
nga doli emri i përngjitur- Krasniqe ,mbasi
është shumë i njohur fenomeni i palatalizimit “k” në “q” për analogji, si tek shumësi i
emrit: mik – miq. Ndërsa si datim i dokumentuar, fjala është për Bujanin, është vërtetuar viti
1478, në defteret kadastrale të
Sanxhakut të Shkodrës.Ndaj mendimin edhe për etimologjinë e emrit Bujan. Pa u
zgjatur pohoj se versioni që më duket ,
më i sakti është: Bujan – nga emri bujtinë , ku siç dihet folja është
para emrit bujtë.Interesant është se në të gjitha bisedat në odat e burrave në
Malësi e Kosovë, të parat fjalë fliten
për burrat e Bujane,për Binak Alinë , për zgjuarësinë e tij si një prijës popullor i kryengritjeve
antiosmane të malësorëve të Gjakovës e të Rrafshit të Dukagjinit në vitet
1840-80. Përmendet shumë së bashku me Sokol Ramën.
Binak
Alia që u shqua, sidomos në kryengritjet
lokale të viteve 1860. Mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Veçanërisht, la emër si pleqnar i mënçur e sidomos për pajtimin e gjaqeve. Ai e mati kohën dhe
fjalët.
Për të si
tipar ishte zgjuarsia tropojane, fliste
pak, me fjalë të zgjedhura, shkurt e saktë.
“Mos blej
çfarë nuk të duhet, sepse ndryshe shet atë që ke “ e këshillonte një mik të tij
, pra bukuria e tij ishin: fjalët, këshillat e pleqnitë, si më i dituri e më
fisniku. Gjykimet e tij, shpesh herë shembën një mur dhimbje.Thjeshtësia dhe
zemra e tij krijuan miq e admirues në Kosovë, Malësi, Mirditë, Shkodër…
Një
tjetër figurë e ndritur është edhe Mic Sokoli,
që është bërë legjëndë, si luftëtar
i shquar, Hero i Popullit, i lindur në Fang të Bujane. Udhëhoqi njësi të
mëdha luftarake në shumë beteja . U
dallua në betejën e Nokshiqit kundër malazëezëve, luftoi në Plavë e Guci,në Hot
e Grudë, Tuzë, Prizren, Gjakovë,
Ferizaj , Gjilan…Në betejën e Slivovës (prill 1881) kundër forcave
osmane të Dervish Pashës, kreu një akt trimërie të rrallë duke i vënë gjoksin
topit të armikut. A ka guxim më sublim, a ka krenari më të veçantë ?
“Shkkrinë
çeliku e lulzon molla ,gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”
Me këto
vargje lapidare, populli e perjetësoi aktin e tij të paharrueshëm.
Historikisht
Bujani ka qenë dhe është vendi jo vetëm i punës, pushkës, por dhe i arsimit dhe i kulturës.
Këtë e verteton fakti se Bujani diti ta vlerësojë arsimin si bukën e shpirtit,
duke pasur filozofinë se kush mbjell e investon për arsimin e kulturën, do të
korri veç falenderime e urata, sepse jo vetëm për Bujanin , por për çdo komb,
arsimi është mendja e tij. Ilustrojmë
këtë ide me disa fakte domethënëse:
Shumë
vite më parë , bijët e këtij fshati mësuan shkrim e këndim , ndoshta edhe
vjedhurazi, nga dritarja e mejtepit ose e shkollës. Disa rrugëtuan larg për të mësuar. Përmendim këtu, Rexhep
Shpend Vidricën ,sot ” Mësues i Popullit “ së bashku me të motrën,dy mësues të
tjerë nga Rosuja me titull “Mësues i Popullit “dhe “Mësues i Merituar” vëllezërit, Zenun e Mehmet Margjeka.
Padyshim
Idriz Logu mbetet një figure komplekse dhe mbresëlënëse nga Bujani që la gjurmë
të thella dhe të pashlyeshme në arsimin e Tropojës, si drejtuesi i parë i
gjimnazit “ Asim Vokshi” si drejtues për shumë vite i Seksionit të Arsimit të
Rrethit, inicues dhe drejtues i Kabinetit Pedagogjik si berthama krijuese
shkencore, nga e cila u kualifikuan me dhjetra e qindar mësues të
Tropojës.Mësues të tjerë të cilët kontribuan shmë për arsimin e kulturën në
Tropojë nga ky fshat veçojmë: Kadri
Basha, Mal Buçpapaj, Muharrem Ndoçi,
Zenel Vidrica, Sherif Mulosmani, Kadë Mulosmani,Idriz Margjeka, Avdyl Buçpapaj,
Hamit Novaku, Uk Logu, e shumë të tjerë. Bujani ka shkollën 9-vjeçare “ Jaho Salihi ” Sot kjo shkollë ka
një mjedis shumë të mirë, ku japin mësim
13 mësues; shkolla drejtohet nga z. Vera
Hasanpapaj, të gjithë mësusesit janë me
arsim përkatës. Shkolla sivjet përkujton
90-vjetorin e çeljes së saj . Bujani
ka disa intektual të fushave të
ndryshme që duhet përmendur për kontributin e dhënë për zhvillimin e fshatit
si: Ali Berbati, Zenel Ndoçin, Ahmet Malaj,
Avni Breçani, Avni Malaj, etj.Mjekë: Rexhep Ndoçin, Sokol Mulosmani, Shaban Malaj, Fatmir Zenelin,Skender
Hasandoçi etj… Bujani përmendet dhe për krijuesit e tij në fushëm e letërsisë
dhe të artit të cilët, janë të përmendur
dhe në letërsinë kombëtare. Të tillë përmendim: Lulzim Logun,është djali
i mësuesit të nderua ,Idriz Logut, njëri nga kudrot më në zë
në trevën e Malësisë së Gjakovës.
Lulzimi ,
është shkrimtar dhe poet i talentuar ,
kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, mësues dhe kontributi
i tij si krijues dinjitoz dhe
promovues i kulturës tradicionale tropojane dhe i emrave të rinj të letersisë
nga kjo zonë është i njohur brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar disa vepraletrare, libra mësimorë,
shkrime e studime të ndryshme. Shumë i apasionuar pas bjeshkëve, nuk ka lënë
bjeshkë apo majë të Bjeshkëve të Namuna, pa i shkelur…Ky pasion dhe një thekës
i veçantë për vendlindjen, pasqyrohet
edhe në poezitë e tij:
“ Në çdo
bjeshkë, në çdo lartësi / bëhem më i ri
dhe më i lehtë
/ kur mbetesh gjithmonë poshtë / vetëm zvogëlohesh / kurrë nuk i
kupton retë…” , shprehet ai në librin e
tij “ Hiri “.
Ndërsa në
librin që u botua këto ditë me titull “
Pika mbi I’, duke shprehur dashurinë
e respektin e përhershëm për
Bujanin, shprehet: “ Krejt ditën / Kosita në Bujan / Bar’ kujtimesh…” Janë të shumtë poetët e shkrimtarët nga Bujani, pa u ndalur
në veprat e shumta të tyre veçojmë Brunilda Zllamin, autoren e 17 romaneve,
disa prej të cilëve tashmë bestseller, poetin Jaho Margjeka, Ukzenel Buçpapaj,poet dhe përkthyes, Alfons Zeneli , Petrit Zenelin
si studiues i gjuhës shqipe etj….Edhe për kulturën mund të shkruajmë shumë,
në mënyrë të veçantë veçojmë bilbilin e këngës tropojane, Fatmira Breçani
, zeri I së cilës degjohet dhe kerkohet në të gjitha viset shqiptare.
Ecja
përpara e fshatit të Bujan në rrugën e zhvillimit të tij, vijoi gjatë gjithë harkut të historisë. Në prehistori patëm
lulëzimin e Qytezës së Rosujës…Në shek.XVIII – XX , pati një shfaqje të niveleve të jashtëzakonshme, të patriotizmit
e atdhedashurisë te pakufishme…
Në
periudën e Mbretërisë së Zogut, u hap kanali i Krasniqes e ndonjë shkollë.Më
pas Bujani pati disa hapa zhvillimi si
elektrifikimin , zhvillimin e arsimit e të kulturës,hapjen e
shkollave,disa arritje në bujqësi,kultivimin e frutave karakteristikë si
kumbulla e njohur tropojane, hardhia, mollët, mbledhja dhe perpunimi i
gështenjës, rritja dhe kultivimi i bletarisë, mbështetur në siperfaqen e
konsiderueshme me gështenja, por edhe në bimesinë e livadheve alpine.
Sot
vëmendja është kthyer kah turizmi malor, sidomos pas permirësimit të
infrastrukturës rrugore . Bujani ka masivin e geshtenjave, një oaz i freskisë
dhe bukurisë së ujrave malore, ka rrjedhën e lumit Valbona në krejt gjeografinë
e tij, ka namin e vlerave të padiskutueshme dhe endemike të troftës së
Valbonës, ka livadhet përplot bimë medicionale, Lkenin e Ponarëve me arealin e
vet të mrekullueshëm alpin, ka pyjet halorë dhe kafshët e egra si dhia e egër,
ujku, macja e egër, ariu i murmë…
Bujani ka
visaret e Këngëve të Kreshnikëve , ka pasuri të njohura të polimetaleve, ka
kullat malësore, ka shtëpinë ku u mbajt Konferenca e Bujanit, e njohur në histori
për vendimet e saj kombëtare, ka ritet, doket dhe zakonet e dasmave ,
kanagjeçeve dhe lojrave popullore, ka Tumat e Bujanit dhe Gështenjën e Bajram
Currit si monumente natyrore dhe historike, ka institucione tradicionale dhe
muze me eksponate të historisë së lavdishme shqiptare.
Ky është fshati Bujan i Krasniqes. Një trevë e njohur për të cilën mund të shkruash shumëçka, por kurrë nuk arrin ti thuash të gjitha…
-Per
ZSh-në, nga Bajram Curri, verë 2013 –
Shenim:
Në emer
të Revistes ZemraShqiptare, redaktori i Pergjithshëm Zeqir Lushaj, i kerkon
ndjesë autorit të nderuar prof Haki Zllames per vonesen në botimin e ketij
reportazhi duke sqaruar se arsyeja e vetme është se redaktori ne fjalë, të
cilit edhe ju ka nisur ky material, ka qene me pushime në at’Dhe.