Udhëpërshkrim
Qazim Shehu: Në Kërçovë, satirë dhe shqiptarizëm
E hene, 12.08.2013, 09:08 PM
NË KËRÇOVË, SATIRË DHE SHQIPTARIZËM
NGA QAZIM
SHEHU
1.
Ndërsa
udhëtoj drejt Kërçovës me poetët Pandeli Koçi dhe Vladimir Muça, shfaqja e
pyjeve të pafundme zhytur në një magji të blertë, ma sjell ndjesinë e mirë se
ky udhëtim është prologu i bukur i një aktiviteti-në hullinë e tij me një
finalizim të pritshëm. Kjo parandjesi
krijuar instiktivisht për një vend ku s`ke qenë ndonjëherë,do të
vërtetohet plotësisht ndërsa në hotel Kërçova takojmë Kalosh Çelikun, , një nga
shkrimtarët më në zë të trojeve etnike, organizatori dhe pritësi i takimeve të
Kërçovës :”Xha Dërrallla”. Jemi të parët që mbërijmë, ndërsa më vonë do të
vijnë Nikolla Spathari, Agim Bajrami,Skënder Rusi, Skënder Demolli, Dhimitër
Orgocka ,grupe- grupe si dasmorë në një dasmë të largët. Organizatorët nuk
ndjehen të bezdisur, përkundrazi ,në sytë e tyre, ndihet një gëzim dhe
dashamirësi, kjo shprehet, hetohet qartë tek poeti Xhelal Ademi, Ibrahim Koça,
këshilltar për kulturë në komunën e Kërçovës drejtuar nga Fatmir Dehari. Edhe
pse nuk jemi njohur më pare, duket sikur vërtet diku jemi takuar, sepse poetët
zakonisht takohen në gazeta, internet, libra, ndaj edhe një shpjegim në bisedë
e heq vetiu drojen e njohjes. Askush në botë nuk mund të çlirojë një rrymë
miqësie më shumë se poetët, kjo miqësi e ka aftësinë të përcillet fuqishëm
veçmas tek ata poetë të cilët gjithnjë jetojnë intensivisht me poezinë, jo
vetëm duke e shkruar, po edhe duke e lexuar .
Takimet e
Kërçovës ndihmohen finaciarisht nga komuna dhe janë të karakterit të humorit
dhe satirës. Ato mbajnë emrin Xha Dërralla, të një humoristi popullor që ka
jetuar në këto anë, që ka lënë emër dhe identifikohet me bëmat e tij,
zgjuarsinë dhe mençurinë e madhe, që ka ditur të ulë gjakrat e të mësojë
njerëzit përmes humorit dhe satirës së tij të mprehtë. Anekdotat dhe shprehjet
e tij, përcilen gojë më gojë nga njerëzit në dasma ,takime, në rrugë, biseda
rastësore, duke shprehur njëkohësisht edhe atë përvojë, histori, vështirësi,
kryeneçësi të popullit të këtyre anëve për të mbrojtur dinjitetin dhe
karakterin burrëror përballë vështirësive të panumërta. Xha Dërrall a mbetet kështu artisti i dalë nga
shpirti dhe mendja e popullit, një artist emblematik, me një portret sa real aq
enigmatik, ku fantazia dhe trilli rrethojnë figurën e tij, që ecën nëpër vite e
dekada në tehun e një satire thumbuese. Një popull që bën humor ka zgjuarsi dhe
qytetari të vjetër, siç janë në të vërtetë kërçovarët, dhe njerëz të tillë
dalin si sintezë kulmore e shperthimit të gjenisë së popullit në momente të
veçanta. Xha Dërralla nuk është vetëm një emër-po më shumë se kaq-një emblemë
qëndrese kundër së keqes ,për ta kaluar këtë të keqe duke e goditur në shëmtinë
e saj jo me skërmitje dhëmbësh e rrudhje buzësh ,por me buzëqeshjen e hollë
ironike. Në revistën “Zekthi” të Kalosh Çelikut , mund të lexosh me dhjetra
anekdota, thënie të Xha Dërrallës.
Këto
vërtet janë takime të humorit dhe satirës-po ato e zgjerojnë përmbajtjen dhe
tematikën-zgjerojnë kuptimet dhe vlerat-referojnë dhe nuancojnë në disa
dimensione të jetës shqiptare-dimensione sa turistike të një guiditimi
turistik,historike-dramatike , folklorike etnografike,kur duhet ta njohësh
etninë tënde brenda njështeti tjetër. Dhe këtu ndërvartësohen disa vlera dhe
përvoja të cilat dikur kanë qenë të ngrira, po sot po e fitojnë një farë
shkrirje ,ndërsa edhe në këto anë shpresohet të fryjnë erërat e ngrohta të
europianizimit për t`i shkrirë ngricat e nacionalizmave. Kjo nuk do të thotë që
këto erëra të bëjnë lëmsh e li nocioin e ndasisë, përkundrazi ky nocion
ekziston,sepse kur vjen fjala për shqiptarët e Maqedonisë e gjej një seriozit
të habitshëm në kryerjen me kujdes të disa punëve, një vetëdijësim të
mrekullueshëm për etninë , një përkushtim që mysafirët e thirrur të ikin sa më
të kënaqur,të plotësuar me të gjitha kushtet e akomodimit, gjë e cila nuk është
vërejtur në ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm në Shqipëri. Kjo sjellje
serioze, natyrisht është tipar i traditës së vjetër të shqiptarit jashtë çdo
romantike të sajuar të konceptit mikpritës. Natyrisht kjo është meritë e
organizatorëve,po edhe refleks i ngulitur i një kulture perëndimore të cilën
ata e kanë marrë para nesh për arsye që dihen. Çdo poet do ta recitojë një
satirë, fabul, e humori herë herë do marrë ngjyra më të thekura përmes
recitimeve dhe rrëfimeve të Nikolla Spatharit, këtij shkordrani pasionant,po
edhe Sënder Demolli, satirist i kultivuar nga Korça, nuk mbetet pas, as Kalosh
Çeliku, ndaj satirës së të cilit duhet të jeshë i vëmendshëm që ta kuptosh, por
kur e kupton bindesh për hollësinë e saj dhe forcën goditëse që ajo mbart.
Nuk mund
të kuptohet satira dhe humori shqiptar pa u përmendur gjigandët Çajup e Gjergj
Fishtë dhe gjigandi tjetër Ali Asllani poezia e të cilit “Hakërrim “është një
krijim unikal e denjë për ta pasur zili çdo poet. Ibrahim Koça që ka shkruar
një poezi sipas gjedheve proceduese të Fishtës ndërsa reciton poezinë e famshme
të Asllanit,e sjell edhe një herë atë përfytyrim të poetit të madh, i cili me
vargun e vet profetik i bën një përshkrim të pamëshirshëm klikës bastarde të
shqiptarëve, lolove dhe trutharëve, sepse “vërtet është koha e maskarenjve, po
atdheu është i shqiptarëve”, do të përfundonte me një dhimbje sokratike
vlonjati i madh.
Ditë e
humorit dhe satirës nuk mund të kuptohen vetëm me recitime. Organizatorët janë
kujdesur që gjithçka t`i nënshtrohet një
variacioni të mundshëm aq sa lejojnë mundësitë, ose aq sa ata kanë mundur dhe
menduar. Kështu të nesërmen do të turremi si drejt një enigme për të shkuar në
një kodër prej nga zotërohet një lartësi për të parë Kërçovën, po në këtë
lartësi rrethuar me pyje dhe pyje, gjendemi përballë një vile, në pronësi të
Vladir Tolevskit, që është edhe pronar i hotel Kërçovës, po edhe që ka qenë
dikur edhe kryetar komune në Kërçovë. Kësaj vile na i thonë Shtëpia e Artit. Në
oborr busti i Don Kishotit, skulptura të tjera, rrinë pranë një bredhi,pranë
një druri tjetër, mes gjelbërimit. Ndërsa në katin e dytë mund të shohësh një
galeri të tërë me piktura, të piktorëve nga Europa, Ballkani. I zgjuar ky
Vladimiri, na i ftoka piktorët, ata mund të akomodohen dy javë në vilën ë tij
falas, të pikturojnë , të shetisin por në fund duhet të lënë si kusht një
pikturë si dhuratë. Përfitimet janë të
dyanshme, po mbi të gjitha ,përfitohet art, përfitohet një mundësi turistike
për Kërçovën. Ndërsa e vizitoj këtë
Shtëpi Arti, mendoj se nëse mund ta bëjë ndonjë pasanik në Shqipëri këtë, jo
një, po disa. Por, s`është kohë e artit,
është koha e biznesmenëve,mendoj dhe e ndjej një bezdi pse s`mund të ndodhë
tjetërsoj. Freskia,ajri i pasër malet që rrinë pranë ndërsa s`mund t`ua dalosh
konturet mirë për shkak të gjelbërimit, pikturat, ngjyrat e ndezura të
tyre,rrymate ndryshme të pikturimit, bisedat e çiltra, numrat e piktorit dhe
prestigjatorit Vesel Çeliku që e fut një gozhdë të madhe në hundë, e krijojnë
vetiu një dëshirë për të mos ikur më prej këtu, por duhet ikur…
2.
Një
veprimtari e tillë e mbart përmasën e artit kombëtar dhe të artit në tërësi,
një veprimtari që zhvillohet në Uskanën e lashtë ilire, ose Kërçovën e sotme. Studiuesi
dhe gazetari Safet Hyseni e ka shkruar një libër komplementar për Kërçovën,
historinë,traditat e vjetra, vuajtjet e kësaj popullsie nën raprezaljet e
sllavëve, qëndresën heroike për të ruajtur etninë dhe dinjitetin, këmbënguljen
e vazhdueshme për të ndërtuar jetën edhe pse shteti i huaj nuk u afronte asnjë
mundësi. Ndërsa Xhelal Ademi vazhdon të shkruajë poezi, po edhe romane,po
kështu Ibrahim Koça ka shkruar një libër me novela që të kujton stilin kutelian.
Shaban Dalipi nje libër me publicistikë .
Sidoqoftë,
kemi diçka që lëviz, kemi një mendim që rrihet në qarqe të ngushta dhe
impostohet herë herë edhe më ngushtë, kemi veprimtari, siç është kjo e Kërçovës
që e sjell në vëmendje këtë gjë, dhe jep një model të mirë , sepse diskutime të
tilla marrin një karakter më të gjërë. Recitimet e natës së fundit nuk do ndalojnë. Aktori
regjizori dhe artisti i njohur Dhimitër Orgoocka do na befasojë me
interpretimet e tij nga poezia e Skënder Rusit po edhe e poetëve të njohur. Dhe ai hap një debat , poetët duhet të dinë të
përcjellin poezinë e tyre në auditorium. Por shumica e poetëve nuk dinë të
recitojnë. Në të vërtetë a duhet të jetë
poezia e recitueshme, a shkruhet ajo për këtë punë, këto janë pyetje që
kërkojnë herë herë një shpjegim të ndërmjetëm pa kufij të prerë ku mund të
vendoset saktë ideja se poezia duhet patjetër të recitohet. Mbrëmjen e shoqëron
një padurim i lehtë ,kush do ta fitojë çmimin e madh:Xha Deralla:”Dardha dhe
gorrica”? dhe atë e fiton poeti dhe satirist korçar Skënder Demolli, ndërsa të
dytin e merr poeti, piktori nga Kërçova Vesel Çeliku.
Natyrisht ndarja s`është e thjesht, kur dy ditë i ngjajnë një takimi magjie, dhe ndërsa shikon që çdo poet ngutet të dhurojë një libër. Kjo ngjet me Fadil Currin,Rrahim Ganiun, Vahit Nasufin, Begzad Rrahmanin, e poetë të tjerë. Tekasa i shfletoj këto libra nga padurimi, vë re se shumica janë ndihmuar nga ministria e kulturës së Maqedonisë, dhe menjëherë më vete mendja tek ministria jonëe kulturës dhe ministrat e saj famozë,e cila për hir së vërtetës e ka ndihmuar ndonjë shkrimtar të persekutuar, e ndonjë poet të traditës, po kurrë kjo ministri nuk është kujtuar ndonjëherë të ngrinte një komision ku shkrimtarët dhe poetët të aplikonin dhe konkuronin sipas kritereve të vlerave në mënyrë që veprat e tyre të prisnin donacionin e duhur. Me siguri që do ndreqet kjo, një shembull i mirë vjen nga Maqedonia fqinje. Takimet e Kërçovës e mbartin një vlerë të madhe njohëse, kulturore artistike, sepse ato organizohen nga një grup shkrimtarësh pasionantë me në krye Kalosh Celikun, për të cilin jashtë çdo elozhi që nuk do i shkonte atij,ne mund të themi se është një promotor, një bard i palodhur i fjalës shqipe, një shkrimtar serioz, anakreontik dhe ezopik, po njëkohësisht që e do zhvillimin e artit dhe fjalës shqipe, cilësi që u shkojnë vetëm persoanaliteteve të shquara.