E premte, 02.05.2025, 08:05 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Murat Gecaj: Hysë Hasa me libër të ri

E diele, 01.09.2013, 03:02 PM


PËRUROHET NJË LIBËR I HYSË HASËS, SHKRUAR ME DASHURI TË ZJARRTË PËR ATDHEUN…

Nga Prof. Murat Gecaj

Paraditën e sotme, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, u zhvillua një veprimtari e bukur, masive e mbresëlënëse. Ajo i kushtohej përurimit të librit “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”, me autor Hysë Xhemali  Hasën. Kishin ardhur familjarë,  bashkëkrahinas dhe kolegë të tij në vitet e shërbimit ushtarak, gjeneralë e oficerë tjerë në lirim, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës në kryeqytet, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Tubimin e drejtori ushtaraku në shërbim aktiv, Fadil Grosha. Rreth përmbajtjes dhe vlerave kryesore të librit, i pari diskutoi redaktori, dr. Fejzulla Gjabri. Me interes të veçantë  u dëgjua nga të pranishmit në përurim fjala e ish-gjeneralit në lirim, Rrahman Perllaku, tanimë në moshën 95-vjeçare. Në vazhdimësi, e morën fjalën ushtarakët e lartë, prof.Ruzhdi Ramadani, Kostaq Karoli e Garip Lata.

Ndërsa prof. Murat Gecaj, ndër të tjera, theksoi se: “Siç dihet, në kujtesën e çdo pjesëtari të Ushtrisë Shqiptare, që nga ushtari më i thjeshtë e deri te gjenerali, kanë mbetur dhe do të mbeten të pashlyera në kujtesë: shoqëria e miqësia e pastër, përkushtimi në detyrë, dijet dhe djersa e derdhur, pa kursim e me vetëmohim, në shërbim të Atdheut etj. Këto dhe dukuri të tjera të jetës ushtarake, autori Hysë Hasa, meqenëse i ka përjetuar vetë për shumë vite radhazi,  na i ka  shpalosur e përshkruar bukur. Këtë gjë e ka realizuar me gjuhë të thjeshtë, me sinqeritet e dashuri për secilin ushtarak: vartës, koleg ose epror, qoftë ai…Në të gjitha faqet e këtij libri, është  shprehur nderimi e dashuria e madhe e autorit për çdo cep të tokës amtare, ku ai ka shërbyer, si në Korçë e Kukës ose Tiranë”.

Pas tij e morën fjalën autorë librash dhe studiues të njohur, si: prof. Shefqet Hoxha- “Mësues i Popullit”, Isa Halilaj-“Mësues i merituar”, publicisti e poeti Izet Duraku etj.

Hysë Hasa është autor i disa librave, sidomos me temë nga vendlindja e tij, Kukësi. Ata i ka shkruar që nga shkurti 2006, kur janë me banim familjarisht në Filadelfia të Amerikës. Kolegët e tij atje, të tubuar në Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, me anë të kryetarit Sadik Elshani, kishin dërguar një mesazh përshëndetës e vlerësues. Ndërmjet të tjerave, aty pohonin se: “Shkrimet e z. Hysë Hasa, gjithnjë, i përshkon një dashuri e pakufishme, një adhurim për Shqipërinë Etnike dhe Kombin tonë. Ai u qaset problemeve dhe ngjarjeve të ditëve tona, duke i analizuar jo si një analist, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por si një vëzhgues i kujdesshëm dhe qytetar i brengosur për fatet e popullit tonë. Shkrimet e tij burojnë nga thellësia e zemrës dhe paraqiten me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe me plot emocione. Analizat e tij shquhen për sinqeritetin, thellesinë e mendimit dhe vlerësimet e qarta për ngjarjet historike dhe ato të sotme (aktuale). Dhe, të gjitha këto, i përshkon një atdhedashuri e zjarrtë, një mirësi njerëzore, një krenari dhe  fisnikëri tipike shqiptare”. Një mesazh të ngrohtë e miqësor kishte dërguar edhe Zyba Hysa, arsimtare e shkrimtare, në Vlorë.

Të gjithë folësit i uruan autorit shëndet të mirë dhe vazhdim të suksesshëm në krijimtarinë e tij. Ndërsa vetë Hysë Hasa i falënderoi nga zemra ata dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim, duke premtuar se, ashtu si kurdoherë, jetën do t’ia kushtojë përparimit, begatimit, forcimit dhe mbrojtjes së Shqipërisë së dashur.

Bisedat e të pranishmëve, në këtë tubim të paharruar, vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Autori H.Hasa, duke falënderuar pjesëmarrësit në tubim


Në sallën, ku u zhvillua veprimtaria


Kopertinat e librit të ri


Nga tubimi, në Muzeun Historik Kombëtar të kryeqytetit




(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx