Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Martirët e 2 gushtit 1967
E hene, 12.08.2013, 09:55 PM
Martirët e 2 gushtit 1967
Nga Reshat Kripa
Burgu i
Burrelit, një ferr i vërtetë i diktaturës komuniste, sidomos në periudha të
veçanta të saj. Një nga këto periudha është edhe viti i zi 1967 kur, si
rezultat i fjalës së diktatorit të 6 marsit 1966 dhe, pas saj, letrës së hapur
të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës drejtuar klasës punëtore, në të gjithë
vendin filloi një fushatë e çmendur kundër atyre që mendonin ndryshe nga
sundimtarët. Filloi një luftë e tmerrshme kundër besimeve fetare, duke
shkatërruar që nga themelet kisha e xhamia, një luftë banditeske kundër të
ashtuquajturave “shfaqje të huaja” në shoqërinë shqiptare. Në çdo faqe muri do
të shihje të ashtuquajturat “fletë-rrufe” ku me emër dhe mbiemër
fshikulloheshin kundërshtarët e regjimit.
Një
gjendje e tillë, ndoshta edhe më tepër e egër, shfaqej nëpër burgjet e vendit.
Natyrisht, burgu i Burrelit, mbante vendin e parë në këtë drejtim. Aty ishin
mbledhur kokat më të ndritura të kombit shqiptar dhe ata duheshin eliminuar.
Por kjo tirani e pashembullt nuk arriti të thyente dëshirën për liri të atyre
që ishin ndrydhur në qelitë e errëta të burgut.
Në
rradhët e të burgosurve kishte martirë që mendonin të gjenin rrugën për të
shpëtuar nga kjo kasaphanë. Tre të burgosur politikë, Adem Hallçi nga Tropoja,
Dhori Grinjoti nga Korça dhe Sazan Hadëri nga Tepelena kishin ditë që bisedonin
për të gjetur mënyrën për t’u arratisur drejt lirisë. Së fundi vendosën.
Ishte 2
gushti i vitit 1967. Kapën rojen e brendëshme, e lidhën dhe i morën çelsat.
Hapën portën e jashtme dhe dolën në oborr. Aty duke hipur në shpinat e
njeri-tjetrit dhe nëpërmjet hekurave të dritareve kërcyen në tarracën e burgut.
Rojet që qëndronin në karakollet që rrethonin burgun i diktuan. Një breshëri e
paparë armësh shpërtheu nga të katër anët. Por trimat vraponin drejt lirisë. U
hodhën nga tarraca dhe vazhduan të vrapojnë. Bateria e armëve vazhdonte. Një
plumb i mallkuar kapi Sazanin. Ai ra. Shokët u kthyen ta marrin në krah.
- Ikni, -
mundi t’u thoshte dhe i mbylli sytë.
-
Lamtumirë, vëlla! – thanë me një zë Ademi dhe Dhori duke vrapuar drejt pyllit
që ishte aty pranë. Por breshëritë e paprera të armëve e bënë punën e tyre. Dy
plumba i goditën të arratisurit dhe ata ranë të plagosur. Rojet i morën dhe
ashtu të plagosur, pa iu dhënë asnjë ndihmë mjeksore, i mbyllën në qelitë e
tmerrshme të lidhur këmbë e duar. Të ndjerin Sazan e morën dhe e hodhën në një
gropë të hapur të vendi i quajtur “qershiza”.
Në çdo
vend të botës ndodhin tentativa arratisje, por kur kapen të burgosurit sillen
përsëri në burg për të vazhduar dënimin që u ka mbetur. Kurse te ne ata
dënoheshin për së dyti, madje ka raste edhe për së treti. Kështu u ridënuan
edhe heronjtë tanë. Në akt-akuzën e tyre figuronte edhe një nen që logjika
njerëzore nuk do ta pranonte kurrë, neni i terrorizmit. Do të desha t’i pyesja
hartuesit e këtij neni:
- Çfarë
terrorizmi zhvilluan këta djem? Mos vallë dogjën? Mos vallë vranë njerëz të
pafajshëm?
Asgjë
prej këtyre nuk bënë, përkundrazi, ishin këta që u vranë. Ishin këta që u
masakruan. Ishin këta që u ridënuan. Përse?
Kanë
kaluar dyzeteshtatë vjet nga ajo ditë e kobshme. Eshtrat e Sazan Hadërit ende
nuk dihet se ku prehen. A nuk do të ishte në nderin e këtij vendi që ato të
gjendeshin dhe të vendoseshin në Varrezat e Kombit? Dhori Grinjoti i mbylli
sytë pak kohë më parë. Njëzetedy vjet shtet demokratik nuk mjaftuan për ta
rehabilituar plotësisht. Ai iku me zemër të thyer. Jeton vetëm Adem Hallçi. A
do ta verë në vend shteti shqiptar detyrimin që ka për këta shtetas martirë?
Unë nuk e di. Do të presim e do të shohim.