Përjetësi » Kripa
Cikël poetik nga Reshat Kripa
E shtune, 08.12.2012, 01:04 PM
Reshat Kripa
Lotët e dashurisë
Ah, kjo zemra ime, plot me dashuri
Mbushur me pasion, zjarr dhe miqësi,
Po kërkon së koti, kërkon qetësi,
Por nuk e gjen dot, gjen veç ftohtësi.
Sa shumë të dua
Oh, sa shumë ty të dua!
Më shumë se çdo gjë në jetë,
Pres nga ty oh, as më thua,
Më do, a s’më do vërtetë.
Dashuria nuk është lodër,
Që të luash si dikur,
Është zjarr ndezur në votër,
Që të djeg e të bënë zhur.
Nga unë mos prit që të lutem,
Që të çirrem, përgjërohem,
Me ty s’dua që të ngutem,
Dua zemrat të bashkohen.
Por nuk di nëse dhe ti,
Më do mua sa të dua,
Ndaj vetmuar sot po rri,
Mendjen time turbulluar.
Hape zemrën, folmë mua,
Në më do, apo s’më do.
Nëse do thuash të dua,
Edhe unë do të them po.
Përse po mendohe?
Përse po mendohe? Vallë ku po shkon?
Dita është e bukur, jeta po na fton.
Eja ta gëzojmë, eja sa s’është vonë,
Nesër më nuk jemi, kjo është jeta jonë.
Larg nga hidhërimet, larg nga marrëzitë,
Shijo jetën tënde, shijo dashuritë.
Mbushur me gëzime, plot me gaz dhe dritë,
Kështu duam ne, duan perënditë.
Dhe nëse të flasin, të thonë mos shko,
Ti me më shumë vrap, për atje vrapo,
Atje është jeta, kurrë mos ndalo,
Është lumturia, atje fluturo!
Eja të rrimë bashkë, bashkë të jetojmë,
Jetën tonë të shkurtër, bashkë ta shijojmë,
Bashkë të hedhim valle, qeshim e këndojmë,
Si një çift i lumtur, ditët t’i kalojmë!
Dashuri e ndërprerë
Oh, sa shumë unë të desha,
O moj vajzë me sy të shkruar,
Një mal të lart para ndesha,
Që na ndau të dëshpëruar.
Nuk e di nëse më doje,
Ashtu si të doja unë,
Lot nga sytë ti kulloje,
Dashuri shtypur me dhunë.
Ishim rritur të dy bashkë,
Që të vegjël, që fëmi,
U rritëm, u ndezëm flakë,
U lidhëm me dashuri.
Por kentaurët * e mallkuar,
Seç na shtypën dhe na ndanë
Zemrat na i sakatuan,
Lot nga sytë seç na ranë.
Larg ti shkove, nuk e di,
Larg u degdisa dhe unë,
Dhimbjen tonë s’e di njeri,
Këtë dhimbje që s’ka fund.
*Qënie mitologjike, gjysëm njerëz dhe gjysëm kuaj, simbol të dhunës dhe çfrenimit.
Shiu
Shiu bie pa pushim,
Po pikon nga zemra ime,
Syt e tu plot me trishtim,
Zemra copë dhe thërrime.
Shiu bie pa pushim,
Bie ditë edhe natë,.
Oh, kjo kohë pse s’ka mbarim,
Shiu pse është kaq i gjatë?
Syt e tu pikojnë lot,
Nuk e di janë lot a shi,
Zemra po kërkon më kot,
Që të gjej pak dashuri.
Dashuri e perënduar,
Dashuri në lot e shi,
Por kjo zemra copëtuar,
Copëtuar në rini.
Shiu bie pa pushuar,
Lotët janë të dashurisë,
Por kjo zemra dëshpëruar,
Kujton kohën e rinisë.
Ndaj dhe sot kur bie shi,
Ndiej një brengë, ndiej një dhimbje,
Për të artën dashuri,
Që iu shua zemrës time.
Ç’ke moj vashë që mendohe
Ç’ke moj vashë që mendohe, rri e heshtur dëshpëruar
Mos për mua po trishtohe, zemra t’është copëtuar?
Jo, mor djalë nuk je ti, që zemrën ma ke rrëmbyer,
Është jeta ime zezë, mendjen ma ka turbulluar.
Dashurova me dëshirë, me dëshirë dhe pasion,
Djalin që më donte zemra, që kjo zemër adhuron,
Porse djali më braktisi, e braktisi zemrën time,
Fluturoi larg në botë, larg në botën me premtime.
Dhjetë vjet ka i larguar, dhjetë vjet kam pa e parë,
Nuk e di në është në botë, nuk e di a është i gjallë,
Nuk e di a është bërë lypës, apo është bërë zotni,
Askërkush s’më thotë një fjalë, askërkush gjë nuk di.
Hidhi poshtë vajzë e mirë, hidhi poshtë këto mendime,
Fshihi nga kujtesa jote, mos jeto me ëndërrime,
Bota para është e madhe, është e madhe plot me besë,
Pra shijohe jetën tënde, jeto plot me gaz dhe shpresë.
Kujtoj
Kujtoj kohën e kaluar,
Kur ne duheshim të dy,
Kur çdo gjë ishte ndaluar,
Zemra jote ish aty.
Zemra jote ish aty,
Kurse mendja fluturuar,
Lotët rridhnin nëpër sy,
Ëndrrat na ishin tradhtuar.
Ata syt e tu të zjarrtë,
Xixëllonin plot shkëlqim,
O moj kohë, kohë e artë,
Mbetur thellë në harrim.
Po kjo zemra ime ngratë,
Ç‘ka që qan edhe loton?
Dita pse është kaq e gjatë,
Edhe nata pse vajton?
Vajton për rininë e gjorë,
Veshur petkun pleqërisë,
Ngado rrethuar me lot,
Moshë e artë e dashurisë.
Ndaj këto rri e kujtoj,
Tani në moshë të thyer,
Jetën time e mendoj,
Plot me brenga të mbërthyer.
Unë jam
Unë jam në mendjen tënde
Dhe aty do jem gjithmonë,
Mendja jote plot me endje,
mendjen time po kërkon.
Mendjen time po kërkon,
Ëndërron për dashuri,
Ndaj po qan edhe loton,
Dashuria s’ka kufi.
Unë jam në zemrën tënde,
Dhe aty do jem gjithmonë,
Zemra jote plot me dhimbje,
Zemrën time po kërkon.
Zemrën time po kërkon,
Të mësoj se sa të dua,
Psherëtin edhe rënkon,
Psherëtin e qan për mua.
Unë jam në shpirtin tënd,
Dhe aty do jem gjithmonë,
Shpirti yt oh, në çdo kënd,
Shpirtin tim po e kërkon.
Shpirtin tim po e kërkon,
Të jetojmë të bashkuar,
Ëndërron dhe ëndërron,
Lumturinë e premtuar.
Pse
Pse më shfaqesh ti në gjumë,
Ëndrrat përse m’i trazon?
Lermë, po të lutem unë,
Pse nga gjumi po më zgjon?
Nuk jam unë që të zgjuaj,
As dhe ëndrrat t’i trazoj,
Kot së koti ti mos gjuaj,
Atë kohë që fluturoj.
Lerja të largtës rini,
Atë kohë plot kujtime,
Kohë tjetër është tani,
Mos jeto me ëndërrime.
U zgjova nga gjumi unë,
Ndjeva veten më të qetë,
Dua të jetoj më shumë,
Dua të jetoj vërtetë.
Emri yt
Emrin tënd më s’e kujtoj, emrin tënd të pagëzimit,
E kam flakur tej ndër yje, larg në botën e harrimit,
Larg në botën e harrimit, jashtë zemrës lozonjare,
Zemra ime ziliqare, dita-ditës digjet fare.
Dita-ditës digjet fare, dashurinë e munguar,
Po kërkon që ta kujtojë, shpirtërisht i dëshpëruar,
Kujtoj kohën e kaluar, kur o engjëll ty të desha,
Kur të desha ty aq shumë, por me prangat unë ndesha
Ato pranga aq të rënda, zemrën time robëruan,
Më rropatën, më degdisën, shpirtin seç ma copëtuan,.
Atëherë unë kuptova, dashurinë ëndërrimtare,
Duhej ta mbaja përbrenda, duhej ta harroja fare.
Duhej ta harroja fare, së bashku me lumturinë,
Bashkë me ëndrrat e mia, të harroja dhe rininë,
Po mendoja e mendoja, mendja nuk më zinte vend,
Një shkëndijë vetëtiu, të ndërrojë dhe emrin tënd.
Por si të të thërras vallë, kur t’më shfaqesh në vegime,
Kur gjithë natën të rri zgjuar, kur të jem në ëndërrime,
Kur bukuria e rrallë, zemrën time do ta theri?
Atëherë do të thërras: Të dua, të dua “Neri “!
Të dua, të dua “ Neri “! Zemra ime po buçet,
Por ti nuk po e dëgjon, në errësirë humbet,
Mizoria ne na ndau, në humnerë na përplasi,
E braktisëm dashurinë, të dy zemrat na i plasi.