Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Cila është dita e çlirimit?
E shtune, 01.12.2012, 12:40 PM
Cila është dita e çlirimit?
Nga Reshat Kripa
Në këto
ditë festive të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dëgjojmë edhe
disa zëra korbash të zinj që, për ta errësuar këtë ditë të shënuar të kombit
shqiptar, nxjerrin në plan të parë një datë tjetër, një datë të turpshme për
t’u përmendur, atë të 29 nëntorit, njëlloj si në vitet e errëta të sundimit të
diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën e disa
individëve të indoktrinuar nga propaganda jashtë kohe e atyre që i shërbyen me
servilizëm diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të denjoja të bëja
një shkrim apo t’u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim janë ata
individë apo, më mirë, personalitete të politikës dhe jetës shoqërore në vendin
tonë që ende i bëjnë elozhe kësaj date. Por të mos zgjatemi me llafe dhe le të
shtrohemi në rrugën e argumentave.
Çfarë është 29 nëntori? Për idhujt e kësaj date është çlirimi i Shqipërisë. Por a është e vërtetë kjo? Personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ i kombit tënd. A ndodhi kjo pas këaj date? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste më kujtohet një kënga popullore që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së bashku me disa luftëtar të tjerë të lirisë dhe demokracisë:
Shqipëri e vogël, plot një milion,
Buzë Adriatikut edhe detit Jon,
Seç hoqi e ç’vuan mjaft nga të
huajt,
Por dhe vetja jonë!
Po, ne
nuk vuanim nga të huajt se ata, me të vërtetë, ishin shporur nga vendi ynë por
në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte disa herë atij të pushtuesit. E pra ishin
këta shqiptarë të atij shteti që na rrëmbyen mua dhe qindra fëmijë të
tjerë, të moshës 14-16, vjeç për të na
përplasur në qelitë e errëta të ish sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e
tmerrshme të punës së detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të
jetuarit. Ju mund të thoni se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju e keni
harruar atë kohë, apo bëni sikur e keni harruar, kur thërrisnit “kriminelët në litar” për ne, vetëm e
vetëm pse luftonim “Për Liri, Për
Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”
Para se
të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën
komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një “supermen” dhe çdo ballist apo
zogist si Sali Protopapa i filmit tuaj “I teti në bronx”, apo ballistët e
filmit tjetër “Kur zbardhte një ditë”. Por, fatmirësisht, hyra në burg. Them
fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij kombi.
Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t’i vijnë më këtij
vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në zë të
botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku,
Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh e Kudret
Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të tjerë. Këta
burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita e zisë për
kombin shqiptar.
Po, ajo
nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Është e tillë pasi
personifikon mbi 6.000 martirët e rënë në luftën për demokraci. Simbolizon mbi
17.000 të dënuarit politik nga regjimi i urryer. Simbolizon mbi 22.000 familjet
e internuara nëpër kampet e tmerrshme, ku një pjesë e tyre gjetën edhe
vdekjen. Nje datë e tillë
nuk mund të
jetë data e çlirimit të
Shqipërisë. Ajo është data e një robërimi
të ri të saj
dhe, për fat të keq, kësaj radhe, nga vetë shqiptarët.
Çfarë
solli ky “çlirim”? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar. Ekzekutime
burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja ishte shpëtimi
prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të regjimit, gjë që bëri
që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër që, po të kishin
mundësi, t’i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli “çlirimi” i 29
nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë të nderuar
lexues.
Para disa
ditësh dëgjuam një lider të një partie që thoshte se duheshin vlerësuar meritat
e diktatorit Hoxha. Dua ta pyes zotninë:
- A ka
ndonjë meritë diktatori Hoxha?
Nuk e di
se për çfarë merite flet zotnia në fjalë, por unë diktatorit i njoh vetëm
vrasjet prapa shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend këtu
Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa
Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të
vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do
të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim
Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil
Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te
Kadri Hazbiun dhe të tjerë me të cilët kishte qenë “shok armësh”.
Kjo është
vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë nga e
gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në
pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto
janë merita që duhet t’i vishen diktatorit? Një gazetë e këtyre ditëve
shkruante se një gjë e tillë ishte thënë për të fituar votat e spektrit të
majtë. Unë do ta quaja një gjë të tillë flirtim me djallin. Në rast se një
veprim do të gjykohej me “moralin e lartë” të një lideri, atëherë edhe unë do
ta pranoja një “lajthitje” timen një veprim të tillë.
Përse
ndodhën fenomene të tilla pikërisht në këto ditë historike të kombit tonë?
Mendoj se shkaku kryesor ëshër shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të
popullit shqiptar në këtë përvjetor të madhërishëm, ndjenjë që kishte munguar
për vite të tëra. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës
komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve
të tyre të përmbysura nga mbarë populli shqiptar. Këtë e vërtetoi qysh
njëzetetre vjet më parë përmbysja e përmendores së diktatorit dhe nuk mund ta
ngjallë më askush sado të mundohet. Kjo është edhe një kërkesë e Organizatës së
Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet
e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se
duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.
Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një datë të shënuar të historisë së tij. Kjo datë është 28 nëntori 1912. Ajo është data e pavarësisë, është data e çlirimit kombëtar, është data që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm.