Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Edhe një herë mbi dënimin e krimeve të komunizmit
E merkure, 22.08.2012, 05:00 PM
Edhe një herë mbi dënimin e krimeve të komunizmit
Nga Reshat Kripa*
Dëgjova intervistën e Këshilltares për Çështjet Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, zonjës Shirley Cloyes Dioguardy, dhënë televizionit “Zëri i Amerikës” para disa ditësh dhe më tërhoqi vëmendjen njera nga përgjigjet e saj:
Një nga arsyet pse nuk kemi shtet të fortë ligjor dhe që drejtësia mbetet një institucion i brishtë është se nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën. Procesi nuk duhet të drejtohet nga qeveria apo një parti e vetme politike, ka plot institucione që ofrojnë përvojë. E gjithë kjo varet nga vullneti politik dhe nga dëshira për të bërë më shumë, duke u larguar nga praktika e margjinalizimit të atyre që vuajtën, ose e ngritjes së duarve duke thënë se s’mund të bëhet asgjë, apo me justifikimin se nuk ka shpresë dhe se procesi do të manipulohet për përfitime personale. Nuk e shoh të mundur që Shqipëria të ecë përpara, pa u përplasur me të kaluarën. ndërkombëtare.
Një
kambanë alarmi për politikën shqiptare. Një sirenë kushtrimi për popullin
shqiptar. Ai sot është zgjuar. E kupton fare mirë kush është e mira dhe kush e
keqja. Di të ndajë të bardhën nga e zeza. Këtë e ka treguar në zgjedhjet
parlamentare të viteve të fundit. Vini veshin! Pjesmarrja ka qenë tepër e ulët.
Më e shumta e popullsisë nuk ka pranuar të shkojë në votime. Përse? Sepse nuk e
gjente veten në asnjë krah të politikës shqiptare dhe kjo është e dhimbëshme.
Do të kisha dashur që në Kushtetutën e Shqipërisë të kishte një nen ku të
parashikohej që zgjedhjet të ishin të
pavlefshme në rast se pjemarrja do të ishte nën 50% e votuesve, ashtu siç
parashikohet për referendumet.
Përse
ndodh një gjë e tillë? Shkaku kryesor dhe, do të thosha i vetmi, është se në
Shqipëri, megjithëse kanë kaluar njëzetedy vjet nga rivendosja e demokracisë,
ende nuk janë dënuar krimet e kryera nga regjimi komunist. Ende në
administratën shtetërore, në Kuvendin e Shqipërisë, në prokurorit dhe gjykatat,
në partitë politike e shoqatat, në mediat e shkruara e ato vizive si dhe në të
gjitha sferat e shoqërisë shqiptare gjenden elementë të përlyer me asistemin
komunist. Është pikërisht ky element i përlyer që helmon gjithë hapsirën
shqiptare.
Kambanat
e alarmit po bien me të gjithë forcën e tyre. Paralajmërimet e opinionit
ndërkombëtar dëgjohen gjithmonë e më tepër. Ne po aspirojmë për të hyrë në
Europë. Por, a do të na pranojë Europa pa dënuar krimet e komunizmit? Unë
mendoj se jo. Eksperienca e vendeve të tjera të lindjes e vërteton këtë. A nuk
i kërkoi Bashkimi Europian Bullgarisë, si kusht për pranimin, hapjen e dosjeve
të komunizmit? Hidhni vështrimin në ato vende. Kudo bie në sy lufta për
zhdukjen e pasojave të komunizmit, që tek rishikimi i historisë, ngritja e
muzeumeve të krimeve të komunizmit, ngritja e memorialeve të viktimave dhe plot
vendime të tjera për zhdukjen e këtyre pasojave të hidhura. Por mos harroni!
Shqipëria mban vendin e parë në Europë për krimet e kryera nga regjimi komunist.
Vendet e tjera janë shumë larg. Po përsëris edhe një herë njoftimin që bëri
përfaqësuesi sllovak në Kuvendin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe
Viktimave të Komunizmit, zoti Piter Bielek, mbajtur në Tiranë në muajin prill
2009, ekzekutimi i fundit në Sllovaki ishte bërë qysh në vitin 1956.
Krahasojeni këtë me ekzekutimin e fundit në Shqipëri, atë të poetit Havzi
Nela varur më
10 gusht 1998,
për të mos
përmendur
vrasjet pa
gjyq në kufi
në vitet 1990-1991 dhe do të bindeni
mbi madhësinë e
ushtrimit të
diktaturës
në vendin tonë.
Por le
të shikojmë rastet
e tjera të
kambaneve të alarmit
dërguar Shqipërisë nga
institucionet ndërkombëtare. Më datën 20 mars 2010 lexova në median elektronike “Tribuna Shqiptare” lajmin e mëposhtëm, të shkruar nga drejtuesi i kësaj medie, zoti Ajet Nuro:
Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj komunizmin, punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar. Dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.
Mendova
se më në fund kishte ardhur koha që edhe vendi ynë, sikurse edhe vendet e tjera
ish socialiste të Europës Lindore, të dënonte krimet e regjimit komunist.
Megjithëse i vonuar ky lajm më ngjalli shpresat për ndriçimin e së vërtetës mbi
atë periudhë të errët të historisë së vendit tonë. Këtë shpresë ma shtoi më
tepër Ligji Nr. 10242 datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet
dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bazë
të Vendimit Nr. 43 datë 14..01.2009 të Këshillit të Ministrave. Megjithëse u
desh më shumë se një vit që të miratohej ky vendim, përsëri u gëzova se më në
fund mori udhë çështja. Shpresova
gjithashtu që ky ligj të mos mbetej në letër, ashtu si paraardhësit e tij.
Kisha parasysh Rezolutat Nr.1096 (1996) ”Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e
sistemeve totalitare komuniste” dhe atë me Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për
dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë
Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilat pothuajse kaluan në heshtje si
nga organet qeveritare ashtu edhe nga mediat e shumta që ishin në vendin tonë.
Fitorja
e së djathtës në zgjedhjet e 2005-ës m’i ngjalli shpresat se një gjë e tillë do
të merrte rrugë. Me të vërtetë nuk kaloi më shumë se një vit dhe Kuvendi i
Shqipërisë miratoi, në tetor 2006, një rezolutë, në mbështetje të atyre të
mësipërme të Këshillit të Europës, Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera
nga Regjimi Komunist në Shqipëri” në miratimin e së cilës deputetët socialistë,
sipas urdhërit të liderit të tyre Edi Rama,
nuk denjuan ta votojnë duke treguar haptazi se janë kundërshtarët kryesorë
të zbardhjes së krimeve të komunizmit. Kanë kaluar gjashtë vjet nga miratimi i
saj dhe deri më sot nuk shohim të realizuar pothuajse asnjë pikë të kësaj rezolute. Përse...?
Por le të kthehemi tek rezoluta për hetimin e krimeve të komunizmit. Së bashku me të u miratua edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave, ai me Nr. 42 datë 14.01.2009 “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, në nenin 5 të së cilit thuhet:
Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktin e nevojshëm nënligjor, për ngritjen e “Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”.
Ndërsa në realcionin shoqërues të këtij projektligji, në njërin nga paragrafet e tij, thuhet:
Projektligji
përcakton ngritjen e një obelisku, përmes të cilit do
të përkujtohen viktimat
dhe krimet e komunizmit. Ky obelisk do të jetë “dëshmitar” i përhershëm i krimeve të komunizmit dhe, si i tillë, do të ndihmojë brezat, e tanishëm dhe të ardhshëm, të kujtojnë dramën që komunizmi i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për të realizuar këtë mision kaq të rëndësishëm, obelisku duhet të vendoset në njerin nga sheshet kryesore të Tiranës, si një zgjidhje arkitekturore e një niveli të lartë internacional. Në bazë të këtij ligji, Këshilli i Ministrave ka hapësirën e mjaftueshme ligjore, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ngritjen e obeliskut.
Kanë
kaluar dy vjet e gjysmë nga miratimi i këtyre ligjeve dhe për ligjin e ngritjes
së obeliskut as që bëhet fjalë për vënien në jetë të tij. Kudo sundon heshtja.
Përse...? Mos vallë mungojnë fondet?
Më falni se ndoshta u zgjata pak në këtë pikë, por dua të kthehem edhe njëherë në ligjin mbi krijimin e Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. Shkruajta më sipër se shpresoja që ky ligj të mos mbetej në letër. Por, për fat të keq, kjo ndodhi. U desh më shumë se një vit e gjysmë nga miratimi i tij që, më në fund, ky institut të ngrihej dhe të fillonte funksionimin. Në nenin 5 të këti ligji thuhet:
Pika
“e” – Grumbullon të dhëna, dokumenta dhe dëshmi për ndriçimin e veprimtarisë së
organeve dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit, të formave të persekutimit
dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të të gjitha veprimtarive, që
kanë çuar në dhunimin e të drejtave e të
lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist.
Pika “ë”- Evidenton personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit.
Nuk e
di nëse organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, organizatat,
tërësisht ose pjesërisht buxhetore, organizatat që financohen nga qeverisja
vendore, arkivat dhe të gjitha strukturat e tjera, që disponojnë dokumenta e
materiale arkivore, që i përkasin periudhës së komunizmit, janë të gatëshme t’i
ofrojnë këtij instituti pa pagesë, siç e parashikon neni 6 i tij, kopje të
këtyre dokumentave arkivore. Unë dyshoj
se jo të gjitha, në kushte e sotshme, e kryejnë një detyrim të tillë. Atëherë
çfarë duhet bërë? Detyrimisht Shqipëria ka nevojë për një ligj të ri
lustracioni, një ligj të studjuar mirë nga institucionet përgjegjëse dhe të
diskutuar me shoqërinë civile të interesuar për të, ku në rradhë të parë mendoj
se duhet të jenë shoqatat e të përndjekurve politikë. Një ndihmë e mirë, në
këtë drejtim, do të jetë edhe konsultimi me Komisionin e Venecias.
Le të
shohim edhe një kambanë tjetër alarmi. Në dhjetor 2010, lexova në median tjetër
elektronike “Zemra Shqiptare”, shkrimin e zonjë Sadie Kryeziu mbi një letër
zyrtare, të nisur më 14 dhjetor 2010, nga ana Ministrave të Jashtëm të
Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e
Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares
Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, Zonja Kryeziu
njoftonte se Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë
përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante
propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të
komunizmit.
Do të
kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo
i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo
nuk ishte. Megjithatë mendojmë se nuk është vonë që edhe tani përfaqësuesit e
kësaj ministrie t’i bashkangjiten zyrtarisht kësaj nisme. Një gjë e tillë do të
ishte në nderin dhe dinjitetin e çdo personaliteti shtetëror
shqiptar. Të mos harrojmë se kjo është edhe një nga kërkesat kryesore që
BE-ja dhe Kombet e Bashkuara i kanë paraqitur Shqipërisë.
Çfarë
duhet bërë atëherë? Asgjë më shumë se të zbatohet plotësisht Rezoluta e
Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e
Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Çfarë parashikon ajo
rezolutë?
1.
Dënimin dhe heqjen zyrtare të të gjitha titujve dhe dekoratave kryediktatorit
Endver Hoxha.
2.
Rishikimin e të gjitha datave simbol të komunizmit dhe heqjen e tyre nga
protokollet shtetërore.
3.
Bërjen publikë të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste.
4.
Hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit për të gjuthë qytetarët e
Republikës së Shqipërisë.
5.
Hartimi i një strategjie kombëtare për eliminimin e të gjitha pasojave të
totalitarizmit enverian dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore që dalin
nga Statusi i të Përndjekurve Politikë për integrimin, arsimimin, punësimin,
strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre.
6.
Ngritjen e një komisioni shtetëror dhe akordimin e një fondi për gjetjen dhe
rivarrosjen e të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike dhe ndërtimin e
një varreze të veçantë për ta.
7.
Rishikimin urgjent të historisë së Shqipërisë dhe të teksteve të shkollave
shqiptare.
8.
Hapjen e muzeumeve, kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve më të tmerrshëm, si
dhe ngritjen e memorialeve në përkujtim të të rënëve për lirinë dhe demokracinë
e vendit.
9.
Organizimin e një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësueve të
parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë
dhe shoqatave të tjera homologe, akademikëve dhe historianëve për të analizuar
krimet e kryera nga regjimet komuniste.
Deri
më sot asnjë nga këto pika nuk është realizuar. Pa zbatimin e tyre nuk mund të
ketë Shqipëri Demokratike, nuk mund të ketë hyrje në Bashkimin Europian.
Jemi në njqindvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Mendoj se në këtë përvjetor të madh Shqipëria duhet të hyjë ashtu siç i takon, ashtu siç e kanë ëndërruar paraardhësit tanë. Përveç kasaj jemi në një vit zgjedhor. Ky duhet të jetë një vit reflektimi për forcat e djathta, pasi për të majtat as që bëj fjalë pasi jam i bindur për qëllimet e tyre të errëta. Ftoj forcat e vërteta demokratike të bashkohen me mendimet e shprehura në këtë shkrim. Po të ndodhë kjo, jam i bindur në fitoren në zgjedhjet e ardhëshme. Në të kundërt mjerë Shqipëria pasi, siç shkruante dikur poeti, në vitet 90-të:
Fitmtarët,
fitimtarë,
Të
mundurit, të mundur në përjetësi,
Atëherë,
po të jetë kështu,
Mos ardhsh kurrë demokraci!
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës