E marte, 15.10.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Bedri Çoku - “Përtej dhimbjes”

E shtune, 15.06.2013, 01:00 PM


Bedri Çoku dhe libri i tij “Përtej dhimbjes”

Nga Reshat Kripa

Këto ditë doli në qarkullim një vepër tjetër e mikut tonë Bedri Çoku, romani “Përtej dhimbjes”. Ç’ka dashur të thotë autori me këtë titull? Heroi i romanit, që praktikisht është vetë autori, pasi ka vuajtur pothuajse një çerek shekulli burg, papritur e sheh veten të lirë. Tani kohët kanë ndryshuar. Sistemi i tmerrshëm që e dënoi përjetësisht është shembur dhe populli gëzon ditët e para të lirisë. Por autori mediton. Mediton  rrugën nëpër të cilën ka kaluar, një rrugë të tmerrshme e mbuluar me ferra dhe gërxhe. Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë kur çdo gjë ishte e ndaluar, kur nuk mund të shprehte atë që i buronte nga zemra e tij, nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Ai nuk i përkiste atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, duke u shndërruar në lakej të tij. Ai i përkiste atyre që i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet, atyre që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur, atyre që luftonin kundër nënshtrimit apo lirisë së dhunuar, atyre që nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Kështu  ai nuk shkroi, me gjithë dëshirën e madhe që kishte. Ndonjëherë, atje në qelitë e errëta të burgut, i lindte dëshira për të shkruar. Dora i hidhte ato në letër. I lexonte dhe i rilexonte, ndonjëherë ia tregonte edhe ndonjë miku të ngushtë. Por vetëm kaq. Ato mbetën “Kangë të pakëndueme”, të cilat prisnin një ditë “me shpërthy dhe me u këndu pa frik e pa zori”.

Merita e tyre ishte se  këto vepra, mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare të tyre, qoftë dhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit se, një ditë,  ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Kështu ai heshti për një periudhë te gjatë dhe vetëm kur u krijuan kushtet për një krijimtari të lirë, pas përmbysjes së madhe, u ul dhe shkruajti ashtu siç ia diktonte zemra e tij dhe ja ku kemi një libër tjetër të këtij autori tashmë të njohur.

Lexoj rreshtat e këtij libri dhe në sy më ringjallen ato skena të dhimbshme nëpër të cilat kishte kaluar autori. Më del parasysh familja e tij dhe në mënyrë të veçantë nëna e tij heroinë që përballoi me dinjitet katër të burgosur, bashkëshortin  dhe tre djemt e saj, që përballoi 65 vjet burg të kryera prej tyre. Më del fëminia e autorit dhe shokët e tij të klasës, një pjesë e të cilëve e ruajtën miqësinë me të edhe pse ai ndodhej në kondita krejt të kundërta me ta. Më del dashuria e rinisë së tij që, si shumë të tjera të asaj periudhe, ishte një “mollë e ndalueme” dhe që u zëvendësua me një tjetër dashuri që do të krijonte një familje të shëndoshë. Më del optimizmi dhe përkushtimi i tij për ndërtimin e një Shqipërie të re, demokratike.

Duke lexuar librin, nëpërmjet  përshkrimeve    holla    penës    tij,  ndjen  një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë të mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. E ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh i rrethuar nga burokratë të pështirë apo individë servilë, të shndërruar në kameleonë të neveritshëm, jeta e të cilëve ishte kufizuar vetëm në brohoritjet për liderin monstër. Këta tipa, këta “Njerëz të rinj” të sistemit socialist, nuk ishin tjetër veçse hiena që kërkonin të ushqeheshin deri edhe me kufomat e njerëzve të ndershëm.

Veprën e përshkron fund e krye një gjuhë dhe stil i sigurtë. Kjo tregon se autori, na del i plotë, i sigurtë në veten e tij. Përshkrimet e skenave të ndryshme janë një dëshmi e pjekurisë së tij artistike sa që të duket sikur ai ka vite që shkruan.

Duke lexuar veprën nuk ka se si të mos reagosh. Sot ende ne shohim pinjollët e atyre që kanë kryer krimet më të rënda të ngrenë veshët dhe të mburren me bëmat e zeza të prindërve të tyre. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Drita e së vërtetës më në fund do të sundojë mbi errësirën dhe, pavarësisht nëse do ta shijojë apo jo brezi i ynë, fëmijët tanë do të dijnë ta drejtojnë këtë vend në rrugën e duhur.

Mbajtur në takimin e zhvilluar për promovimin e librit “Përtej Dhimbjes” më 14 qershor 2013.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora