Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Nje ceremoni dinjitoze
E shtune, 09.03.2013, 06:54 PM
Nje ceremoni dinjitoze?
Nga Reshat Kripa
Miku im,
Shyqyri Toska, më njoftoi se bashkia Roskovec kishte shpallur “Qytetar Nderi”
një figurë të shquar të kombit tonë, që karrierën e tij patriotike e kish
filluar qysh në vitin 1909 kur së bashku me Bajo Topullin kishte ngritur çetën
e parë nacionaliste në krahinën e Mallakastrës, që luftonte për pavarësinë e
vendit nga pushtimi otoman. Kjo figurë ishte i paharruari Hysni Toska. Hysniu
ishte kushëriri i parë i babait të Shyqyriut. Miku im për vlerësimin e figurës
së Hysni Toskës kishte kërkuar ndihmën e drejtorit të Muzeut Historik te
Fierit, historianit Nuri Plaku, i cili kishte marrë persipër zbulimin, me
kënaqësi të arkivave të ndryshme. Pas një pune të kujdesshme, historiani kishte
përgatitur për botim një libër mbi jetën dhe veprën e Hysni Toskës, të cilën do
ta botonte së shpejti. Por ai nuk ishte mjaftuar me kaq. Në emër të Muzeut
Historik i kishte propozuar bashkisë Roskovec shpalljen “Qytetar Nderi” të
këtij heroi. Bashkia e kishte miratuar propozimin e historianit.
Kështu u
nisëm së bashku me Shyqyriun dhe Faik Toshkëzin, një nip tjetër i Hysniut. Në
Fier u takuam edhe me historianin. U ulëm dhe pimë një kafe. Natyrisht nuk
mungonin edhe bisedat për ngjarjen në fjalë. Nuriu na njoftoi se, së bashku me
Hysniun, bashkia Roskovec kishte shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi’ edhe katër
figura të tjera të shquara të së kaluarës dhe të së tashmes, ish deputetin e
Partisë Demokratike, Fadil Çepele, Ish mësuesin dhe kryetarin e degës së
Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Fierit, Selami
Morina, të internuarin në Roskovec nga regjimi komunist, studiuesin nga
Shkodra, Gjovalin Luka dhe luftëtarin e çetës së Hysni Toskës, Ibrahim Bufi. Të
drejtën u befasova. Pothuajse të gjitha figurat i përkisnin asaj shtrese që për
vite me rradhë, në kohën e diktaturës madje, në një farë mase, edhe pas saj, as
që ishin përmendur ndonjë herë. Në të kundërt Hysniu cilësohej si kushëri i të
ashtuquajturit Isa Toska, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë, pasi ai e kishte
marrë atë mbiemër qëllimisht për t’u paraqitur si pjesëtar i këtij fisi të
shquar. Për të vërtetuar këtë Nuriu na tregoi një dokument të vitit 1943 ku
Hysni Toska u drejtohej autoriteteve italiane për të larguar nga detyra me të
cilën kishin ngarkuar Isanë.
Së fundi
mbërritëm në Roskovec. Atje takuam edhe kushëririn tjetër të Shyqyriut,
Fatbardhin që kishte ardhur nga Berati ku banonte. Prisja të takohesha edhe me
nipër të tjerë të tij, por ata, për fat të keq, nuk kishin ardhur në këtë
ceremoni dinjitoze të gjyshit të tyre. Nuk e di cili ishte shkaku por,
sidoqoftë nuk më erdhi mirë. Një kafe tjetër me miq, midis tyre me nipin e
Ibrahimit, biznesmenin Arben Bufi dhe vëllanë e Fadilit, pensionistin Rapush
Çepele. Bisedat nuk kishin fund. Së fundi erdhi edhe ora e caktuar për
ceremoninë. Të gjithë u mblodhën në sallën e qendrës së kulturës së qytetit.
Ceremoninë
e çeli Kryetari i Komunës Roskovec, demokrati Gëzim Çaushi. Ai foli mbi motivet
që e kishin shtyrë Këshillin e Bashkisë të miratonte këto vendime. Mbi të
gjitha theksoi rivlerësimin e atyre figurave që deri më sot u ishte mohuar kjo
e drejtë. Ai fliste dhe mua më vinin rrotull në mendje disa pyetje. Pyetja se a
nuk do të ishte e natyrshme që këtë shembull ta ndiqnin gjithë bashkitë dhe
komunat e vendit? A nuk ka ardhur koha që të shkëputemi nga mentaliteti
komunist dhe të vlerësojmë gjithë figurat e shquara të këtij kombi? Për fat të
keq, janë fare pak ato bashki dhe komuna
që e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe kjo më shkakton shumë dhimbje. Më duket si
një meskinitet i pakuptimtë i drejtuesve të tyre.
Pas tij e
mori fjalën Kryetari i Këshillit të Bashkisë, edhe ky demokrat, Proletar Rama,
i cili, pas një fjale të shkurtër, filloi të lexonte vendimet. I pari, sipas
rendit alfabetik, ishte Fadil Çepele, inxhinier ndërtimi, pjestar i një familje
të madhe nacionaliste që kishte dhënë shumë për atdheun, një luftëtar i
vendosur qysh në ditët e para të përmbysjes së sistemit totalitar, deputet i
Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1992-1996 dhe 1996-1997. Fati e kishte sjellë
që unë të njihesha dhe të vuaja tmerret së bashku me dy anëtarët e tjerë të këtij fisi, nëpër
shkrepat dhe gërxhet ku na hodhi diktatura, me dy miqtë e mi të vuajtjeve,
Refik dhe Tefik Çepelen.
I dyti
ishte Gjovalin Luka, studiues i njohur, sidomos i poetit Migjeni, për të cilin
kishte botuar edhe një libër me përmbledhje të poezive të tij. Gjovalini ishte
nga ata tipa që nuk mund të pranonte të bëhej vegël e një regjimi totalitar.
Këtë e pagoi me internimin, për vite të tëra, në Roskovec ku dha shembullin e
një qytetari të ndershëm. Ishte ky motivi pse Këshilli i Bashkisë i dha
titullin e lartë. Këtë titull e mori në dorëzim i biri i tij, tashmë i plakur
edhe ai.
Radha i
erdhi atij që, po të bëhej një klasifikim midis të pestëve, do të zinte, pa
dyshim, vendin e parë për nga meritat e pamohueshme, Hysni Toskës. Kryetari i
Këshillit të Bashkisë lexonte motivacionin dhe mua më dilte para syve figura e
këtij heroi. Më dilnin ditët e shpalljes së pavarësisë ku ai ishte një nga
pjesëtarët e saj. Më dilnin ditët e Luftës Patriotike të Vlorës më 1920, ku ai
ishte në krye të çetës së Mallakastrës, ardhur në ndihmë të vëllezërve vlonjatë
për të hedhur në det pushtuesin italian. Më dilte deputeti i periudhës së
mbretërisë dhe luftëtari që e priti përsëri me pushkë pushtuesin italian në
vitet 1939-1943. Por më tepër më dilte figura e këtij kollosi që dha jetën në
një përpjekje jo të barabartë më 25 shtator 1943 me forcat komuniste të
komanduara nga Gjin Marku, betejë në të cilën u
plagos e bija, Erveheja, dhe mundi të largohej biri i vetëm, Skënderi,
që u kap pas pesë ditësh dhe u pushkatua edhe ai më 30 shtator 1943. Titullin e
mori në dorëzim Shyqyriu që, me zërin që i dridhej nga emocioni, falënderoi
gjithë të pranishmit për nderin që u bëhej.
Ibrahim
Bufi ishte i katërti i nderuar me titullin e lartë. Dëgjoja motivacionin e
dhënies së titullit më dilte ky luftëtar i kohëve të vështira të këtij kombi.
Më dilnin betejat e çetës ku ai bënte pjesë, ajo e Hysni Toskës, kundër
pushtueve turq, por më dilnin dhe ato të zhvilluara kundër rebelëve të Haxhi
Qamilit që kërkonin të kthenin prapa rrotën e historisë. Titullin pati nderin
ta marrë Arbeni, nipi i luftëtarit të madh.
Së fundi
i erdhi rradha edhe mikut tim, Selamiut. Kishte qenë mësues në atë krahinë.
Edukonte brezin e ri që rrittej nën frymën e “nënës parti”. Por, siç dukej, ai
nuk i ngjante mercenarëve të regjimit, ndaj e pushuan nga puna si arsimtar, e
internuan po në këtë zonë në një kohë kur
banonte në Fier, ku jetoi deri në ditët e ndryshimeve të mëdha. U
aktivizua pa më të voglin dyshim në Partinë Demokratike duke dhënë kontributin
e tij të çmuar në fitoren e 22 marsit 1992. U aktivizua edhe me lëvizjen e
madhe të të përndjekurve politikë të Shqipërisë nëpërmjet shoqatës së tyre deri
sa arriti të zgjidhej kryetar i tyre.
Pastaj
ceremonia vazhdoi me një bisedë të lirë mbi problemet që shqetësonin më shumë
pjesëmarrësit. Ishin mendime të lira, pa mllefe
dhe ambicie. Nuk
ishin të gjithë
të së njejtës
bindje.
Disa ishin të djathtë. Të tjerë të majtë. Kishte edhe nga ata që nuk ishin trazuar
në asnjë
krah. Por
kjo nuk i pengonte të bisedonin lirisht.
Me këto
përshtypje u ndamë. U përqafuam me njeri-tjetrin sikur të ishim njohur prej
kohësh, Unë me Shyqyriun dhe Faikun morëm rrugën për në Tiranë. Në makinë unë
mendoja:
- Kur do
të bëhet e gjithë Shqipëria si kjo ceremonia e sotme, ku nuk kishte miq dhe
armiq, ku shqiptari nderonte shqiptarin,
ku shqiptari e bënte baltën njeri dhe jo njeriun baltë? A do të arrihet kjo?