Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Sindroma “komunizëm”
E marte, 05.03.2013, 11:05 PM
Sindroma “komunizëm”
Nga Reshat Kripa
Çdo
diktaturë kur përmbyset le pas vetes, për një farë kohe, sindromat e saj. Këto
vazhdojnë për aq kohë sa do të jetë e aftë shoqëria dhe, sidomos, klasa
politike t’i hedhë poshtë. Varet nga vullneti i saj. Një shtet që pretendon se,
pas përmbysjes së diktaturës, po ndërton një rend demokratik dhe ligjor duhet
që, brenda një kohe të shkurtër, t’i hedhë në koshin e plehrave sindromat e
asaj diktature. Kështu vepruan, pothuajse, të gjitha shtetet ish-komuniste të
Europës Lindore.
Çfarë
është sindroma “komunizëm”? Është hymnizimi i idhuillit, servilizmi,
hipokrizia, çveshja nga normat morale të jetesës, nënshtrimi ndaj së keqes,
humbja e personalitetit të imtelektualit, humbja e dinjitetit njerëzor, dhe
plot vese të tjera të mishëruara në atë që u quajt “Njeriu i ri socialist”.
Këto vese shfaqeshin në të gjitha shtresat e shoqërisë si tek politikanët,
intelektualët dhe deri te ata më të thjeshtit, punëtorët apo fshatarësia
kooperativiste. Le t’i ilustrojmë këto me shembuj konkretë.
Një
perëndi e re ishte krijuar në vendin tonë. Ishte numri një i shtetit, Sekretari
i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë. Ai ishte gjithçka. Parulla e tij ishte
ajo e Luigjit të XIV-të “Shteti jam unë”.
Ishte mjeku që shëronte plagët e vendit, profesori që u jepte leksionet
e tij gjithë inteligjencës së vendit, mjeshtri që u mësonte zejtarinë
zanatçinjve apo shkencat bujqësore dhe blegtorale fshatarësisë e të tjera, e të
tjera “mrekulli” që vetëm ai ishte në gjendje të bënte. Sipas shembullit të
tij, kjo gjë vazhdonte edhe në rangjet e tjera të shoqërisë shqiptare.
Vazhdonte në sekretarët e parë të rretheve, sekretarët e partisë dhe drejtorët
e institucioneve qëndrore dhe lokale, sekretarët e partisë dhe drejtorët e
ndërmarrjeve shtetërore apo kryetarët e kooperativave bujqësore dhe
shkallë-shkallë deri në një brigadjer
brigate në qytet apo fshat. E gjithë kjo elitë kishte nën vete një numër
të madh plebejsh që ishin te detyruar vetëm të brohorisnin për drejtuesit e
tyre dhe t’u thurrnin lavde pa mbarim.
Servilizmi,
kjo ishte karakteristika e të varturve ndaj vartësve. Një gjë të tillë e shihje
kudo, në të vetmin radio-televizion apo nëpër faqet e shtypit të kohës. E
shihje nëpër mbledhjet dhe konferencat e ndryshme. E shihje në çdo hap të jetës
së përditshme. Shumë prej tyre e dinin që qëndrimi i tyre nuk ishte i drejtë,
megjithatë vazhdonin sipas së njëjtës frymë. I tillë ishte regjimi. Megjithatë
ndihej edhe zëri i së vërtetës. Ky kuptohej nëpërmjet barcaletave të ndryshme
që qarkullonin gojë më gojë fshehtas. Më lejoni t’ju tregoj një rast të një
servilizmi të pamoralshëm:
Një
ish-funksionar i lartë i partisë, një ish-ministër i rënë nga fiku që ishte
degdisur në një qytet të vogël të rrethit të Vlorës. Atë vit zhvilloheshin zgjedhjet për pushtetin
lokal. Ish-funksionari u paraqit në qendrën e votimit. Në krye të sallës
fotografia e diktatorit. Me një hap solemn, iu afrua, mori drejtqëndrim dhe
duke nderuar me grusht thirri:
- Lavdi
shokut... dhe përmendi emrin e
diktatorit.
Nuk kaloi
shumë kohë dhe funksionari u arrestua dhe u ekzekutua disa muaj më vonë. Ky ishte
shpërblimi që diktatori i bëri
ish-funksionarit të tij. Në këto kushte unë pyes:
- Çfarë e
shtyu atë të brohoriste për diktatorin që e kishte degdisur në një vend të humbur
dhe po
përgatitej ta zhdukte fare nga faqja e dheut?
Asgjë
tjetër veçse ndjenja e servilizmit që kishte pushtuar ndërgjegjen e tij. Jam i
sigurtë se në konditat në të cilat ai ndodhej, një njeri normal kurrë nuk do ta
kishte bërë një veprim të tillë. Por ai nuk ishte njeri normal. Ishte, sikur
edhe gjithë klani i tij, një lake i bindur që vepronte sipas shkopit të
dirigjentit të tij diktator. Ai s’kishte ndërgjegje. Ishte “Njeriu i ri i
socializmit”.
Hipokrizia
dhe çveshja nga normat morale të jetesës. Njeriu ishte i detyruar të vinte një
maskë të cilën e ndërronte sipas rrethanave. Ishte e pamundur të zbuloje se si
e kishte fytyrën e vërtetë. Aktualisht njeriu nuk kishte fytyrë të tij. Ai
fliste me gjuhën e idhullit të tij, shikonte me sytë e tij, dëgjonte me veshët
e tij, nuhaste me hundën e tij. Për çdo nismë të dërguar nga idhulli ai do të
ishte kurdoherë i gatshëm. Le të sjellim si shembull vitin 1966. Turma të tëra
intelektualësh, si dhëntë që vihen përpara nga një
- Leni
zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!
A thua
t’iu kishte therur zemra për fshatin socialist që mbillte grurë dhe për vete
hante misër, madje edhe ky i racionuar. Shikoni ku kishte arritur hipokrizia e
njerëzve ndaj sistemit.
Nënshtrimi
ndaj së keqes. Nuk janë të paktë ata që iu nënshtruan së keqes së madhe. Disa
nënshkruan deklarata kapitulluese. Të tjerë denoncuan deri edhe shokët apo
familjarët e tyre. Puna arriti deri aty sa babai të spiunonte djalin ose e
kundërta dhe vëllai vëllain. Është e vërtetë që një pjesë e tyre u detyruan nga
format më të egra të torturave fizike ose psikologjike të ushtruara mbi ta, por
shumica një gjë të tillë e bënë vullnetarisht, thjesht për të përfituar
diçka. Sidoqoftë ata kanë në ndërgjegjen
e tyre peshën e rëndë të fajit.
Humbja e
personalitetit te intelektualit dhe e dinjitetit të tyre. Një karakteristikë që
përfshinte masën më të madhe të intelektualve. Këtë peshë ata e mbajnë ende në
ndërgjegjen e tyre, njësoj si dhe ata që u thyen nga dhuna,
Këto
ishin, pak a shumë, karakteristikat e
sindromës “komunizëm” që u shfaq në atë kohë.
Sot në
vendin tonë ekzistojnë, në mos e kam gabim, mbi gjashtëdhjetë parti politike.
Përveç rreth dhjetë prej tyre që kanë një elektorat të caktuar, të tjerat janë
fantazma. Madje ka parti që në zgjedhje nuk marrin as votat e familjarëve, por
drejtuesit e tyre nuk luajnë prej vendit për vite të tëra qysh prej datës së
themelimit. Janë bërë të pazëvendësueshëm. Madje nuk zhvillojnë as kuvende
kombëtare për të bërë zgjedhje. Janë të zgjedhur të përjetshëm. Shqipëria është
në botën e çudirave. Një historian i njohur i kohës së diktaturës është bërë
edhe kryetar partie. Nuk mund ta kuptoj se si mund ta quajë veten historian një
njeri i tillë. A mund të shkruajë ai një histori të vërtetë? Të gjitha këto si
pasojë e sindromës “komunizëm” që vazhdon ende.
Sot janë
një mori televizionesh dhe gazetash. Janë me dhjetra e dhjetra gazetarë,
analistë, opinionistë. Disa janë të djathtë dhe disa të majtë. Të pavarur e
quajnë veten shumica. Por të gjithë ligjërojnë sipas ritmit të daulles së
idhullit të tyre. Fare pak janë ato kanale televizive që mund të shihen me
kënaqësi. Të paktë janë ata gazetarë që mund të lexohen me ëndje. Të paktë janë
ata analistë dhe opinionistë që mund të dëgjohen pa u shqetësuar nga dokrat e
tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe disa politikanë. Të verbuar nga
karriera dhe ethet e ngritjes në detyrë, ata harrojnë pse janë zgjedhur,
harrojnë se populli ua ka dhënë votat se ka
patur besim te ta. Shembullin më
të keq e ka dhënë një
drejtues i një
partie që megjithse
humbi dy zgjedhje rresht nuk pranoi të jepte
dorëheqjen në një kohë kur kjo parashikohej në statutin e partisë së tij. Por më e keqja është se edhe ndjekësit e tij
nuk u kujtuan t’i kërkojnë një gjë të tillë dhe kjo do të ishte në nderin e
tyre dhe të partisë. Ata dijnë vetëm t’i thurrin lavde drejtuesit të tyre të
dështuar. A nuk është edhe kjo një shenjë e sindromës “komunizëm”?
Hipokrizia,
humbja e personalitetit dhe dinjitetit ishte një karakteristikë e sistemit
totalitar por, kur kjo shfaqet në një sistem demokratik, atëherë bëhet një gjë
shumë e pështirë. Një gjë e tillë i ndodhi pas përmbysjes së madhe një tjetër
funksionari të sistemit komunist të rënë nga fiku. Ishte pikërisht diktatori i
dytë i atij sistemi që e kishte denigruar deri në burgosje. Por, çuditërisht
pas ndryshimeve, ky fatkeq vazhdonte t’i lëpihej atij dhe të shoqërohej me të
gati për çdo ditë në parkun e kryeqytetit sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Përse? Është përsëri sindroma “komunizëm” që e shtynte drejt humbjes së
personalitetit të tij. Por ky fenomen nuk ndodh vetëm me këtë individ. Janë
plot të tjerë që vijnë nga ai sistem dhe ruajnë ende sindromën e
sipërpërmendur.
Le të
shohim tani disa shfaqje të tjera të ndikimit të sindromës “komunizëm” në jetën
e përditëshme në Shqipëri. Të gjithë i kemi parasysh ato ditë të stuhishme të
viteve 90-të, kur i gjithë populli u ngrit kundër diktaturës. Midis tyre edhe
ish-të përndjekurit politikë. Në shkurt u rrëzua monumenti i diktatorit,
simboli i sistemit komunist, por nuk rrëzua sindromi “komunist” që vazhdoi të
punonte, fshehtas si hajdut, për të përgatitur kasaphana të tjera si ajo e
97-ës. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Deri sa ujku mbetet ujk, ai do plumb
e jo pambuk”. Ne zgjodhëm pambukun se nuk donim më të derdhej gjak si dikur, se
mendonim që djajtë do të ktheheshin në engjëj, gjë që nuk u realizua dhe nuk
kishte si të realizohej pasi nuk i lejonte sindroma e mësipërme.
Kështu,
me marrjen e pushtetit, djajtë filluan gjuetinë e shtrigave dhe mbi të gjitha
kundër atyre që i kishin patur kundërshtarë të përjetshëm, ish të dënuarve të
vërtetë politikë. Mosnjohje e statusit të tyre të miratuar nga Kuvendi i
Shqipërisë, pushime nga puna dhe deri vrasje si ato të shtatorit 98-të. Filluan
të nderoheshin figurat e krimit komunist. Me emrat e një pjese prej tyre
filluan të emërtoheshin sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve. Një pjesë
tjetër u shpallën “Qytetarë Nderi” nëpër komuna dhe bashki. Disa të tretë madje
u dekoruan me tituj të lartë nga Presidenti i Republikës. Përmendim këtu
emërtimin e njerit nga sheshet e qytetit të Durrësit me emrin e kryekomunistit
Nako Spiru, shpalljen “Qytetar Nderi” të Mallakastrës të kryekriminelit Mehmet
Shehu dhe dekorimin nga Presidenti i
Republikës të gjykatësit që ende vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese,
vrasësit të poetit Havzi Nela,
Një
gjendje e tillë vazhdoi deri në vitin 2005 kur në krye të djajve doli një
udhëheqës i ri në moshë, por me mendësi shumë më anarshiste dhe karrieriste se
paraardhësi i tij. Ky klloun i politikës
e futi partinë, që u bë pronë private e tij, në një rrugë pa krye, pa vizion,
një rrugë që përveç se në anarshizëm nuk të çon asgjëkundi. Për më tepër ai, pa
patur asnjë argument, vazhdon të ngulë këmbë në mos miratimin e tre ligjeve të
vëna si kusht nga Bashkimi Europian për pranimin e Shqipërisë në gjirin e
bashkësisë europiane. Në këtë rrugë pati ndihmën edhe të një “presidenti të
djathtë” që, gati njëlloj me paraardhësin e tij, vazhdoi të njëjtën rrugë duke
mos firmosur ligje themelore si ai i lustracionit, duke emëruar në shkallët e
ndryshme të drejtësisë persona të përlyer me diktaturën, madje duke dekoruar
edhe disa prej tyre dhe, më e rëndësishmja, duke përkrahur, në mënyrë të
heshtur, nje revoltë antidemokratike dhe barbare si ajo e 21 janarit.
Këto janë disa nga pasojat e asaj që unë e kam quajtur sindroma “komunizëm”. Pa zhdukjen e saj shqipëria do të ketë gjithmonë ngjarje të jashtëzakonshme, të papranuara nga një vend demokratik. Kur do ta realizojë Shqipëria nje gjë të tillë? Nuk e di, por nuk besoj se kjo mund të realizohet në ditët e sotme. Per deri sa në vendin tonë ekzistojnë ende individë të inkriminuar me sindromën ”komunizëm”, një gjë e tillë është e pamundur. Duhet të kalojnë, ndoshta edhe më shumë se pesëdhjetë vjet, kur në vendin tonë të mos ekzistojë asnjë individ nga ky brez që Shqipëria të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga sindroma ‘konunizëm”.