Përjetësi » Kripa
Balla & Kripa: Një intelektual i shquar
E marte, 26.02.2013, 08:59 PM
Në kujtim të një intelektuali të shquar
Nga Rasim Balla, Reshat Kripa
Po
shkruajmë për një person që duhet shkruar, për një person që i mbylli sytë në
mërgimin e largët por që dëshira e tij ishte të prehej në atdheun mëmë. Këtë
dëshirë ia plotësoi e shoqja, zysh Meremja. Duke u gdhirë 11 janari 2012
shpirti i profesor Suatit erdhi në Golem dhe pas dy ditësh erdhi edhe arkivoli
me trupin e tij të pajetë. Varrimi u bë madhështor. Respekti u krye i plotë. Ju
dha lamtumira e fundit fisnikut, patriotit, atdhetarit, intelektualit e
demokratit Suat Babani që gjithë jetën ëndërroi për demokracinë e vërtetë.
Lindi në
vitin 1920 në fshatin Baban të Devollit në një familje atdhetare dhe
arsimdashëse. Qysh në fëmijëri i vdiqën të dy prindërit e tij, duke e lënë jetim.
Kujdesi që tregoi për të gjyshja dhe dy xhaxhallarët e tij, bënë që të mos e
ndjente shumë humbjen e prindërve. Ai mundi të mbaronte jo vetëm arsimin fillor
por të kryente me sukses dhe me rezultate të shkëlqyera Liceun Francez të
Korçës, ku mori bazat e një edukate dhe kulture perëndimore.
Pushtimin
fashist e priti me urrejtje së bashku me të vëllanë, Sedatin, i cili u
inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese, ku edhe ra heroikisht në luftën për
çlirimin e Krujës më 8 gusht 1944.
Pas lufte
mbaroi studimet e larta në Bullgari, në degën e agronomisë gjithmonë me
rezultate të shkëlqyera. Ishte një tip i veçantë. Megjithse ishte vëlla
dëshmori, kurrë nuk kërkonte që për hir të kësaj të fitonte favore apo
privilegje të pamerituara. Filloi të punonte si agronom në fermën e Maliqit.
Sjellja arrogante dhe prepotente e drejtuesve të pushtetit i treguan fytyrën e
sistemit në të cilin po jetonin. Kështu që ai u zhgënjye nga ky sistem dhe
filloi ta shihte atë me një sy tjetër.
Në vitin
1948, me grupin e deputetëve, i
dënohet me vdekje dhe ekzekutohet xhaxhai i tij, juristi dhe noteri i
njohur Mehmet Babani, i cili i kishte ndenjur aq pranë kur kishte humbur
prindërit e tij. Xhaxhai tjetër, Faik Babani, që edhe ky i kishte qëndruar pranë, u dënua për motive politike. Të dyja
këto ndikuan në formimin e një bindje tjetër në ndërgjegjen e tij.
Megjithatë
puna në fermën e Maliqit vazhdonte. Kultura dhe edukata që kishte marrë që i
ri, niveli i lartë profesional si dhe dashuria për punën, bënë që ferma, edhe
në sajë të kontributit të tij, të kishte rezultate të larta, që rriteshin nga
viti në vit. Ishin pikërisht këto rezultate
dhe kontributi i dhënë prej tij që Presidiumi i Kuvendit
Popullor ta dekoronte me Urdhërin e Punës të klasit të tretë në vitin 1954,
ndërsa në vitin 1956 ta dekoronte përsëri me Urdhërin e Punës të klasit të
parë. Më vonë, pas një aksidenti të rëndë që pësoi, transferohet në shkollën e
mesme bujqësore në Golem të Kavajës.
Por këto
nuk e detyruan të hiqte dorë nga marëdhëniet e ngushta që kishte me familjarët
e tij. Krahas punës, ai pati kurajon që, edhe në kushtet e rënda të përndjekjes
nga sistemi, t’i gjendej pranë dhe të kujdesej edhe për xhaxhanë e burgosur dhe
sidomos, pas lirimit të tij, kur ai nuk kishte asnjë mundësi jetese pasi ishte
shumë i moshuar dhe pa fëmijë, iu ndodh gjithmonë pranë.
Në
pozicionin e mësuesit, si specialist në fushën e bujqësisë, profesor Suati
edukoi dhe paisi me kulturë profesionale disa breza nxënësish, të cilët edhe
sot e kujtojnë me nostalgji dhe respekt të madh metodikën e mësimdhënies së
profesorit të tyre. Kujtojnë me nostalgji e respekt karakterin e tij të
palëkundur, seriozitetin dhe mjeshtërinë gjatë proçesit mësimor, si dhe
dashurinë prindërore të këtij njeriu me virtyte të larta. Si njohës i saktë i tre
gjuhëve të huaja, frëngjisht, italisht, bullgarisht, ishte i apasionuar pas
programeve shkencore televizive
të huaja si dhe dëgjues i
rregullt i emisioneve të lajmeve në këto televizione, falë njohjes perfekte të
gjuhës frënge dhe italiane.
Autoriteti
i tij ishte i tillë që detyroi pushtetin e atëhershëm të kërkonte ta bënte me
vehte. Për shkak të njohurive të larta shkencore, impononte gjithmonë respekt
dhe autoritet por kishte, gjithashtu, dashuri dhe thjeshtësi me kolegët dhe
punëtorët. Për këtë iu propozua nga Byroja e Partisë së Golemit të bëhej anëtar
i Partisë së Punës. Duke qenë i ndërgjegjshëm për konditat e tij politike, ai
iu përgjigj thjeshtë:
- Më falni, por këtë detyre nuk e bëj
dot.
Ndërrimi i
sistemeve e gjeti
profesorin, së bashku
me bashkëshorten, ish
mësuese matematike, në pension. Shumë nga rinia e Golemit, që sot janë
rritur, kujtojnë që profesori ato ditë kishte rilindur, ishte rinuar. Ai, së
bashku me bashkëshorten, kishin vite që e prisnin një ditë të tillë. Shtëpia e
profesor Suatit tashmë priste çdo ditë
djemtë e Golemit. Bëheshin diskutime politike, bëheshin pyetje dhe
profesori, së bashku me bashkëshorten, sqaronin me qetësi por, gjithmonë, me optimizëm dhe
siguri për të ardhmen. Frika ishte vrarë... Suat e Mereme Babani ishin ndër të
parët që u antarësuan në Partinë Demokratike dhe ishin gjithmonë aktiv në
proçeset demokratike. Gjithmonë i pranishëm në konferenca dhe takime me
drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Megjithëse të lodhur nga jeta ata
tregonin një gjallëri që shumëfishohej sidomos në fushatat zgjedhore, duke
biseduar me njerëzit, duke treguar me largpamësi për të ardhmen europiane të
Shqipërisë si dhe duke rritur optimizmin. Ky njeri, që kishte refuzuar
antarësimin në Partinë e Punës së Shqipërisë, gjeti forca dhe, megjithëse në
moshë të thyer, të rreshtohej në rradhët e Partisë Demokratike, pasi aty
shikonte të ardhmen e atdheut.
Në vitet
e fundit, tashmë i lodhur nga pesha e moshës që i rëndonte mbi supe, por aktiv
dhe me shëndet të plotë mendor, ndërmori disa herë udhëtime në vendin e lirisë,
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u takuar dhe respektuar vëllezërit e
gruas së tij dhe shumë miq të vjetër që i kishin shpëtuar thonjve të
komunizmit. Por, siç duket, perëndimi kishte mbërritur. Fundi po arrinte.
Profesor Suati e parandjeu dhe i tha së shoqes atë shprehjen e thjeshtë dhe të
bukur, atë që thonë vetëm atdhetarët e mëdhenj:
- Dua të fle, për jetë, në atdhe, në
Shqipërinë time, atje ku e kam vendin!
Këtë
amanet ia plotësoi e shoqja, mësuesja e njohur Meremja.
Ky ishte
profesor Suati. Është në nderin e kujtdo,
sidomos organeve arsimore
të rrethit
Kavajë
apo edhe atyre qëndrore të shkruajnë dhe të kujtohen për këtë figurë të njohur
të arsimit shqiptar.
A do ta
bëjnë vallë? Do të presim dhe do të shohim.