Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Disa vrejtje për mikun tim
E hene, 22.07.2013, 09:02 PM
Disa vrejtje për mikun tim
Nga Reshat Kripa*
Dëgjova
këto ditë intervistën e një mikut tim, në një nga kanalet televizive të vendit.
Miku im i përket asaj shtrese që për gati një gjysmë shekulli nuk pa veçse ditë
të errëta. Një ish i burgosur politikë që kurrë nuk iu nënshtrua dhunës
komuniste. Pasardhës i një personi
naconalist të dëgjuar, që kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në
historinë e këtij vendi dhe që i kishte mbyllur ditët e fundit të jetës së tij
në qelitë e errëta të burgut të Burrelit.
E dëgjova
me interes intervistën e tij. Shpresoja të dëgjoja veten time në atë
intervistë. Por kjo nuk ndodhi. Këtë e kuptova më vonë, kur në faqet e shtypit
ultra të majtë, shikoja citate nga
intervista e tij. Vini veshin! Shtypi ultra i majtë na qenka mahnitur me
këtë intervistë dhe, për këtë, e ngrinte në qiell deklaratën dhe personalitetin
e këtij të përndjekuri politikë. A thua kaq shumë i dashkan këta të përndjekurit
politikë? Shumë shpejt qenkeni kthyer nga qabeja zotërinj! Do të desha të
pyesja mikun tim: A mos vallë ke mbetur aq keq
sa të arrish të marrësh lëvdata nga ata që të shkatërruan jetën, që doje të
studioje dhe nuk të linin për të
studiuar, doje të punoje dhe nuk të linin për të punuar, doje të jetoje dhe nuk
të linin as për të jetuar. Në rast se këto nuk janë të vërteta atëherë, i
dashur mik, më thuaj dhe unë jam gati t’ju kërkoj të falur.
Tani le
të futemi në temë. Midis shumë gjërave, për të cilat ju kishit të drejtë,
cituat, madje sulmuat, disa individë për të cilët, t’ju them sinqerisht, nuk më
erdhi mirë. Në intervistën tuaj sulmuat kryetaren e një shoqate joqeveritare
për faktin se nuk paska kërkuar ndjesë për atin e saj, sipas jush, agjent i
Sigurimit të shtetit. Sulmuat dy analistë, që paskan qenë bashkëpunëtorë të
këtij sigurimi. Së fundi sulmuat edhe një bashkëvuajtësin tuaj, tashmë të
dekoruar nga Presidenti i Republikës, duke e quajtur atë spiun të komunizmit.
Unë nuk dua t’i dal në krah askujt, pasi nuk kam asnjë të dhënë për secilin
prej tyre por, duke u nisur nga intervista juaj, arrij në përfundimet e
mëposhtme.
Lidhur me
kryetaren e shoqatës jo qeveritare, ju deklaruat se babai i saj u paska dalë
dëshmitar juve dhe të tjerëve në proceset e montuara. Në rast se kjo është e
vërtetë, dhe këtë duhet ta vërtetojë ose jo e interesuara, atëherë, me të
drejtë, ajo duhet t’ju kërkojë ndjesë. Për dy analistët, di se ata e kanë
pranuar prej kohësh një gjë të tillë, madje ky ishte shkaku përse njeri prej
tyre refuzoi propozimin e bërë për President i Republikës, pikërisht për këtë
shkak. Unë mendoj se një gjest i tillë duhet përgëzuar dhe jo denigruar. Ky
xhest tregon fisnikëri dhe jo harbutëri. Në rast se sot ushtrojnë të drejtën e
profesionit të gazetarisë, unë mendoj se kjo është një e drejtë e tyre, qoftë
edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që thoni ju.
Sa për bashkëvuajtësin tuaj, nuk ju dëgjuam të thoni asnjë fakt që ai
paska qenë spiun, se cilin paska spiunuar, cilit i ka dalë dëshmitar në një
seancë gjyqësore të montuar apo diçka tjetër të kësaj kategorie. Një gjë e
tillë do ta kishte bërë deklaratën tuaj plotësisht të besueshme dhe detyrimisht
do të kishte vënë në lëvizje edhe organizmat e tjera që merren më këto çështje.
Në të kundërt ajo mbetet një shashkë e hedhur në erë.
Sido që
të jetë më lejoni, i nderuar, t’ju përshkruaj, shkurtimisht, përmbajtjen e romanit tim, “Shkallët e
Ferrit”, bazuar në një ngjarje të vërtetë, botuar në vitin 2008. Agron Canaj, biri i një dëshmori të luftës nacionalçlirimtare,
inxhinier elektrik studiuar në Çekosllovaki, vihet para presionit të Sigurimit
të Shtetit për të deponuar kundër dy shokëve të tij me prejardhje nga shtresa e
përmbysur. Karakteri i tij nuk e lejon të pranojë një veprim të tillë. Presioni
i Sigurimit të Shtett arrin deri aty sa të tentojë përdhunimin e gruas dhe
vajzës 15 vjeçare, gjë që , më në fund e detyroi të nënshkruajë gjthshka donin
ata. Më thoni, i nderuar mik, a do ta dënoni një njeri të tillë?
Edhe një
rast tjetër. Diskutohej
ligji mbi dëmshpërblimin financiar
të të
përndjekurve
politikë. Midis neneve të projekt-ligjit ishte një pikë e nenit 6 që
përjashtonte nga ky dëmshpërblim ata që kishin nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit.
Atëherë, bëra një shkrim që e botova në një nga gazetat e përditëshme. Në atë
shkrim ngrija arsyet që i kishin detyruar një pjesë prej tyre për këtë
nënshkrim. Sillja edhe rastin e përmendur në roman. Pas disa ditësh më vjen një
letër anonime ku midis të tjerave shkruhej:
“Ju
falënderoj për shkrimin tuaj dhe mendimet e shprehura në të. Unë jam një nga
ata që përfshin neni 6. Vetëm unë e di se si isha i detyruar ta pranojë atë
veprim të turpshëm. Mund edhe t’jua
tregoj por më duket një justifikim i kotë . Ndaj po hesht. Qëndroj i vetmuar ,
me ndërgjegje të copëtuar, në strofkullën
time, ku jetoj së bashku me
familjen. Vetëm një gjë nuk di. Si do t’ua shpjegoj fëmijve të mi se përse nuk
e përfitoj dëmshpërblimin? Kjo është brenga ime më e madhe.”
Kështu më
shkruante i panjohuri. E lë në logjikën tuaj të mendoni se a ia vlen sot, pas
njëzetetre vjetësh të hapen ato letra?
Këto
ishin vrejtjet e mia për mikun tim. Nuk
e di se si do t’i kuptojë ai. Unë vetëm dua t’i them se do të vazhdoj të jem
miku i tij, se do ta respektoj gjithmonë ashtu siç e kam respektuar deri tani.
Këto që kam shkruar, i kam bërë me të vetmin qëllim për t’i bërë të ditur se
duhet të shkëputet nga pasionet e errëta ndaj bashkëvuajtësve të tij. Dua t’i
bëjë të ditur, gjithashtu, se sot nuk është koha të sulmojmë njeri- tjetrin,
qoftë edhe sikur ndonjeri të ketë shkarë në pellgun e së kaluarës. Mendoj se
shigjetat tona duhet të drejtohen kundër atyre që shkatërruan jetën
tonë, atyre që gatuan mynxyrën e këtij kombi. Të mos i harrojmë. Ata i
gjen kudo. Disa kanë arritur edhe majat më të larta të politikës. Në këto
kushte a ia vlen të merremi me njeri-tjetrin?
Mendoj se
një zgjidhje e kësaj është ajo që kemi vite që e kërkojmë, hapja e dosjeve të
Sigurimit të Shtetit, hapja e dosjeve të aparateve të Partisë dhe Komiteteve
Ekzekutive, hapja e dosjeve të prokurorive, gjykatave dhe komiteteve të
internim-dëbimit, hapja e dosjeve të organizatave të masave, rinisë, gruas,
bashkimeve profesionale, këshillave popullore të lagjeve dhe rretheve. Mendoj se pa hapjen e tyre askush nuk ka të
drejtë të përgojojë ndokënd. Por a do të hapen vallë? Gjithë vendet e Europës
Lindore i kanë hapur me kohë. Vetëm ne, si në çdo gjë, jemi të fundit. A do të
presim shumë. Nuk jam në gjendje të jap
përgjigje.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë