E hene, 29.04.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Bashkim Hoxha - akti krijues

E merkure, 29.05.2013, 07:48 PM


Rreth aktit krijues të gazetarit të shquar, shkrimtarit, dramaturgut dhe kulturologut Bashkim Hoxha

Moderniteti si filozofi estetike e realizmit të thellë dhe jashtë skemave e shablloneve

Nga Hyqmet HASKO

Në shoqërinë tonë të sëmurë nga streset e mungesave të përditshmërisë, nga tam-tamet shurdhuese të mediokritetit, që kërkon të serviret si vlerë, kërkimi, zbulimi dhe përcjellja e vlerave të vërteta të kësaj shoqërie është një detyrë më shumë se njerëzore e qytetare, është një apel për të qenë pjesë e atij vektori elitar që mban ndezur pasionin e luftës për të drejtën e të vërtetën, pjesë e të cilave është, sigurisht, gazetaria dhe letërsia e vërtetë.

Kjo qasje të shfaqet teksa mendon të hedhësh diçka në letër për një figurë elitare të mediave të lira, të letërsisë së çliruar nga klishetë dhe skemat shabllonsite, siç është gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur durrsak Bashkim Hoxha.

Figura letrare dhe kulturologjike e Bashkim Hoxhës lidhet me një veprimtari të dendur, të gjërë e të sukseshme të tij në fushën e mediave televizive dhe shtypit të shkruar, me kontributet estetike në botimin dhe promovimin e zhanreve të ndryshëm të krijimtarisë letrare, ku duket dora e një talenti që guxon të thyejë kornizat dhe të japë mesazhe universale rreth tematikave që bën objekt të pasqyrimit estetik.

Bashkim Hoxha është një gazetar i njohur, shkrimtar, dramaturg, eseist dhe skenarist, që me veprën e tij të shtrirë në shumë zhanre e gjini letrare, zë një vend të nderuar në analet e letrave tona mbarëkombëtare.

Në romanet  e tij duket një dorë mjeshtri; depërtimi në mënyrë moderne në fatin e shoqërisë shqiptare dhe të njeriut bashkëkohor si pjesë e kësaj shoqërie, është një nga procedimet e tij estetike dhe psikoanalitike, në kërkim të rrënjëve të etnopsikikës sonë kolektive.

E veçanta e temave të tij, por mbi të gjitha e veçanta e procedimit rrëfimtar, në hullinjtë e të cilit ai hedh farën e narracionit, është thyerja e tabuve dhe dalja nga skemat bardhë e zi dhe shablloniste të trajtimit të”lëndës së parë” estetike. Ai ka kurajon të prekë të ashtuquajturat “tema të vështira” e “delikate” dhe të gjejë pika takimi kulturologjike e psiko-etike mes personazheve që janë në anë të kundërta të “medaljes”, por që në thelb janë njerëz dhe si të tillë i bashkon gjaku dhe shpirti fisnik njerëzor.

Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë me radhë vepra si :"Heronjte e Viagres", "Romancë në diten e krimit", "Lakuriq", "Ground Zero" ("Dëshmitari i Shkretëtirës"), "Hotel Ballkan", "Mbreti i Vesës", "Mot i keq për dashuri", "Fjalë të ndyra dashurie", "Njeriu tjetër", "Një lolo dhe një mbret", "Unë dhe Mefistofeli" (dramë), "Ftesë për gjyq", "Këngë dashurie dhe korba", "Qyteti pa dashuri".

Gjithë kjo pasuri titujsh, të ardhur përgjatë një jete të vrullshme krijuese, plot ritme pasioni dhe përkushtimi, tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar të formuar plotësisht dhe ndër më origjinalët e kërkuesit e brezit të tij, për të përcjellë mesazhe origjinale dhe me rrezonancë këndvështrimi në kohën dhe hapësirën e botës shqiptare.

Bie fjala, në romanin “Hotel Ballkan” shkrimtari përcjell me një realizëm gri një marrëdhënie midis dy ballkanasave që jetojnë për ca kohë në të njëjtin hotel, një shqiptare dhe një serb, ku dalin në pah komplekset dhe paragjykimet ballkanike, sidomos kur është fjala për përfaqësues të dy popujve që nuk kanë qenë asnjherë të afërt e dashamirës për njëri tjetrin, për shkak të një historie të gjatë e të dhimbshme, të trazuar e pse jo të traumatizuar.

Shkrimtari i flak nga vetja të gjitha parzmoret e dala boje të nacionalizmit fiktiv dhe flet me gjuhën e shkrimtarit të vërtetë, që vështron përtej fasadave politike që mbajnë peng vende dhe popuj, shikon në shpirtin e përbashkët njerëzor të ballkansave, që po përjetojnë një çlirim të madh shpirtëror dhe psiko-etik në erën e re globale që fryn anë e mbanë botës sonë.

Në romanin mbresëlënës “Heronjtë e viagrës” shkrimtari paraqet groteskun e një shoqërie të kapur në grackën e ironisë së modernitetitetit. Mbi këtë fasadë grotekse dhe alegorike ndërtohet një histori me narracion të ngjeshur filozoifik dhe psikanalitik, ku fatet e personazheve dhe të shoqërisë sonë ndërthuren në mënyrë të pazgjidhshme. Subjekti vjen sa aktual por edhe i punuar me një ironi të hollë nga autori, ku .mënyra skematike se si ne e krijojmë historinë ku më shumë ka folklor apo interesa politike të ditës, dhe konflikti që qëndron midis realitetit dhe manipulimit të këtij realiteti, janë në shënjestër të autorit, janë sfondi mbi të cilin shkrimtari serioz ndërton një histori parabolike, me shumë enigma dhe të pathëna që zbërthehen gradialualisht faqe pas faqeje të romanit në fjalë, duke e pasuruar.

Të vdesësh për dashurinë (apo për të qenë më të saktë, duke bërë dashuri) mund të jetë një mënyrë e mirë për t’u bërë gjithçka, por jo një hero. Mbi këtë parabolë psiko-analitike, groteske dhe alegorike, “heronjtë’ e këtij romani shndërohen në antheronj dhe këto të fundit tundin spaletat e “martirëve”, në një luftë imagjinare me “viagrën”. Nuk ka limit dhe tabu, gjithçka vërtitet në një karusel ironik, zhbirues e “anatemues”, në kuptimin e demaskimit të nëndheshëm të këtij soj “heroizmi”.

Operimi me të nënkuptuarën, të pathënën, të fshehurën nën hijen e diçkaje tjetër, përdoret nga prozatori si një mënyrë e procedimit narrativ, zhbirues dhe analitik, në prerjen vertikale që iu bën shkrimtari situatave romaneske, nga ato trillere deri tek drama dhe komedia e akteve të dyzuara.

Të kërkosh të jeshë hero, duke mbetur në fushën e betejave pa ushtarë, i mbushur dëng me kokrra ndjellëse, për të përballuar furinë e tundimit të paskaj të mishit, për shkak të së cilave mund ta pësosh në mënyrë të pakthyeshme, kjo sigurisht që mund të jetë gjithçka, por jo, kurrësesi jo,  një mënyrë e mirë për të vënë në supe spaleta martiri dhe për t’i tundur ato nëpër podiume.

Hoxha nuk klith, nuk demaskon, nuk paragjykon, nuk bën moral, thjeshtë tregon, rrëfen në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale dhe gjithçka, si mesazhe, si ide të nënkuptuara, rrjedhin përtej këtij leximi të parë, si reflektime të brendshme në shpirtin e lexuesit.

Shëmbëlltyrat dhe përqasjet mitiko-historike me realitetet e thyera të jetës njerëzore, janë pjesë e këtij rrëfimi të ngjeshur, të vrullshëm, dinamik, një rrëfim i shkruar me nerv dhe sharm shkrimor, përtej një narracioni të zakonshëm.

Kësisoj, Bashkim Hoxha e pasuron spektrin estetik të prozës së gjatë shqipe me një frymë të re moderniteti dhe postmoderniteti.

Më vonë, gazetari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha, do të ngjitej në skenën e Teatrit, “Aleksandër Moisiu”, me premierën komedi “Heronjtë e viagrës”, bazuar në këtë roman të tij, i cili disa vjet më parë pati korrur një sukses të vërtetë në vendin tone dhe pati hapur shumë debate konstruktive mbi rolin që ka letërsia në emancipimin e shoqërisë së brishtë shqiptare, ende midis realitetit dhe manipulimit. Për tre muaj me radhë, një kastë e mrekullueshme aktorësh do të punonin me Bashkim Hoxhën, i cili për herë të parë vinte edhe në rolin e regjisorit dhe sillite një mendsi të re në teatrin shqiptar, me një kontribut real për demistifikimin e lajmeve që qarkullojnë si thashetheme dhe fshehin thelbet sociale, etike, ekzistenciale të shoqërisë sonë transitive.  .

Komedia vinte nën interpretimin e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Ervin Doko, Eralda Caushi, Hysen Bashhysa, Xheni Fama, Sanie Hoti, Gjergj Doçi, Besmir Bitraku dhe nga Tirana ishte ftuar aktorja Adriana Tolka. Suksesi spektakolar i komedisë tregoi se shkrimtari serioz di se çafrë të sjellë për publikun, di të punojë që vlerat e mirëfillëta estetike të bëhen pjesë e vlerave të përgjithshme sociale dhe kulturologjike të shoqërisë sonë.

“Dëshmitari i shkretetirës” është një tjetër prozë brilante e Hoxhës, ku autori shkrinë në një kohët dhe hapësirat, monglogun, dialogun dhe narracionin, me një gjuhë të zhdërvjellët, të ngjeshur dhe dinamike. Është përpjekja e një prozatori original për t’iu ikur klisheve dhe stampave bardhë e zi, për të dhënë pesronazhe dhe protagonistë pa kahje (i miri apo i keqi), të çliruar nga çdo lloj paragjykimi dhe keqgjykimi.

Në prozat e tjera po aq të sukseshme si "Mbreti i Vesës", "Mot i keq për dashuri", "Fjalë të ndyra dashurie", "Njeriu tjetër", "Një lolo dhe një mbret", "Unë dhe Mefistofeli”, shkrimtari Bashkim Hoxha është në linjën e demistifikimit të realiteteve të stisura dhe të manipuluara nga kultura  e rrugës dhe e kafeneve, duke na dhënë ngjyra nga më të larmet të shpirtit dhe karakterit njerëzor.

Me veprën e Hoxhës, letërsia jonë kombëtare ka një vlerë të shtuar të saj, pasi tek ai vihet re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar.Në përgjithësi, vepra e Hoxhës, sidomos ajo e botuar pas viteve ’90, periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se rri krahas veprës më përfaqësuese të shkrimtarëve të brezit të tij. Në këtë mënyrë, në këto rrethana, vepra e Bashkim Hoxhës na shfaqet e plotë, dinamike, e mbrujtur me frymë postmoderniste dhe njëkohësisht, duke shfaqur dendur elementë thelbësorë të identitetit kombëtar. Kjo vepër është në të njëjtën kohë bartëse e mendësisë përparimtare dhe e prirjeve për ndryshim që kërkojnë të gjejnë mishërim në artin e shkruar shqiptar, duke ruajtur në të njëjtën kohë fizionominë, origjinalitetin dhe dallueshmërinë etnike që e karakterizon kundrejt letërsive të tjera, qofshin ato ballkanike, europiane apo dhe më gjërë.

Gjithashtu, prirja dhe talenti i Bashkim Hoxhës spikat edhe në fushën kinematografike, ku mjaft skenare të tij jo vetëm janë pritur mirë nga qarqet kinematografike, por kanë pasur dhe jehonë të gjërë në publik. Ai ka sjellë në filma këto skenare: “Valsi i ngrirë në Prishtinë (1999) (TV), Kronika e një nate (1990), Një vonesë e vogël (1982), Ne cdo stine (1980), Një udhëtim i vështirë (1977), Zemrat që nuk plaken (1977).

Hoxha është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë publikut. Me shkrimet në shtypin e përditshëm, me qëndrimet refletike jokonformiste dhe realiste, me prozat e tij të shkruara me sharm dhe elegancë, me dramat dhe skenaret aq të mirëpritur të filmave artsitike, personaliteti krijues i shkrimtarit Baskim Hoxha është i plotë dhe zë vendin  e vet të nderuar në letrat tona kombëtare.

Po ashtu, Bashkim Hoxha është i njohur për emisonin e tij të mëngjesit "Koha per t'u zgjuar", në të cilin komunikon me nje pjese teleshikuesish për probleme në përgjithesi që nga viti 1997. Ky emision që dallohet për frymën demokratike dhe lirinë e shprehjes e të fjalës shqipe, në gojën e njerëzve të thjeshtë, ka bërë që ai të gëzojë një autoritet të madh në publik, për shkak të kërkimit të vazhdueshëm në botën e vlerave dhe të të “mbajturit anë” të më të dobëtit, veti kjo e njerëzve fisnikë dhe talenteve të vërtetë.

Të shkruash për një figurë të tillë si Bashkim Hoxha, nuk është vetëm kënaqësi, por dhe obligim, pasi shoqëria jonë, shkrimtarët dhe artistët, intelektualët dhe elita kombëtare duhet të bëjnë ç’është e mundur që të pëcillet bota e vlerave, si një model nga ku duhet të mësojnë që të ecin përpara atdheu dhe kombi ynë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora