| E merkure, 29.05.2013, 07:48 PM |
Rreth
aktit krijues të gazetarit të shquar, shkrimtarit, dramaturgut dhe kulturologut
Bashkim Hoxha
Moderniteti si filozofi estetike e realizmit të thellë dhe jashtë skemave e shablloneve
Nga Hyqmet HASKO
Në
shoqërinë tonë të sëmurë nga streset e mungesave të përditshmërisë, nga
tam-tamet shurdhuese të mediokritetit, që kërkon të serviret si vlerë, kërkimi,
zbulimi dhe përcjellja e vlerave të vërteta të kësaj shoqërie është një detyrë
më shumë se njerëzore e qytetare, është një apel për të qenë pjesë e atij
vektori elitar që mban ndezur pasionin e luftës për të drejtën e të vërtetën,
pjesë e të cilave është, sigurisht, gazetaria dhe letërsia e vërtetë.
Kjo qasje
të shfaqet teksa mendon të hedhësh diçka në letër për një figurë elitare të
mediave të lira, të letërsisë së çliruar nga klishetë dhe skemat shabllonsite,
siç është gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur durrsak Bashkim Hoxha.
Figura
letrare dhe kulturologjike e Bashkim Hoxhës lidhet me një veprimtari të dendur,
të gjërë e të sukseshme të tij në fushën e mediave televizive dhe shtypit të
shkruar, me kontributet estetike në botimin dhe promovimin e zhanreve të
ndryshëm të krijimtarisë letrare, ku duket dora e një talenti që guxon të
thyejë kornizat dhe të japë mesazhe universale rreth tematikave që bën objekt
të pasqyrimit estetik.
Bashkim
Hoxha është një gazetar i njohur, shkrimtar, dramaturg, eseist dhe skenarist,
që me veprën e tij të shtrirë në shumë zhanre e gjini letrare, zë një vend të
nderuar në analet e letrave tona mbarëkombëtare.
Në
romanet e tij duket një dorë mjeshtri;
depërtimi në mënyrë moderne në fatin e shoqërisë shqiptare dhe të njeriut
bashkëkohor si pjesë e kësaj shoqërie, është një nga procedimet e tij estetike
dhe psikoanalitike, në kërkim të rrënjëve të etnopsikikës sonë kolektive.
E veçanta
e temave të tij, por mbi të gjitha e veçanta e procedimit rrëfimtar, në
hullinjtë e të cilit ai hedh farën e narracionit, është thyerja e tabuve dhe
dalja nga skemat bardhë e zi dhe shablloniste të trajtimit të”lëndës së parë”
estetike. Ai ka kurajon të prekë të ashtuquajturat “tema të vështira” e
“delikate” dhe të gjejë pika takimi kulturologjike e psiko-etike mes
personazheve që janë në anë të kundërta të “medaljes”, por që në thelb janë
njerëz dhe si të tillë i bashkon gjaku dhe shpirti fisnik njerëzor.
Nga dora
e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë me radhë vepra si :"Heronjte e
Viagres", "Romancë në diten e krimit", "Lakuriq",
"Ground Zero" ("Dëshmitari i Shkretëtirës"), "Hotel
Ballkan", "Mbreti i Vesës", "Mot i keq për dashuri",
"Fjalë të ndyra dashurie", "Njeriu tjetër", "Një lolo
dhe një mbret", "Unë dhe Mefistofeli" (dramë), "Ftesë për
gjyq", "Këngë dashurie dhe korba", "Qyteti pa
dashuri".
Gjithë
kjo pasuri titujsh, të ardhur përgjatë një jete të vrullshme krijuese, plot
ritme pasioni dhe përkushtimi, tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar të
formuar plotësisht dhe ndër më origjinalët e kërkuesit e brezit të tij, për të
përcjellë mesazhe origjinale dhe me rrezonancë këndvështrimi në kohën dhe
hapësirën e botës shqiptare.
Bie
fjala, në romanin “Hotel Ballkan” shkrimtari përcjell me një realizëm gri një
marrëdhënie midis dy ballkanasave që jetojnë për ca kohë në të njëjtin hotel,
një shqiptare dhe një serb, ku dalin në pah komplekset dhe paragjykimet
ballkanike, sidomos kur është fjala për përfaqësues të dy popujve që nuk kanë
qenë asnjherë të afërt e dashamirës për njëri tjetrin, për shkak të një
historie të gjatë e të dhimbshme, të trazuar e pse jo të traumatizuar.
Shkrimtari
i flak nga vetja të gjitha parzmoret e dala boje të nacionalizmit fiktiv dhe
flet me gjuhën e shkrimtarit të vërtetë, që vështron përtej fasadave politike
që mbajnë peng vende dhe popuj, shikon në shpirtin e përbashkët njerëzor të
ballkansave, që po përjetojnë një çlirim të madh shpirtëror dhe psiko-etik në
erën e re globale që fryn anë e mbanë botës sonë.
Në
romanin mbresëlënës “Heronjtë e viagrës” shkrimtari paraqet groteskun e një
shoqërie të kapur në grackën e ironisë së modernitetitetit. Mbi këtë fasadë
grotekse dhe alegorike ndërtohet një histori me narracion të ngjeshur
filozoifik dhe psikanalitik, ku fatet e personazheve dhe të shoqërisë sonë
ndërthuren në mënyrë të pazgjidhshme. Subjekti vjen sa aktual por edhe i punuar
me një ironi të hollë nga autori, ku .mënyra skematike se si ne e krijojmë
historinë ku më shumë ka folklor apo interesa politike të ditës, dhe konflikti
që qëndron midis realitetit dhe manipulimit të këtij realiteti, janë në
shënjestër të autorit, janë sfondi mbi të cilin shkrimtari serioz ndërton një
histori parabolike, me shumë enigma dhe të pathëna që zbërthehen gradialualisht
faqe pas faqeje të romanit në fjalë, duke e pasuruar.
Të
vdesësh për dashurinë (apo për të qenë më të saktë, duke bërë dashuri) mund të
jetë një mënyrë e mirë për t’u bërë gjithçka, por jo një hero. Mbi këtë parabolë
psiko-analitike, groteske dhe alegorike, “heronjtë’ e këtij romani shndërohen
në antheronj dhe këto të fundit tundin spaletat e “martirëve”, në një luftë
imagjinare me “viagrën”. Nuk ka limit dhe tabu, gjithçka vërtitet në një
karusel ironik, zhbirues e “anatemues”, në kuptimin e demaskimit të nëndheshëm
të këtij soj “heroizmi”.
Operimi
me të nënkuptuarën, të pathënën, të fshehurën nën hijen e diçkaje tjetër,
përdoret nga prozatori si një mënyrë e procedimit narrativ, zhbirues dhe
analitik, në prerjen vertikale që iu bën shkrimtari situatave romaneske, nga
ato trillere deri tek drama dhe komedia e akteve të dyzuara.
Të
kërkosh të jeshë hero, duke mbetur në fushën e betejave pa ushtarë, i mbushur
dëng me kokrra ndjellëse, për të përballuar furinë e tundimit të paskaj të
mishit, për shkak të së cilave mund ta pësosh në mënyrë të pakthyeshme, kjo
sigurisht që mund të jetë gjithçka, por jo, kurrësesi jo, një mënyrë e mirë për të vënë në supe spaleta
martiri dhe për t’i tundur ato nëpër podiume.
Hoxha nuk
klith, nuk demaskon, nuk paragjykon, nuk bën moral, thjeshtë tregon, rrëfen në
kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale dhe gjithçka, si mesazhe, si ide të
nënkuptuara, rrjedhin përtej këtij leximi të parë, si reflektime të brendshme
në shpirtin e lexuesit.
Shëmbëlltyrat
dhe përqasjet mitiko-historike me realitetet e thyera të jetës njerëzore, janë
pjesë e këtij rrëfimi të ngjeshur, të vrullshëm, dinamik, një rrëfim i shkruar
me nerv dhe sharm shkrimor, përtej një narracioni të zakonshëm.
Kësisoj,
Bashkim Hoxha e pasuron spektrin estetik të prozës së gjatë shqipe me një frymë
të re moderniteti dhe postmoderniteti.
Më vonë,
gazetari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha, do të ngjitej në skenën e Teatrit,
“Aleksandër Moisiu”, me premierën komedi “Heronjtë e viagrës”, bazuar në këtë
roman të tij, i cili disa vjet më parë pati korrur një sukses të vërtetë në
vendin tone dhe pati hapur shumë debate konstruktive mbi rolin që ka letërsia
në emancipimin e shoqërisë së brishtë shqiptare, ende midis realitetit dhe
manipulimit. Për tre muaj me radhë, një kastë e mrekullueshme aktorësh do të
punonin me Bashkim Hoxhën, i cili për herë të parë vinte edhe në rolin e
regjisorit dhe sillite një mendsi të re në teatrin shqiptar, me një kontribut
real për demistifikimin e lajmeve që qarkullojnë si thashetheme dhe fshehin
thelbet sociale, etike, ekzistenciale të shoqërisë sonë transitive. .
Komedia
vinte nën interpretimin e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Ervin Doko,
Eralda Caushi, Hysen Bashhysa, Xheni Fama, Sanie Hoti, Gjergj Doçi, Besmir
Bitraku dhe nga Tirana ishte ftuar aktorja Adriana Tolka. Suksesi spektakolar i
komedisë tregoi se shkrimtari serioz di se çafrë të sjellë për publikun, di të
punojë që vlerat e mirëfillëta estetike të bëhen pjesë e vlerave të
përgjithshme sociale dhe kulturologjike të shoqërisë sonë.
“Dëshmitari
i shkretetirës” është një tjetër prozë brilante e Hoxhës, ku autori shkrinë në
një kohët dhe hapësirat, monglogun, dialogun dhe narracionin, me një gjuhë të
zhdërvjellët, të ngjeshur dhe dinamike. Është përpjekja e një prozatori
original për t’iu ikur klisheve dhe stampave bardhë e zi, për të dhënë
pesronazhe dhe protagonistë pa kahje (i miri apo i keqi), të çliruar nga çdo
lloj paragjykimi dhe keqgjykimi.
Në prozat
e tjera po aq të sukseshme si "Mbreti i Vesës", "Mot i keq për
dashuri", "Fjalë të ndyra dashurie", "Njeriu tjetër",
"Një lolo dhe një mbret", "Unë dhe Mefistofeli”, shkrimtari
Bashkim Hoxha është në linjën e demistifikimit të realiteteve të stisura dhe të
manipuluara nga kultura e rrugës dhe e
kafeneve, duke na dhënë ngjyra nga më të larmet të shpirtit dhe karakterit
njerëzor.
Me veprën
e Hoxhës, letërsia jonë kombëtare ka një vlerë të shtuar të saj, pasi tek ai
vihet re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës,
kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar
në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që
ngrinte sistemi totalitar.Në përgjithësi, vepra e Hoxhës, sidomos ajo e botuar
pas viteve ’90, periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha
social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të
themi se rri krahas veprës më përfaqësuese të shkrimtarëve të brezit të tij. Në
këtë mënyrë, në këto rrethana, vepra e Bashkim Hoxhës na shfaqet e plotë,
dinamike, e mbrujtur me frymë postmoderniste dhe njëkohësisht, duke shfaqur
dendur elementë thelbësorë të identitetit kombëtar. Kjo vepër është në të
njëjtën kohë bartëse e mendësisë përparimtare dhe e prirjeve për ndryshim që
kërkojnë të gjejnë mishërim në artin e shkruar shqiptar, duke ruajtur në të
njëjtën kohë fizionominë, origjinalitetin dhe dallueshmërinë etnike që e
karakterizon kundrejt letërsive të tjera, qofshin ato ballkanike, europiane apo
dhe më gjërë.
Gjithashtu,
prirja dhe talenti i Bashkim Hoxhës spikat edhe në fushën kinematografike, ku
mjaft skenare të tij jo vetëm janë pritur mirë nga qarqet kinematografike, por
kanë pasur dhe jehonë të gjërë në publik. Ai ka sjellë në filma këto skenare:
“Valsi i ngrirë në Prishtinë (1999) (TV), Kronika e një nate (1990), Një vonesë
e vogël (1982), Ne cdo stine (1980), Një udhëtim i vështirë (1977), Zemrat që
nuk plaken (1977).
Hoxha
është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë
publikut. Me shkrimet në shtypin e përditshëm, me qëndrimet refletike
jokonformiste dhe realiste, me prozat e tij të shkruara me sharm dhe elegancë,
me dramat dhe skenaret aq të mirëpritur të filmave artsitike, personaliteti
krijues i shkrimtarit Baskim Hoxha është i plotë dhe zë vendin e vet të nderuar në letrat tona kombëtare.
Po ashtu,
Bashkim Hoxha është i njohur për emisonin e tij të mëngjesit "Koha per t'u
zgjuar", në të cilin komunikon me nje pjese teleshikuesish për probleme në
përgjithesi që nga viti 1997. Ky emision që dallohet për frymën demokratike dhe
lirinë e shprehjes e të fjalës shqipe, në gojën e njerëzve të thjeshtë, ka bërë
që ai të gëzojë një autoritet të madh në publik, për shkak të kërkimit të
vazhdueshëm në botën e vlerave dhe të të “mbajturit anë” të më të dobëtit, veti
kjo e njerëzve fisnikë dhe talenteve të vërtetë.
Të
shkruash për një figurë të tillë si Bashkim Hoxha, nuk është vetëm kënaqësi,
por dhe obligim, pasi shoqëria jonë, shkrimtarët dhe artistët, intelektualët
dhe elita kombëtare duhet të bëjnë ç’është e mundur që të pëcillet bota e
vlerave, si një model nga ku duhet të mësojnë që të ecin përpara atdheu dhe
kombi ynë.