E hene, 29.04.2024, 11:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Ëndërr e frikshme

E merkure, 29.05.2013, 07:22 PM


ËNDËRR E FRIKSHME

Nga Remzi Limani

Më thuaj mik i dashur – si fjete mbrëmë? Nuk e di?!? Disi sikur ende nuk kam dalur nga një ankth i një ëndrre, e cila shtrydhi djersët e vdekjes në mua... Ma mori mendja - tërë natën mërmërisje diçka dhe ziheshe me vetveten! Paska qenë ëndërr e vështirë... kur të kthjellësh, të shoqëruar me kafetë e mëngjesit do të ma tregosh – i tha Hektori. Patjetër, do ta tregoj të bindesh edhe ti se vërtet ishte ëndërr lemeritëse...

Pasi i servuan kafetë në terracen verore, Redoni filloi ta shtrinte  ëndrrën e tij.  Eh, Hektor burri! - ëndrra sikur më futi në brendinë e bodrumit të hotelit “Iliria”. Aty, para shumë vitesh, funksiononte Klubi i Artistëve, prandaj gati për çdo mbrëmje takoheshim me shumë miq, kuptohet - kryesisht me njerëz nga bota e artit. Asokohe, Klubi fillonte me punë prej orës 20.00 dhe vazhdonte deri pas mesnatës. Aty hapeshin ekspozita të arteve pamore, mbaheshin mbrëmje poetike, shfaqej ndonjë monodramë dhe rrallëhere vihej në skenë edhe ndonjë kabare e organizuar nga aktorët e qytetit. Këtu të gjithë njiheshim në mes vete - përpos ndonjë mysafir që vinte së bashku me dikë, ngase aty s`mund të hynte njeri i cili nuk ishte anëtarë i klubit. Që të gjithë ishim të pajisur me libreza të rregullta anëtarësie dhe gëzonim të drejtën që të merrnim me vete edhe ndonjë mik apo mikeshë. Mbrëmjet bëheshin vërtet artistike, gjatë tërë kohës dëgjohej muzika e lehtë magjepsëse e luajtur në piano dhe violinë, ku ekzekutoheshin meloditë më të bukura të dala nga këngët e vjetra shqipe dhe shansoneve të njohura që të bënin të dehesh edhe pa pirë asgjë. Dhe, pikërisht në këtë klub, sikurse isha i ulur në njërën prej tavolinave në platformën e lartë të klubit dhe mezi i shihja të tjerët nga tymi i duhanit të konsumuar. Herë-herë, hapej dera dykrahëshe dhe shtëllungat e tymit ngjitnin shkallëve të bodrumit drejt daljes për t`u ajrosur atmosfera, sepse sikur nuk funksiononte si duhet sistemi i ventilimit për pastrimin e ajrit. Gati të gjitha tavolinat ishin veshur me të dehur. Të gjithë mundoheshin ta shuanin etjen e ditës. Mua, sikur më bëhej se Valmira qëndronte në mesin e disa artistëve, të cilët me puthje u mundonin t`ia mbulonin të gjitha bardhësitë e trupit me të gjitha të çiturat e saja shpërthyese… Të gjithë rrinin të mbuzur e të ngjeshur pranë saj. Sikur me ngulm donin ta përqafonin virgjërinë e natës dhe shkëlqimin e saj prej hëne. Nga lakmitë e bardhësive të saja verbuese, fytyrat e zbehta aristokrate të artistëve shikonin të uritur dhe pa nda vriteshin në sytë e saj. Të gjithë dukeshin si hije nate, pranë mbretërisë së saj, e cila në vazhdimësi shkrepte në brendinë e errësirës së tymtë. Të magjepsur nga vezullimi i syve që ndritnin hapësirën rreth tyre, frymësosur shkriheshin nga epshet e dehura duke u varur në flokun e saj... E tërë kjo, sikur më vriste thellë, sepse Valmira sikur më shihte dhe sikur bëhej indiferente ndaj pranisë sime. Sikur qëllimisht donte të luante me ndjenjat e mia. Nuk e di - nëse donte të thoshte dhe të lavdërohej se para saj shtriheshin emra të veçuar piktorësh dhe poetësh të njohur në panoramën kulturore... Vërtet, nuk e di, Hektor?! Ëndrrat si ëndrrat, më - ato të fusin kudo, nëpër labirinthet e mendjes së vrarë, pikërisht për të kuptuar peshën e një diçkaje, e cila të bënë për vete dhe nuk të lëshon dot!… Eh!... – sikur me pezëm, shfryu Redoni... - Personaliteti dhe imazhi i Valmirës, në ëndërr, dukej disi ndryshe nga e vërteta. Ajo, brenda ëndrrës, dukej tepër lozonjare, që të bënte të çmendesh pas saj – siç vepronin dhe binin pre edhe aristët e mbuzur pranë saj... Ajo vërtet shkëlqente në çdo kuptim dhe e tërë hapësira eksitohej me pamjen e qendisur prej një femre që i bënte për vete të gjithë të pranishmit, brenda  natës së etur... Flokët i kishte lëshuar lirshëm prapa shpinës mbi fustanin e çelur bojëverë, në të cilin vizatohej e tëra me të gjitha format e theksuara të cilat këndshëm shpërthenin nga trupi i saj... Me elegancë të përkryer, me të ndenjurat mollaqe, rrinte ulur me këmbë të kryqëzuara dhe natyrshëm i dilte në pah bardhësia e pjesës më mishtore të kofshës së majtë, e cila sikur qëllimisht, shpalosej nga ana ime. Me zë të lehtë dhe fjalët nën gjuhë i pëshpëriste dikujt fjalët magjike në veshët e kësaj ëndrre të çmendur. Nga atmosfera e tymtë, që asnjëherë nuk u krijonte në këtë masë çfare dukej në ëndërr, ajo dukej sikur e veshur në një këmishë nate. Herë-herë, sikur silueta e saj fshihej prapa një perdeje tyli dhe përgjonte fjalët më banale të mbështjella me ëmbëlsitë e saja që i zinin n`gojë artistët rreth fizikusit të saj përplot mrekullira… Pastaj, disi e shihja të përqafuar dhe sikur luhatej në prehërin e njërit prej artistëve, të cilët rrinin rrotull saj. Interesant, Hektor! - papandehur më erdhi një zë femre i panjohur dhe me ngadalë, këndshëm bëlbëzoi disa fjalë në veshin tim, duke ma qetësuar mendjen, disi butësisht sikur më tha: “Mos u merakos, i dashur! - unë jam e jotja - kjo që duket në sytë e t`u, ështe vetëm një mashtrim optik nga pijet e forta, të cilat krijojnë halucinacione!...”. Kështu më tha dikush nga ëndrra dhe pa e parë, iku nëpër mugëtirën e duhanit. Vërtet interesant, Hektoro-ooo! Llambadari i varur mbi kokën e saj, lente përshtypje sikur e shihja në dritë hëne - ashtu të zhveshur me flokun e shprishur duke vallëzuar me krahët e pulëbardhës së humbur në mugëtirën e ngritur diku mbi një lumë. Dhe, çuditërisht matanë, në një breg  lumi, fshatarët gjuanin peshk, sepse dikush u kishte thenë se peshku i sivjemë qenka peshku i jetëgjatësisë... Sa më shumë që do të konsumonin mishin e peshkut, aq më gjatë do të jetonin... Çudi, kush do ta hante një peshk brenda ditës, ai do t`ia shtojë vetes edhe një vjet jetë më shumë. Prandaj, bregu i lumit ishte mbushur përplot fshatarë, të cilët me vete kishin marrë shumë shporta thuprash dhe, të larë në djersë, mundoheshin të zinin peshk sa më shumë...

- Mandej, Hektor i dashur - Valmira bëhej sikurse rastësisht më kishte vërejtur. Sa herë që e shikoja tinëzisht, asaj iu vijëzonte një buzëqeshje e lehtë, e cila më pushtonte të tërin dhe krijonte një ndjenjë të prushtë në mua... Dhe, ashtu e vaçantë, me një pamje parajsore, me elegancë vazhdonte të puthte gotën barkushe të mbushur me “Brendy”. Të gjithë e shikonin fytyrën e saj të reprodukuar në pasqyren e varur afër banakut, në të cilën vazhdimisht rrinte i shfaqur profili i saj faqendezur. Pamja e saj ma kujtonte bukurinë e Pentesilesë me tërë lakuriqësitë e varura në krahët e Akilit. E tëra më ngjante në një mbretëreshë e netëve të kafshuara..., e cila pa pushuar harbonte nëpër dhomat e Sarajeve të Bardha... Artistët e ngazëllyer dhe të shpërmendur nga pafundësia e zjarrtë për të - të dehur e të pafrymë, vdisnin duke qarë në prehërin e saj. Kuadrot e ëndrrës ndërroheshin vetëtimthi duke më bartur nëpër hapësira të ndryshme dhe, sakaq, në një moment, Hana u paraqit e zhveshur brenda një atelieje të madhe e të mbushur përplot kavaleta piktotësh. Ajo, me tërë lakurqësitë e saja, rrinte e shtrirë në një platformë të ngritur nga dyshemeja... Artistët, ashtu të larë në djersë, me vija lirike, ia nxirrnin formatin e trupit, duke i theksuar format më mishtore nga trupi i saj. Disa poetë, të ngjeshur në një kënd të atelies symbullurazi përjetonin vijat dhe format e saja të përkryera, që theksoheshin dhe shpërthenin në sytë e tyre. Ata, këndshëm luanin me shkronja dhe krijonin poezitë më subtile, duke i kënduar lakuriqësisë lezetare, e cila rrinte e shkrirë mbi një çarçaf të kaltër mëndafshi të zhubrosur... Nëpëmjet vargjeve, plot dihamë, ngjiteshin bregut të virgjër - drejtë portës së parajsës për ta shuar etjen midis kofshëve të saj… Papritmas, njëri prej poetëve me nyjet e gishtërinjve, fillio t`i binte tavolinës, duke i lutur të tjerët për një çast qetësie e respekti. Tashmë i ngritur në këmbë, donte të recitonte poezinë e tij të sapokrijuar, inspiruar dhe kushtuar bukurive mahnitëse të një trupi, të një mrekullie që ia përkujtonte Venusin e fjetur, ku kurmi i vajzës nudo, ndjekte vijat e buta të kodrave. E shtrirë në dritësimin e prajshëm të peizazhit, ajo pozonte në krevatin e veshur me të kaltrën mbretërore mbi të cilin ngritej peizazhi me nuancat e preshta parajsore në sfondin e pikturës prapa saj. Kështu dhe në këtë mënyrë, Hektor i dashur - pozita dhe imazhi i lakuriqësisë së saj më ngjante në një tablo pikture të punuar nga piktori, Giorgione. Tani, mbi këmbët e dehura dhe duke u luhatur, poeti filloi të gërmëzonte fjalët e shkruara në vargje, duke i nxjerrë me dhembje shpirti. I tëri i pushtuar..., ashtu me mendje të shkëputur kah platforma e ngritur, ku shtrihej Vala, filloi me këto fjalë:

 

Sonte më vjen syve një përhitje

Pranë meje ndalon e mbuzur

Nëpër gurë mendimesh rrokullisem

I verbër për Ty vdes i etur

 

Një suvalë çmendie bie mbi mua

Me hijen tënde merrem ngrykas

Murmurimë gjethesh këndshëm gjëmojnë në mua

 

Loti im ndaloi në brigjet e qepallave

Të lutem…

Mos i lejo buzëqeshjet e dehura

Zemren të ma hanë

Si copë mishi të prishur

 

Me dehuri të shpalosi të tërën

Bardhësitë tua vërbuese

Për të parë vetveten

Duke shuar etjen në ty...

 

Dhe, merre me mend, Hektor - poezinë e dëgjova me vëmendje e cila më solli në një suvalë çmendije... – Eh-hooo, Hektori im i dashur - çuditërisht fillova të ndihem disi i mashtruar... Indiferenca e saj ndaj meje, më bënte të ndryshoj mendimin për të. Edhe pse, ajo më kishte premtuar se më takonte vetëm mua dhe, kjo që po ndodhëte, sipas saj - s’ishte asgjë tjetër përveçse një performancë artistike - mua më bëhej sikur nuk besoja asgjë!… Vërtet nuk dija se ç`po ndodhte në atë mugëtirë që shtrihej kudo rreth saj. Nëpër të njëjtën mugëtirë ia vështroja sytë dhe ngrihja nga një gllënjkë “Fernet”, përplot ndjenja hidhësie në mua. Duke tundur kokën e dehur, mendoja për Valmirën e cila tashmë dukej tepër indiferente edhe ndaj artistëve që vriteshin në sytë e saj… Ajo, tashmë vërtet më dukej e dyshimtë… Herë-herë më dukej mbretëreshë dhe herë-herë e shpalosur nëpër pasqyrat e sarajeve të bardha, e kallur deri në çmendinë e epshit duke e shuar zjarrin në brendinë e saj. Vërtet, tashmë nuk e dija se ç’po ndodhte?! - nganjëherë më dukej butësi engjëllore, nganjëherë ushunjëz e pangopur... e cila me mjeshtëri e fshihte trupin e kafshuar dhe lakuriqësitë e vulosura në mesnatë… Duke menduar se ku ta radhiti personalitetin e Valmirës, papandehur u dëgjua një rrapullimë e tmerrshme - dyert dykrahëshe të Klubit, u hapën dhunshëm nga një erë e fortë përplasëse. Era vetëtimthi u shndërrua në një dredhë tymi dhe gjithandej mori çdo gjë me vete. Me shpejtësi marramendëse ngjiti shkallët kah dalja. Nuk e di se ç`ndodhi?!!! – mirëpo, pa e kuptuar fare,  u gjinda jashtë ambientit të tymtë... – Ja, pra, i dashuri Hektor, kjo ishte ëndrra, e cila më lëmëriti nga frika se Valmirën e mori dredha për ta humbur përgjithmonë nga sytë e mi!...

- Euuuuu, Redon burri, bre!!! - sinqerisht po ta them se kjo ëndërr, vërtet paska qenë porsi një dramë më një përfundim të frikshëm, e mbushur përplot skena ndër më të ndryshmet, të mbështjella me xhelozi dhe dashuriçka të cilat paksa të kanë bërë të mendosh?!?...

- Sido që të jetë... - jam i lumtur që ishte vetem një ëndërr, e cila vërtet më trembi dhe ma shkundi shpirtin!..



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora