| E merkure, 29.05.2013, 07:22 PM |
ËNDËRR E
FRIKSHME
Nga Remzi Limani
Më thuaj
mik i dashur – si fjete mbrëmë? Nuk e di?!? Disi sikur ende nuk kam dalur nga
një ankth i një ëndrre, e cila shtrydhi djersët e vdekjes në mua... Ma mori
mendja - tërë natën mërmërisje diçka dhe ziheshe me vetveten! Paska qenë ëndërr
e vështirë... kur të kthjellësh, të shoqëruar me kafetë e mëngjesit do të ma
tregosh – i tha Hektori. Patjetër, do ta tregoj të bindesh edhe ti se vërtet
ishte ëndërr lemeritëse...
Pasi i
servuan kafetë në terracen verore, Redoni filloi ta shtrinte ëndrrën e tij. Eh, Hektor burri! - ëndrra sikur më futi në
brendinë e bodrumit të hotelit “Iliria”. Aty, para shumë vitesh, funksiononte
Klubi i Artistëve, prandaj gati për çdo mbrëmje takoheshim me shumë miq,
kuptohet - kryesisht me njerëz nga bota e artit. Asokohe, Klubi fillonte me
punë prej orës 20.00 dhe vazhdonte deri pas mesnatës. Aty hapeshin ekspozita të
arteve pamore, mbaheshin mbrëmje poetike, shfaqej ndonjë monodramë dhe
rrallëhere vihej në skenë edhe ndonjë kabare e organizuar nga aktorët e
qytetit. Këtu të gjithë njiheshim në mes vete - përpos ndonjë mysafir që vinte
së bashku me dikë, ngase aty s`mund të hynte njeri i cili nuk ishte anëtarë i
klubit. Që të gjithë ishim të pajisur me libreza të rregullta anëtarësie dhe
gëzonim të drejtën që të merrnim me vete edhe ndonjë mik apo mikeshë. Mbrëmjet
bëheshin vërtet artistike, gjatë tërë kohës dëgjohej muzika e lehtë magjepsëse
e luajtur në piano dhe violinë, ku ekzekutoheshin meloditë më të bukura të dala
nga këngët e vjetra shqipe dhe shansoneve të njohura që të bënin të dehesh edhe
pa pirë asgjë. Dhe, pikërisht në këtë klub, sikurse isha i ulur në njërën prej
tavolinave në platformën e lartë të klubit dhe mezi i shihja të tjerët nga tymi
i duhanit të konsumuar. Herë-herë, hapej dera dykrahëshe dhe shtëllungat e tymit
ngjitnin shkallëve të bodrumit drejt daljes për t`u ajrosur atmosfera, sepse
sikur nuk funksiononte si duhet sistemi i ventilimit për pastrimin e ajrit.
Gati të gjitha tavolinat ishin veshur me të dehur. Të gjithë mundoheshin ta
shuanin etjen e ditës. Mua, sikur më bëhej se Valmira qëndronte në mesin e disa
artistëve, të cilët me puthje u mundonin t`ia mbulonin të gjitha bardhësitë e
trupit me të gjitha të çiturat e saja shpërthyese… Të gjithë rrinin të mbuzur e
të ngjeshur pranë saj. Sikur me ngulm donin ta përqafonin virgjërinë e natës
dhe shkëlqimin e saj prej hëne. Nga lakmitë e bardhësive të saja verbuese,
fytyrat e zbehta aristokrate të artistëve shikonin të uritur dhe pa nda
vriteshin në sytë e saj. Të gjithë dukeshin si hije nate, pranë mbretërisë së
saj, e cila në vazhdimësi shkrepte në brendinë e errësirës së tymtë. Të
magjepsur nga vezullimi i syve që ndritnin hapësirën rreth tyre, frymësosur
shkriheshin nga epshet e dehura duke u varur në flokun e saj... E tërë kjo,
sikur më vriste thellë, sepse Valmira sikur më shihte dhe sikur bëhej
indiferente ndaj pranisë sime. Sikur qëllimisht donte të luante me ndjenjat e
mia. Nuk e di - nëse donte të thoshte dhe të lavdërohej se para saj shtriheshin
emra të veçuar piktorësh dhe poetësh të njohur në panoramën kulturore...
Vërtet, nuk e di, Hektor?! Ëndrrat si ëndrrat, më - ato të fusin kudo, nëpër
labirinthet e mendjes së vrarë, pikërisht për të kuptuar peshën e një diçkaje,
e cila të bënë për vete dhe nuk të lëshon dot!… Eh!... – sikur me pezëm, shfryu
Redoni... - Personaliteti dhe imazhi i Valmirës, në ëndërr, dukej disi ndryshe
nga e vërteta. Ajo, brenda ëndrrës, dukej tepër lozonjare, që të bënte të
çmendesh pas saj – siç vepronin dhe binin pre edhe aristët e mbuzur pranë
saj... Ajo vërtet shkëlqente në çdo kuptim dhe e tërë hapësira eksitohej me
pamjen e qendisur prej një femre që i bënte për vete të gjithë të pranishmit,
brenda natës së etur... Flokët i kishte
lëshuar lirshëm prapa shpinës mbi fustanin e çelur bojëverë, në të cilin
vizatohej e tëra me të gjitha format e theksuara të cilat këndshëm shpërthenin
nga trupi i saj... Me elegancë të përkryer, me të ndenjurat mollaqe, rrinte
ulur me këmbë të kryqëzuara dhe natyrshëm i dilte në pah bardhësia e pjesës më
mishtore të kofshës së majtë, e cila sikur qëllimisht, shpalosej nga ana ime.
Me zë të lehtë dhe fjalët nën gjuhë i pëshpëriste dikujt fjalët magjike në
veshët e kësaj ëndrre të çmendur. Nga atmosfera e tymtë, që asnjëherë nuk u
krijonte në këtë masë çfare dukej në ëndërr, ajo dukej sikur e veshur në një
këmishë nate. Herë-herë, sikur silueta e saj fshihej prapa një perdeje tyli dhe
përgjonte fjalët më banale të mbështjella me ëmbëlsitë e saja që i zinin n`gojë
artistët rreth fizikusit të saj përplot mrekullira… Pastaj, disi e shihja të
përqafuar dhe sikur luhatej në prehërin e njërit prej artistëve, të cilët
rrinin rrotull saj. Interesant, Hektor! - papandehur më erdhi një zë femre i
panjohur dhe me ngadalë, këndshëm bëlbëzoi disa fjalë në veshin tim, duke ma
qetësuar mendjen, disi butësisht sikur më tha: “Mos u merakos, i dashur! - unë
jam e jotja - kjo që duket në sytë e t`u, ështe vetëm një mashtrim optik nga
pijet e forta, të cilat krijojnë halucinacione!...”. Kështu më tha dikush nga
ëndrra dhe pa e parë, iku nëpër mugëtirën e duhanit. Vërtet interesant,
Hektoro-ooo! Llambadari i varur mbi kokën e saj, lente përshtypje sikur e
shihja në dritë hëne - ashtu të zhveshur me flokun e shprishur duke vallëzuar
me krahët e pulëbardhës së humbur në mugëtirën e ngritur diku mbi një lumë.
Dhe, çuditërisht matanë, në një breg
lumi, fshatarët gjuanin peshk, sepse dikush u kishte thenë se peshku i
sivjemë qenka peshku i jetëgjatësisë... Sa më shumë që do të konsumonin mishin
e peshkut, aq më gjatë do të jetonin... Çudi, kush do ta hante një peshk brenda
ditës, ai do t`ia shtojë vetes edhe një vjet jetë më shumë. Prandaj, bregu i
lumit ishte mbushur përplot fshatarë, të cilët me vete kishin marrë shumë
shporta thuprash dhe, të larë në djersë, mundoheshin të zinin peshk sa më
shumë...
- Mandej,
Hektor i dashur - Valmira bëhej sikurse rastësisht më kishte vërejtur. Sa herë
që e shikoja tinëzisht, asaj iu vijëzonte një buzëqeshje e lehtë, e cila më
pushtonte të tërin dhe krijonte një ndjenjë të prushtë në mua... Dhe, ashtu e
vaçantë, me një pamje parajsore, me elegancë vazhdonte të puthte gotën barkushe
të mbushur me “Brendy”. Të gjithë e shikonin fytyrën e saj të reprodukuar në
pasqyren e varur afër banakut, në të cilën vazhdimisht rrinte i shfaqur profili
i saj faqendezur. Pamja e saj ma kujtonte bukurinë e Pentesilesë me tërë
lakuriqësitë e varura në krahët e Akilit. E tëra më ngjante në një mbretëreshë
e netëve të kafshuara..., e cila pa pushuar harbonte nëpër dhomat e Sarajeve të
Bardha... Artistët e ngazëllyer dhe të shpërmendur nga pafundësia e zjarrtë për
të - të dehur e të pafrymë, vdisnin duke qarë në prehërin e saj. Kuadrot e
ëndrrës ndërroheshin vetëtimthi duke më bartur nëpër hapësira të ndryshme dhe,
sakaq, në një moment, Hana u paraqit e zhveshur brenda një atelieje të madhe e
të mbushur përplot kavaleta piktotësh. Ajo, me tërë lakurqësitë e saja, rrinte
e shtrirë në një platformë të ngritur nga dyshemeja... Artistët, ashtu të larë
në djersë, me vija lirike, ia nxirrnin formatin e trupit, duke i theksuar
format më mishtore nga trupi i saj. Disa poetë, të ngjeshur në një kënd të
atelies symbullurazi përjetonin vijat dhe format e saja të përkryera, që
theksoheshin dhe shpërthenin në sytë e tyre. Ata, këndshëm luanin me shkronja
dhe krijonin poezitë më subtile, duke i kënduar lakuriqësisë lezetare, e cila rrinte
e shkrirë mbi një çarçaf të kaltër mëndafshi të zhubrosur... Nëpëmjet vargjeve,
plot dihamë, ngjiteshin bregut të virgjër - drejtë portës së parajsës për ta
shuar etjen midis kofshëve të saj… Papritmas, njëri prej poetëve me nyjet e
gishtërinjve, fillio t`i binte tavolinës, duke i lutur të tjerët për një çast
qetësie e respekti. Tashmë i ngritur në këmbë, donte të recitonte poezinë e tij
të sapokrijuar, inspiruar dhe kushtuar bukurive mahnitëse të një trupi, të një
mrekullie që ia përkujtonte Venusin e fjetur, ku kurmi i vajzës nudo, ndjekte
vijat e buta të kodrave. E shtrirë në dritësimin e prajshëm të peizazhit, ajo
pozonte në krevatin e veshur me të kaltrën mbretërore mbi të cilin ngritej
peizazhi me nuancat e preshta parajsore në sfondin e pikturës prapa saj. Kështu
dhe në këtë mënyrë, Hektor i dashur - pozita dhe imazhi i lakuriqësisë së saj
më ngjante në një tablo pikture të punuar nga piktori, Giorgione. Tani, mbi
këmbët e dehura dhe duke u luhatur, poeti filloi të gërmëzonte fjalët e
shkruara në vargje, duke i nxjerrë me dhembje shpirti. I tëri i pushtuar...,
ashtu me mendje të shkëputur kah platforma e ngritur, ku shtrihej Vala, filloi
me këto fjalë:
Sonte më vjen syve një përhitje
Pranë meje ndalon e mbuzur
Nëpër gurë mendimesh rrokullisem
I verbër për Ty vdes i etur
Një suvalë çmendie bie mbi mua
Me hijen tënde merrem ngrykas
Murmurimë gjethesh këndshëm
gjëmojnë në mua
Loti im ndaloi në brigjet e
qepallave
Të lutem…
Mos i lejo buzëqeshjet e dehura
Zemren të ma hanë
Si copë mishi të prishur
Me dehuri të shpalosi të tërën
Bardhësitë tua vërbuese
Për të parë vetveten
Duke shuar etjen në ty...
Dhe,
merre me mend, Hektor - poezinë e dëgjova me vëmendje e cila më solli në një
suvalë çmendije... – Eh-hooo, Hektori im i dashur - çuditërisht fillova të
ndihem disi i mashtruar... Indiferenca e saj ndaj meje, më bënte të ndryshoj
mendimin për të. Edhe pse, ajo më kishte premtuar se më takonte vetëm mua dhe,
kjo që po ndodhëte, sipas saj - s’ishte asgjë tjetër përveçse një performancë
artistike - mua më bëhej sikur nuk besoja asgjë!… Vërtet nuk dija se ç`po
ndodhte në atë mugëtirë që shtrihej kudo rreth saj. Nëpër të njëjtën mugëtirë
ia vështroja sytë dhe ngrihja nga një gllënjkë “Fernet”, përplot ndjenja
hidhësie në mua. Duke tundur kokën e dehur, mendoja për Valmirën e cila tashmë
dukej tepër indiferente edhe ndaj artistëve që vriteshin në sytë e saj… Ajo,
tashmë vërtet më dukej e dyshimtë… Herë-herë më dukej mbretëreshë dhe herë-herë
e shpalosur nëpër pasqyrat e sarajeve të bardha, e kallur deri në çmendinë e
epshit duke e shuar zjarrin në brendinë e saj. Vërtet, tashmë nuk e dija se
ç’po ndodhte?! - nganjëherë më dukej butësi engjëllore, nganjëherë ushunjëz e
pangopur... e cila me mjeshtëri e fshihte trupin e kafshuar dhe lakuriqësitë e
vulosura në mesnatë… Duke menduar se ku ta radhiti personalitetin e Valmirës,
papandehur u dëgjua një rrapullimë e tmerrshme - dyert dykrahëshe të Klubit, u
hapën dhunshëm nga një erë e fortë përplasëse. Era vetëtimthi u shndërrua në
një dredhë tymi dhe gjithandej mori çdo gjë me vete. Me shpejtësi marramendëse
ngjiti shkallët kah dalja. Nuk e di se ç`ndodhi?!!! – mirëpo, pa e kuptuar
fare, u gjinda jashtë ambientit të
tymtë... – Ja, pra, i dashuri Hektor, kjo ishte ëndrra, e cila më lëmëriti nga
frika se Valmirën e mori dredha për ta humbur përgjithmonë nga sytë e mi!...
- Euuuuu,
Redon burri, bre!!! - sinqerisht po ta them se kjo ëndërr, vërtet paska qenë
porsi një dramë më një përfundim të frikshëm, e mbushur përplot skena ndër më
të ndryshmet, të mbështjella me xhelozi dhe dashuriçka të cilat paksa të kanë
bërë të mendosh?!?...
- Sido që
të jetë... - jam i lumtur që ishte vetem një ëndërr, e cila vërtet më trembi
dhe ma shkundi shpirtin!..