E diele, 04.05.2025, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Sa për një jetë

E hene, 27.05.2013, 07:51 PM


Kostaq Duka

 

Sa për një jetë

-triptik-

 

 

Kthim në bahçen e vjetër

 

Për trishtimin tim

s’kishin faj lulet,

as toka e zezë

djersitur nga mundimi i lindjes.

Pikëllimi im

rrënjëzohej në dhimbjen që me ikjen tej

kisha humbur

të drejtën e kopshtarit, kujdestarit të luleve.

 

 

Një pemë –një pyll

 

Me linjën ekspres

të mallit e padurimit

po shkoj në vendin e lindjes.

Thjesht për të mbjellë një pemë,

në kodrat lëkurë reshkur nga bora e dielli

ku dikur akacjet më nanurisnin fëmininë.

 

Po shkoj…

Thjesht për të mbjellë një pemë.

Eh ç’pyll do krijohej

sikur pas meje të vinin

me mijra të ikur të tjerë!

 

 

Sa për një jetë

 

Pas shtëpisë së parë

mes një pylli të blertë,

një të dytë e bleva

pranë oqeanit  dallgëmadh të sertë.

Thashë pas kësaj

se shtëpia e vjetër

me gurë të zinj e tjegulla argjile

nga kujtesa do të tretej si një gjë pa vlerë.

Por jo!

Edhe pse shtëpitë e reja

më falin ngrohtësi dhe rehati

e vjetra me postë më dërgon pareshtur letra:

Mos u bëj i marrë!

një e fjetur tek unë

vlen sa për një jetë të tërë!

 

Maj 2013



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx