E diele, 04.05.2025, 07:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Pantallonat e ballkanasve

E marte, 28.05.2013, 08:31 PM


Pantallonat e ballkanasve

Nga Rezart Palluqi

Përse veshin pantallona të grisura, të arnuara  ose të gjëra ballkanasit?- më pyeti nipi dhjetëvjeçar mbas udhëtimit tetë ditor që kryem në të gjitha vendet e ballkanit.

-Sepse ata ia grabisin ose kafshojnë këmbët njëri-tjetrit. Shpesh ata kur marrin rob fqinjin ose fqinjtë e tyre, ose ia heqin plotësisht pantallonat atij, dhe ky i fundit detyrohet të kthehet me mbathje në shtëpi, ose i presin një copë atyre.

-Aha, prandaj shoh në Shqipëri dhe Kosovë njerëz me pantallona të grisura, të shkurtuara deri tek gjuri, me këmbë të gjakosura?!

-Po, prandaj!

-Po përse nuk blejnë pantallona të reja  xhaxha? Fabrikat prodhojnë  çdo ditë? Mos ndoshta nuk kanë para, ngaqë  ato janë të shtrenjta?

-Problemi qëndron shumë pak tek paratë. Ata pranojnë më mirë të ecin me gjunjë të zbuluar në mes të dimrit, se sa të blejnë pantallona të reja që të mos tradhtojnë pantallonat e tyre autoktone.

-Po do ftohen o, xhaxha. Pastaj, sa të shumtuar që duken njerëzit me pantallona të grisura, me njolla gjaku dhe me gjunj të enjtur! Të paktën t’i lajnë që të mos dallohen njollat e gjakut!

-Ah, nipi im kureshtar dhe i  çiltër. Po u lanë njollat e gjakut humbasin gjurmët e shkurtimit të pantallonave.

-Gadishull misterioz ky Ballkani, xhaxha, ë, si mendon ti?

-Shumë, por nuk është i vetmi. Evropa para ca dhjetëvjeçarësh sillej njëlloj.

Vërej në fytyrën e nipit një buzëqeshje domethënëse.

-Xhaxha,më pe kur u zgërdhiva së qeshuri kur pashë ato grekët dhe serbët me pantallonat e gjata tre metra dhe dhjetë herë më të gjëra se sa kofshët e tyre?

-Kë pantallona, sepse grekët dhe serbët kanë shumë pantallona?

-Ato që mbanin stampën e Aleksandrit të madh, duke brohoritur dhe krekosur në sheshin Omonia të Athinës dhe Beogradit!

- Ha, ha! Po, edhe unë për  pak sa nuk shpërtheva në të qeshura.

-I habitshëm greku dhe serbi! Edhe pse u pengua nga pantallonat dhe rrëzua tre herë përdhe, nuk i hoqi që nuk i hoqi ato.

Ç'i duan grekët dhe serbët kaq shumë pantallona, aq më keq shumë më të mëdha se sa trupi i tyre? Në Selanik pashë përsëri grekë të tjerë të vishnin pantallona përsëri gjigande, të arnuara mbi njëqind herë, kësaj radhe me stampën mbrapa: Konstadini i madh. Në Beograd pantallona me stampën e Stefan Dushanit dhe Titos. Në Janinë pashë të vishnin pantallona me stampën e Zervas. Ma shpjego të lutem?

-Ah, nipi im i dashur,naiv dhe kurioz. Aleksandri pushtoi dikur treçerekun e botës, Kostandini mbrojti Stambollin e sotëm, Stefan Dushani dikur Selanikun, Titoja krijoi konfederatën jugosllave e kështu me radhë...

-Xhaxha, mësuesja na mëson se Evropa është pushtuar qindra herë, por  ja, kur ishim bashkë në Gjermani dhe Holandë , nuk pamë njerëz  të vishnin pantallona të grisura, arnuara, ose shumë më të mëdha se këmbët e tyre?!

-Andej i mbajnë pantallonat e  vjetra të  fshehura në dollape, ose i hedhin në allçi, bronx dhe ekspozojnë në muzeume.

Gjermanit të sotëm, dhe kjo është për ta pasur zili, i skuqet fytyra kur i kujton pantallonat e Hitlerit, ndërsa holandezët e djallëzuar,  i veshin fshehurazi në shtëpi ose ruajnë me dashuri në enciklopeditë e tyre piratike.

-Më duket se e njëjta histori vlen edhe për pantallonat me dhjetëra arna të serbëve, me stampën e Stefan Dushanit apo Titos apo bullgarëve dhe rumunëve?- pyeti nipi me shpejtësi.

-Po. Edhe ata veshin pantallona gjysëm ose çerek të grabitura prej fqinjve të tyre. Besoj se të ra në sy, copa e shkurtuar e pantallonave të serbëve?

-Po, por ama atyre tani pantallonat i rrinin jek e jek tek këmbët. As të gjata, as të shkurtëra.

-Ashtu thuaj ti, nipi im- i përkëdhel flokët me dashuri- por atë copën e pantallonave që bota ia riktheu dhe arnoi pantallonave të kosovarëve, ata e ëndërrojnë dhe qajnë me oji, si nëna Dorutinën mbas derës së vdekjes.

-Xhaxha, më duhet të nisem për në shkollë, por pa më thuaj shkurt si do zgjidhet ky halli i madh i “ pantallonave të ballkanasve” siç e quan ti? Sepse unë dua të vesh pantallona të plota dhe jo gjysmake. Nuk jetohet në dimër të acartë me gjunjtë e zbuluar dhe gjakosur!

-Unë mendoj se ballkanasit duhet t’i lajnë urgjentisht pantallonat e gjakosura që kanë veshur tani dhe më pas t’i hedhin në allçi.

-Dhe a do ndodhë kjo sipas mendimit tënd?

-Nuk e di!

-Mund të ndodhë vetëm nëse ne i tërheqim fort veshët historianëve ballkanas të cilët i shpallin pantallonat ballkanase të shenjta me qëllim që ata të mos veshin pantallona të reja.

Rrobaqepësit duhet të qepin pantallona të reja për të gjithë ballkanasit, sipas gjatësisë aktuale të këmbëve të tyre. Pra, pantallona as të gjata, as të shkurtra, as të gjëra, as të ngushta, por jek e jek me këmbët e tyre. Bukëpjekësit duhet që xhepat e pantallonave të reja t’i mbushin me panine të ngrohta.

-Po nëse historianët dhe furrxhinjtë nuk marrin vesh?

-Atëherë duhet t’i hedhim pas hekurave të birucave. Ndësa furrxhinjve duhet t’ia vjedhim zjarrin që i besuam për të pjekur bukën.

Pastaj këtë e keni edhe ju brezat e rinj në dorë.

Nipi im, me fytyrë të vrenjtur, kur pa të vinte urbani, rende të mos e humbiste.

Nga dritarja e palarë dhe gjysmë e hapur e autobusit tha me zë të shqetësuar:

-Idetë e tuaja do ia shpalos urgjentisht mësueses së historisë…

Fytyra e tij, mbas xhamit të turbullt dhe pluhurosur të autobusit, m’u duk e trishtë dhe e frikshme…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx