| E marte, 28.05.2013, 08:31 PM |
Pantallonat
e ballkanasve
Nga Rezart Palluqi
Përse
veshin pantallona të grisura, të arnuara
ose të gjëra ballkanasit?- më pyeti nipi dhjetëvjeçar mbas udhëtimit
tetë ditor që kryem në të gjitha vendet e ballkanit.
-Sepse
ata ia grabisin ose kafshojnë këmbët njëri-tjetrit. Shpesh ata kur marrin rob
fqinjin ose fqinjtë e tyre, ose ia heqin plotësisht pantallonat atij, dhe ky i
fundit detyrohet të kthehet me mbathje në shtëpi, ose i presin një copë atyre.
-Aha,
prandaj shoh në Shqipëri dhe Kosovë njerëz me pantallona të grisura, të
shkurtuara deri tek gjuri, me këmbë të gjakosura?!
-Po,
prandaj!
-Po përse
nuk blejnë pantallona të reja xhaxha?
Fabrikat prodhojnë çdo ditë? Mos ndoshta
nuk kanë para, ngaqë ato janë të
shtrenjta?
-Problemi
qëndron shumë pak tek paratë. Ata pranojnë më mirë të ecin me gjunjë të zbuluar
në mes të dimrit, se sa të blejnë pantallona të reja që të mos tradhtojnë
pantallonat e tyre autoktone.
-Po do
ftohen o, xhaxha. Pastaj, sa të shumtuar që duken njerëzit me pantallona të
grisura, me njolla gjaku dhe me gjunj të enjtur! Të paktën t’i lajnë që të mos
dallohen njollat e gjakut!
-Ah, nipi
im kureshtar dhe i çiltër. Po u lanë
njollat e gjakut humbasin gjurmët e shkurtimit të pantallonave.
-Gadishull
misterioz ky Ballkani, xhaxha, ë, si mendon ti?
-Shumë,
por nuk është i vetmi. Evropa para ca dhjetëvjeçarësh sillej njëlloj.
Vërej në
fytyrën e nipit një buzëqeshje domethënëse.
-Xhaxha,më
pe kur u zgërdhiva së qeshuri kur pashë ato grekët dhe serbët me pantallonat e
gjata tre metra dhe dhjetë herë më të gjëra se sa kofshët e tyre?
-Kë
pantallona, sepse grekët dhe serbët kanë shumë pantallona?
-Ato që
mbanin stampën e Aleksandrit të madh, duke brohoritur dhe krekosur në sheshin
Omonia të Athinës dhe Beogradit!
- Ha, ha!
Po, edhe unë për pak sa nuk shpërtheva
në të qeshura.
-I
habitshëm greku dhe serbi! Edhe pse u pengua nga pantallonat dhe rrëzua tre
herë përdhe, nuk i hoqi që nuk i hoqi ato.
Ç'i duan
grekët dhe serbët kaq shumë pantallona, aq më keq shumë më të mëdha se sa trupi
i tyre? Në Selanik pashë përsëri grekë të tjerë të vishnin pantallona përsëri
gjigande, të arnuara mbi njëqind herë, kësaj radhe me stampën mbrapa:
Konstadini i madh. Në Beograd pantallona me stampën e Stefan Dushanit dhe
Titos. Në Janinë pashë të vishnin pantallona me stampën e Zervas. Ma shpjego të
lutem?
-Ah, nipi
im i dashur,naiv dhe kurioz. Aleksandri pushtoi dikur treçerekun e botës,
Kostandini mbrojti Stambollin e sotëm, Stefan Dushani dikur Selanikun, Titoja
krijoi konfederatën jugosllave e kështu me radhë...
-Xhaxha,
mësuesja na mëson se Evropa është pushtuar qindra herë, por ja, kur ishim bashkë në Gjermani dhe Holandë
, nuk pamë njerëz të vishnin pantallona
të grisura, arnuara, ose shumë më të mëdha se këmbët e tyre?!
-Andej i
mbajnë pantallonat e vjetra të fshehura në dollape, ose i hedhin në allçi,
bronx dhe ekspozojnë në muzeume.
Gjermanit
të sotëm, dhe kjo është për ta pasur zili, i skuqet fytyra kur i kujton
pantallonat e Hitlerit, ndërsa holandezët e djallëzuar, i veshin fshehurazi në shtëpi ose ruajnë me
dashuri në enciklopeditë e tyre piratike.
-Më duket
se e njëjta histori vlen edhe për pantallonat me dhjetëra arna të serbëve, me
stampën e Stefan Dushanit apo Titos apo bullgarëve dhe rumunëve?- pyeti nipi me
shpejtësi.
-Po. Edhe
ata veshin pantallona gjysëm ose çerek të grabitura prej fqinjve të tyre. Besoj
se të ra në sy, copa e shkurtuar e pantallonave të serbëve?
-Po, por
ama atyre tani pantallonat i rrinin jek e jek tek këmbët. As të gjata, as të
shkurtëra.
-Ashtu
thuaj ti, nipi im- i përkëdhel flokët me dashuri- por atë copën e pantallonave
që bota ia riktheu dhe arnoi pantallonave të kosovarëve, ata e ëndërrojnë dhe
qajnë me oji, si nëna Dorutinën mbas derës së vdekjes.
-Xhaxha,
më duhet të nisem për në shkollë, por pa më thuaj shkurt si do zgjidhet ky
halli i madh i “ pantallonave të ballkanasve” siç e quan ti? Sepse unë dua të
vesh pantallona të plota dhe jo gjysmake. Nuk jetohet në dimër të acartë me
gjunjtë e zbuluar dhe gjakosur!
-Unë
mendoj se ballkanasit duhet t’i lajnë urgjentisht pantallonat e gjakosura që
kanë veshur tani dhe më pas t’i hedhin në allçi.
-Dhe a do
ndodhë kjo sipas mendimit tënd?
-Nuk e
di!
-Mund të
ndodhë vetëm nëse ne i tërheqim fort veshët historianëve ballkanas të cilët i
shpallin pantallonat ballkanase të shenjta me qëllim që ata të mos veshin
pantallona të reja.
Rrobaqepësit
duhet të qepin pantallona të reja për të gjithë ballkanasit, sipas gjatësisë
aktuale të këmbëve të tyre. Pra, pantallona as të gjata, as të shkurtra, as të
gjëra, as të ngushta, por jek e jek me këmbët e tyre. Bukëpjekësit duhet që
xhepat e pantallonave të reja t’i mbushin me panine të ngrohta.
-Po nëse
historianët dhe furrxhinjtë nuk marrin vesh?
-Atëherë
duhet t’i hedhim pas hekurave të birucave. Ndësa furrxhinjve duhet t’ia vjedhim
zjarrin që i besuam për të pjekur bukën.
Pastaj
këtë e keni edhe ju brezat e rinj në dorë.
Nipi im,
me fytyrë të vrenjtur, kur pa të vinte urbani, rende të mos e humbiste.
Nga
dritarja e palarë dhe gjysmë e hapur e autobusit tha me zë të shqetësuar:
-Idetë e
tuaja do ia shpalos urgjentisht mësueses së historisë…
Fytyra e tij, mbas xhamit të turbullt dhe pluhurosur të autobusit, m’u duk e trishtë dhe e frikshme…