E marte, 30.04.2024, 01:20 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Sylejman Salihu: Konkurs diturie në Gjermani

E marte, 07.05.2013, 07:44 PM


Konkurs diturie në Gjermani

Dituria është dashuri ndaj atdheut

Nga Sylejman Salihu,  Gjermani

1.

Është hera e njëzetëedytë që KASH-i “Naim Frashëri”në Gjermani organizoi konkursin e diturisë me nxënësit shqiptarë të shkollave shqipe në  Gjermani. Kjo ndodhi me 4 maj 2013 në qytetin e Bielefeldit të landit Nordrhein-Westfalen. Qytetarët shqiptarë të Bielefeldit ishin zgjuar më herët se të shtunave të tjera këtë ditë maji me diell dhe si rrezet e diellit që shkëlqenin, ashtu shkëlqenin edhe fytyrat e tyre për t'i pritur sa më bujarisht bashkatdhetarët e vet që vinin nga larg. Ata po prisnin krahëhapur shkollat shqipe bashkë me nxënësit , mësuesit dhe prindërit e tyre për t'u takuar në sallën e bukur e të stolisur me mbishkrime , flamuj dhe fotografi.  . Një salle moderne në formë të një amfiteatri modern, në të cilën nëpër vite kanë garuar edhe shkollat gjermane të ardhura nga Gjermania , po priste sot vizitorë të tjerë, ku gjuha shqipe ishte kryefjala e ditës.

2.

Ora 12. 00 kur do të fillonte programi artistik i hapjes së konkursit  po vinte  dhe njerëzit po zinin vendet e tyre. Pritshmëritë e pjesëmarrjes ishin të mëdha, por në orën e caktuar arritën vetëm 9 më të “guximshmit”. Shumë nga mësuesit dhe nxënësit nuk i ishin përgjegjur konkursit dhe kjo hodhi që në fillim hije të zymtë te të pranishmit. Ku ishin vallë nxënësit e tjerë? Ku ishin prindërit? Po mësuesit e tyre ku po strukeshin? Jo, ata nuk erdhën. Asnjë arsye nga askush. Një mungesë me heshtje. Një arsye e paarsye. Por,  sado karvanit të gjatë tashmë iu shkëputën disa, karvani rrugën përsëri nuk e ndali. Eci dhe eci.  Erdhi. Hyri në sallë dhe programi nisi udhën e mbarë. Zëri i himnit  kombëtar jehoi dhe të gjithë bashkërisht  nderojnë dhe këndojnë. . Pasojnë përshëndetjet. Përshëndet mësimdhënësi nikoqir, autor i këtyre rrjeshtave. Uron mirëseardhje, uron suksese për nxënënësit dhe u thotë se për të gjithë do të ketë bukë e kripë e zemër nga sofra shqiptare e qytetarëve shqiptarë të Bielefeldit. Përshëndet përfaqësuesi i prindërve, Haqif Berisha, përfaqësuesi i shoqatës “Kosova”Sami Kutllovci, përshëndet kryetari i KASH-it “Naim Frashëri”për Gjermani, Rifat Hamiti, përfaqësuesi i MASHT-it të Kosovës, Nuhi Gashi. Fjalë miradie për mikpritësit, fjalë miradie për nxënësit pjesëmarrës por edhe “qortime” për të munguarit.  Pastaj në skenë dalin nxënës që recitojnë, dalin vajza shkollare të veshura me kostume kombëtare dhe  flamuj,  që këndojnë për Kosovën, për Bacën , duke  dërguar mesazhin refren”bacë u kry”. Fiona e vogël 6 vjeçe bëhet shqipe që do të fluturojë për në Kosovë, Orgesi  me humor reciton për “mosmarrëveshjet” e mbesës me gjyshën në internet rreth gjuhës shqipe. Dhe u vjen radha që të dalin në skenë mysafirët e lartë gjermanë. Bashkiaku Detlef  Helling tregon përvojën e tij në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë me shqiptarët në qytetin e Bielefeldit, ndjehet i nderuar teksa merr buqetën e luleve. Pas tij ngjitet në skenë europarlamentari Elmar Brok, i cili udhëheqë  komisionin për politikën e jashtme të Brukselit. Është një bashkëpunëtor i ngushtë i Zonjës Merkel. Sheh flamurin me gjashtë yje dhe si me humor thotë se flamuri juaj paska yje  sa gati gjysma e yjeve të flamurit europian. Flet për marrëveshjen Kosovë-Sërbi, që çon drejt progresit, flet për integrimin që nuk do të thotë asimilim. Pastaj, Kadri Bekteshi në emër të qytetarëve shqiptarë të Bielefeldit i jep lule por edhe portretin e Nënës Tereze. Vetë Elmar Brok ka filluar karrierën e tij si europarlamentar atëherë kur Nëna Tereze kishte marrë çmimin Nobel. Ndjehet i nderuar  dhe i entuziazmuar pastaj del se ka një agjendë tjetër dhe përcillet me duartrokitje. I thotë shoqëruesit:nuk e prisja kështu. Qenka mirë të jesh midis shqiptarëve.  Por ku ishin diplomatët tanë? Konsulli, vicekonsuli, ambasadori? Kishin orare dhe agjenda të ngjeshura? Ishin të stërngarkuar? Elmar Brok ka 33 vjet që është deputet në parlamentin europian dhe përkundër agjendës së ngjeshur atë ditë, gjeti pak kohë të takonte komunitetin shqiptar në Bielefeld. Apo mbase vetë shqiptarët janë ambasadorët më të mirë të vendit të tyre!? Programi artistik i shkollës mikpritëse vazhdon me valle, me recitime. Rina, me plisin e bardhë mbi kokë,  reciton Gjergj Fishtën tek mallkonte ata që në vend të gjuhës shqipe përdorin gjuhën e huaj “kur s'asht nevoja”.  Pranvera, Adelina, Jetmira, Bleona, Donika, Melisa, Kaltrina, Adriana, Elora, Medina, Hasija vallëzojnë dhe gjarpërojnë me lëvizjet e tyre në skenë, duke u shoqëruar nga duartrokitjet e publikut. Shkëlqen koloriti i pasur i ngjyrave kombëtare. Vajzat me hapat e tyre ritmikë lëvizin shlirshëm teksa prezentojnë artin e tyre të vallëzimit. Ngadalë programi artistik i shkollës shqipe të Bielefeldit shënon fundin. Fillon pushimi i drekës. Të gjithë i pret sofra shqiptare:lakrorë me spinaq, byrekë e kuleçë me djath, mantia me mish. Po fli a ka? Mungesa të tilla nuk ndodhin ndër shqiptarë. . Para tyre shfaqen tepsitë me flija. Dhe në fund si zakonisht pastat dhe ëmbëlsirat.

3.

Pasi kanë drekuar,  nxënësit zënë vendet e tyre. Fillon gara e madhe: konkurimi, kush sa di, kush sa mundet. Nëntë shkolla janë gjithsejt. Secila shkollë përfaqësohet nga pesë nxënës. Tërheqin  shortet e tyre me emrat e bukur që mbulojnë identitetin e tyre. Janë qytetet shqiptare nga etnikumi gjeografik  shqiptar:Janina, Presheva, Shkupi, Mitrovica, Ulqini, Prizreni, Tirana, Vlora, Tetova.

Dalin në skenë. Juria është në vendin e vet:Nuhi Gashi, Shpresa Përzhaku dhe Etleva Mançe. Videoprojektori hedh në pëlhurë pyetjet. Moderatori i lexon ato. Nxënësit konsultohen mes vete. Cila është e saktë:a, b, apo c? Ca  drithërima të vogla i përshkojnë trupat e tyre të njomë. Por janë të përgatitur mirë. Me përkushtim, sepse e duan atdheun . Kanë mësuar:histori, letërsi, gjeografi, kulturë muzikore, kulturë figurative. Atdheu kërkon dije e këta janë ardhmëria e tij. Ata mund ta çojnë përpara atë. Me dije, me kulturë, me punë. Dhe koha ecën. Përgjigjjet pozitive shoqërohen me duartrokitje nga publiku. Zemër dhe kurajë për nxënësit konkurentë. Ekipet i afrohen fundit:do të ketë fitues?  .

Juria më në fund arrinë të shpallë fituesit:Vendi i parë u takoi dy ekipeve më të forta:Bielefeldi dhe Vierseni me mësuesit e tyre Sylejman Salihu dhe Adem Shala;vendi i dytë Duisburgut me mësuese Shpresa Përzhakun dhe vendi i tretë Gelsenkirchenit me mësuese Etleva Persh. Prindërit nikoqirë ndajnë çmimet. Dhuratat i kanë në kuvertë. Nuk do të kthehen duarbosh. Nuhi Gashi dhuron libra, dhuratë nga MASHT-i. Nxënësit janë të gëzuar. Qeshin para kamerës së RTK-së, . Ragip Ramaj interviston  fituesit. Fytyrat u qeshin. Do të na shohin gjyshja me gjyshin në ekran. Janë të gëzuar. Ishte ditë e mbarë, thonë. Por edhe kemi mësuar, shprehen të tjerët. Kanë të drejtë. Kamera fokusohet diku tjetër dhe shkëputë ca fjalë edhe nga bielefeldasit mikpritës. Ca ngurrojnë të flasin, të tjerë ia thonë shlirshëm. Pastaj fillon kënga dhe vallja. Të gjithë vallëzojnë. Nuk ka humbës këtu, se vetë pjesëmarrja dhe guximi për të marrë pjesë është fitore. Streset e garimit shkarkohen gjatë vallëzimit.  Ngadalë fillon ndarja. Janë njohur me njëri-tjetrin, kanë krijuar miqësi të reja, kanë bërë foto, kanë këmbyer adresa. Falenderojnë mikpritësit:Faleminderit Bielefeld!Bukë, kripë, zemër dhe dashuri. Por porosisin . shihemi  në Dyseldorf. Në një garë tjetër. Si çdo vit tjetër. Me 18 maj 2013 mbahen  garat sportive në futboll për nder të çlirimit të Kosovës, të cilat tashmë  janë bërë tradicionale.  Dhe Dyseldorfi shquhet për organizime të mira. Mirupafshim atje, pra, në fushën e gjelbër. Autobusi dhe veturat e tjera nisin udhëtimin e tyre sërish nga kanë ardhur.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora