E shtune, 27.04.2024, 04:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Mal Qorraj: Intervistë me Agim Vincën

E shtune, 02.02.2013, 10:53 AM


Në Ballkan secili pandeh se ia ka hedhur tjetrit

“Epoka e re”: Përshëndetje Profesor dhe urime 65-vjetori i lindjes! Keni botuar dhjetëra libra, secili më në zë se tjetri dhe më i veçantë se tjetri. Keni publikuar qindra opinione për fenomene të ndryshme letrare, kulturore, arsimore, gjuhësore, politike e shoqërore. S’keni heshtur kurrë për kurrfarë padrejtësie, që i është bërë shtetit e as kombit. S’besoj se do të heshtni as tash e tutje. Por, kaherë krijuesve u është bërë kjo pyetje, “Pse shkruani?”, por edhe janë dhënë shpjegime të ndryshme nga ta. Pse shkruan profesor Agim Vinca?

Agim Vinca: Kjo është pyetja më e zakonshme, por edhe më e vështira që mund t’i bëhet një krijuesi. Përse shkruaj? Shkruaj, sepse nuk di mënyrë tjetër më të mirë për ta realizuar veten; shkruaj, sepse nëpërmjet shkrimit dëshiroj të komunikoj me njerëzit, të njohur e të panjohur, të afërt e të largët, këtu e gjetiu, sot dhe nesër. Shkruaj, sepse dëshiroj të lë gjurmë në kohë, duke shpalosur veten, duke gjykuar për kohën dhe njerëzit dhe duke afirmuar të mirën e goditur të keqen; shkruaj, sepse të shkruarit është, pse jo, një lloj terapie, e cila, nëse nuk i shëron plotësisht, së paku i zbut, dhembjet që i shkaktojnë njeriut vetmia dhe melankolia. Shkruaj, sepse e dashuroj gjuhën në të cilën shkruaj, gjuhën shqipe dhe dua ta provoj veten duke u bërë, si thotë një poet i brezit tim (më duket Xh. Spahiu), “rob dhe zot i saj”; shkruaj, më në fund, sepse dëshiroj ta sfidoj vdekjen, aq sa është e mundur kjo gjë nga ne njerëzit, që fizikisht jemi të përkohshëm në këtë botë.

“Epoka e re”: Në 65-vjetorin e lindjes suaj, Redaksia e revistës “Fjalë e valë” Ju kushtoi një numër tematik, i cili ka dalë si libër nën titullin “Krijuesi i pandalur”. Më 15 janar, ditën e fundit të semestrit dimëror të vitit akademik 2012/2013, në Fakultetin e Filologjisë u përurua ky botim, kurse Ju, me atë rast, u nderuat me mirënjohje “për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë zhvillimit dhe përparimit të Universitetit të Prishtinës”. Çfarë do të veçonit në këtë 65-vjetor? Është vështirë të plakesh duke shkruar letërsi e duke e studiuar atë?

A. Vinca: Revista “Fjalë e valë” është pothuajse e vetmja revistë letrare, që del rregullisht në Kosovë. Kohë më parë, kjo revistë shënoi 10-vjetorin e daljes së saj, gjë që do të thotë se ajo tashmë ka krijuar një traditë. Redaksia e revistës e ka parë të udhës që një numër të saj t’ia kushtojë veprimtarisë sime, siç thuhet në “Fjalën e Redaksisë”, me të cilën hapet ky numër i revistës, me rastin e 65-vjetorit të lindjes, 40-vjetorit të fillimit të punës në Universitet (1972-2012) dhe 40-vjetorit të botimit të librit tim të parë (Feniksi, 1972), për çka unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj publikisht. Ky botim tashmë ka dalë nga shtypi dhe gjendet në duart e lexuesve. Në të janë përfshirë shkrime të përzgjedhura për krijimtarinë time letrare e shkencore, disa poezi të miat në fillim (dy prej të cilave kushtuar Mitrovicës), një tufë poezish-kushtime për mua të disa poetëve të shquar shqiptarë e të tjerë dhe një kronologji e jetës dhe e veprimtarisë sime.

Kjo është, pak a shumë, përmbajtja e numrit tematik të revistës “Fjalë e valë”, të 23-tit me radhë, kushtuar “Prof. A. Vincës, në 65-vjetorin e lindjes”.

Ndërkaq, Universiteti i Prishtinës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka nderuar me mirënjohje një numër të konsiderueshëm profesorësh të këtij Universiteti, në mesin e të cilëve edhe mua. Meqenëse në manifestimin e organizuar me atë rast u tha se profesorëve të gjallë mirënjohjet do t’u dorëzohen nëpër njësitë akademike, u shfrytëzua rasti që mua të më dorëzohej në takimin e para do ditëve në Fakultetin e Filologjisë, gjë që e bënë bashkërisht dekani i Fakultetit dhe zëvendësrektori për mësim i Universitetit.

“Epoka e re”: Në fjalën tuaj të mbajtur në promovimin e revistës “Fjalë e valë”, në të vërtetë të librit “Krijuesi i pandalur”, Ju evokuat kujtime nga jeta juaj studentore dhe iu drejtuat me një porosi të pranishmëve në sallë, në mesin e të cilëve kishte edhe mjaft studentë...

A. Vinca: Fjala që mbajta unë në mbyllje të këtij takimi, siç më pëlqen ta quaj, titullohet: “Mos u dëshpëroni nëse rrëzoheni; dëshpërohuni nëse nuk ringriheni!”. Duke evokuar episodin e provimit të parë në jetë, në Fakultet, unë desha t’u transmetoj studentëve të mi, atyre në radhë të parë, por edhe të pranishmëve të tjerë në sallë, të rinj e pleq, një mesazh të qartë dhe dashamirës. Jeta ka rënie e ngritje, suksese e dështime. Puna është të mos thyhemi, të mos dëshpërohemi, të mos dorëzohemi. Konsideroj se ky mesazh ka konotacione më të gjera sesa jeta studentore dhe suksesi a mossuksesi në provime; ai na përket të gjithëve si individë dhe si pjesëtarë të një kombi e shoqërie.

“Epoka e re”: Kohë më parë u mbajtën zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Emri Juaj, për çudi, përsëri nuk figuron në listën e të pranuarve! Përse nuk po ju pranojnë në Akademi, Profesor: për shkak të xhelozisë, frikës së qëndrimit tuaj të drejtpërdrejtë: “e bardha e bardhë”, “e zeza e zezë”, apo ka ndonjë arsye tjetër, politike?

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE E KOSOVËS NUK E MERITON EMRIN QË KA

A. Vinca: Secila veç e veç dhe që të tria bashkë: xhelozia; frika nga qëndrimi i drejtpërdrejtë e jokonformist, në të vërtetë nga integriteti moral e intelektual, por edhe “mëkatet” e natyrës politike, intelektuale dhe shkencore në përgjithësi.

Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk kanë vepër të përfillshme shkencore ose edhe letrare e artistike; shumica syresh janë intelektualisht të tredhur, të shurdhër e memecë (jo rastësisht organet serbe në ndërtesën e vjetër të ASHAK-ut vendosën Shoqatën e Shurdhmemecëve!), pa dije e guxim intelektual dhe pa kredibilitet moral dhe, e treta, në ASHAK mbizotërojnë njerëzit që në periudhën e autonomisë kanë qenë jo vetëm anëtarë të devotshëm të Lidhjes së Komunistëve, por edhe plotësisht luajalë ndaj sistemit jugosllav; njerëz që shënonin me konferenca shkencore e botime të posaçme përvjetorët e “shokut Tito”, kurse pas vitit 1990 u shndërruan në anëtarë jo vetëm të devotshëm, por edhe fanatikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke mbështetur pa rezervë, individualisht dhe kolektivisht, “politikën e urtë e paqësore presidenciale”, akademët tanë kundërshtonin çdo formë të rezistencës aktive ndaj okupatorit, përfshirë edhe rezistencën e armatosur të UÇK-së, të cilën ata dhe “idhulli“ i tyre e quanin “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe”, kurse kryengritjen e armatosur “aventurë që kishte për qëllim ta digjte Kosovën” dhe t’ia lehtësonte kështu punën pushtuesit për ta shndërruar atë, sipas tyre, në “tokë të shkretë”.

Si njeri, krijues e intelektual kam qenë pothuajse prej fillimi kundërshtar i politikës së ashtuquajtur “paqësore”, të cilën disa e quanin, madje, edhe “gandiste”, që në fakt ishte politikë e frikës dhe e nënshtrimit dhe përkrahës i rezistencës aktive, padëgjueshmërisë qytetare ndaj organeve të pushtuesit në fillim dhe kryengritjes së armatosur për çlirim, më vonë, si e vetmja rrugë që duhet të ndjekë një popull që e ka seriozisht luftën e vet për liri e pavarësi.

Kjo është një përgjigje, e pjesshme, pyetjes suaj. Konsideroj se në mënyrë pak më të plotë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje në intervistat dhe paraqitjet e mia në media lidhur me “çështjen ASHAK”, kurse në mënyrë shumë më të plotë shpresoj t’i përgjigjem në një të ardhme jo shumë të largët.

“Epoka e re”: Kush mund bëhet sot anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës?

A. Vinca: Kushdo që e ka mirë me kryetarin e saj aktual, një gjeograf, që merret me tabela e statistikë demo(no)grafike; me dy ish-kryetarët e saj gjuhëtarë, relativisht të zotë si studiues, por tejet meskinë, cinikë e mizantropë si njerëz; me kryesinë e kësaj, ta quaj shoqate të shndërruar në shtëpi private; kushdo që u bën lajka dhe u vardiset atyre; që nuk ka “mëkate” politike dhe, mundësisht, as formim të mirëfilltë shkencor e intelektual; që është i urtë, simpatik, titist, rugovist, lëdëkë-lëdëdëist, mundësisht anëtar i ndonjërës prej partive-bisht (preferohet të qenit funksionar, fjala vjen, nënkryetar i ish-partisë fshatare të asfaltit!), preshevar a gjakovar, lokalist e provincialist (edhe në qëndrimin ndaj gjuhës standarde shqipe!); që di të tregojë anekdota e di të sillet me gjentilencë e të qeshë vesh më vesh para eprorëve të vet, pavarësisht që nuk është në gjendje të shkruajë as një faqe tekst pa gabime drejtshkrimore e të tjera; që nuk është në gjendje të mbajë një ligjëratë a fjalë për të qenë në Prishtinë se jo më gjetkë, se për vepra e projekte shkencore serioze as që mund të flitet.

Zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë tonë “të shkencave” prej viteve ’90 e këndej janë manipuluar secilën herë, por pas zgjedhjeve të fundit, të vitit 2012, në të cilën udhëheqja agile e ASHAK-ut, e realizoi, si asnjëherë më parë, qind për qind “planin” e vet katërvjeçar, duke pranuar 19 anëtarë të rinj përnjëherë, me ndonjë përjashtim, secili më beter se tjetri, ka ardhur koha që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të quhet e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, sepse nuk është më e tillë!

“Epoka e re”: Pasi jeni anëtar i Këshillit të Librit në MKRS deshëm të dimë se a jeni i kënaqur me veprat konkurruese të autorëve dhe shtëpive botuese që jua sjellin aty për ta marrë miratimin tuaj?

A. Vinca: Jo, aspak. Ose fare pak. Prurjet janë tejet modeste. Herë-herë edhe joserioze. Kjo gjendje flet për krizën nëpër të cilën kalon kultura jonë, e mjedisit tonë, kosovar, ku edhe njerëzve me tituj më të lartë shkencorë u mungon shumë herë kultura elementare e shkrimit, dija dhe përkushtimi krijues.

“Epoka e re”: Profesor, për punën, dijen, librat dhe kriteret në fakultet ju nderojnë kolegët dhe studentët, me shkrime promovuese rreth jush, kush tjetër jo. Edhe sa kohë do të jeni ligjërues në Fakultetin e Filologjisë dhe ku do të shkoni më pas?

UNIVERSITETI DHE POLITIKA E KUADROVE

A. Vinca: Me 65 dilet në pension. Sipas ligjit. Por ka një qëndrim që profesorët, për mungesë të pensionit (pensionet ekzistuese s’janë veçse ndihma sociale!), të angazhohen deri në moshën 70 vjeç. Pastaj, kush si; kah sytë këmbët!... Nëse do të jem gjallë e shëndoshë do t’i përkushtohem finalizimit të veprës sime shkencore dhe letrare, përfshirë edhe ditarët dhe kujtimet.

“Epoka e re”: Çfarë masash duhet të marrin Rektorati dhe Ministria e Arsimit për profesorët që mbajnë nga dy e tri punë, për ata që ligjërojnë në UP dhe në kolegje private?

A. Vinca: Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e mirë, konform ligjit, pa bërë asnjë lëshim. Por problemi i mbajtjes së dy a tre vendeve të punës dhe i angazhimeve të shumta në Kosovë është dukuri shumë e përhapur, që i kalon caqet e  Universitetit të Prishtinës dhe të sistemit arsimor në përgjithësi. Uzurpimi i posteve, i vendeve të punës, marrja përsipër e angazhimeve nga më të ndryshmet, të qenit anëtar bordesh e këshillash, gjithnjë kundruall një page të caktuar, është dukuri e përgjithshme në Kosovë. Në Kosovë ka shumë njerëz të papunë (edhe me kualifikime të larta shkollore e me grada shkencore), ka shumë të varfër, madje edhe të rrezikuar nga uria, ka pensionistë që, edhe pas dyzet vjet pune e kontributi, nuk mund ta sigurojnë ekzistencën e vet minimale dhe ka njerëz që s’ia dinë skajin pasurisë. Në këtë grup hyjnë në radhë të parë njerëzit e politikës (ata që i kanë në dorë penjtë e shtetit dhe tenderët e famshëm), por edhe në mesin e intelektualëve ka jo pak profiterë. Ka edhe njerëz që qëndrojnë me dekada në krye të institucioneve, madje edhe pa konkurs, duke iu përshtatur si kameleonë secilës parti që vjen në pushtet dhe duke i mitosur me lajka e dhurata ata që vendosin për postet e tyre, ministrat përkatës dhe shefat e tyre.

“Epoka e re”: Kaluam kështu, spontanisht, te problemet shoqërore dhe politike. Çfarë është politika e kuadrove në Kosovë? A bazohet ajo mbi meritokracinë apo mbi luajalitetin partiak, nepotizmin dhe servilizmin?

A. Vinca: Më vjen keq ta them, por Kosova nuk do të prosperojë derisa nuk do të ketë një politikë më të drejtë të kuadrove, që bazohet mbi kriterin e aftësisë profesionale dhe të ndershmërisë morale e jo mbi përkatësinë partiake dhe lidhjet familjare e “kritere” të tjera të ngjashme. Ende mbahet mend deklarata qesharake e një ministri të njërës nga qeveritë e kohës së LDK-së, i cili vërejtjes se kishte punësuar në dikasterin e tij dhjetëra të afërm të vet, iu përgjigj me fjalët: “Në Kosovë të gjithë janë: nip e dajë!”. Fjala “dajë” u përmend edhe në bisedat telefonike të njerëzve përgjegjës të partisë e cila e udhëheq sot Kosovën, të cilat iu bënë të njohura kohë më parë opinionit, aq sa mund të thuhet lirisht se tashmë është bërë metaforë e nepotizmit tonë proverbial.

Kundër nepotizmit duhet luftuar, njësoj sikurse kundër korrupsionit, shkeljes së ligjit, uzurpimit të pronës publike, keqpërdorimit të pushtetit dhe keqpërdorimeve të tjera, të të gjitha llojeve, që kanë vërshuar Kosovën tonë të dashur e martire, si e quanim dikur.

Politika e kuadrove e qeverisë aktuale dhe e partisë kryesore të koalicionit qeveritar, PDK-së, lë shumë për të dëshiruar edhe në një plan tjetër. Edhe pse duket si paradoks, PDK-ja, çuditërisht, më shumë se mbështetësit e saj, të dikurshëm apo edhe të tanishëm, i mbështet, shumë herë, kundërshtarët e saj, realë a potencialë, duke i shpërblyer me poste, privilegje e shpërblime! Më tha një ditë një mik, mbështetës i UÇK-së që në orët e para dhe i “krahut të luftës” pas ’99-s, si me shaka: “Ata më shumë kujdesen për armiqtë sesa për miqtë!”.

Do të përpiqem ta konkretizoj, pak a shumë, këtë që thashë më lart.

KUSH “VDES” E KUSH “NGORDH” NË KOSOVË!

Lexova kohë më parë në një nga të përditshmet tona fjalinë e mëposhtme: “Në Kosovë vdesin vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së. Të gjithë të tjerët ngordhin”. U skandalizova dhe s’u besoja syve duke e lexuar këtë fjali idioteske, që përsëritej dy herë brenda një teksti të shkurtër, të shkruar nga një kolumnist, i cili bënte sikur i kundërvihej asaj, por, ja që gjente rastin ta plasonte në shtyp. Askush nuk ka reaguar deri më sot, as me gojë e as me shkrim, ndaj kësaj thënieje morbide, që, po të ishte shqiptuar diku tjetër, do të ishin ngritur në këmbë i madh e i vogël. “...vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së vdesin; të gjithë të tjerët ngordhin”! O Zot, deri ku arrin fanatizmi politik! Po gratë lehona, po nënat plaka, po pleqtë mjekërbardhë, po fëmijët e foshnjat e pafajshme; po njerëzit zemërbardhë të kësaj toke, që nuk i takojnë e as nuk i kanë takuar ndonjëherë ndonjë partie politike... Kot. Të gjithë “ngordhin”, si qentë, nëse nuk janë anëtarë të LDK-së! E tmerrshme ta mendosh! Jo ta botosh! Dhe, papritmas, po ato ditë, autori i kolumnes në të cilën haset fjalia e mësipërme, zgjidhet anëtar i një bordi të rëndësishëm si përfaqësues i njërës nga ministritë tona më të rëndësishme, MASHT-it! Kurse vitin e kaluar, po nga kjo ministri, u zgjodh “shkencëtar i vitit” një profesor, i cili, në vitin 1991, kur u aplikuan masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës, i pranoi ato dhe vazhdoi të ligjëronte në Fakultet, serbisht, deri në vitin 1993, kur u largua nga Kosova, për të mos u kthyer kurrë më.

“Epoka e re”: Në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar me mirënjohje e motivacione të ndryshme u nderuan shumë figura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ju, edhe pse përgatitët “Muzën e Mëmëdheut”, u harruat. Pse?

A. Vinca: Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në një ceremoni të organizuar në selinë e Presidencës, të cilën unë e ndoqa përmes ekranit, nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” të gjithë autorët që kontribuan me botime letrare dhe artistike në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm. Nuk e di si dhe kush ka vendosur për këtë çështje (kush e ka bërë përzgjedhjen e laureatëve), por me të gjitha kriteret në këtë listë është dashur të ishte edhe “Muza e Mëmëdheut” dhe unë si autor i saj.

Unë jam mësuar të anashkalohem nga çmimet dhe dekoratat, por kësaj radhe vërtet e ndjeva veten të fyer, ashtu sikundër edhe kur lexova emrat e atyre që ishin shpallur “Qytetarë Nderi” të Vlorës nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti historik, po me rastin e 100-vjetorit, në mesin e të cilëve ishin edhe një poet kosovar, i cili me vargjet e tij të botuara në vitin 1997 kishte fyer Vlorën dhe vlonjatët, si dhe dy kryetarë komunash periferike të Kosovës.

“Epoka e re”: Çfarë keni ndërmend të shkruani pas gjithë asaj bibliografisë suaj dhe për çfarë mendoni se opinioni do t’ju mbajë mend dhe do t’ju përmendë?

A. Vinca: Nuk e di. Nuk jam i sigurt. Askush nuk mund ta dijë plotësisht një gjë të tillë, madje as krijuesit e mëdhenj. Besoj se disa poezi të miat do të lexohen, mbahen mend e citohen edhe pas njëqind vjetësh. A janë pesë, dhjetë a pesëmbëdhtjetë nuk e di, por e di se këtu hyjnë ato poezi që kanë kuptim e muzikalitet, që tingëllojnë shqip dhe që mësohen lehtë përmendsh. Studimi im monografik “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)” besoj se do të jetë pikë referimi sa herë që do të flitet për poezinë bashkëkohore shqipe si pjesë shumë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Edhe disa shkrime të tjera kritike, ese, vështrime e studime për letërsinë shqipe shpresoj ta mbijetojnë autorin e tyre. Ndoshta polemikat, ndoshta shkrimet publicistike a diçka tjetër që pritet të lindë, sepse krijuesit gjithmonë mendojnë se veprën e tyre më të mirë do ta shkruajnë më vonë.

“Epoka e re”: Jeni shpirt polemik. Pakëz Nol, pakëz Konicë. Keni polemizuar me shumë shkrimtarë, gazetarë, publicistë e intelektualë maqedonas, serbë e të tjerë (herë-herë edhe shqiptarë) në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të parimeve tuaja morale e krijuese. Keni botuar shumë shkrime polemike të kësaj natyre në shtyp, si dhe tre libra publicistikë... A ju ka marrë shumë kohë e energji kjo punë dhe a ju ka ndarë nga puna krijuese?

KAM POLEMIZUAR EDHE ME DAÇIQIN

A. Vinca: Sigurisht që po. Madje jo pak. E kam filluar këtë punë, i shtyrë nga rrethanat, por edhe nga natyra dhe karakteri im njerëzor, që nuk pajtohet me të bërit sehir, në vitin 1986, për ta vazhduar përgjatë viteve ’80 e ’90, por edhe më vonë, madje edhe në ditët e sotme. Kam polemizuar me gazetarë, shkrimtarë, publicistë, intelektualë e politikanë serbë e maqedonas, madje dhe me kryeministra, kandidatë për presidentë, ministra, deputetë e të tjerë. Kam polemizuar edhe me Daçiqin, në vitin 1993, kur ishte zëdhënës i Millosheviqit. Jemi “hëngër” për çështjen e Vetëvendosjes (jo si organizatë politike, sepse nuk ekzistonte në atë kohë, por si koncept politik). Në një shkrim të botuar në gazetën “Borba” të Beogradit, më 27-28 shkurt 1993, kryeministri i sotëm serb, atëherë zëdhënës i Partisë në pushtet, “SPS”, pohonte se populli serb qenkësh i vetmi popull në Ballkan, që “i mohohet e drejta e vetëvendosjes”. Në reagimin tim me titull “Shqiptarët dhe e drejta e vetëvendosjes ose vullneti i ndrydhur me dhunë”, ia kujtoja Daçiqit se nëse në Ballkan ka ndonjë popull, të cilit i është mohuar dhe vazhdon t’i mohohet kjo e drejtë, pra e drejta e vetëvendosjes - këta janë shqiptarët. Dhe është pikërisht regjimi serb, shtoja në vazhdim, që shtyp me dhunë vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës, të drejtën e tyre për t’u deklaruar lirisht, me referendum, nëse dëshirojnë të jetojnë nën Serbinë, të kenë shtetin e tyre të pavarur apo të bashkohen me shtetin amë, Shqipërinë, duke nënvizuar se po t’u bëhej i mundur deklarimi i lirë do të fitonte pa dyshim opsioni i tretë, ithtar i të cilit jam edhe vetë. Në replikën e tij ndaj reagimit tim, Daçiqi pat thënë, sa më kujtohet, se Serbia është “shtet demokratik”, sepse “një shtetas i saj” ka guximin të deklarohet për “bashkim me Shqipërinë” dhe nuk pëson asgjë, pra nuk burgoset për shkak të mendimit të tij.

“Epoka e re”: Dhe është po ky Daçiq që tani, në njërën anë, zhvillon negociata me kryeministrin tonë Thaçi në Bruksel, kurse, në anë tjetër, heq demonstrativisht lapidarin e dëshmorëve në Preshevë. Komenti Juaj?

A. Vinca:  Po, po. Ai është. Dhe jo vetëm ai. Daçiqët bëjnë punën e vet, ashtu siç mendojnë se u përgjigjet më së miri atyre, kurse ne do të duhej ta bëjmë punën tonë ashtu siç na konvenon ne. Dhe kur them “ne” kam parasysh kastën politike shqiptare dhe institucionet tona shtetërore, Tiranën zyrtare, pastaj Prishtinën dhe, gjithsesi, edhe liderët politikë të luginës së Preshevës. Lojën e “matjes së pulsit” dhe të hidhepritjeve disaditëshe ndërmjet palëve “në konflikt”, e kapitalizoi pala serbe, kurse ne na rrofshin fjalët e mëdha! Është e vërtetë se faktori politik i Preshevës dhe qytetarët e saj nuk bënë as më të voglën përpjekje për ta mbrojtur lapidarin (ideatorët e ngritjes së tij është dashur ta mendonin edhe këtë situatë!), por heqja e këtij lapidari, në pikë të ditës, me forca të mëdha policore, është fyerje për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Akti vandal i heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qeveria serbe e kryesuar nga Ivica Daçiqi, tregon se ujku qimen e ndërron, por hujin jo!

DIALOGU ME SERBINË DHE DILEMAT RRETH TIJ

“Epoka e re”: Po ç’mendim keni për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë? Cili është shikimi Juaj i këtyre negociatave?

A. Vinca: Pala shqiptare ka lëshuar pe edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, duke e bërë kompromisin e madh, kapital, sidomos kur e ka pranuar pakon e Ahtisarit, me komunat e pastra serbe, me decentralizimin etnik, me eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve, me serbishten si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës (dhe në Prekazin e Adem Jasharit!), me vendet e rezervuara në parlament për pakicat, veçanërisht serbët, me marrjen e vendimeve me dy të tretat e përfaqësuesve të minoriteteve, me multietnicitetin e shpifur etj. Kurse pala serbe nuk ka lëvizur fare nga pozicionet e veta. Nuk e ka pranuar Marrëveshjen e Rambujesë, nuk e ka pranuar pakon e Ahtisarit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e konsideron pjesë të vetën me Kushtetutë; nuk e përfill, madje, as emrin e saj legal, Kosovë, por e quan “Kosovë e Metohi”; harton platforma me të cilat kërkon autonominë e serbëve në “Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë”, që është një absurdsui generis; e konsideron të pazgjidhur statusin e Kosovës; nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në Veri, pengon njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe bën, për çdo ditë, obstruksione nga më të ndryshmet në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve. E, megjithatë, Kosova ka hyrë në bisedime me Serbinë. Sepse këtë e kërkojnë “miqtë tanë”, BE-ja dhe SHBA- të; e kërkon Brukseli dhe Uashingtoni. Ky është arsyetimi, për të mos thënë refreni. Në fillim, në të  ashtuquajturat “bisedime teknike”, kurse tani në bisedimet me karakter politik të nivelit më të lartë.

“Epoka e re”: Si e shihni epilogun e këtyre bisedimeve?

A. Vinca: Uroj që ta kem gabim, por me skepsë dhe frikë. Shikoni: s’ka bisedime politike pa kompromis. E ka thënë Migjeni gjenial, ndonëse vetëm njëzet e sa vjeçar, shtatëdhjetë e sa vjet më parë, te proza “Novelë mbi krizë (1935): “O kompromis, fëmijë bastard i të gjitha mbledhjeve!”. Ndërkaq, shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Eshton, që është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, pat deklaruar që në fillim se palët duhet të përgatiten për “vendime të vështira”. Vini re: “palët” (jo vetëm njëra, por që të dyja)! Kështu thotë gruaja, e cila përfaqëson organizmin në të cilin synon të anëtarësohet Serbia falë këtyre bisedimeve, Bashkimin Evropian, ndërkohë që statusin e kandidatit tashmë e ka fituar (pas “bisedimeve teknike” të Editës dhe Borkos). Serbia, edhe pse shkaktare e luftërave në ish-Jugosllavi, e krimeve dhe gjenocidit, po përkëdhelet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk pati asnjë reagim nga Brukseli ndaj platformës së saj provokative, e cila s’u lë gjë mangut dokumenteve të kohës së Millosheviqit për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”, në mos edhe i tejkalon ato. (Po sikur shqiptarët të kishin dalë me një platformë të ngjashme, një Zot e di si do të ishte pritur?!). E shihni çfarë janë reagimet për varrezat serbe, dëmtimi i të cilave, megjithëse i bërë në afekt dhe nga njerëz të papërgjegjshëm, është një akt vërtet i turpshëm e i papranueshëm, kurse për heqjen e lapidarit, mjerisht, edhe në deklaratën e Stejt-Departamentit thuhej se ka ndodhur diku “në Serbi” e jo në një qytet ku gati qind për qind e popullatës është shqiptare!

Në lidhje me bisedimet, edhe diçka. Ne jetojmë në Ballkan dhe në Ballkan palët që “tregtojnë” (lexo: negociojnë) kurrë s’e tregojnë që në fillim çmimin real, në mënyrë që, gjatë “pazarit”, të arrijnë dikunë mes me idenë se secili ia ka hedhur tjetrit!

“Epoka e re”: Kemi lënë pa ju pyetur për shumë gjëra, të cilat do të mbushnin qindra faqe të librit, por, për fund, çfarë mesazhi keni për dashamirët e librit, për fansat tuaj në Facebook, letrarët e studiuesit e rinj dhe të vjetër?

A. Vinca: Para së gjithash për fansat në Facebook, si thoni Ju, kam jo porosi, por një sqarim dhe falënderim. Sqarimi është ky: unë kam një faqe në Facebook, të cilën nuk e kam hapur vetë e as nuk e administroj unë, por dikush tjetër. Ky është ish-studenti im nga Tetova, botuesi, gazetari dhe veprimtari i palodhshëm, Enver Neziri. Enveri i plason rregullisht shkrimet dhe intervistat e mia në Facebook, për çka e falënderoj përzemërsisht. Por unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj me këtë rast të gjithë “fansat” e mi, të gjithë ata që i pëlqejnë shkrimet dhe paraqitjet e mia publike, që i komentojnë ato, që bëjnë vlerësime e shprehin adhurim e simpati për punën dhe krijimtarinë time, madje edhe ata që nuk pajtohen me mendimin tim e mund të më bëjnë vërejtje, por duke e ruajtur nivelin dhe sensin e komunikimit publik. Falënderoj gjithashtu autorin e portretit që shfaqet në ekran posa ta hapësh faqen, të punuar me aq përkushtim. Është dashur ta bëj këtë më herët, por, siç ju thashë, nuk merrem me facebook-un, një për mungesë të kohës dhe, e dyta, për shkak se unë i takoj brezit që është rritur me makinë shkrimi dhe mjafton që kam arritur ta përvetësoj të shkruarit në kompjuter dhe komunikimin me postë elektronike, alias email.

Intervistoi: Mal Qorraj



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora