E shtune, 27.04.2024, 04:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Tregimtaria petike e Bedri Tahirit

E enjte, 31.01.2013, 09:05 PM


TREGIMTARIA POETIKE E BEDRI TAHIRIT

Nga Xhemail Peci

Lirisë së Kosovës i ka munguar Ushtria Çlirimtare e saj, kurse Epopesë së Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, pas Luftës sikur i ka munguar deri diku: letërsia e saj në përmasat në të cilat do të përfshiheshin shumë anë vrojtuese.

Bedri Tahiri mëton për ta plotësuar një zbrazëtirë të tillë.

Tregimtaria e tij shquhet për rrëfimin retrospektiv, i paraqitur përmes kryepersonazhit që evokon, që shpalos kujtime, që me monologun e vet e paraqet sa dramën individuale, po aq edhe ate kolektive. E gjithë kjo me një shprehje të pasur gjuhësore, me një frazeologji të larmishme e me poetikën e veçantë të narracionit krijues, ku shquhet sa urtësia e të medituarit, po aq edhe lartësia e stilit.

Në tregimin Shterani, si në një parabolë projektohet ripërtëritja e jetës në një idilë familjare, e cila ‘në gjirmë të vatrës së tyre të stërlashtë’ shquhet për ‘bujari, burrëri, mençuri e maturi’. Gjakimi për trashëgiminë – ripërtëritjen e jetës jepet në sfondin se a mund të bëjë dikush magji të zeza, e ku përgjigja është tepër simbolike: ‘ askush nuk mund të bëjë magji aty ku ka harmoni familjare’. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për shtetin, e dëshira për ta parë një fëmi në votër: ‘një bimë në atë truall stërgjyshor’, bëhet njëmendësi, sepse aty ‘ku, përherë kënduan ëmbël grykëhollat’, tani ‘një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër’. Në përmasat e gëzimit të tillë, autori e futë frazeologjinë e pasur popullore e të modifikuar në penën e tij të mprehtë, prandaj ardhjes në jetë të një djali, bën që t’i gëzohen edhe kulmi, por edhe trarët e shtëpisë.

Nga kjo pikë, shkrimtari Bedri Tahiri e bartë tregimin në rrafshin e futjes së motivit të gurbetit (fjala vjen, si tek proza e Çajupit), ku burri ka shkuar për të mbajtur familjen, e që del i portretizuar si një karakter i formuar ‘për shtatë gjaqe nuk i vihej gisht’, dhe më tej nëpërmjet të rrëfyerit retrsopektiv, e shpalos gjenezën e një familjeje ‘Ujkan. Ashtu quhej stërgjyshi i tij, i humbur e i tretur si gjynli, diku në Galici, në luftërat ruso-turke. Zatën, që nga ajo kohë kjo familje mori në thua dhe më kurrë nuk e mori të mbarën.

Filozofia e heshtjes është ajo që e karakterizon më tej kryepersonazhin Ujkan Mala që ‘rritej e gufonte si buka në çerep’. I portretizuar me nuanca autobiografike, ky persoanzh shembëllen me Diogjenin, sepse ai është njeriu që gjithë jetën flet me zë të ulët, gjë që nuk e kuptojnë as rrethi e as ‘Cerberët e përtej Tunës’. Ai është aq modest sa në përgatitjen e fjalime nuk i thotë askujt jo! ‘Historia e zërit të ngjizur’ e që ‘i kishte rrënjët në trashëgimi e në edukatën familjare’, ishte ‘një “sëmundje” e pashçërueshme’ dhe që ‘nuk kishte mjek që mund ta diagnostifikonte’.

Përmbi çdo gjë, Ujkan Mala megjithatë është njeriu i urtë që nuk rrah gjoks, por që në ngritet në piadestalin e një Akademie duke shkëlqyer madhërishëm, dhe se ai shkëlqen madhërishëm pikërisht për faktin se ai i ngjet aq shumë Diogejnit, i cili u thoshte bashkëkohanikëve të tij: lëshomani hisen e Diellit!

Në tregimin Arrestimi, Bedri Tahhiri ka projektuar të djeshmen dhe të sotmen, kujtesën e ditëve të hidhura me krenarinë e ligjshme të një solidariteti (përmes studentes luaneshë, e cila e rrezikon veten duke ia marrur gazetën profesorit – që gazeta të mos përdorej si provë nga policët), i cili mjerisht sikur po na zbehet pakëz. Në tregimtarinë poetike të këtij shkrimi, ndeshen dy botë: ajo e ‘zvarranikëve tejkarpatianë’ dhe çlirimtarët e një kombi, bishat gjakatare që nuk ngopeshin duke pirë gjak, dhe viganët e levendët e një kombi që i dalin zot fateve të truallit që i lindi e i rriti: Tahir Meha e Adem Jashari.

Autori e kthen në të kaluarën rrëfimin e tij, duke e rishpalosur në kujtesën e lexuesit kohën e zezonave e të ligatinave me postblloqe policie, me ndjekje e përndjekje, me arrestime e me tortura, me burgosje e me malltretime mesjetare. Dorëshkrimi për daljen e një meteori në qiellin shqiptar suferinë dhe tramundanë, me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është sfondi rreth të cilit thuret tregimi: pasojat e të shkruarit, krenaria e sepse luftëtarët e lirisë: ‘Një ditë ata dolën hapur dhe shpalosen gjokset e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë’.

Në tregimin me elemente autobiografike, vuajnë edhe biri e edhe babai. Që të dy provojnë burgun, dhe që të dy shquhen për qëndresën heroike. Liridon Shkëmbi kujton me krenarinë e ligjshme artikullin e tij dhe kauzën që mbronte aty: ‘Një faqe e plotë për aktin më të amdhërishëm e më sublime të atyre ditëve: Daljen në skenë të Uhstrisë Çlirimtare të Kosovës!’, por edhe traditën fisnike të dyerve të mëdha që Shqipërinë e ngritën nga hiri: ‘Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë se armiqtë’.

Tregimi Arrestimi shquhet për rrafshin psikologjik, për mëdyshjet dhe monologun, për ankthin por edhe krenarinë, e në mënyrë të veçantë, tregimi përfundon duke theksuar se hakmarrja u takon të ligëve.

Në tregimin Shpirtplagomë, jepet në prizmin shumëdimenzional fati i maturantes me emrin Liridonës, e cila edhe pas katërmbëdhjetë vjetëve e kondisedron si mrekulli të mbijetuarit ‘kur pati ngelur pa ndjenja midis rrotëve të traktorit’.

Në penën e Bedri Tahirit, ajo është një botë e njomë, dhe se simbolika e emrit ka domethënie të veçantë: as Liridon Shkëmbi e as Liridona, ndonëse të pagëzuar ashtu nga ata që lirinë e kanë dashur mbi çdo gjë, që krenarinë e kanë dashur mbi lumturinë, nuk kanë pasur liri!  ‘Shpirtnxirët karpatianë’ kanë bërë plojën: ‘Nga vdekja iknin, drejt vdekjes shkonin!’ Me ngjyra tepër të gjalla poetike, Bedri Tahiri e ka shpalosur Ferrrin Dantesk: ‘O Zot, lugetërit me hanxharë në dorë, porsi shushunjat, zunë të thithnin etshëm gjakun e pafajësisë. Ata, si hijenat tinëzare, u futën midis tyre për të bërë hatanë. Vrisnin e ke nuk vrisnin! Mjaftonte që ishin shqiptarë. Asgjë më shumë. Një patologji e hesrhme e sojit të vet, trashëguar, që nga koha kur në kope hordhish, u zvarritën nga përtej Tuna’.

Liridona e Bedri Tahirit, shëmbëllen me një Ana Frank gjatë Holakaustit. Masakrimi i familjes 13 anëtarëshe, dhe më tej ‘116 të martirizuar’ ishin dy nga kapitujt e shumtë në një ‘holakaust marramendës’.

Por skena është tepër makabre: ‘O Perëndi, ishin currilat e gjakut të trupit të babait!...Ai lart e kjo poshtë. Një lidhje e thellë shpirtërore. Një lidhje gjaku. Një vazhdimësi jetike...Një grusht fëmijë, fund e krye larë në gjak dhe pa asnjë plagë në shtat! Ama, e tëra dhe e bëra e larë në gjak, saqë as sytë nuk i dalloheshin…Që nga koka deri tek këmbët kuq, kuq dhe vetëm kuq. Kjo është arsyeja që vajza e urrente ngjyrën më të preferuar të botës femërore, të kuqen’.

 

Nëpërmjet Liridonës, shkrimtari Bedri Tahiri e ka paraqitur fatin kolektiv të kombit, i cili ka përballë ‘Cerberët e përtej Tunës’, të cilët erdhën e u shtrinë gjërë e gjatë në tokat tona, duke thither përherë gjakun më të njomë të një kombi nga më të lashtët!

Zemër - Klithja e shkrimtarit për breznitë e pagëzuara Liridonë Guri, është e tillë sa latohet me shprehjen lapidare dhe përmbyllëse të tregimit: ‘bota e saj shpirtërore – psikologjike, ka një shpirtplagomë të pashërueshme mu në gjirmë të zemrës’.

Nga një përkufizim i tillë nuk del as bota e narratorit, për të cilin mendimi i nënvziuar prej tij aktualizohet sa e sa herë: ‘vetëm heshtja dhe qetësia janë hyjnore’ (tregimi Shterani), madje edhe kur e rithekson mendimin e njohur të Mitrush Kutelit, kur i shkrunate të shoqes nga burgu: ‘Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi…’ (cituar në ballë të tregimit Shpirtplagomë).

Mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, nuk ecë vetëm shkrimtari, e as vetëm personazhet e tij. Është Atdheu ai që ecë këmbëzbathur përmbi shpata. Janë Kalorësit e Lirisë ata që gjoksin shpalosin përballë plumbave.

Gjurmë gjaku në penën e kalorësve të letrave dhe të arteve. Mes tingëllimave të lahutës dhe krismave të grykëve të pushkëve, Pena Përkujton se Përkrenarja u ngrit sërish në Plisat e Kullës së Mehajve e të Kullës së Jasharjave, ku Ata në heshtje që ngjante aq shumë me heshtjen e maleve vigane, e kishin terur barutin me shekuj. Ata ia kthyen përgjigjen Gjakimit të Lasgush Poradecit, tek pyeste: A ka Kosova, Azem Galica?

Lahuta e ndezi gur – zhargun, pushka çarkun. E Pena Nderon Gjakun. Vendimet arbitrare të Kongresit të Berlinit e të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në Penën e Bedri Tahirit: Pikojnë Gjak.

Marin Beçikemi e Milel Meruli shplaosnin kronikat e gjakut të shqiptarëve, tek nata e gjatë osmane po binte mbi sytë e Shqipërisë. Marin Barleti shpaloste kronikat e rrethimit të Shkodrës, e Kronikat e Motit të Madh të Krye-Kapedanëve të Arbërisë, që gjokset i vunë mburojë për kështjella. Gjon Buzuku lëshonte Zemër-Klithjen e tij: harresa është mallkim, kujtesa është bekim. Ai që ty të mallkon, të jetë i mallkuar. i që ty të bekon, të jetë i bekuar!

Në misionin fisnik që toka bujare e gjakut vë mbi shpatullat e misionarëve të lirisë, shkrimtari dhe intelektuali Bedri Tahiri na kujton për të satën herë se po u harruan të rënët, të gjallët nuk kanë vlerë.

Me tregimtarinë e tij poetike, Bedri Tahiri e Nderon, e Lartëson dhe e Përjetëson, Ate që Lasgush Poradeci e ka quajtur: PELERINATA E GJAKUT.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora