E marte, 07.05.2024, 07:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: V(r)azhdimësi…

E diele, 27.01.2013, 07:59 PM


V(r)azhdimësi…?

Nga Blerim Rrecaj

Kllapitshëm. Jerm. Përgjumshëm. Çrregullueshëm. Çekuilibrueshëm.( Pa)vendosmëri e theksuar. Pa mundur të vendosësh një program dite me orare e afate. Të rrethuar me ngjarje e gjurmë nëpër kohë. Me libra, artikuj, dokumente, fakte, fjalë të transmetuara, thashetheme, filma llojesh të ndryshme, seriale(jo)vendore.  Edicione lajmesh. Emisione. Intermexo. Njejtësi  e ngjashmëri që të ngjall neveri atë që e quajmë përsëritje( edhe) historie. Dhe seç të shkon mendja për t’iu drejtuar vetes me një letër të re, letër tjetër. Ose të filloj me një fletë ditari të re. Në këtë çast të kësaj ore( qoftë parapasmesnatë, parapasmesditë) sytë edhe mund të djegin paksa. Për të vazhduar këtë lojë kësisoj:  Qiell i hirtë, re të nxira/Presim ditë më të mira./Na dhemb barku edhe kryt’/Nga  pluhuri e ekranet na djegin sytë/Ne nga po shkojmë/Vendi ynë kah po shkon/Si të dalim nga kjo gjendje/Nga kjo palidhje.com.

Dhe duke kërkuar pak këndellje shohim këtë shi vazhdon që bie përjashta dhe fytyrën ia ekspozojmë kësaj ere që fryn po luan paksa me ne e me shiun duke  dredhur e shpërdredhur pikat e tij të lëngshme sikurse një cigare “kaçak” përpara se ato të shtojnë edhe më  shumë lageshtinë duke u përplasur mbi sipërfaqe, kulme, rrugë, trotuare, gropa… Asfalti i lagur është një lloj piste ku automjetet lënë zhurmën me vëshg-vëshga e të duket se eshte duke  vazhduar e je duke shikuar garën sportive automibilistike, mbase dhe  ndeshjen përfundimtare për kurorëzimin e kampionit, ku në një konkurrencë të fortë e dramatike në të cilën shoferët ndjekin, parakalojnë njëri tjetrin dhe vazhdojne rrathët që u kanë mbetur e tregojnë aftesitë dhe guximin e tyre, dhe kur vije në pyetje fitorja janë të pakompromis, duke rrezikuar madje vetën e jetën. Dhe lë pak anash perfytyrimet e tilla dhe sytë edhe njeherë hedh te dritaret me pikla shiu që era ka përplasur në to duke i zbukuruar,  e të cilat shëndrisin nga reflektimi i "diejve neonike"të shtyllave të rrugës. Dhe lë ato pista të shtrenjta e që kushtojnë të “Formula 1”, që ndonjeherë i kemi parë në ekrane  e për të cilat duhen mjete të mëdha financiare dhe mendjen tash e hedh te një shkrim i Besnik Dizdarit me titull: Historia e kampionatit të parë mbarëkombëtar të futbollit, në “Asport.info” dhe mbase nesër e lexoj edhe njëherë pasi të tri vazhdimet qe jane gjithsej diku 10 faqe wordi do i lexoj edhe disa herë, nëse agu i ditës do te na gjej shëndosh, mirë e rehat. Thuhet e shkruhet se ka filluar regjistrimi i ekipeve të Kosovës në Shqipëri. Lajmet me pikëpyetje s’janë lajme, me të drejtë tërheq vëmendjen dikush. Plus vazhdon pyetja tjetër nga duhet t’ia fillojnë, nga liga më e ulët apo…Diku shohim një kronikë për karriket(ulëset) që kanë mbërritur nga Suedia në portin e Durrësit për Statiumin e Prishtinës, e dikush nga zyrtarët e klubit thotë se kjo gjë mund ta nxisë edhe turizmin sepse ndonjëri nga dashamirët e skuadrës nga ka ardhur kjo dhuratë mund ta vizitojë klubin tonë për kuriozitet e për nostalgji e karriket e stadiumit të Prishtinës mbase do t’ia dhurojmë ndojërit prej klubeve futbollistike simotra. Mendja s’ka si të mos shkojë për kushtet e standardet, në çdo fushë e në çdo sferë…Sidoqoftë nata vazhdon dhe kujtohesh paksa për natën paraardhese kur pas fikjes së kompjuterit sheh fjollat e harlisura te borës të cilat lanë gjurmë të pakta bardhësie mbi kulme a trotuare dhe lageshti në shiritat e komunikacionit.Dhe tash çohem për të parë edhe njëherë se ç'po ngjet përtej dritareve. E ç’mund të ngjasë se…Paska filluar të bie borë edhe sonte. Dal për pak çaste dal në ballkon dhe loja që era luan me fluskat e borës është më e qartë, më e dallueshme sesa atë që ajo bëri me pikat e shiut. Para se të kthehem përsëri pranë laptopit shoh sytë në pasqyrë, më janë skuqur, dhe kujtoj diç të treguar nga kujtimet shkollore të dikujt. Një arsimtar duke shpjeguar dhe mbase paksa i pakenaqur nga ndonjë çapkënllëk zhurmor i nxëneseve u kishte thënë, dëgjoni hej more këndej se nuk po shpjegoj këtu për “sy të zi”. Jo për “sy të kuq” ia kishte kthyer dikush, sa për ta bërë nervoz arsimtarin.Ekziston edhe një barcoletë (që mbase s’ka të bëjë vetëm me policët, për të cilët tregohen një shumësi barcoletash), se atyre u skuqen sytë kur t’iu bie truri në rezerve. Dhe duke besuar se shumë nuk e kemi tepruar e s’ishim të vrazhdtë do të mbetet të lexoj nga disa shënime paksa telegrafike të disa ditëve që shkuan, të paktën për ta lënë dhe një shenjë shkrimi rrugëtimi e v(r)azhdimësie ditësh. Dhe nisja drejt një proteste të re…një marshi të ri…Për Luginën-Kosovën Lindore- atë pjesë të Shqipërisë verilindore. Borë dhe paksa ftohtë. Përkrahje, parolla, thirrje, flamuj, mijëra së bashku… Sa e sa protesta në sheshin kryesor të kryeqendrës. Mbase në një kohë kur gjërat do të bien në vend të vet, ky shesh mund të quhet Sheshi i protestave. Për këtë që thashë patëm folur gjatë bisedave, para, gjatë e pas protestave.Dhe loja si loja ka teket e e veta kështu që ëdhe një shënim që ka të bëj me këtë që e ceka: Në një stol të verdhë/Këmbën mbi këmbë/Para Bibliotekës Plisbardhë/Ngacmim ndjej nga koktej emocionesh/Të shohim çfarë do të ndodh…

Edhe pak arsyetim, po në të a nuk u zhvilluan me dhjetëra, qindra, mijëra protesta për këtë e atë të drejtë nëpër vite të ndryshme kur ishim e kur s’ishim…, e për të ka rrëfenja e tregime, mbase edhe  mite e legjenda…Po në protestën e sotme pamë njërin nga ata të Shoqatës “Vatra” që marshoi këmbë drejt Vlorës me të tjerë  për 100 vjetorin e Pavarësisë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora