Kulturë
Murat Gecaj: Bashkimi ynë i parë
E diele, 27.01.2013, 12:21 PM
BASHKIMI
YNË I PARË, AI SHPIRTËROR…
(Mendime, pas dy ftesave, nga një koleg gjakovar dhe një arbëresh)
Skicë nga MURAT GECAJ
Sidomos kohët e fundit, pas festimeve madhështore e
të paharruara të 100-vjetorit të
Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po flitet në vijimësi për një temë “të
nxehtë” të ditëve tona, pra për Bashkimin Kombëtar. Në këto çaste, kur po i
shkruaj këto radhë, së pari, po më kujtohen vargjet e një kënge-kushtrim, të
cilën e dëgjoj shpesh. Atë e kam në një kastetë dhe e vendosu në manjetofonin
te koka e krevatit, në dhomën e fjetjes. Nuk më kujtohen tani me saktësi vargjet
e saj, por njëra nga ato i drejtohet Europës, me fjalët e një atdhetari
shqiptar: “ A i mban mend ti trojet e mia?”, të cilat janë copëtuar në disa
shtete te Ballkanit!
Sigurisht, kjo temë shumë e rëndësishme e diteve të
sotme për Kombin tonë, kërkon sa e sa shkrime dhe libra. Po unë u nisa për të
shkruar këtë skicë nga fakti, se këto
ditë mora dy ftesa për të qenë në veprimtari, që organizohen, njëra në Gjakovë
dhe tjetra në Durrës. E di fare mirë se dhe kolegët e mi marrin shpesh ftesa të
tilla, për të shkuar në përvjetorë shtypi e ditëlindjesh, në përurime librash,
ekspozita të ndryshme e tjerë.
Po, meqenëse këto dy ftesa i “lidha” me
njëra-tjetrën, për të ilustruar sadopak mendimin e shprehur, që në titull, po i
tregoj ato shkurtimisht. Kështu, u mbushën 5 vjet që, në qytetin e Gjakovës,
nisi të dalë revista e ilustruar, me titullin “Gjakova Press” dhe me
kryeredaktor Zeki Vehapin. Nuk e kam të saktë numrin e tyre, por mjaft
nga ato revista i kam të ruajtura në bibliotekën time. Sepse m’i sjell, herë pas
here në Tiranë, kolegu e miku im, arsimtari dhe publicisti Ibrahim
Hajdarmataj. Meqenëse ai jeton familjarisht në fshatin Zogaj të Malësisë së
Gjakovës (Tropojë), pra vetëm afër
Rasti i dytë ka të bëjë me një mik paksa më të
largët, me profesorin arbëresh, Luiss de Rosa. Së pari, atë e kam
njohur përmes lidhjeve me Internet e ai më ka dërguar, rregullisht në PDF,
numrat e revistës shqip-arbërisht, me titullin “Kumbora”, të cilën e
drejton me dëshirë e profesionalizëm. Ndërsa vitin e kaluar erdhi në Tiranë, ku
e takova bashkë me mbesën time të vogël 9-vjeçare, Dorelën. Me atë rast, me
shkëmbyem libra tanë, pasi prof. Luiss de Rosa ka botuar disa të tillë, një
ndër të cilët është një fjalor i dobishëm, shqip-arbërisht. Ndërsa sonte unë
mora prej tij, përmes Internetit, një ftesë interesante. Ai njoftonte se, më
datën 21 janar 2013, pra ditën e hënë, do të çelet në Galerinë e Artit Pamor të
Durrësit, ekspozita “Fshati im, një fshat arbëresh”.
Sigurisht, dëshira ime
është e madhe për të qenë i pranishëm në të dyja rastet dhe i falënderoj ata
nga zemra. Por i përmenda këto ftesa për të theksuar mendimin se, kështu, duke
marrë pjesë në veprimtari të tilla, kulturore e artistike e tjerë,së pari, ne shqiptarët do të bashkohemi nga ana
shpirtërore. Dhe, kur banorët e cilitdo vend qoftë ai, janë të bashkuar
shpirtërisht, nuk ka asnjë focë në botë që t’i ndajë as t’i shkëpusë më ata nga
njëri-tjetri. Kështu, në një farë mënyre, kjo është edhe përgjigja ime për
kolegun e mikun tim, prof. Hulusi Hako,i cili më ka dërguar për ta
lexuar shkrimin e tij me titull: “Me hyrjen në Bashkimin Evropian, a
zgjidhet autormatikisht edhe çështja e bashkimit tonë kombëtar?” Se, që të
hipësh në një shtëpi, nisur nga ajo më e ulta dhe deri te më e larta, mund e
duhet të kalosh, vetëm shkallë-shkallë… Ndryshe, me përvojën e tij të mençur
mijëravjeçare, populli ynë shprehet, se atëherë “thyen qafën!”
Tiranë, 19 janar 2013