| E enjte, 31.01.2013, 09:05 PM |
TREGIMTARIA POETIKE E BEDRI TAHIRIT
Nga Xhemail Peci
Lirisë së Kosovës i ka munguar Ushtria
Çlirimtare e saj, kurse Epopesë së Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, pas Luftës
sikur i ka munguar deri diku: letërsia e saj në përmasat në të cilat do të
përfshiheshin shumë anë vrojtuese.
Bedri Tahiri mëton për ta plotësuar një
zbrazëtirë të tillë.
Tregimtaria e tij shquhet për rrëfimin
retrospektiv, i paraqitur përmes kryepersonazhit që evokon, që shpalos kujtime,
që me monologun e vet e paraqet sa dramën individuale, po aq edhe ate
kolektive. E gjithë kjo me një shprehje të pasur gjuhësore, me një frazeologji
të larmishme e me poetikën e veçantë të narracionit krijues, ku shquhet sa
urtësia e të medituarit, po aq edhe lartësia e stilit.
Në tregimin Shterani, si në një
parabolë projektohet ripërtëritja e jetës në një idilë familjare, e cila ‘në
gjirmë të vatrës së tyre të stërlashtë’ shquhet për ‘bujari, burrëri, mençuri e
maturi’. Gjakimi për trashëgiminë – ripërtëritjen e jetës jepet në sfondin se a
mund të bëjë dikush magji të zeza, e ku përgjigja është tepër simbolike: ‘
askush nuk mund të bëjë magji aty ku ka harmoni familjare’. E njëjtë gjë mund
të thuhet edhe për shtetin, e dëshira për ta parë një fëmi në votër: ‘një bimë
në atë truall stërgjyshor’, bëhet njëmendësi, sepse aty ‘ku, përherë kënduan
ëmbël grykëhollat’, tani ‘një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër’.
Në përmasat e gëzimit të tillë, autori e futë frazeologjinë e pasur popullore e
të modifikuar në penën e tij të mprehtë, prandaj ardhjes në jetë të një djali,
bën që t’i gëzohen edhe kulmi, por edhe trarët e shtëpisë.
Nga kjo pikë, shkrimtari Bedri Tahiri e
bartë tregimin në rrafshin e futjes së motivit të gurbetit (fjala vjen, si tek
proza e Çajupit), ku burri ka shkuar për të mbajtur familjen, e që del i
portretizuar si një karakter i formuar ‘për shtatë gjaqe nuk i vihej gisht’,
dhe më tej nëpërmjet të rrëfyerit retrsopektiv, e shpalos gjenezën e një
familjeje ‘Ujkan. Ashtu quhej stërgjyshi i tij, i humbur e i tretur si gjynli,
diku në Galici, në luftërat ruso-turke. Zatën, që nga ajo kohë kjo familje mori
në thua dhe më kurrë nuk e mori të mbarën.
Filozofia e heshtjes është ajo që e
karakterizon më tej kryepersonazhin Ujkan Mala që ‘rritej e gufonte si buka në
çerep’. I portretizuar me nuanca autobiografike, ky persoanzh shembëllen me
Diogjenin, sepse ai është njeriu që gjithë jetën flet me zë të ulët, gjë që nuk
e kuptojnë as rrethi e as ‘Cerberët e përtej Tunës’. Ai është aq modest sa në përgatitjen
e fjalime nuk i thotë askujt jo! ‘Historia e zërit të ngjizur’ e që ‘i kishte
rrënjët në trashëgimi e në edukatën familjare’, ishte ‘një “sëmundje” e
pashçërueshme’ dhe që ‘nuk kishte mjek që mund ta diagnostifikonte’.
Përmbi çdo gjë, Ujkan Mala megjithatë
është njeriu i urtë që nuk rrah gjoks, por që në ngritet në piadestalin e një
Akademie duke shkëlqyer madhërishëm, dhe se ai shkëlqen madhërishëm pikërisht
për faktin se ai i ngjet aq shumë Diogejnit, i cili u thoshte bashkëkohanikëve
të tij: lëshomani hisen e Diellit!
Në tregimin Arrestimi, Bedri
Tahhiri ka projektuar të djeshmen dhe të sotmen, kujtesën e ditëve të hidhura
me krenarinë e ligjshme të një solidariteti (përmes studentes luaneshë, e cila
e rrezikon veten duke ia marrur gazetën profesorit – që gazeta të mos përdorej
si provë nga policët), i cili mjerisht sikur po na zbehet pakëz. Në
tregimtarinë poetike të këtij shkrimi, ndeshen dy botë: ajo e ‘zvarranikëve
tejkarpatianë’ dhe çlirimtarët e një kombi, bishat gjakatare që nuk ngopeshin
duke pirë gjak, dhe viganët e levendët e një kombi që i dalin zot fateve të
truallit që i lindi e i rriti: Tahir Meha e Adem Jashari.
Autori e kthen në të kaluarën rrëfimin
e tij, duke e rishpalosur në kujtesën e lexuesit kohën e zezonave e të
ligatinave me postblloqe policie, me ndjekje e përndjekje, me arrestime e me
tortura, me burgosje e me malltretime mesjetare. Dorëshkrimi për daljen e një
meteori në qiellin shqiptar suferinë dhe tramundanë, me emrin Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, është sfondi rreth të cilit thuret tregimi: pasojat e të
shkruarit, krenaria e sepse luftëtarët e lirisë: ‘Një ditë ata dolën hapur dhe
shpalosen gjokset e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë’.
Në tregimin me elemente autobiografike,
vuajnë edhe biri e edhe babai. Që të dy provojnë burgun, dhe që të dy shquhen
për qëndresën heroike. Liridon Shkëmbi kujton me krenarinë e ligjshme
artikullin e tij dhe kauzën që mbronte aty: ‘Një faqe e plotë për aktin më të
amdhërishëm e më sublime të atyre ditëve: Daljen në skenë të Uhstrisë
Çlirimtare të Kosovës!’, por edhe traditën fisnike të dyerve të mëdha që
Shqipërinë e ngritën nga hiri: ‘Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë
se armiqtë’.
Tregimi Arrestimi shquhet për
rrafshin psikologjik, për mëdyshjet dhe monologun, për ankthin por edhe
krenarinë, e në mënyrë të veçantë, tregimi përfundon duke theksuar se hakmarrja
u takon të ligëve.
Në tregimin Shpirtplagomë, jepet
në prizmin shumëdimenzional fati i maturantes me emrin Liridonës, e cila edhe
pas katërmbëdhjetë vjetëve e kondisedron si mrekulli të mbijetuarit ‘kur pati
ngelur pa ndjenja midis rrotëve të traktorit’.
Në penën e Bedri Tahirit, ajo është një
botë e njomë, dhe se simbolika e emrit ka domethënie të veçantë: as Liridon
Shkëmbi e as Liridona, ndonëse të pagëzuar ashtu nga ata që lirinë e kanë
dashur mbi çdo gjë, që krenarinë e kanë dashur mbi lumturinë, nuk kanë pasur
liri! ‘Shpirtnxirët karpatianë’ kanë
bërë plojën: ‘Nga vdekja iknin, drejt vdekjes shkonin!’ Me ngjyra tepër të gjalla
poetike, Bedri Tahiri e ka shpalosur Ferrrin Dantesk: ‘O Zot, lugetërit me
hanxharë në dorë, porsi shushunjat, zunë të thithnin etshëm gjakun e
pafajësisë. Ata, si hijenat tinëzare, u futën midis tyre për të bërë hatanë.
Vrisnin e ke nuk vrisnin! Mjaftonte që ishin shqiptarë. Asgjë më shumë. Një
patologji e hesrhme e sojit të vet, trashëguar, që nga koha kur në kope
hordhish, u zvarritën nga përtej Tuna’.
Liridona e Bedri Tahirit, shëmbëllen me
një Ana Frank gjatë Holakaustit. Masakrimi i familjes 13 anëtarëshe, dhe më tej
‘116 të martirizuar’ ishin dy nga kapitujt e shumtë në një ‘holakaust
marramendës’.
Por skena është tepër makabre: ‘O
Perëndi, ishin currilat e gjakut të trupit të babait!...Ai lart e kjo poshtë.
Një lidhje e thellë shpirtërore. Një lidhje gjaku. Një vazhdimësi jetike...Një
grusht fëmijë, fund e krye larë në gjak dhe pa asnjë plagë në shtat! Ama, e
tëra dhe e bëra e larë në gjak, saqë as sytë nuk i dalloheshin…Që nga koka deri
tek këmbët kuq, kuq dhe vetëm kuq. Kjo është arsyeja që vajza e urrente ngjyrën
më të preferuar të botës femërore, të kuqen’.
Nëpërmjet Liridonës, shkrimtari Bedri
Tahiri e ka paraqitur fatin kolektiv të kombit, i cili ka përballë ‘Cerberët e
përtej Tunës’, të cilët erdhën e u shtrinë gjërë e gjatë në tokat tona, duke
thither përherë gjakun më të njomë të një kombi nga më të lashtët!
Zemër - Klithja e shkrimtarit për
breznitë e pagëzuara Liridonë Guri, është e tillë sa latohet me shprehjen
lapidare dhe përmbyllëse të tregimit: ‘bota e saj shpirtërore – psikologjike,
ka një shpirtplagomë të pashërueshme mu në gjirmë të zemrës’.
Nga një përkufizim i tillë nuk del as
bota e narratorit, për të cilin mendimi i nënvziuar prej tij aktualizohet sa e
sa herë: ‘vetëm heshtja dhe qetësia janë hyjnore’ (tregimi Shterani),
madje edhe kur e rithekson mendimin e njohur të Mitrush Kutelit, kur i
shkrunate të shoqes nga burgu: ‘Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë
gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të
thotë se nuk je i zoti për letërsi…’ (cituar në ballë të tregimit Shpirtplagomë).
Mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës
dhe çekanit, nuk ecë vetëm shkrimtari, e as vetëm personazhet e tij. Është
Atdheu ai që ecë këmbëzbathur përmbi shpata. Janë Kalorësit e Lirisë ata që
gjoksin shpalosin përballë plumbave.
Gjurmë gjaku në penën e kalorësve të
letrave dhe të arteve. Mes tingëllimave të lahutës dhe krismave të grykëve të
pushkëve, Pena Përkujton se Përkrenarja u ngrit sërish në Plisat e Kullës së
Mehajve e të Kullës së Jasharjave, ku Ata në heshtje që ngjante aq shumë me
heshtjen e maleve vigane, e kishin terur barutin me shekuj. Ata ia kthyen
përgjigjen Gjakimit të Lasgush Poradecit, tek pyeste: A ka Kosova, Azem Galica?
Lahuta e ndezi gur – zhargun, pushka
çarkun. E Pena Nderon Gjakun. Vendimet arbitrare të Kongresit të Berlinit e të
Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në Penën e Bedri Tahirit: Pikojnë Gjak.
Marin Beçikemi e Milel Meruli
shplaosnin kronikat e gjakut të shqiptarëve, tek nata e gjatë osmane po binte
mbi sytë e Shqipërisë. Marin Barleti shpaloste kronikat e rrethimit të
Shkodrës, e Kronikat e Motit të Madh të Krye-Kapedanëve të Arbërisë, që gjokset
i vunë mburojë për kështjella. Gjon Buzuku lëshonte Zemër-Klithjen e tij:
harresa është mallkim, kujtesa është bekim. Ai që ty të mallkon, të jetë i
mallkuar. i që ty të bekon, të jetë i bekuar!
Në misionin fisnik që toka bujare e
gjakut vë mbi shpatullat e misionarëve të lirisë, shkrimtari dhe intelektuali
Bedri Tahiri na kujton për të satën herë se po u harruan të rënët, të gjallët
nuk kanë vlerë.
Me tregimtarinë e tij poetike, Bedri
Tahiri e Nderon, e Lartëson dhe e Përjetëson, Ate që Lasgush Poradeci e ka
quajtur: PELERINATA E GJAKUT.