E marte, 06.05.2025, 07:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Shëmtia dhe hija e saj

E hene, 28.01.2013, 08:59 PM


Shëmtia dhe hija e saj

(Çfarë vlerash letrare, artistike e shkencore i ofrojmë lexuesit të jashtëm?)

Nga Fatmire Duraku

Prezantimi i letërsisë, artit e shkencës kudo qoftë në botë bart në vete përgjegjësinë e madhe të përkthyesit, zgjedhësit, përpiluesit, që tërë ajo që i ofrohet lexuesit të huaj të ketë ngjyrën, tonin dhe aromën e ambientit autokton prej nga vjen, si dhe të jetë kulmi i krijimtarisë së mjedisit – në këtë rast shqiptar-kosovar,  në mënyrë që tjerët të kenë pasqyrë të qartë për krijimtarinë te ne. Kjo, përveç se do ta afirmojë kulturën, do ta afirmojë dhe shtetin prej nga vjen kjo kulturë, ky art, ngaqë  vlera  me shpirtin dhe kulturën autoktone, që i  ofrohet  botës  e pasuron kulturën universale.

Kjo në një mënyrë do të duhej të ishte alfa e omega e secilit, i cili merr të  bëj prezantimin e ndonjë  krijuesi – qoftë nga sfera e letërsisë, arit apo e shkencës. Ama, si ndodh kjo në realitet sot dhe këtu? Kush prezantohet dhe me çfarë vlerash?

Në momentin e tashëm – ti, sido që të quhesh, mund të krijosh vera kulmore dhe kot. Fare kot. Kjo nuk është kusht, që ajo të cilën e krijon do të vlejë të prezantojë mjedisin tënd.  Sepse, duhet thënë pa rrotulla,  prezantohet vetëm ajo që ti vetë e financon,   sado që ti nuk i di mirë germat në letërsi. Ti ke para, ti paguan dhe ti  del para lexuesit të huaj me librin tënd, i cili në mjedisin tënd po të kishte shkallën më të vogël të kriterit nuk meriton të botohet. Ti, nuk çan kokën për këtë. Ti boton jashtë dhe krekosesh me këtë.  “Unë – botoj në Sarajevë”, krekosesh. “Unë botoj në Bukuresht!”, në Zagreb, etj. Në shumë raste – madje, botimet tua i financojnë drejtoritë për kulturë të qyteteve tona. Pra,  zyrtarët e kulturës, të cilët as artin as kulturën nuk e dinë fare se çfarë është!

Me këtë rast, do ta prekim vetëm rastin e Bukureshtit. Rastin e botimeve të një lumi librash në Rumani, pa asnjëfarë kriteri të domosdoshëm, që e kërkon procedura e botimit, e përkthimit të ndonjë libri nga një kulturë në kulturën tjetër, nga një mjedis në mjedisin tjetër! Shkurt, atje... në Bukuresht,

në vitet e fundit, kanë botuar libra autorë krejtësisht anonim nga Kosova. Autorë, që nuk e kanë as minimumin e nivelit të shkrimit të botohen jashtë, autorë, të cilët këtu – te ne, me asgjë, nuk mund të dalin para lexuesit, e dalin – vetëm pse, librat e veta, shkarravinat, i financojnë vetë! Dhe, ngaqë, tashmë e kanë “pushtuar” tregun e vendit, ata  me kohë kanë gjetur udhë, të ecin edhe më larg, të ngjiten edhe më lart, ”vlerat e veta” t`i prezantojnë për një audiencë më të gjerë! Ata, të lidhur me tre-katër matrapazë, pri nga Baki Umeri,  kanë krijuar rrjetin e mashtrimit të vetvetes. Botohet çdo gjë dhe gjithçka atje, vetëm vlerë jo, vetëm art jo! Botojnë autorët e tillë atje, rumanisht, pa fituar asgjë për vete,  duke e paguar botimin dhe i paguar ata që i përgatisin, që i përkthejnë këta libra! Dëmi material nuk është aspak me peshë me këtë rast. Dëmi është shumë – shumë më i rëndë, ai në rrafshin e kulturës sonë nacionale, një dëm, një e keqe që do të ndihet rëndë e më rëndë kohë më vonë. Dëmi është në sferën e përgjithshme të kulturës, të artit dhe të letërsisë, duke prezantuar në botë “bërllok”, duke e dëmtuar mundin dhe përpjekjen e atyre krijuesve, të cilët me angazhim të përhershëm krijuan vlera solide, e prezantuan artin tonë me respekt në botë. Autorët e tillë, siç janë A. Shkreli, D. Mehmeti, A. Konushevci, M. Krasniqi, B. Musliu, Rr. Dedaj, e shumë të tjerë,  nuk mund  të prezantohen, sepse kanë vlera të mirëfillta, tash është radha  e atyre, të cilët – nuk kanë çfarë t`i ofrojnë botës, por këta  i kanë paratë, këta e kanë  B. Ymerin, i cili për një përfitim vetjak material, i  boton këta autorë atje, pa u mërzitur se kështu i bën dëm të madh kulturës së vet, letërsisë së vet, artit dhe shkencës, i bën dëm vetë Kosovës. Dëm të madh! Për hir të higjienës personale, nuk jam në gjendje  t`i përmend emrat e atyre që ecën këtë rrugë dhe botuan libra atje. Lexuesi, që e do kulturën e vet, poezinë e vet, artin e vet, i di ata dhe – tash për tash, nuk mund të bëj asgjë, që kjo e keqe të ndërpritet!

A do të kenë menduar ndonjëherë ata që e kanë hapur mundësinë të ndodh diçka e tillë se janë e keqja e tërë një rrjedhje të shëmtuar! A do të ketë menduar B. Ymeri me shokët, se – ku do të arrijmë ne  kështu, me këta autorë dhe librat e tyre,  me vlerat që kanë librat e tyre. Nuk kanë menduar fare as u intereson ajo. Primare është që ata të fusin para në xhepin e tyre, e sa i përket çfarë ofrojnë  në oqeanin e të arriturave të përgjithshme të artit  në botë, nuk e kanë siklet!

Duhet të turpërohen për veprimet e veta – të dy palët, sidoqoftë, sado që turpin e kanë të huaj, poashtu – të dy palët, pra autorët dhe përkthyesit e veprave të tyre! Të huaj e kanë turpin, ngaqë janë pajtuar tashmë me mjerimin, të cilin e bartin në vete!

Është koha e fundit të ndërpritet kjo shëmti, kjo rrjedhë që e dëmton kaq shumë fjalën artistike tonën, ritmin, urtësinë, ngjyrën e çdo gjë të bukur që buron nga  gjaku e dheut ynë i lashtë. Ne, mund të dëgjohemi tash dhe gjithnjë në botë vetëm me vlera, kurrsesi me jo - vlera!



(Vota: 105 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx