E diele, 28.04.2024, 05:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Rrugët e shtegtimit

E enjte, 31.01.2013, 07:08 PM


RRUGËT E SHTEGTIMIT NË GJUHËN SHQIPE

(Rashit Gashi, Rrugët e shtegtimit, Amanda Edit, Bukuresht, 2012)

Nga Baki Ymeri

Përmbledhjen e poezive të këtij libri, autori ua kushton fëmijëve të tij, nipave e mbesave si dhe mbarë farefisit me rastin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si shtet i pavarur, i lirë dhe sovran. Në kuadrin e parathënies „Shtegtimet shqiptare të një poeti kosovar”, kemi theksuar se poezia e Rashit Gashit qëndron nën ndikimin metaforik të fillimit të përjetshëm, duke invokuar vendlindjen dhe atdheun si një vlerë sublime e ekzistencës. Tema qëndrore e frymëzimit të tij është lirika patriotike. Duke e shfletuar biografinë dhe duke e kundruar portretin e tij, autori duket inteligjent dhe i ndershëm. Ai shkruan me admirim për historinë të përbujshme, nga e cila ka përvetësuar dinjitetin, thjeshtësinë dhe modestinë. Dhe më tej:

Dikurë, gjatë ëndërrimeve takohesha me një vashë të bukur në një kishë të braktisur. Zakonisht arrija unë i pari, duke u mahnitur pse nuk hynte askush në atë kishë që e kishin shembur anadollakët tanë pas invazionit osman në Kosovë. Kisha dukej e bukur, me piktura të Shën Marisë, Jezu Krishtit, Gjergj Kastriotit, Gjon Buzukut etj., ndërsa shkallët e saj prej mermeri të bardhë, thuajse të ftonin të ngjitesh deri në qiell, përmes lutjes Ati Ynë. Dhe ja tani, takohemi për herë të parë me poezinë e një krijuesi të nga kjo zonë e prekur 500 vjet nga inkuizicioni osman dhe 100 vjet nga kolonialzmi serb: E kur zbres në Breg të Kishës/ Shikoj Lagjen e Gjurgjicës/ Ara e male të Bytyqve/ Ngjit me fushat e Balincës/ E kur kthehem nga Tërpeza/ Fluturojnë larg mendët e mia/ Si në ekran më dalin përpara/ Arta, Parga e Preveza/ Bujanovci e Presheva/ Shkupi,Tetova e Manastiri/ Hot e Grudë, Plavë e Gucia/ Rreth e qark trojet shqiptare/ Cep më cep tërë Arbëria...

Edhepse jemi kundër teorisë banale të krijimit të një kombi të ri (kosovar), apo të një flamuri artificial pa simbolet e kombit, siç është ai që e miratuan përkohësisht analfabetët e servilizmit tonë politik, ne nuk kemi asgjë kundër sintagmave tetovar, korçar, kërçovar apo kosovar, sepse këto nuk janë sintagma përçarëse, por dëshmi historike të zonave tona të banuar me një shpirt të përbashkët, me shpirtin shqiptar. Kush është kundër këtij mendimi, le ta rilexojë poemën e Mitrush Kutelit kushtuar Kosovës, që e qëndisi në Bukuresht, në mëshon më të mirë të pjekurisë së tij intelektuale dhe patriotike. Poetin e ri, Rashit Gashi, që pas shtatë muajsh i mbush 80 pranvera, e kemi njohur përmes një poeti tjetër që pas një muaji i mbush 70 pranvera, Adem Zaplluzha. Përmbledhjen e poezive të librit „Rrugët e shtegtimit”, zoti Gashi ua kushton fëmijëve të tij, nipave e mbesave, si dhe mbarë farefisit e dashamirëve, me rastin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë .

Poezia e Rashit Gashit qëndron nën ndikimin metaforik të fillimit të përjetshëm, duke invokuar vendlindjen dhe atdheun si një vlerë sublime e ekzistencës. Tema qëndrore e frymëzimit të tij është lirika patriotike. Duke e shfletuar biografinë dhe duke e kundruar portretin e tij, autori duket inteligjent dhe i ndershëm. Ai shkruan me admirim për historinë të përbujshme, nga e cila ka përvetësuar dinjitetin, thjeshtësinë dhe modestinë. Në vargjet e tij defilon kronika e iluzioneve, disa personalitete legjendare dhe lista e shpresave. Në krahasim me do popuj tjerë që na i braktisën trojet, shqiptari i Rashit Gashit nuk inkorporohet në spektrin e një populli të lodhur nga historia.

 

Fjala e recensentit

 

Të gjitha shtegtimet, shpërnguljet, dëbimet apo eksodet, në histori, rrallëherë ishin të rastësishme, por në përgjithësi ishin të dhunshme, madje mjaft të dhunshme dhe çnjerëzore, siç ngjau me popullin tonë gjatë historisë. Prandaj, sot më shumë shqiptarë ka anë e kënd botës se sa në vendin amë autokton, në Shqipëri, në Kosovë dhe vende të tjera shqiptare denbabaden.

Kjo është brenga më e madhe e autorit që e mundon, prandaj edhe e shpreh nëpërmjet vargjeve të poezive në këtë përmbledhje „Rrugët e shtegtimit”. Autori shkruan për vendlindjen, për Drenicën si rajoni më i dalluar dhe i vetëm në Kosovë në mes të Rrafshnaltës së Fushë Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, të cilën siç thotë autori, e kanë zvogëluar e rrudhë shumë, e besa edhe duke shpifë e pagëzuar shpesh herë edhe emra e terma të ndryshëm, pa kurrfarë baze reale e shkencore. Kjo e brengos shumë autorin.

Rashit Gashi shkruan për vuajtjet e popullit nën pushtimin e pushteteve të huaja të njëpasnjëshme, për shpërnguljet në masë, për torturat, dhunimet e vrasjet individuale e kolektive, për luftat e njëpasnjëshme, për katastrofat natyrore, për heronjtë e dëshmorët, për artistët e shkrimtarët, për shokët, miqtë e dashamirët.” (Mursel Gashi)

 

 

Urime pavarësia, Shqipëri!

(28 nëntor 2012)

 

Njëqind vjet në Pavarësi

Qofsh e rrofsh nëna Shqipëri,

S’vonon shumë do të vijmë te ti,

Bashkë me motra e vëllazëri,

(Ndoshta mu në këtë shekull të ri

Nën një kulm, në një shtëpi,

Nën flamurin kuq e zi;

Me Preshevë e Manastir,

Me Tivar e me Ulqin,

Me Kosovë e Çamëri,

Hot e Grudë, Plavë e Guci.

Prandaj, sot me krenari,

Me gjithë zemër e me gjithë shpirt;

Ua uroj këtë Ditë të Madhe,

Të Flamurit kuq e zi,

Për Shqipëri e Pavarësi,

Gjithkah janë trojet shqiptare,

Për shqiptarë e Shqiptari.

 

VENDLINDJA IME*

 

Lart, me male, lugje e kodra,

Bukolike dhe me lodra,

Ujë të kristaltë porsi argjendtë,

Kroi i ftohtë dhe Kroi i Shenjtë

Kroi i Vogël dhe Kroi i Madh,

Në Lug të Thatë dhe në Lug të Madh.

E në dy anët si për dëshirë,

Kroi i Stakës dhe Kroi i Mirë,

E në mes tyre Kroi i Ashtit,

Guri i Shenjtë dhe Guri i Rrafshit.

E në mes të lagjes pranë një drurit,

Kroi i Vjetër i tërë katundit,

Aty e ndjejë ngrohtësinë e votrës,

Në Udhë të Madhe dhe në Udhë të Botës.

E mandej në Përrue të Keq,

Në Lajthi të Madhe e Ndërmjec.

Në Gurë të Qamrukut kam merak,

Në Lug të Mollës pushoj pak,

Në Ahishtë të Djegur mbledhi dredhëza,

E në Fushë të Bjeshkës dal me vrap.

Në Udhë të Kodrës e në Berishë,

Zemrën mal e syrin pishë,

Kundroj këndshëm e me admirim,

Fushë-Kosovë e Dukagjin.

 

Në Lug të Plepave e në Rrallëcina,

S’shihen fare nga lisnajat,

Kodra e Lithit e Sigjavina.

Nga Hunaja e në Guri të Vogël,

S’shihet fare në Kodër të Mollës.

Tatpjet tretet një vegim,

Në Mal të Humzës e në Rranim,

Në Udhë të Qarrave e në Gallushë,

Para të dalin mal e fushë,

Plot me drithëra,pemë e rrush,

Molla të ëmbla në Arë të Lugut,

Grurë të hershëm në Ara të Pllugut.

Grurë e misër në Saishtë

Drurë të rrallë e pemë të ëmbla,

Në Livadh të Vidhit e në Grapishtë.

Në Likene e në Zuq,

Drithëra të mira e bari të butë.

Çobanesha në skaj të Livadhit,

Me shenjë dore ja bën djalit,

Në Kryebreg e në Ara të Malit.

Në Mal të Kukiqit e në Shpat,

Rriten lisat e lulëzojnë pemët,

Sikur nuse me duvak

E ndër Mrize kah Livadhi,

Ndihet larg fyelli e kavalli,

E më poshtë, në lugje e kreshta,

 

Plot me ara e me vreshta,

Të qojnë peshë me këngë e valle,

Djem e vajza e baresha.

E kur zbres në Breg të Kishës,

Shikoj Lagjen e Gjurgjicës,

Ara e male të Bytyqve,

Ngjit me fushat e Balincës.

E kur kthehem nga Tërpeza,

Fluturojnë larg mëndët e mia,

Si në ekran më dalin përpara,

Arta, Parga e Preveza,

Bujanovci e Presheva,

Shkup,Tetovë e Manastiri,

Hot e Grudë,Plavë e Gucia,

Rreth e qark trojet shqiptare,

Cep me cep tërë Arbëria.

 

* Toponimet apo emër vendet e Lagjes së Xhamisë,mbi 98% janë të gurrës shqipe. Vetëm në territorin e Lagjes së Xhamisë,të vendlindjes sime,në fshatin Arllat, janë përmendur e shënuar mbi pesëdhjetë (50) toponime apo emër vende të gurrës thjesht autoktone shqipe, të përdorura brez pas brezi denbabaden,babë e babëgjyshë. Ndikimet e jashtme të gjuhëve të huaja dhe të pushtuesve të herëpashershëm,në territorin e kësaj lagjeje kanë qenë të pakët për të mos thënë minimale;mund të përmendim vetëm dy toponime të rrënjës dhe të ndikimit të gjuhës sllave: Ulica dhe Tihavica. Ndërsa në lagjet tjera dhe fshatrat për rreth,ndikimet e jashtme, sidomos nga gjuhët sllave (bullgarishtja e maqedonishtja) e të tjerë pushtuesve gjatë historisë kanë qenë më të theksuara,si p.sh: Stakovica (krua), Kryegllav (mal-Kodërmali), Karanovc (tur. ujë i zi), Gërrbavicë (arë), Gllavicë (vendbanim), Lugidol (përrua), Fusha e Turkut, po edhe Dobrovoda (krua),që vendasit e lagjes përkatëse denbabaden (babë e babëgjyshë) e kanë shqiptuar Drobavoda. Në kufi me fshatin Balincë, ekziston një burim i vjetër (pus),ujët e të cilit nuk mund të pihet se e ka një erë (duhmë) të rëndë që kundërmon. Vendasit e fshatrave përreth, e quajnë: Samërdan, Smërrdan dhe Serrëmdan. Ky emër është ndikim i drejtpërdrejt i gjuhëve sllave,me gjasë vjen nga fjala Smërrdi që do të thotë kundërmon (kundërmim),erë e rëndë dhe e keqe që të zë frymën. Janë cekur edhe disa toponime të tjera jashtë territorit të vendlindjes sime (të Lagjes së Xhamisë),duke përfshirë tërë trojet shqiptare,tani për tani,të ndara në shumë shtete të gadishullit Ballkanik,me kufij të dhunshëm administrativ dhe shumë të padrejtë e arbitrar. Vlen për të cekur se mu në Lagjen e Xhamisë në Malin e Hodës e që kufizohet me arën e Hodës, me Kuqlinën e me Ograjën e Shaqir Alisë, u mbajt dhe u organizua kuvendi për formimin e shoqërisë “Drita”, më 1 prill 1937. Kryetar i së cilës u zgjodh Mullah Rexhep Krasniqi-Tryeza nga Tërpeza dhe sekretar Mullah Rexhep Morina nga kjo lagje dhe njëherit Imam në Xhaminë e Arllatit. Programi i shoqërisë “Drita” ishte: 1) Grumbullimi i ndihmave për nxënësit dhe studentët në shkollën e Medresës së Madhe në Shkup e në vende tjera, 2) Pengimi i shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi e vende tjera, 3) Pengimi i reformës agrare dhe i kolonizimit, 4) Konfrontimi sa më i madh me kolonistët e ardhur, 5) Mos dëgjueshmëria e urdhrave të pushtetit aktual, 6) Mospagimi i taksave dhe i tatimeve të shtetit okupues dhe 7) Ndihmat solidare për të varfëritë vendas etj.

 

DRENICA HEROIKE*

 

Ty Drenicë t’i marrsha të ligat,

E t’i pasha të gjitha të mirat,

T’u plotësofshin krejt dëshirat,

Prej më të voglave deri më të mirat.

Gjithmonë ndera të qoftë në konak,

E trimëria në hutë e në çark;

Mençuria në odë të burrave,

E flamuri në maje të kullave.

Shpeshherë ty të kanë përqeshë,

Ca të liq e të pafe,

Shumë të liga t’i kanë mveshë,

Që s’i kishe as s’i ke.

Kah do u enda e kah do shkova,

Gjithçka ndjeva e dëgjova,

Do të quanin babaxhan,

E do tjerë dhe trashaman,

Shumë të tjerë edhe të marrë,

Kur e kalleshe flakë e zjarr.

E kur ti s’shiheshe prej tymit,

Ata futeshin në birë të minit,

Ose rrinin në mafile,

Me çibuk e me nargjile,

Tue shitë mend, tue shitë jardam,

E armikun nën jorgan.

 

Prandaj,të them t’i marrsha të ligat,

E t’i pasha të gjitha të mirat,

Si gjithmonë edhe trimërinë,

Krahas saj dhe bujarinë,

Mençurinë dhe diturinë,

Modestinë dhe besnikërinë,

E mbi të gjitha, drejtësinë.

Qysh i vogël kisha ndi,

Se kishte thënë një plak në Malësi:

Mençuria me trimëri,

Janë mbi mbretër e mbi krajli,

Janë kala e janë shtëpi,

Krijojnë shtet, bëjnë qeveri.

Se përndryshe veç e veç,

Bëhen copë bëhen përshesh.

E trimëria pa mençuri,

Është si trualli pa shtëpi,

E kalaja pa çati (pa kulm),

Verë e dimër,borë e shi.

Sikur tani dhe dikur,

Ty Drenicë shumë të kanë tkurrë,

Të kanë strukur e të kanë rrudhë,

Në Carralevë e në Radishvë,

Nuk të kanë lënë as shteg për udhë.

Ndërsa në Lindje e në Perëndim,

Për atë Zot e Perëndi,

 

S’t’kanë lënë megjë,

S’t’kanë lënë kufij.

Po të betohem në sytë e ballit,

Në besë të babës e në besë të djalit,

Në varr të gjyshit e në varr të të parit,

Se Drenica hanedan,

Prej nga lind e perëndon,

Është Drenicë e është Drenushë,

Bjeshkë e kodër e mal e fushë,

Carralevë e Radishevë,

Artakoll edhe Llapushë (Zatriq e Mihaliq).

Prandaj, në ty Drenicë betohem,

Me ty bie e me ty zgjohem,

Me ty rritem,me ty gëzohem,

Për ty vdes,me ty krenohem.

Andaj, sot kah vij e shkoj,

Te gjitha të mirat t’i dëshiroj,

Derisa të jem e derisa të rroj,

Kurrë për jetë nuk do të harroj.

 

* Drenica është një mes-territor unikat, ndoshta më i madhi në mes dy regjioneve më të mëdha në Kosovë,të rrafshnaltës të Fushë-Kosovës dhe të rrafshit të Dukagjinit. Është unikat edhe për disa karakteristika të veçanta,si për nga standardi social-ekonomik, boniteti i tokës,të gjuhës së folur,të veshjes tradicionale,të traditave, të dokeve e të zakoneve,në raste gëzimi, pikëllimi apo hidhërimi;sikurse janë ritet e lindjes, të dasmës të vdekjes etj. Si regjion gjithmonë ka qenë i pazhvilluar dhe i varfër,por krenar e luftarak. Kurrë s’e ka duruar robërinë as padrejtësinë dhe sundimin e pushtuesve të herëpashershëm në histori. Prandaj,vazhdimisht është çuar në kryengritje të vazhdueshme dhe ka luftuar kundër çdo armiku. Armiqtë, në vazhdimësi, për ta thyer këtë krenari dhe ndjenjë luftarake-kryengritëse,ka përdorur mjete e metoda të ndryshme: tortura,rrahje,burgosje,vrasje,dhunime,dëbime dhe masakra në masë,qofshin ato individuale apo kolektive. Për ta sunduar më lehtë këtë regjion luftarak e kryengritës,shpesh herë e kanë ndarë e copëtuar në pjesë territoriale më të vogla: në anë,krahina apo nahi, me qëllim që të humbet orientimi i tërësisë si territor i Drenicës. Me ardhjen e pushtuesve sllavë një pjesë të territorit të Drenicës e pagëzojnë ose e quajnë “Prekorupë”, termin e shpifur, pa kurrfarë baze reale as kurrfarë mbështetje shkencore,por vetëm e vetëm për qëllimet e tyre sunduese për ta qeverisur e sunduar më lehtë këtë regjion kryengritës. Këtë pjesë të tërësisë së Drenicës të ashtuquajturën “Prekorupë”, vendasit denbabaden e kanë quajtur “gropa”, kurse me ardhjen e pushtuesve sllavë është pagëzuar me termin “Prekorupa”. Ndoshta ky term sllavë është aludim i drejtpërdrejt i luginës apo fushë-gropës së Drenicës. Ky term (emërtim),gjatë sundimit sllavë,për një kohë të gjatë,edhe u zyrtarizua dhe hyri në analet administrative, deri sa përfundoi sundimi dhe pushteti i drejtpërdrejt sllavë në këtë regjion.

Për çudi,më vonë edhe disa intelektualë tonë shqiptar e shpifën një term tjetër të ri “Llapusha”,pa kurrfarë baze reale dhe mbështetje shkencore,dhe hiç “më i mirë” se termi i mëparshëm “Prekorupë”; sepse që të dyja kishin një qëllim të përbashkët, copëtimin dhe ndarjen e tërësisë territoriale të Drenicës. Termi i parë i shpifur,pa kurrfarë baze reale dhe mbështetje shkencore “Prekorupa”,ishte me qëllim të ndarjes së tërësisë të kësaj treve nga emërtimi gjeografik i territorit të gjerë të Drenicës,për ta sunduar më lehtë; ndërsa termi i dytë “Llapusha”,po aq i pavend dhe bazë reale e mbështetje shkencore lindi apo “polli” nga mendjemadhësia,gjëja se është zbuluar diçka e re. Por në esencë që të dyja shkonin në favor të politikave jo të mira për këtë territor dhe për vendasit. Banorët e kësaj ane,sa herë kanë dalë jashtë kësaj treve,qoftë si punëtorë të thjeshtë,qoftë si mjeshtër,qoftë si këngëtarë apo si pleqnarë,gjithmonë janë paraqitur (prezantuar) si të Drenicës. Pra edhe ky është një argument plus,por shumë domethënës, i fortë dhe real,sepse si të tillë e kanë ndier veten si pjesë e Drenicës denbabaden. Ironia edhe më e madhe në kohët e fundit (pas luftës së fundit), janë shtypur e botuar edhe harta topografike,me këtë term apo toponim (emër vendi) “Llapushë” si regjion i posaçëm. Edhe më keq,në këto harta,edhe Vargmalet e Drenicës që nga Gryka e Llapushnikut e deri në Grykën e Carralevës, të shënuara edhe në hartat e mëparshme si Vargmalet e Drenicës,në këto hartat e reja shënohet “Llapusha”. Çfarë ironie! Çfarë papërgjegjësie dhe papjekurie! Çfarë mëkati e çfarë tmerri. Po sikur të ishte Migjeni gjallë do të bërtiste në kupë të qiellit: Perëndi a shef,a dëgjon?Pse e vonon gjykimin,për këtë tmerr,për këta mëkatarë.

Për këtë një faj jo të vogël e kanë edhe intelektualët akademikë, pse heshtin e nuk reagojnë,për ta sqaruar këtë çështje në pikëpamje dhe baza shkencore.

Në këtë drejtim,në të kaluarën jo fort të largët,janë bërë disa përpjekje në vitet 1986-1988,nga një grup i bashkëpunëtorëve shkencorë të institutit nga instituti Albanologjik i Prishtinës dhe i komunës së Drenasit,për të hulumtuar e mbledhur material nga terreni i Drenicës,me qëllim që të hartohet një monografi për Drenicën dhe për caktimin e kufijve të saj realë. Mirëpo,për shkak të zhvillimit të ngjarjeve pas vitit 1988 ai aktivitet dhe ajo iniciativë e nisur u ndërpre. Në bazë të materialit të grumbulluar në terren,të njerëzve të vjetër e pleqnarëve të kohës si edhe të disa shkrimeve e shënimeve të shpërndara aty-këtu që i hasim nëpër libra e botime të ndryshme,qofshin ato shkencore apo letrare,del se kufijtë real të Drenicës janë: veri-jug, Radishevë-Carralevë dhe lindje-perëndim, Mihaliq-Zatriq (Drenovci i Zatriqit).Këtë e ka pohuar në kohën e tij edhe pleqnari i Kosovës Xhemail Abria, siç e kemi hasur e vërtetuar në terren.Këtë argument, do të thosha të fortë edhe në disa libra e botime të tjera si: 1) Dr.Adnan Morina,gjeograf “në Podrimja”,botim shkencor, 2) Sylejman Krasniqi,shkrimtarë “Jetëshkrimi”,roman, 3) M.S.Millojoviq “Putopis dela Stare Serbie” (Udhëpërshkrimi i pjesës së Sërbisë së vjetër) Bgd.1872, 4) Dr.Mehmet Rukiqi “Tahir Berisha”,monografi, 5) Mr.Sinan Gashi “Arllati”,monografi, 6) Qerim Zariqi “Arsimi dhe shkolla shqipe në Drenicë gjatë shekullit XX” dhe 7) Xhemail Bajrami “Xhemail Abrai pleqënar i Kosovës”. Bazë të të gjithave këtyre argumenteve: të mbledhura në terren,të pohimeve të njerëzve të moshuar dhe të kohës si dhe të shënimeve të hasura në libra e tekste të ndryshme qofshin ato shkencore apo letrare dhe të karakteristikave dhe tipareve unikate në regjionin e gjerë të Drenicës që i kemi cekë më parë, del se kufijtë real të Drenicës janë: Carralevë-Radishevë (jug-veri) dhe Zatriq-Mihaliq (perëndim-lindje). Kufijtë e Drenicës: Radishevë - Caralevë (veri - Jug) dhe Mihaliq - Zatriq (Lindje – perendim)

 

GURI I SHPUAR ËSHTË DËSHMITAR*

 

Në mes të lagjes është një udhë,

Përbri saj është ngritë një mur,

I ndërtuar në të kaluar,

Veç me lloç e veç me gurë.

Midis murit është një gur,

Në mes të tjerëve më i dalluar,

Lehtë dallohet me të shikuar,

Pak më i bardhë e pak i shpuar.

Ishte kohë lufte dhe rrezik,

Shkonim në kurs analfabetik,

Për të mësuar shkrim edhe lexim,

Shkonim natën me nxitim.

Nëpër borë e nëpër shi,

Për të mësuar shkronjat edhe numrat,

Të gjithë së bashku pleq e të rinj,

Mësonim në odë aty përbri.

Në odë tej murit në kojshi,

Të gjithë së bashku shkojmë ujdi,

Se po s’dite shkrim-lexim,

Thonë s’ke vlerë as ardhmëri.

Dëshmitar ka mbet ai gur,

Midis të tjerëve në atë mur,

Lehtë dallohet me të shikuar,

Pak më i bardhë e pak i shpuar.

 

* Ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore,viti 1944,muaj Nëntor apo Dhjetor. Ende i vinte era barutit. Vende-vende edhe luftohej. Arllat dhe brigadat partizane, gjithkah gjezdisnin nëpër Drenas. Vrisnin e mobilizonin të rinj e të reja,me hir e pahir e besa edhe vrisnin e masakronin njerëz të pafajshëm, duarthatë e të pambrojtur. Në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 u organizua pushteti lokal i vendit, në këshillin e vendit në Arllat. Mes aktivit-eteve u organizuan edhe kurset për zhdukjen e analfabetizmit për të mësuar shkrim-lexim. Pjesa dërrmuese e popullatës ishin analfabetë,një pjesë autodidakt,e aty-këtu ndonjë që kishte të kryer shkollën fillore (katër klasëshe) në gjuhën serbo-kroate,në ish mbretërinë Jugosllave deri në vitin 1940. Edhe në lagjen tonë (në Lagjen e Xhamisë),u organizua kursi analfabetik,të cilin e organizoi dhe e udhëhoqi, vëllai i im i ndjerë Hamit A. Gashi, të cilin me 26.03.1999 e vranë forcat barbare serbo-sllave. Në kurs u përfshin të gjithë meshkujt nga 10-12 e deri në moshat e shtyra,të cilët nuk dinin shkrim-lexim. Në mesin e kursistëve,ndër më të rinjtë ishim unë dhe i ndjeri Mr.Tefik Morina. Mësonim në odën e një kojshiut (në odën e Sahit Çukës). Oda ishte e tipit të vjetër,e ndërtuar në të kaluarën e cila ishte e mbështetur në murin e oborrit.Kursin e vijonim natën edhe pse ende ishte kohë lufte.Për t’ua bërë të ditur (lajmëruar) që të na çelin derën e oborrit,trokitnim në mur,gjegjësisht në një gur,që gjendej në mesin e atij murit,e që ishte pak më i dalluar,pra ishte pak më i bardhë,që natën dallohej prej të tjerëve. Kështu duke e rrahur për çdo natë,ai guri u grupua bukur shumë. Edhe sot pas më shumë se gjysmë shekulli,në atë mur,në mesin e të tjerëve,qëndron si dëshmitar i kohës. Prandaj ai gur ‘‘pak i bardh pak i shpuar’’ që lehtë dallohej edhe vërehej drejtpërsëdrejti më të shikuar,ka mbet dëshmitar. Guri i shpuar është dëshmitar.



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora