Kulturë
Ahmet Selmani: Mërgimi i letërsisë
E hene, 28.01.2013, 09:10 PM
Retrospektivë
MËRGIMI I LETËRSISË
Shkruan: Ahmet Selmani
Ka të ngjarë që, në ato largina
gjysmë të shkreta matanë detit, të jetë shpërngulur edhe një pjesë e mirë e
letërsisë sonë, kuptohet për t’i shpëtuar katastrofës kulturore. Qëllimi i
këtij mërgimi masiv ishte tepër konkret: që të shpëtohej çdo gjë që ishte e
mundur, në mënyrë që më pastaj, kur të ndryshonin rrethanat, të ktheheshin
sërish në atdhe. Por ai pushtim qe tepër i gjëmshëm dhe zgjati aq shumë, sa nuk
mundi ta parashikonte askush. Kështu i theu të gjitha shpresat e atyre që u
shpërngulën atje, ndaj nga pamundësia vendosën që jetën ta vazhdonin edhe në
dhé të huaj, madje edhe duke krijuar një letërsi të pasur, domethënë atë që e
njohim deri më sot
Ashtu siç
e kemi të njohur deri më tani, në përgjithësi është konstatuar fakti se
historia e popullit shqiptar është jashtëzakonisht e vjetër, madje ndoshta edhe
shumë më tepër sesa që mund të paramendohet nganjëherë. Në qoftë se
paraprakisht jemi të prirur të gjykojmë në bazë të asaj që është theksuar deri
më sot nga studiuesit e ndryshëm, siç janë Johan Georg Von Hahn, Spiro Konda,
Nermin Vlora Fallaski, Eleni Kocaqi, Robert d’Anzhely, Dhimitri Pilika,
Aleksandër Stipçeviq, Neritan Ceka, Selim Islami, Muzafer Korkuti, Pëllumb
Xhufi, Zhan Klod Foveirial, Mustafa Kruja etj., do të shohim qartë se rrënjët e
lashtësisë së tij janë kërkuar dhe zbuluar prej kohësh qysh në periudhat më të
hershme parahistorike, pikë së pari duke u mbështetur në teoritë për
etnogjenezën dhe paraardhësit e tyre, siç janë pellazgët, ilirët dhe arbërit.
Kështu mund të thuhet se është krejt i afërmendshëm edhe fakti se thesari i
tyre kulturor i përgjithshëm, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i varfër dhe i
parëndësishëm. Pa dyshim, në këtë pikëpamje s’mund ta përjashtojmë as
letërsinë, meqë dihet fare mirë se e lëvruan jo më pak se fushat e tjera
shpirtërore, duke arritur të krijojnë një traditë të pasur, e cila më vonë u bë
model kryesor i gjithë letërsisë së re shqiptare.
Megjithëse
ky popull disa herë u shkel me egërsi nga pushtuesit e huaj, prapëseprapë nuk
mund të thuhet se e humbi edhe kulturën e tij. Të dhënat e shumta që janë
zbuluar e publikuar nga historianët dhe studiuesit e ndryshëm, tanimë flasin
qartë se, edhe në ato rrethana të pavolitshme, me aq sa pati mundësi objektive,
ia doli ta ruajë, madje edhe ta vazhdojë me përkushtim të madh, duke nxjerrë
emra të mëdhenj të penës, veprat e të cilëve më vonë u bënë si një gjedhe
krijuese. Sipas kësaj rrjedhimisht nënkuptohet qartë se ky popull arriti të
mbijetojë edhe në këtë aspekt, duke e bartur dhe trashëguar atë traditë të
moçme letrare edhe gjatë periudhës së pushtimit romak, bizantin, osman dhe atij
sllav.
S’do mend
se me secilin pushtues e pati shumë vështirë, por me atë osman e pati më së
keqi. E themi këtë për shkak se, këta të fundit, pasi ia mësynë Arbërisë, me
gjasë kishin vendosur të zhduknin çdo gjurmë që i përkiste këtij populli
lashtor, duke filluar që nga kultura materiale, e deri tek ajo shpirtërore, të
cilat patën arritur një nivel të lakmueshëm zhvillimor. Por në këtë aspekt
duket se krijimtaria shpirtërore ishte më e dhimbshmja dhe më tragjikja, ngaqë
si e tillë do ta pësonte keqas pas një periudhe të gjatë teksa e pat ushqyer e
mbajtur gjallë qenien e këtij populli nëpër qindvjeçarë.
Mbase
është shumë e njohur se gjatë kësaj periudhe historike ky popull sapo qe zgjuar
nga gërmadhat e mesjetës, nga ajo kllapi aq e gjatë përmbytëse dhe
vdekjeprurëse, e cila realisht e kishte plogështuar tej mase. Në të vërtetë,
kjo ishte koha kur sapo
Dokumentet
që kanë mbetur nga ajo periudhë, qofshin ato të drejtpërdrejta apo edhe të
tërthorta, flasin qartë se qysh atëherë
Në këtë
ndërmarrje fatalisht të egërsuar, gjithsesi qe rrezik i madh të lëfarej edhe
thesari kulturor e letrar, i cili nga autorët tanë ishte krijuar me mund e
djersë të madhe përgjatë epokave të ndryshme historike, për shkak se të gjithë
pushtuesit e kanë qëllimin e njëjtë, thjesht së pari ta zhdukin trurin e atij
populli të cilin dëshirojnë ta gjunjëzojnë, e pastaj edhe pjesën tjetër të tij,
që ashtu ta mposhtin përfundimisht.
Kështu,
edhe pushtuesit osmanë, në këtë rast e goditën pjesën më vitale të popullit
arbëror, kuptohet njerëzit më të ditur e më të arsimuar, me qëllim që ta
plogështonin e leqendisnin atë deri në pikën e fundit, e mandej fare lehtë të
vepronin edhe pjesën tjetër që do të mbetej, e që ishte dëshmuar shumë e aftë
për luftë, duke djegur e rroposur çdo send që gjetën përpara vetes. Nga një
trysni e këtillë marramendëse, duket sheshit se një pjesë e mirë e gjindjes,
sigurisht ajo më e ngritura në pikëpamje arsimore e kulturore, u detyrua të
shpërngulet nga trojet e veta dhe të vendoset në disa krahina të Italisë së
Jugut.
Siç dëshmojnë të dhënat e shumta historike, disa shpërngulje nga këto troje janë regjistruar edhe para këtij pushtimi, pra qysh në vitin 1272, 1388 dhe 1393, kur disa individë dhe grupe arbëreshësh ia mësynë drejt Italisë. Megjithatë, vetëm në qindvjetëshin XV u shfaqën ngulime më të theksuara, atëherë kur mbreti i Napolit, Alfonsi I i thirri trupat arbëreshe nën komandën e Demetrius Rëresit, për të mposhtur një kryengritje që kishte shpërthyer në Kalabri. Për këtë ndihmë konkrete që ia ofroi në momentet e vështira, më 1448 Rëresit iu nda tokë në viset e Kalabrisë, ku edhe u vendosën ushtarët e tij me gjithë familjet e tyre. Por e vërteta është se ngulimet më të mëdha e më dramatike u bënë pas vërshimit të Perandorisë Osmane në Gadishull, me ç’rast u shkaktua një dyndje e madhe e arbëreshëve drejt Italisë, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në këtë mënyrë, ndërmjet viteve 1468 dhe 1478 një valë e madhe ikanakësh e braktisën Arbërinë për t’u vendosur në viset e Bazilikatës, Molizesë, Puljes dhe, veçanërisht, të Kalabrisë. Ndërkaq, pjesa tjetër e këtyre fatkëqinjve ishin nga viset e Moresë, të cilët u vendosën kryesisht në viset e pabanuara të Sicilisë. Pikërisht nga këto valë të mëdha ikanakësh u krijua bërthama e kësaj mërgate që e njohim sot. Por, sado që ndodhi kështu, assesi nuk mund të thuhet se qe një shpërngulje klasike, siç dinë zakonisht të bëjnë ikanakët që shohin ta shpëtojnë vetëm kokën e tyre. Përkundrazi, të gjitha të dhënat flasin qartë se kjo qe një shpërngulje shumë më e ndërlikuar, domethënë ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm njerëzit me një vetëdije të lartë atdhetare e kulturore. Këtë e themi ngase ata u dyndën matanë detit pikërisht atëherë kur e panë rrezikun më të madh, ose kur e kuptuan se kultura e tyre mund të zhdukej vërtet nga faqja e dheut. Pa dyshim këtë e dëshmon edhe fakti se turma përbëhej nga elita e vendit, nga senjorët, peshkopët, oficerët që ikën bashkë me bagazhet, arkivat, madje me kambanat e kishave që s’donin t’ua linin pushtuesve, siç thekson Ismail Kadare. Pra, me vete morën një barrë tepër të madhe, kryesisht gjëra me vlerë të rrallë, shkresa e dokumente nga më të ndryshmet, libra e dorëshkrime të shumta, kronika e relacione, përkthime e përshtatje etj. Është shumë e kuptueshme se në radhë të parë e morën me vete gjuhën amtare që flitej në Arbëri, dhe bashkë me këtë i morën edhe këngët që këndoheshin atëherë, siç ka thënë studiuesi i njohur Eqrem Çabej. Duke e analizuar këtë rrethanë, kjo assesi nuk mund të kuptohet vetëm si një shpërngulje fizike, por aq më tepër edhe si një shpërngulje shpirtërore. Dhe, si rrjedhojë e kësaj, ka të ngjarë që, atëkohë, në ato largina gjysmë të shkreta matanë detit, të jetë shpërngulur edhe një pjesë e mirë e letërsisë sonë, kuptohet për t’i shpëtuar katastrofës kulturore. Siç mund të shihet, qëllimi i këtij mërgimi masiv ishte tepër konkret: që të shpëtohej çdo gjë që ishte e mundur, në mënyrë që më pastaj, kur të ndryshonin rrethanat, të ktheheshin sërish në atdhe. Por ai pushtim qe tepër i gjëmshëm dhe zgjati aq shumë, sa nuk mundi ta parashikonte askush. Kështu i theu të gjitha shpresat e atyre që u shpërngulën atje, ndaj nga pamundësia vendosën që jetën ta vazhdonin edhe në dhé të huaj, madje edhe duke krijuar një letërsi të pasur, domethënë atë që e njohim deri më sot. Në fakt, këtu duhet kërkuar shpëtimin e letërsisë shqiptare e cila më vonë do të vazhdojë të krijohet në mënyrë të pandërprerë deri në kohën tonë.