Kulturë
Xheladin Mjeku: Muza që pikon dashuri
E enjte, 03.01.2013, 08:48 PM
MUZA QË PIKON DASHURI
Nebih Bunjaku: “TESTAMENTI I LOTIT”, poezi, botoi SHB “ZEF SEREMBE“-Prishtinë, 2012
NGA XHELADIN MJEKU
Nebih
Bunjaku, vjen në letrat shqipe me shtatë përmbledhje poezish: “Dalje nga
balada“, (1994), “Gramatikë zemre”, (2004), “Terapia e dashurisë”,
(2005), “Një samit për një simit”, (2007), “Prushimë buzësh”,(2008),
“Zemra nuk ka dimër”, (2009) dhe “Testamenti i lotit”,
(2012), që së fundi ia dha lexuesit të tij të pasinuar dhe besnik, duke ndjekur
në çdo kohë fjalën e bukur dhe mendimin e tij prej krijuesi të pakontestueshëm.
Lirika e tij e dëshmuar në gjithë opusin krijues sa vjen e shtrin pushtetin e
saj fuqishëm në gjithë fushë-marrësin e recepientit të kësaj gjinie letrare, që
me pietet e krijon dhe e distribuon tek dashamirësit e poezisë, këtu e dekada
me radhë. Është thënë mbase edhe shumë herë tjera, se kjo krijimtari poetike
shquhet pë veçantin e vargut, për stilin dhe vlerat e arrira. Kjo ngritje
graduale me gjithë shtrirjen në shumë rrafshe krijimesh të motivuara nga
ngjarje e situata gëzimi, shqetësimi, e deri tek interesimet për fenomene të
ndryshme jetësore që e preokupojnë
autorin.
Historia si frymëzim i pashterrshëm i muzës
poetike
Që nga
cikli i parë “Testamenti i lotit”, sipas së cilës është pagëzuar
edhe përmbledhja poetike e radhës, e
deri në ciklin e fundit “Stina e harrimit”, duke sjellur me vete
bagazhin poetik edhe të dy cikleve tjerë: “Vula e shpirtit” dhe “Në Ishullin
e mallit”, përballemi me “tronditjet poetike” të shpirtit të trazuar, herë
të gëzuar dhe emotiv të autorit, që për tematikë ka jetën, si sfidë, si dëshirë
dhe si besim për dashurin dhe ardhmërinë, si opsione të pasosura në lirikat e
tij, në përgjithësi.
Autori
është përkujdesur që cikli “Testamenti i lotit” të krijon një rreth nga
Prizreni historik, deri në atë poetik, që në një mënyrë paraqet periudhën më të
lavdishme të popullit, për liri, me situatat historike që përjetojnë për më
shumë se një shekull, deri në ditët e pasçlirimit, ku në kryeqytetin tonë
shpirtëror poezia përmbyll këtë cikël me tematikë të njohur për kauzën
kombëtare. Kështu, nga poezia” “Shtëpia e Lidhjes”, ku: “Në Prizren u
lidhen zemrat/ u mboll fara e Pavarësisë/ n’histori u gdhenden emrat/ në
ngjizje gjaku të lirisë”, (fq. 7),
gjithnjë duke prekur tema të shumta edhe me poezitë tjera, si: “Lisi
i moçëm”, “Testamenti i lotit”, “Emigrant”, ”Loti i
shpirtit Çamëri”, “Kur zemra pikon dhimbje”, etj. autori prek
ndjeshëm qështje nga problemet jetike të kohës, si heroizmin e luftërave për
çlirim, pastaj plagën e kurbetit dhe Çamërinë, si pikën më të dhimbshme të
kauzës sonë kombëtare, për të ndier edhe dhimbjen e madhe në humbjen e emrave
të përveçëm të kulturës sonë, si Bekim Fehmiun, etj.
“Në kryeqytetin e zemrës
në
Prizrenin heroik
na
bashkojnë kujtimet
dhe Drini
Poetik”
(“Në
kryeqytetin e zemrës”, fq. 30)
Nuk është
thënë kot se: “Kush ka qenë njëherë, do të jetë gjithëherë”, mbi parimin e së cilës thënje e ndërlidh edhe këtë strukturim
të baraspeshuar me dy kohërat e Prizrenit historik, që autori synon ta paraqes
si kërthizën e zhvillimeve të mëdha për atdheun dhe lirinë.
Dashuria –
portë dhe sfidë e hapur
Pastaj
autori na entuziasmon me lirikat e tij plot dashuri për jetën, për dashurinë si
portë hyrëse në sfidat dhe rrugëtimin e tij të pambarim, herë si kënaqësi
shpirtërore, herë si shqetësim, si ndruajtje e çastit, si gëzim i arritjeve të
reja, si simbolikë e ëndrrës së vazhdueshme të poetit për të realizuar dëshirat
dhe për të shijuar frytet e aktiviteteve të vazhdueshme në gjetjen dhe
realizimin e temave në frymën e artit poetik, që prekin tema e ngjarje të
ndjeshme dhe me emocione të
herëpasherëshme shpërthyese.
Dashuria
është metafora më qenësore e poezisë së Nebih Bunjakut, ku shquhet për
mirëkuptimin e vazhdueshëm me lexuesin, duke e ruajtur nga zhgënjimi dhe
thyerja emocionale me tematikat e prekura në rrafshin historik, që sa krijojnë
pamje të dhimbshme dhe krenare njëkohësisht, aq bëjnë të kuptohet se nuk i
qëndrojnë gjithmonë mirë brezit që tashmë e ka gëzuar dekadën e lirisë dhe ka
synime jetën me plot kuptimin e fjalës. “Vula e shpirtit” pretendon të
ndërtoj emblemën e jetës së re plot frymëzim, dashuri dhe gëzim të të
arriturave në përgjithesi, duke aluduar në frutin e besimit të qenësishmën,
shpirtëroren dhe ngadhnjimin mbi çdo të keqe eventuale.
Cikli
poetik “Vula e shpirtit” vulos njëherë e bindshëm këmbëngultësinë e
autorit në ndjekjen e pandalshme rrugën e nisur që në fillim të krijimtarisë së
tij poetike, të kësaj veprimtarie jo edhe aq të lehtë – ndërtimit të motivit
erotik me frymën e jetës dhe tipareve autoktone të ambientit mjedisor, me
gëzimet, shqetësimet, hidhërimet, krajatat dhe vullnetin e pandalshëm të jetës
me frymën e lumturisë, si shkëndija të një ardhmërie.
Fuqinë
poetike të mbërthyer nga zjarri promethian e shpreh me pak vargje:
“Faleminderit Promethe/gjithë zjarrin e buzëve/solle veç për ne”, (“Zjarri i
buzëve” fq.45), për të vazhduar tutje me krijime të shumta, që në ndonjë rast
të kujtojnë “shqetësimet poetike lasgushiane” duke protretizuar mirë dhe
denjësisht figurën e femrës, si personazh frymëzimi në ciklet në vijim. Këtu
shquhen, sidomos poezitë: “Miniera e shpirtit”, “N’syrin tënd kërkoj
azil”, “Busulla ime” ,”Valët e jetës”, “Antologjia e mallit”, “Magjia e buzëve”, “Ylli im”, “Lulja
e Bregut të diellit”, “Loti i lules” e ndonjë tjetër, që mbeten për
t’u kuptuar e shijuar nga recepienti koshient.
“Vula e shpirtit tim
Nëpër
dallgë të jetës
Pa ty jeta
s’ka kuptim
O diell i
t’vërtetës
Pa ty s’agon
dita
Lulja nuk
çel dot
Vula e
shpirtit tim
Zemër
n’jetë e mot
Je simbol
dashurie
Urë që
bashkon zemra
Vula e
shpirtit tim
Që vulos
dy emra
(“Vula e
shpirtit”, fq. 48)
Edhe cikli
“Në Ishullin e mallit” ka për tematikë dashurinë, gjithnjë duke vazhduar
me sforcimin e mendimit të poetit deri në bindjen se po ndërton “Kushtetutën
e shpirtit”, ku: “Kushtetutë e shpirtit/ Nen për nen të dua/ Ma mbushin
zemrën gëzim/ Gjithë ligjet e tua”, (fq. 69). Poezia “Loti i lules”
kujton pjesën tjetër të medaljes së dashurisë, frikën nga ikja e kësaj ëndrre
të pambaruar për asnjë çast tek gjithë njerëzimi, e shprehur edhe në vargjet
lirike të Nebih Bunjakut, duke tërhequr një digresion në rrafshin e frikës dhe
besimit të triumfit të së vërtetës mbi dashurinë sublime për jetën.
Zemra
është organ i ndieshëm dhe i domosdoshëm tek njeriu. Në poezinë e Nebih Bunjakut, ajo vjen si diçka që
përmbyll gjithë fuqinë shprehëse dhe krijon bindjen se aty qëndron gjithë fuqia
e besimit dhe ndërlidhja shpirtërore, duke kërkuar forcën dhe besimin e
ndërsjellë, ku: “Unë ta ruaj si sytë e ballit/mbështjell me mjaltë e vaj
ulliri/tjetrën ruaje n’fund zinxhiri/të puthitur midis gjiri”, (“Me dy zemra”,
fq. 76). Një intimitet që shpreh denjësisht gjithë ajkën e krijimit të kësaj
poezie erotike dhe mjaft fuqishëm ndërlidh ndjenjën shpirtërore dhe emocionale
të shprehur në lirikat e tij.
Poezitë e
moshës
Në ciklin
poetik “Stina e harrimit” autori na sjell një befasi të këndshme, duke
insistuar në pasqyrimin e realitetit të jetuar çdo ditë. Përderisa në ciklet
tjera takojmë poezi motivesh të ndryshme nga historia, nga aktualiteti dhe imagjinata e tij krijuese me motivacion
dashurinë, frutet e punës në krijimtari,
etj. këtu takojmë frymën e poezisë së moshës, nëse guxoj ta quaj kështu këtë cikël, meqë pjesa dërmuese e tërë
lëndës poetike që shtjellohet në këto lirika prek një periudhë kohore të
ndieshme. Pas një kohe të gjatë të krijimit të opusit të tij letrar me motive
dhe vlera tashmë të dëshmuara, autori e ka pikasur edhe një periudhë që domosdo
e ka rëndësinë dhe peshën e saj. Ai nuk ngurron t’i këndon edhe moshës së
tretë, duke ndërtuar kështu nje cikël të veçantë poetik me tema dhe ngjarje nga
aktualiteti ditor, që mund t’i prek veç një krijues kurreshtar dhe vigjilent,
përvoja e të cilit është e dëshmuar plotësisht. Portretizimi i vetvetës që në
fillim të këtij cikli flet bindshëm se këtë poezi e ka pikasur që në embrion
dhe ka zënë fillet e kësaj krijimtarie me temë bosht moshën e tretë dhe
ndryshimet e jetës në këtë periudhë kohore: “Borën në kokën time/e zë dhe pranvera/
s’është borë e një viti/ nuk e shkrin as vera”, (“Stina e harrimit”, fq.
82).
Nebih
Bunjaku, si duket tashmë gjen tema të mjaftueshme dhe me përpikëri i shtjellon ato që i zë syri dhe mendja e tij,
duke analizuar e vlerësuar edhe veset e shoqërisë, që sa vijnë e pësojnë
deformime, për të lënë gjurmë të pakëndshme dhe me pasoja të mundshme në të
ardhmen. Të këtyre tematikave janë poezitë: “Kameleon”, “Gjarpri i zi”
dhe “Përrallë e vërtetë”.
Por,
pavarësisht këtyre që u thanë më lartë, autori me mjaft përkushtim vetëm përmes
katër vargjeve në poezinë “Zemrën Saharë” përmbyll mendimin, ku:
“Shpirtin oazë Nili/ por zemrën Saharë/pa ty shpirtja ime/ syri im ujëvarë”, ku
përfundimisht jep shembullin më pikant se muza e tij krijuese vazhdon të mbledh
nektarin e dashurisë në gjetjen e sigurt të vlerave të reja dhe në vjeljen e
frutave shpirtërore të poetikës së tij.
Frymëzim i
ri i fjalës
Sa herë
takojmë poezinë e Nebih Bunjakut, qoftë edhe si rilexim, mbesim në fillimin e njohjes së fshehtësive që ndryn
brenda fjala poetike me vlerat që sjell tek ne, të botuara deri tash. Mbresat
nga leximi i kësaj përmbledhje, pavarësisht se është thënë edhe herë tjera për
këtë krijimtari dhe strukturën e ndërtimit me elemente stilistike dhe tematika
të shumta, nuk ka si të anashkalohen pa u thënë sërish, për faktin se shquhen
për formën e ndërtimit strukturor të vargut poetik, muzikalitetin, metaforat
dhe rimën, si element i pranishëm pothuajse në tërë krijimtarinë poetike të
autorit.
Nebih Bunjaku në krijimtarinë e tij poetike në vazhdimesi sjell frymëzime të reja dhe ruan me gjelozi strukturën e vargut, rimës dhe motivit që ka në spikamë në gjithë krijimtarinë e tij letrare. Ky rrugëtim poetik vjen tek receptori si një ngritje e pandalshme, që na obligon ta respektojmë dhe absorbojmë si vlerë, art dhe mesazh.