Kulturë
Baki Ymeri: Mirënjohje të reja bukureshtare
E hene, 31.12.2012, 06:04 PM
Mirënjohje
të reja bukureshtare për shpirtin shqiptar
Nga Baki Ymeri
Me rastin
e 100 vjetorit të Pavarësisë, herën e parë i ndamë 14 mirënjohje për disa
botues, krijues dhe dashamirë. E impresionuar nga ky gjest fisnik për botimin e
tyre në faqet e tribunës legjendare Zemra Shqiptare, Zonja Vilhelme Vranari nga Vlora, e qëndisi
një medalion falënderimi ku dolën edhe 10 mirënjohje të reja. Për herë të
fundit gjatë këtij viti po i ndajmë edhe disa mirënjohje të reja, edhepse numri
i bashkëpunëtorëve të kësaj tribune dhe i idealistëve tanë që i meritojnë,
është shumë më i madh, kurse koha dhe hapsira tipografike për botimin të tyre
është e përkufizuar. Ç’është mirënjohja?
Mirënjohja
është një virtyt special, ndoshta më i këndshmi nga të gjitha virtytet. Në
kuadrin e saj reflektohet respekti, energjia pozitive dhe inteligjenca
emocionale. Mirënjohja është fuqia për t’u gëzuar për atë që kemi, për fëmijën
që na buzëqesh, për drejtuesit e gazetave të shtypura e revista elektronike që
të afirmojnë pa të kërkuar lekë (sepse me lekët manipulojnë politikanët e jo
idealistët), për një ditë me diell, apo për një gotë me verë të mirë. Por,
mirënjohja nuk don të thotë se është shpërblim për shërbim. E thamë këtë sa për
të thënë diç, edhepse mirënjohja ndërlidhet me shpërblimin e shqiptarëve që
janë gjithmonë truproja e kombit, kulturës dhe atdheut. Të këtillë janë
idealistët tanë, numri i të cilëve, për fat të keq, shkon duke u reduktuar.
Cila është rëndësia e mirënjohjes?
T’i jesh
dikujt mirënjohës, don të thotë të ndihmosh për të koncentruar vëmendjen mbi
gjërat pozitive të jetës sate. Sidomos me rastin e ndonjë feste, sepse kjo na
ndihmon të kundrojmë edhe anën e mirë, për të vajtur më tej. Mirënjohja i
shkrin emocionet destruktive (frikën, vrrullin, xhelozinë etj.), dhe na e
ndryshon gjendjen shpirtërore. Disa, shpesh herë janë të pakënaqur pse nuk kanë
më shumë para, një vend më të mirë pune, duke qenë të frustruar pse nuk kanë
një jetë më të mirë, të cilën mendojnë se e meritojnë. Mirënjohja na mundëson
t’i tejkalojmë këto bariera, duke e përqëndruar vëmendjen te familja, miqësia,
dashuria dhe shëndeti në jetën tonë, edhepse disa nga këto dhurata dikush mund
të mos i ketë. Mirënjohja don të thotë para së gjithash të jesh në një gjendje
për dhënë, që pastaj të pranosh gjërat e mira që të ofrohen. Si duhet vlerësuar
kjo?
Ekzistojnë disa mënyra, psh. duke i falënderuar universit përmes lutjeve dhe meditimeve, varësisht nga funksioni yt shpirtëror. Duke u falënderuar të tjerëve, me gojë apo me shkrim, me një buqetë lulesh apo me ndonjë dhuratë, po qe se i kujtohet gruas apo dashnores sate të ta urojë ditëlindjen. Për të kaluar nga tema në temë, këtu e kemi fjalën për botën e paemancipuar islamike, ku nuk e dinë djemtë apo vajzat ditëlindjen e prindërve, apo anasjelltas. Kaq sa për sot e sa për sonte, duke i ngatërruar një çik fjalët, dhe duke i falënderuar botës për energjinë pozitive me të cilën na pajis, për të qenë gjithmonë të shëndetshëm, në harmoni me familjen dhe dashamirët, optimistë, të frymëzuar dhe mirënjohës.