E merkure, 22.05.2024, 11:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Fabula nga Vangjush Saro

E hene, 31.12.2012, 02:32 PM


Vangjush Saro

Pilivesa

Çdo punë,
një fillim e ka.
Helikopteri,
thonë disa,
te pilivesa
i ka fillesat.
Mirëpo kjo botë
u çthurr tani.
Për pilivesën
s’pyet njeri.
Në dashtë
fluturon kushdo,
s’duan t’ia dinë
ç’ka qenë ajo,
ulen e ngrihen,
në shi e vesë;
(në daçi
edhe pa licensë).

Ti histori
thur sa të duash,
kjo ndonjëherë
të bën të vuash...

Sorra

Sorrës iu shkrep
në mbarim të ditës
të rrinte njëherë
lart,
në majë të pishës.
“Pale ç’mund të ngjasë
kur të më shikojnë
ndërsa rri serbes,
posi ndonjë zonjë...”

Ashtu edhe bëri
“zonja” sorrë pas pak;
fluturoi në majë
edhe pa përqark.
Por...asgjë nuk ndodhi
që të ishte ndryshe:
Dielli ndriçonte
kodrën edhe fushën;
retë veç dremisnin
përmbi njëra-tjetrën;
era seç këndonte
tek rrëzonte fletët.
Gjithçka si përherë
ishte edhe sonte.
Askush s’u trazua
si  sora shpresonte.

Ta bën ndonjëherë
Mendje e shkretë hopa(!)
kujton se te ti
ia ka sytë gjithë bota...

Dy kecat

Ndodh që të ndryshojnë
përralla, personazhe,
si me kecat tanë
që s’gjetën dot paqen.
Natën edhe ditën
përmbi urë mbetën;
asnjëri s’lëvizte
atje kokëshkretët...
Ditën edhe natën,
Mbetën bri më bri.
-Hape rrugën! Shpejt!
-Pse unë? Hape ti!

Thonë
ndenjën gjatë
përmbi atë urë.
Njëri: Hape rrugën!
Tjetri:Ore, kurrë!
Thonë
ra në ujë
ajo urë, e ngrata.
Por kecat prapë shfrynin
tek i merrte dallga.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora