Kulturë
Vladimir Muça: Natyralizimi i modernitetit
E premte, 28.12.2012, 01:05 AM
NATYRALIZIMI
I MODERNITETIT DHE REÇENSIONI NE POEZI
Nga Vladimir Muça
Në
festivalin poetik të vitit 2011 në Prizren, tek dëgjoja recitimet e kolegëve në
foltoren e festivalit, gumëzhitja e pranverës në Bunjak, zhurmërima e ujit dhe
flatrimet e mjelmës së Lumbardhit, mërmërima e fletëve të barit të krekzave e
lisave në zabelet e Shtëpisë së Bardhë prizrenase e pushtoi qenien time.
Me këtë
natyralitet më përvijohen poetika të veshura me toponimet e emërtimet vendore,
marrjen sa më shumë frymëmarrje në habitatin që na rrethon. Vetëm kështu ky
modernitet i ri e shpërvjel korracën e hermetizmit klasik, duke e ushqyer
poezinë me vajin epistolik të vendit të vet. Në të tilla raste moderniteti i
largohet formaturave kallpe dhe merr trajtat e një personazhi unik vendor , ku
gjallon jeta përditore me të gjitha afeksionet e saj. Për një frymëmarrje të
gjerë të letërsisë Agim Vinca i referohet me të drejtë botimit të fundit të
Anton Paplekës në qëndrimin ndaj spiritualitetit dhe imazhinizmit si dukuri
thelbësore të këtij natyralizmi poetik e në tërësi të letërsisë si
domosdomshmëri për daljen nga reçensioni në të cilin ajo po noton. Kësisoj ne
mund të rrisim imagjinatën artistike, ta zhveshim letërsinë nga skeletizmi, në
të cilin ajo po futet, duke e parë “kombin si ansambël e jo si komb modern” ,
siç perifrazon studiuesi e poeti Agim Vinca. Proliksiteti që vihet re rëndom në
një pjesë të mirë të produkteve poetike është një dukuri anemizmi, i cili me
voluntarizmin e tij ka përfshirë produktet e sotme poetike.
Për fat
të keq, kjo poezi po largohet nga trualli prej nga ka lindur, nga produktet më
përfaqësues të Esad Mekulit, Ali Podrimjes, Din Mehmetit, Rrahman Dedajt, Azem
Shkrelit, Sabri Hamitit, Agim Gjakovës, etj. Për të mirën e poezisë e të
letërsisë në tërësi ka një grup-target poetësh, që po lufton estetikisht me
zell krijues për të dalë nga ky reçension. Poetët Agim Vinca, Flora Brovina,
Agim Desku, Sabile Keçmezi Basha, Bedri Neziri, Begzat Balliu, Shahbaze Vishaj,
Adem Zaplluzha, po mundohen të hapin shtigje të reja në gjurmët e prelatëve
poetikë, duke zbatuar teorinë e natyralizmit poetik, ku tani “Dhëmbët e flokët
e barit i kanë dalë”, ku “fluturat për ta djegur/ harresën e eshtrave/
shndërruar në bar”, ku “Në zemrën e barit ndjeja frymëmarrjen e eshtrave/ që
duan të thithin dritën”.
Me një
seri metaforash të tilla të Rrahman Dedajt, po ecën dhe ky grup/target i këtij
brezi të dytë të poetekës kosovare. Poetët e lartpërmendur veçohen disi nga
shumica e krijuesve në shpërfilljen e hermetizmit skeletik në poezi, duke futur
elemente natyrorë si pjesë e jetësimit. Në poezitë e tyre shpërfaqen sisteme
estetike. Ky proces ideo/artistic, me kapjen fort pas kombëtares përmes
mesazhesh me vlera artistike që mbartin, i vendos aktualisht jo vetëm në
minorancë sasiore, por edhe në mazhorancë cilësore. Vargu i tyre shpreh më shumë ide koncentruar
me anën e një ritmike dhe palimpsestesh të viteve të jetës, sipas
këndvështrimit e psikologjisë vetiake të poetit. Në konceptualitetin e
personazheve konstrukti poetik merr trajtën e monologut, i cili ngrihet
natyrshëm mbi erupsionin ndjenjësor të vetë poetit, ku poeti ndjen novitetin e
konceptit poetik, ku brishtësia vjen nga ky erupsion shpirtëror e ndjehet në
çdo qelizë të fjalës, të vargut e strofës.
Gjithçka
gjatë këtij natyralizimi përkon me moton e shpirtit popullor. Lexuesi aty sheh
vetveten. Parë në këtë furkëz mendimesh, idesh e motivesh të një strofe,
kapërcehet rrjedhshëm me një kadencë e aliteracion elokuent, fiton një
rrjedhshmëri, saqë në laboratorin e trurit të ngacmon, të bën të mendosh e të
mbash qëndrim për detajin poetik. Po t’i shikosh me syrin e një gjeologu
palimpsestesh, nën xeherorët e viteve të pushtimit turk e sllavo-serb, motivet
marrin trajta nga etnosi ynë duke mbajtur në qendër tema e përqasje etno-psikike
të kohës. Përmes një loje imagjinative e imazhiniste, nga grup – target poetësh
vjen jeta reale e jetuar vijnë fletëza të historisë dhe miteve, ku persekutimi
fizik e shpirtëror jep kinematikën e çasteve në gjurma shpirtërore si një
autosugjestion, si vetëshprehje e lirë, duke përvijuar individualitete e një
stil në formim e sipër.
Universaliteti
i këtyre prurjeve të kursyera, me thellësira infinite në hapësirë e kohë, në
vende e toponime të mirëpërcaktuara, të bën të ndjesh poezinë, të perceptosh
çdo gjë sikur ndodh sot, pavarësisht se evokon motive të kohërave, apo të
viteve të shkuara. Në këtë kuadër është dhe gjuha drejtshkrimore dhe e zgjedhur
janë sentencat poetike si element që derivojnë gjithçka e shprehin shpirtin
poetic me nënshtresat historiko -
shoqërore. Në përgjithësi, është standard se letërsia e mirëfilltë,
serioze nuk mund të përftohet me paraardhës të mirëfilltë, të cilët,
pavarësisht nga vitet, ata shtresohen si katet e një miniere diamantesh. Sa më
e vjetër, sa më e rëndë trysnia e viteve që ikin, aq më brilantë bëhëet shtresa
diamantike që përftohet.
E bëra
këtë krahasim si një homazh për Esad Mekulin, Din Mehmetin, Azem Shkrelin. Këta
me Ali Podrimjen, Rrahman Dedajn, Sali Bashotën e brezin e dytë pasardhës të
lartpërmendur, mendoj se janë etaloni, ku duhet të mbështetet për daljen nga ky
reçension poetik e krijimin e një personaliteti të ri të modernizmit poetik me
një shpirtëzim gjithëpërfshirës. Ky shpirtëzim asnjëherë nuk mund të jetë
statik, por është si një sizmograf ndjenjësor, i cili do të ndjekë zigzaget tek
lexuesi. Shpirtëzimi lirik do të kthehet në një bazament struktural i lirikës
natyrore, i një lirike të ndërmjetme midis lirikës migjeniane, të dhimbshme e
tërë dufe dhe lirikës lasgushiane me një ekologjizëm të pastër shpirtëror e
transparent. Një ndërthurje e tillë poetike i shërben më së miri lirizmi, duke
e kthyer atë në një atraksion në shpirtin kosovar e atë kombëtar në tërësi. Në
sajë të këtij brezi, të dytë do të thosha, poezia kosovare me krijimet e Sali
Bashotës, Nexhat Rexhës, Agim Vincës, Flora Brovinës, Sabile Keçmezi Bashës,
Agim Deskut, Sabit Rrustemit, Miradije Ramiqit, Begzat Balliut e të tjerë, po
çlirohet nga virusi i skeletizmit poetik marrë nga importimi shabllon i
hermetizmit e po krijon një personalitet të ri, me dendësi mendimi,
figurshmërinë e fjalës, me një përkushtim të thellë për një përparim të vargut
e fjalës drejt një moderniteti të natyralizuar.