Kulturë
Blerim Rrecaj: Ditët e fundvitit në qytezën tonë
E diele, 30.12.2012, 07:03 PM
Ditët
e fundvitit në qytezën tonë?
Nga Blerim Rrecaj
Hap
një fletë word-i . Dhe rri e shoh bardhësinë e saj. Ta nxi a mos ta nxi. Ta
(bardh)zez-oj a mos ta(bardh)zez-oj. Te shkret-oaz-oj a mos te shkret-oaz-oj.
Të hedh o mos të hedh mbi të fjalët e mia dhe të të tjerëve. E edhe diç nga
vëzhgimet e përjetimet, kujtimet. Të shpraz, të shkarkoj diç nga ajo që gjendet
në rradaken, në zemrën, në qenien time. Tashmë kur edhe njëherë gjendemi në
prag të një viti me numër tjetër, të ri. Dhe i cili po vije si një ditë e re
duke lënë pas ditën tjetër,paraardhësen e saj,të djeshmen. Dhe duke thënë shumë
ose pak fjalë për (pa)sukseset në këte e atë lëmi. Dhe duke uruar për më
shumë,( pse jo për shumë më shumë)
mbarësi në vitin që po hyjmë.Siç e thanë e thonë: Ditë e re, shpresë e
re. Vit i ri me sa më pak mbrapshti.
Edhe pse më së miri do të ishte sikur mos të presim edhe aq shumë, e të ecim
përtokë. Dhe t’i shtrijmë këmbët aq sa të na mbërrij jorgani. Duke u kujtuar
fjalurimet e dikurshme me hahaha e hihihi…me një mace e me një mi, ose me një
cjap e me një dhi dhe kujtesa na e shfaq pamjen e ndonjë kartoline të dikurshme të pranuar nga larg a afër të dërguar. Dhe
derisa vitet ikin tutje një e nga një. Pyesim si zakonisht , cili ishte viti që
shkoi, që po shkon më saktësisht? Po për të flasim edhe poezitë e Xhevahir
Spahiut: “Takim me 31 dhjetor”, “Urim për vitin X”. “Nata e vitit të ri” dhe
ndonjë gjë tjetër e tij dhe e tjetërkujt. Nikollë Nikprelaj këngon me atë grup
fëmijësh: “Viti i ri do të na gjej me këngë e me valle”. Disa shkrime për këtë
temë për karakterin pagan dhe sidomos komercial të festave të fundvitit ka shkruar
dhe teologu Mexhid Yvejsi si ato me titull: “Prejardhja e babadimrit”,
“Prejardhja e vitit të ri”, “Prejardhja e festave”…Derisa sytë i hedhim te
këndi i dhomës ku qëndron bredhi plastik
1 metër e 20 centimetra me ca dekorime që mban mbi supe mendja më shkon te një
bredh origjinal përafërsisht me madhësi
të njejtë të cilin e patëm hequr me rrënjë në mal, atëbotë te dajtë e mi dhe të
cilin e patëm sjellë në njërën nga dhomat e shtëpisë… Po bredh ca edhe nëpër ca
kujtime por pa e zgjatur për të shkruar për to veç po e përmend atë që e tha
gjyshja ime se vitin e ri kemi filluar ta festojmë që kur kemi rënë në qytet.
Derisa thuhen shumë gjëra për këtë festë që ka njëfarë karakteri global, them
se kjo festë po e ka dhe të mirën e vet. Njerëzit po bëhen bashkë,
njëri-tjetrin po e urojnë dhe po e vizitojnë ashtu siç po bëjnë dhe për festa
kombëtare e fetare.
Dhe
them se më mirë të them diç për qytezën ku ka vite që jetoj, të përshkruaj
gjendjen e saj në pragun e ndërrim motmoteve, ashtu si e shoh, ashtu si e
pashë...
Dhe
derisa kaloj kah objekti shkollës
fillore të qytezës sonë do hyj në oborrin e saj, me papastërti të pluhurtë, me
shishe plastike e me kanaqe te hedhura me qebapa cigaresh e me gjësende të
cikërrimave tjera. Në dyert e hyrjes së shkollës është vënë një njoftim
paralajmërues se do te dënohen me kaq e
aq para ata që dëmtojnë bankat e mjetet tjera të shkollës. Do rri e do
endem aty nëper dy oborret e shkollës
herë para e herë prapa . Në fushën me gjelberim plastik të shkollës ai grup te
rinjsh do vazhdoj te luaj futboll. Me pas do dal nga këtu, andej kah hyra ku
mungon një tel i hekurtë i rrethojës së oborrit shkollor. Rrugëve të qytezës do
të na del parasysh dikush me dikë të
cilët shohin e flasin për atë objekt banesor që gati ka përfunduar. Oxhakët e shtëpive nga gojët nxjerrin tym të bardhë, të zi, të hirtë.
Dikush flet dhe për filterët e tymtarëve të KEK-ut, duke thënë, veç po thonë a
ia kanë vënë... E diku ndonjë shtëpi që gati
e kanë rrënuar, e ndonjëres ta
rrënojë sapo ia kanë filluar. E diku diku shtëpi e shumëkateshe në fqinjësi ende duke bashkëjetuar.Më tej në një copë
rrugice fëmije duke luajtur e vrapuar pas topi. Në një vend tjetër luhet
basketboll, në atë hapësirë para asaj shtëpie në oborr. Edhe më tej para një
internet kafeje verehet njoftimi per lojën Counter strike të titulluar: “Gjahtari i krimineleve”. Nga
hapat e hedhur shohim njoftimet nga më
të ndryshme të shkruara nëpër copa letre mbrenda e jashtë xhamave, qoshe e
kënde objektesh, drunjëve e nëpër banderë si: “Banesa shitet”; “lokali shitet
ose ipet me qera”,”vetura në shitje”, “kthehemi pas xhumasë”, ndonjë lajmërim
për dikë që ka ndërruar jetë. Posterë e njoftime të tjera të vjetra të
zverdhura e të reja. Ndërkohë vazhdojnë
të hapen e mbyllen dyer zyrash institucionale
e private,dyer bankash, sallonesh
mobilerie, kafeneshë, dyqanesh të vogla e të mëdha, dyer berberësh dhe diku
hapen dritarëzet e vogla të kioskave, e diku dyert e këtij dyqani të rrallë të
këtij këpuctari. Hapen dhe mbyllen dhe
dyer autobusësh, taksishë, veturash,
trenash, barnatoresh, gjelltoresh, qebaptoresh… Diku luhet ndonjë lojë
ping-pongu, biljardoje e pikadoje e në ndonjë fushë të mbyllur a në ndonjë tavolinëfutbolli duke rrotulluar
ato figura lojtarësh me duar, dikush hy edhe në derën e ndonje bastoreje.
Posterë e njoftime të tjera të vjetra të zverdhura e të reja. Dikush ecën i
vetëm e dikush në shoqeri të dikujt, ndonjë grup te rinjsh së bashku duke folur
me të madhe e duke qeshur. Dikush i thotë dikujt shefi më ka mbetë borxh 50 euro
e s’po m’i jep se po më thotë ma ke lënë punën keq, dhe biseda vazhdon me mllef
e tension. Dikush duke menduar shkel mbi ata “shkembinj” bore e akulli që ende
rezistojnë sidomos aty ku rrezet e diellit pak ose aspak nuk kanë depërtuar.
Nëper këto miniatura akullnajash që
duken sikurse makete ndërtesash që paraqiten ndoku për të parë një plan
rregullues, se si do te duket kjo ose ajo pjesë e këtij apo atij qyteti. E
nëpër to gjenden edhe të tjera gjurmë
pos ndojë gjurme e ndonjë këpuce , a shputë maceje, qeni , sorre a zogu, si psh aty ka dhe ndonje faculete ose ndonjë
cope e bardhë stiropori që janë ankoruar këtu. Ose kanë rënë nga ndonjëri prej
kateve të kësaj shumëkateshje në ndërtim
e sipër. Ose kushedi se ç’erë i ka sjellë. Dikush hap dritaren e veturës dhe
shkund cigaren. Në atë kënd rruge presin ata që shesin dru e thëngjill. Dikush
shkurton drutë dhe i palos ne mënyre mjaft simpatike disi artistikisht duke
formuar një lloj sane drunjshtë shkurtuara e të çara, të bëra gati për t’i marr
për zjarr. Dikush ecën i ngarkuar me qese në duar që mbajnë emrat e firmave të
mëdha si
“Albi“, “Intereks”, “Viva”, “Herta”, “Maxi”, “Etc”... Nëpër telefona
mobile na vijnë porosi të ndryshme. Njëra nga to thotë i nderuar konsumator
nëse vëren ndonjë parregullsi lajmërohu në filan numrin, në filan ministri.
Njëra nga to thotë do të emigroni këtu e atje. Dikush tha se s’po shiten të
“Valës” mbushje sepse punëtorët po kërkojnë t’i marrin ato që bonuset. Dikush mban ndezur cigaren, dikush
pos cigares mban në gojë edhe nje lugë plastike të makiatos. Bombola llojesh të
ndryshme hidhen e pëlcasin ditën por edhekur errësira bie, ndonjëra prej tyre
të tremb e pëlcet përpara se ta shkëlësh me a pa vetëdije. Nuk mungojnë as
fishekzjarret dhe shkëlqimi i tyre i shkurtër në qiell zgjat shumë më pak se
dritat zbukuruese që fiken e ndizen…
Dita
e sotme në qytezën tonë agoi me mjegull dhe me shi…Dhe së fundmi po e them edhe
këtë që e paskna thënë kohë më parë: Tik-tak./ Ditë-natë. /Edhe një fundvit,/Po
na vjen(Edhe një vit po na lë.)/Përpëlitje, zvarritje/ Gaz, ofshamë/ Edhe
pyetja çfarë të bëj(më)…