E enjte, 08.05.2025, 12:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Fejesa që nuk duhej bërë

E premte, 28.12.2012, 01:18 AM


FEJESA QË NUK DUHEJ BËRË

Tregim nga Hyqmet Hasko

Erida, ishte një vajzë rreth njëzeteshtatë vjeç, e shkurtër e me tipare, të një krijese të shartuar nga dy prindër të ndryshëm në ngjyrë. Ajo ngjante si mulate, por ishte shumë e bukur. Fejesa e saj u prish shpejt, pa pyetur njeri dhe pa sherre të zakonshme. Ajo nuk qante as nuk qeshte. -Ashtu desha, - u tha në shtëpi - kështu është më mirë...Babai tundi kokën dhe u nxi në fytyrë. Ndërsa nëna nuk u ndie fare. Vëllai hapi çezmën me force dhe mbushi një gotë ujë, por nuk piu. Ai e hodhi gotën në lavaman, ku u thye me një tingëllim të thatë dhe doli jashtë duke përplasur derën.Ra një qetësi nga ato që të futin më tepër në ankthe të zymta.-Fol! - i tha babai nënë papritur.-Ç’të flas?... Ajo e bëri me kokën e saj...- tha nëna - dhe lotët i ranë mbi faqe iu bashkuan në mjekër.-Ç’na bëre, moj vajzë! - ulëriu babai. Erida u tremb nga zëri i fort i të atit. Ajo kurrë nuk e kishte dëgjuar të bërtiste aq fort. Ai gjithmonë ishte i qetë por i prerë në fjalët e tij.Adës, motrës së Eridës, i vinte mirë qe ndodhi prishja e kësaj fejesë me shkesë. Ajo iu drejtua babait:-Mirë beri, o babi, pse akoma me kohen e stërqykut do jetojmë? Eri është zonja e vetes, ajo do gjejë një djalë më të mirë, që të paktën ta dojë.-Po çdo thonë bota, moj vajzë, kush e merr më këtë shushkën? Do thonë ka qenë një herë e fejuar... -O hu, ju akoma me opinion e botës rroni! Le të thonë çfarë të duan Eri është vajzë e mirë. Kushdo e merr.-E mirë, moj e mirë, por ka qenë e fejuar!...-Ajo nuk e donte atë, më kujtohet që ditën e fejesës qante pa pushim.Ai kishte ardhur me farefis të gjerë dhe kishin sjellë shumë dhurata. Erida qante në kuzhinë. Ne tryezë ishin vendosur shumë ëmbëlsira dhe kur erdhi radha të nxirrnin llokumet,ajo ajo duhej të dilte para tyre për t’u servirur llokumet. Eri këmbëngulte të mos te dilte. Por në kuzhinë hyri vëllai, Sajmiri dhe e vështroi rreptë:- O dil, ose hidhu nga dritarja!- i tha duke klithur.Babai Nëna dhe vëllai këmbëngulën deri në fund për këtë fejesë.Vëllai punonte bashkë me atë djalë qe e quanin Nazmi, i cili ishte shumë punëtor dhe shumë i sjellshëm, sipas thënieve te vëllait. Megjithatë ata mendonin se Erida, nuk ishte vajzë e gjallë dhe kishin frikë se mos u mbetej në derë pa martuar. Vërtetë ajo ishte shumë e sjellshme dhe e bindur, që fjalën prindërve kurrë nuk ua bënte më dysh. Por atë ditë kur kundërshtoi, ia tha nënës me gjysmë zëri:-Nuk e dua, unë nuk ndjej asgjë për të!...Nena e fërkoi në kokë me durim:-Do ta duash bijë, do ta duash, edhe unë babanë tënd në fillim nuk e doja, por më vonë fillova të lija kokën pas tij. Mos u mërzit, dashuria do t’u vijë dalëngadalë!.

Atëherë Eri mori tabakanë dhe u serviri llokumet miqve, por nuk ia hodhi sytë fare te fejuarit. Në dhomë u krijua ilaritet, filluan të urojnë me zë të lartë, duke trokitur gotat. Dikush thoshte: “Të trashëgohen!”,dikush: “Na qoftë për hajër!”.Të gjitha këto urime, Erit i binin si çomange në kokë. Asaj i zienin trutë, trupi iu ftoh dhe i filluan te dridhura, gati sa nuk po i binte të fikët.Halla e Nazmiut, të fejuarit të Erit, e pa situatën dhe me shumë mirësjellje u kërkoi leje për të biseduar me vajzën në dhomën tjetër. Por daja, një burrë kokorroç, që e mbante veten për të zgjuar shumë, i tha hallës: ”Ulu aty moj hallo, duhet të dalë dhëndëri të flasë me Nusen, jo ti !”. Dhe kësisoj kjo situatë kaloi me trokitje gotash dhe me urime për një miqësi familjare të mirë e te shëndoshë.Miqtë ikën dhe e lanë dhëndrin në shtëpinë e vajzës, që sipas zakonit ai me nusen të dilnin të shëtisnin dhe të pinin ndonjë kafe.Të nesërmen te dyja motrat ikën për në universitet. Erida,vazhdonte masterin për ekonomi financiare, ndërsa Ada, ishte në vitin e dytë për Anglisht, në universitetin e gjuhëve të huaja.Erida mbeti ca kohë e fejuar me Nazmiun. Të dyja motrat jetonin në një banesë private, afër Tiranës se Re. Nazmiu vinte e takonte shpesh. Ata nuk rrinin shumë, pinin ndonjë kafe dhe Eri kthehej në shtëpi me vrap, sikur e shponte dikush nga prapa. Kishte raste që Nazmiut i dilte Ada dhe i thoshte se Eri sot nuk dilte dot, pasi gjoja ishte me temperaturë të larte. Adës i vinte për të qeshur, kur ai u besonte gënjeshtrave të saj pa kripe. Erida ishte mërzitur me prindërit, ata vazhdimisht i përsërisnin, se dashuria vjen dalëngadalë dhe ajo mundohej tu besonte duke pritur. Adës, nga ana tjetër, i vinte shumë inat me motrën e vet, qe ishte shumë e qullët, si pelte kalamajsh. Por në të vërtetë Eri ishte shumë e sjellshme, ajo nuk mërzitej edhe kur Ada i bënte presion ta linte, nëse nuk e donte.Ne dhomën e tyre vinte dhe një vajze tjetër që sapo ishte fejuar. Asaj nuk i pushonte goja asnjë sekondë se përmenduri të fejuarin e saj. Erida shpesh thoshte, sa mirë,ajo e do shumë të fejuarin e vet, po unë ç’të bëj që nuk ndjej asgjë për të?... Eh, ku e kam mendjen dhe unë tha Eri me një ndjenjë mospërfillëse për Nazmiun që nuk ndjente asgjë. -Duhet të mësoj! - i tha së motrës dhe shoqe së saj, - Ikni ju, se nesër kam provim, se kur jeni ju këtu, mua nuk më bëhet të mësoj!...Kaluan ditë dhe Nazmiu nuk po dukej. Ai zakonisht nuk e shtynte javën, vinte shpesh dhe sa herë që vinte, i sillte diçka, nuk vinte kurrë duarbosh. Dhe gjithmonë i thoshte, se këto i ke nga nena, apo nga motra e tij. Por Eri nuk vinte asgjë në gojë, ato i hante gjithmonë shoqja e dhomës. As Ada nuk i prekte. Ajo e kalonte me një të qeshur dhe thoshte, se nuk i hante se vjehrra e Erit kishte bërë magji, që Eri ta donte Nazmiun.Më në fund, ajo vendosi. Kur erdhi Nazmiu për ta takuar, i doli duke u dridhur. I vinte rende sikur po bënte diçka të pamoralshme. Ada kishte hapur pak perden dhe po i shikonte. Erida rrinte kokulur, fliste me gjysmë zëri dhe shungullonte e tëra. Adës i vinte plasje dhe i vinte të bërtiste me zë të larte: “thuaja, moj shushkë e dreqit thuaja!” Eri ngriti një çast kokën dhe për herë te parë e pa Nazmiun në sy, që nga koha kur ishin fejuar.-Ti e kupton edhe vetë, por...mua s'më lindi asnjë ndjenjë për ty...Ndoshta kisha dëshirë për ta kaluar shumë mirë së bashku, por unë s'mundem...Ne bashkë sa herë jemi takuar, jemi zënë...Ai heshti. Në dorë mbante një varëse floriri, që e vërtiste mes gishtave gjithë nervozizëm. Zgjati vetëm dorën, e takoi për herë të fundit, duke i thënë:-Nuk e bëre mirë. Këtë gjë duhesh ta kishe thënë që në fillim.-Nuk mundesha!- i tha Erida, - ashtu ishin rrethanat...Ai ktheu kurrizin duke mërmëritur nëpër dhëmbë “Mirë,mirë!”Ditët kalonin dhe shkollës po i vinte fundi, Eri kishte një provim përfundimtar shumë të vështirë. Ajo kishte dy ditë që studionte në dhomë vetëm. Ada kishte shkuar tek një shoqe shkolle për vizitë, ndërsa shoqes tjetër i kishte ardhur i fejuari. Ishte ditë e diel dhe sapo errësohej, Eri ishte shkëputur nga studimi dhe po lëvizte nëpër dhomë për t’u shpirë pak. Në derën e dhomës u dëgjua një e trokitur. Eri hapi derën vrullshëm duke pandehur mos ishte e Ada. Befas në dhomë u futen dy persona me kapuç. Ata nuk e lanë të fliste por ia mbyllen gojën, e ngritën peshë dhe e hodhën nga prapa pallatit, ku nuk shikohej asgjë, pasi pallati ku banonin ishte i ri. Ata dolën me nxitim dhe u larguan me një makinë me targa të huaja.Mbas dhjet minutash, Ada u fut në dhome dhe pa që ishte rrëmujë. Eri mungonte aty brenda. Ajo pa dritaren hapur dhe vështroi poshtë, ku dëgjoi një rënkim. Vrapoi nëpër shkallë duke ulëritur. Te gjithë banoret dolën te alarmuar dhe shkuan mbas Adës.Eri ndenji në spital tre muaj. Për fatin e saj, prej dyshekut me ferra e qeska ku ra dhe prej mëshirës se zotit, ajo nuk pati shumë dëmtime të renda. Së fundi, mjeku, një djalë i ri shumë simpatik, që e kishte kuruar, i dha lajmin e bukur se tashmë çdo gjë kishte kaluar dhe se për një orë do të dilte.Erida u ngrit e përqafoi dhe e puthi ne faqe. Sytë e saj u mbushen me lot. Ajo nuk ia lëshonte dorën mjekut dhe e përqafonte fort, sikur donte të çonte tek ai të gjithë dashurinë dhe mirënjohjen e shpirtit te saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx