| E premte, 28.12.2012, 01:18 AM |
FEJESA QË
NUK DUHEJ BËRË
Tregim nga Hyqmet Hasko
Erida,
ishte një vajzë rreth njëzeteshtatë vjeç, e shkurtër e me tipare, të një
krijese të shartuar nga dy prindër të ndryshëm në ngjyrë. Ajo ngjante si
mulate, por ishte shumë e bukur. Fejesa e saj u prish shpejt, pa pyetur njeri
dhe pa sherre të zakonshme. Ajo nuk qante as nuk qeshte. -Ashtu desha, - u tha
në shtëpi - kështu është më mirë...Babai tundi kokën dhe u nxi në fytyrë.
Ndërsa nëna nuk u ndie fare. Vëllai hapi çezmën me force dhe mbushi një gotë
ujë, por nuk piu. Ai e hodhi gotën në lavaman, ku u thye me një tingëllim të
thatë dhe doli jashtë duke përplasur derën.Ra një qetësi nga ato që të futin më
tepër në ankthe të zymta.-Fol! - i tha babai nënë papritur.-Ç’të flas?... Ajo e
bëri me kokën e saj...- tha nëna - dhe lotët i ranë mbi faqe iu bashkuan në
mjekër.-Ç’na bëre, moj vajzë! - ulëriu babai. Erida u tremb nga zëri i fort i
të atit. Ajo kurrë nuk e kishte dëgjuar të bërtiste aq fort. Ai gjithmonë ishte
i qetë por i prerë në fjalët e tij.Adës, motrës së Eridës, i vinte mirë qe
ndodhi prishja e kësaj fejesë me shkesë. Ajo iu drejtua babait:-Mirë beri, o
babi, pse akoma me kohen e stërqykut do jetojmë? Eri është zonja e vetes, ajo
do gjejë një djalë më të mirë, që të paktën ta dojë.-Po çdo thonë bota, moj
vajzë, kush e merr më këtë shushkën? Do thonë ka qenë një herë e fejuar... -O
hu, ju akoma me opinion e botës rroni! Le të thonë çfarë të duan Eri është
vajzë e mirë. Kushdo e merr.-E mirë, moj e mirë, por ka qenë e fejuar!...-Ajo
nuk e donte atë, më kujtohet që ditën e fejesës qante pa pushim.Ai kishte
ardhur me farefis të gjerë dhe kishin sjellë shumë dhurata. Erida qante në
kuzhinë. Ne tryezë ishin vendosur shumë ëmbëlsira dhe kur erdhi radha të
nxirrnin llokumet,ajo ajo duhej të dilte para tyre për t’u servirur llokumet.
Eri këmbëngulte të mos te dilte. Por në kuzhinë hyri vëllai, Sajmiri dhe e
vështroi rreptë:- O dil, ose hidhu nga dritarja!- i tha duke klithur.Babai Nëna
dhe vëllai këmbëngulën deri në fund për këtë fejesë.Vëllai punonte bashkë me
atë djalë qe e quanin Nazmi, i cili ishte shumë punëtor dhe shumë i sjellshëm,
sipas thënieve te vëllait. Megjithatë ata mendonin se Erida, nuk ishte vajzë e
gjallë dhe kishin frikë se mos u mbetej në derë pa martuar. Vërtetë ajo ishte
shumë e sjellshme dhe e bindur, që fjalën prindërve kurrë nuk ua bënte më dysh.
Por atë ditë kur kundërshtoi, ia tha nënës me gjysmë zëri:-Nuk e dua, unë nuk
ndjej asgjë për të!...Nena e fërkoi në kokë me durim:-Do ta duash bijë, do ta
duash, edhe unë babanë tënd në fillim nuk e doja, por më vonë fillova të lija
kokën pas tij. Mos u mërzit, dashuria do t’u vijë dalëngadalë!.
Atëherë
Eri mori tabakanë dhe u serviri llokumet miqve, por nuk ia hodhi sytë fare te
fejuarit. Në dhomë u krijua ilaritet, filluan të urojnë me zë të lartë, duke
trokitur gotat. Dikush thoshte: “Të trashëgohen!”,dikush: “Na qoftë për
hajër!”.Të gjitha këto urime, Erit i binin si çomange në kokë. Asaj i zienin
trutë, trupi iu ftoh dhe i filluan te dridhura, gati sa nuk po i binte të
fikët.Halla e Nazmiut, të fejuarit të Erit, e pa situatën dhe me shumë
mirësjellje u kërkoi leje për të biseduar me vajzën në dhomën tjetër. Por daja,
një burrë kokorroç, që e mbante veten për të zgjuar shumë, i tha hallës: ”Ulu
aty moj hallo, duhet të dalë dhëndëri të flasë me Nusen, jo ti !”. Dhe kësisoj
kjo situatë kaloi me trokitje gotash dhe me urime për një miqësi familjare të
mirë e te shëndoshë.Miqtë ikën dhe e lanë dhëndrin në shtëpinë e vajzës, që
sipas zakonit ai me nusen të dilnin të shëtisnin dhe të pinin ndonjë kafe.Të
nesërmen te dyja motrat ikën për në universitet. Erida,vazhdonte masterin për
ekonomi financiare, ndërsa Ada, ishte në vitin e dytë për Anglisht, në
universitetin e gjuhëve të huaja.Erida mbeti ca kohë e fejuar me Nazmiun. Të
dyja motrat jetonin në një banesë private, afër Tiranës se Re. Nazmiu vinte e
takonte shpesh. Ata nuk rrinin shumë, pinin ndonjë kafe dhe Eri kthehej në
shtëpi me vrap, sikur e shponte dikush nga prapa. Kishte raste që Nazmiut i
dilte Ada dhe i thoshte se Eri sot nuk dilte dot, pasi gjoja ishte me
temperaturë të larte. Adës i vinte për të qeshur, kur ai u besonte gënjeshtrave
të saj pa kripe. Erida ishte mërzitur me prindërit, ata vazhdimisht i përsërisnin,
se dashuria vjen dalëngadalë dhe ajo mundohej tu besonte duke pritur. Adës, nga
ana tjetër, i vinte shumë inat me motrën e vet, qe ishte shumë e qullët, si
pelte kalamajsh. Por në të vërtetë Eri ishte shumë e sjellshme, ajo nuk
mërzitej edhe kur Ada i bënte presion ta linte, nëse nuk e donte.Ne dhomën e
tyre vinte dhe një vajze tjetër që sapo ishte fejuar. Asaj nuk i pushonte goja
asnjë sekondë se përmenduri të fejuarin e saj. Erida shpesh thoshte, sa
mirë,ajo e do shumë të fejuarin e vet, po unë ç’të bëj që nuk ndjej asgjë për
të?... Eh, ku e kam mendjen dhe unë tha Eri me një ndjenjë mospërfillëse për
Nazmiun që nuk ndjente asgjë. -Duhet të mësoj! - i tha së motrës dhe shoqe së
saj, - Ikni ju, se nesër kam provim, se kur jeni ju këtu, mua nuk më bëhet të
mësoj!...Kaluan ditë dhe Nazmiu nuk po dukej. Ai zakonisht nuk e shtynte javën,
vinte shpesh dhe sa herë që vinte, i sillte diçka, nuk vinte kurrë duarbosh.
Dhe gjithmonë i thoshte, se këto i ke nga nena, apo nga motra e tij. Por Eri
nuk vinte asgjë në gojë, ato i hante gjithmonë shoqja e dhomës. As Ada nuk i
prekte. Ajo e kalonte me një të qeshur dhe thoshte, se nuk i hante se vjehrra e
Erit kishte bërë magji, që Eri ta donte Nazmiun.Më në fund, ajo vendosi. Kur
erdhi Nazmiu për ta takuar, i doli duke u dridhur. I vinte rende sikur po bënte
diçka të pamoralshme. Ada kishte hapur pak perden dhe po i shikonte. Erida
rrinte kokulur, fliste me gjysmë zëri dhe shungullonte e tëra. Adës i vinte
plasje dhe i vinte të bërtiste me zë të larte: “thuaja, moj shushkë e dreqit
thuaja!” Eri ngriti një çast kokën dhe për herë te parë e pa Nazmiun në sy, që
nga koha kur ishin fejuar.-Ti e kupton edhe vetë, por...mua s'më lindi asnjë
ndjenjë për ty...Ndoshta kisha dëshirë për ta kaluar shumë mirë së bashku, por unë
s'mundem...Ne bashkë sa herë jemi takuar, jemi zënë...Ai heshti. Në dorë mbante
një varëse floriri, që e vërtiste mes gishtave gjithë nervozizëm. Zgjati vetëm
dorën, e takoi për herë të fundit, duke i thënë:-Nuk e bëre mirë. Këtë gjë
duhesh ta kishe thënë që në fillim.-Nuk mundesha!- i tha Erida, - ashtu ishin
rrethanat...Ai ktheu kurrizin duke mërmëritur nëpër dhëmbë “Mirë,mirë!”Ditët
kalonin dhe shkollës po i vinte fundi, Eri kishte një provim përfundimtar shumë
të vështirë. Ajo kishte dy ditë që studionte në dhomë vetëm. Ada kishte shkuar
tek një shoqe shkolle për vizitë, ndërsa shoqes tjetër i kishte ardhur i
fejuari. Ishte ditë e diel dhe sapo errësohej, Eri ishte shkëputur nga studimi
dhe po lëvizte nëpër dhomë për t’u shpirë pak. Në derën e dhomës u dëgjua një e
trokitur. Eri hapi derën vrullshëm duke pandehur mos ishte e Ada. Befas në
dhomë u futen dy persona me kapuç. Ata nuk e lanë të fliste por ia mbyllen
gojën, e ngritën peshë dhe e hodhën nga prapa pallatit, ku nuk shikohej asgjë,
pasi pallati ku banonin ishte i ri. Ata dolën me nxitim dhe u larguan me një
makinë me targa të huaja.Mbas dhjet minutash, Ada u fut në dhome dhe pa që
ishte rrëmujë. Eri mungonte aty brenda. Ajo pa dritaren hapur dhe vështroi
poshtë, ku dëgjoi një rënkim. Vrapoi nëpër shkallë duke ulëritur. Te gjithë
banoret dolën te alarmuar dhe shkuan mbas Adës.Eri ndenji në spital tre muaj.
Për fatin e saj, prej dyshekut me ferra e qeska ku ra dhe prej mëshirës se
zotit, ajo nuk pati shumë dëmtime të renda. Së fundi, mjeku, një djalë i ri
shumë simpatik, që e kishte kuruar, i dha lajmin e bukur se tashmë çdo gjë
kishte kaluar dhe se për një orë do të dilte.Erida u ngrit e përqafoi dhe e
puthi ne faqe. Sytë e saj u mbushen me lot. Ajo nuk ia lëshonte dorën mjekut
dhe e përqafonte fort, sikur donte të çonte tek ai të gjithë dashurinë dhe
mirënjohjen e shpirtit te saj.